More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNjë roman përtej provokimit

    Një roman përtej provokimit

    Shënime për romanin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” të autorit Ridvan Dibra

    Në vitin 1955, në shtëpitë botuese të Francës qarkullonte një dorëshkrim me përmbajtje erotike që nuk gjente vend për kohën dhe që iu mohua e drejta e botimit pa keqardhje. Shtëpia e vetme botuese që e mori përsipër ishte një zyrë e vogël, e cila shumicën e botimeve të saj i kishte të një përmbajtjeje të fortë erotike. Kjo është historia e ardhjes së “Lolitës” të Nabokovit, libër që është konsideruar nga shumë autorë si një prej veprave më të mira letrare të shekullit XX.

    Kurse sot, në vitin 2019, unë mbaj në dorë “Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë’’, shkruar nga Ridvan Dibra. Një libër me natyrë të gjallë provokuese e kontroversale. Në qendër të veprës një personazh me emrin Madalenë dhe që shoqet e thërrasin shkurt Lena. Një Lenë që e shohim tek rritet nëpër tri fazat më kryesore të jetës së saj: moshat 15, 25 e 40 vjeç.
    Në vitin e saj të 15-të takojmë një vajzë të brishtë, të ndikuar nga shoqëria dhe që as nuk e imagjinonte sa vendimtare do ishte kjo fazë në të gjithë jetën e saj. Këtu Dibra luan me pasiguritë e moshës, me egon adoleshente dhe me një anë psikologjike që të përball me shumë kurthe. Nis tjetërsimi e absurdi i realitetit, që e çon Lenën drejt një barre ekzistenciale. Në vitin e 25-të kemi një Lenë të hareshme, që besonte te dashuria, në atë të vërtetën ama, por dashuria nuk besoi tek ajo. Në këtë pjesë trajtohet raporti dashuri-mentalitet, frustrimi i një shoqërie të prapambetur që vazhdon të ndikojë te personazhi kryesor. Dibra vazhdon zbërthimin e psikologjisë së gruas dhe nxjerr në pah dramën e saj, duke luajtur edhe më shumë me mendimet e lexuesit. Kurse në vitin e 40-të njihemi me Madalenën, zonjën e vërtetë e të realizuar në të gjitha aspektet, por akoma jo nga dashuria! Në këtë fazë ironia luan rolin e kontradiktës. Është vetë Madalena që dëshmohet kundër unit të saj dhe kështu na paraqitet si një grua të cilën e plotësoi vetë absurdi i jetës. Ridvan Dibra shtron një akt që na vjen si një vetëdije e lidhur drejtpërdrejt me realitetin. Ky autor gjuhën e zotëron me fleksibilitet të plotë, ku stili postmodern përzihet me metaforën erotike për të na dhënë pohime që kanë brenda kontrastin, absurdin. Vërehet se shpeshherë ligjërimi ka gjurmë vulgariteti, gjë që nuk vjen si rastësi, por lidhet me metaforën bazë të romanit. Struktura gjuhësore e përdorur është dinamike dhe e shtyn lexuesin drejt familjarizimit me dimensione të reja. Kjo strukturë e pasqyron denjësisht botën si objekt të veprës, duke gjeneruar më tej kuptimet mbi realitetin.
    Karakteristikat postmoderne në këtë vepër lëvizin si në strukturën e brendshme të saj, ashtu edhe në detajet e ndërtimit të jashtëm, duke na treguar një anë spontane ku raporti mimetik i realitetit shfaqet i lirë dhe i natyrshëm. Duket sikur Dibra eksperimenton me një tematikë tabu, por edhe me vetë strukturën e romanit, duke na ndërfutur në një pafundësi qasjesh e mendimesh. Nisur nga konceptimi i strukturës së romanit, shihen disa qëndrime të veçanta e të pazakonta. Prologu në këtë vepër merr një qëndrim krejt ndryshe. Fillimisht, ndërton një formë dialogu paralajmërues me lexuesin. Në vazhdim është në kërkim të një lexuesi ndryshe, një lexuesi që e mban peshën e kuptimit të kësaj vepre. Dibra rrëfimtar njëjtësohet me heroinën e veprës, duke na sfiduar ne si lexues dhe duke thyer kufijtë ekzistentë mes reales e trillit.
    Loja letrare na befason: personazhi kryesor bëhet autor i parë dhe vetë autori kthehet në personazh, duke thyer formën tradicionale e duke maskuar kufijtë e një vepre të vërtetë artistike. Nihilizmi shfaqet në dy forma: nëpërmjet neverisë që autori-personazh ndien ndaj absurdit dhe me anë të raportit të krijuar mes realitetit e “banalitetit” që shpesh e mbizotëron ligjërimin letrar. Kombinime të ndryshme brenda një strukture, kalime të papritura nga një periudhë kohore në tjetrën dhe shpërthimet e spektrit seksual e bëjnë këtë vepër të jetë një novacion i letërsisë moderne. Dibra na dhuron një vepër ku kufijtë kohorë e hapësinorë shkrihen, një vepër të mirëfilltë që trajton shoqërinë dhe shuplakat që kjo e fundit hedh pafund drejt gjithsecilit nga ne. Mos vallë Virgjëresha Madalenë është vetë Dibra, apo jemi të gjitha ne, vajzat dhe gratë e shekullit të ri?! Gjatë leximeve të mia kam hasur shumë shkrimtarë që e kanë portretizuar figurën e femrës, por të paktë kanë qenë ata që na e kanë servirur me kaq mjeshtëri psikologjinë e saj, pasigurinë dhe ndjeshmërinë. Nuk do mend, po flas për një shkrimtar që e përdor me aq fleksibilitet metaforën erotike, saqë lexuesi vallëzon me fjalën dhe ndjesinë e dhuruar. “Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë” është një trill letrar që të has njëkohësisht me provokimin, por edhe me hezitimin. Një vepër që tenton t’i shkojë deri në palcë shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm, duke trajtuar një temë që “fshihet” në skutat më të errëta të njeriut. Kjo vepër vjen si një vullkan i vërtetë social e letrar, që ia vlen të rindizet herë pas here nga lexues të vërtetë.

    Alba Kallogjeri, studente në gazetari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË