More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Preç Zogaj - “In Love” , një melodi polifonike

    Ali Aliu: Preç Zogaj – “In Love” , një melodi polifonike

    Libri “In Love” i autorit Preç Zogaj  është një libër poetik i veçantë për disa arsye. Ky vëllim sjell njëqind poezi të lidhura pas një boshti tematik, ku dashuria, ëshët qendra. Në këto poezi ka mall e ngjyrim melankolik në prag elegjiak, ka afsh dhe zjarr emocional të gjallë, ka mëtim për ta pushtuar dhe për t’u pushtuar nga dashuria; ka distancë odeike të dashurive që lënë gjurmë. Në tërësi libri ka vargje  të ngarkuar me një fluid ëndërrimtar, një prirje që bën bashkë të kaluarën me të tanishmen,  pasionanten me të kërkuarën e të paarritshmen; dehjen për të dalë prej saj apo për të hyrë brenda saj…

    Poezitë, që në fund kanë datën e zënies, shtrihen brenda harkut kohor të dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX dhe dy të atij XXI; të vendosura brenda shumicës së atyre pa data, me të cilat ato përplotësojnë veten dhe i përplotësojnë të tjerat; së bashku ruajnë prirjen e poemthit lirik; ato natyrshëm marrin në krahët e veta poezitë e tjera, që janë shumicë, duke i vënë në funksion komunikimi mes njëra-tjetrës duke e përfillur statusin e poemthit lirik; prandaj kudo që prek, që vë dorën dhe hap faqen e librit, cilado poezi që rastis, frymon brenda boshtit unik…

    Komponimi i tillë i librit mbi dashurinë, i derdhur në kohë, bëmat dashurore rrjedhin dora-dorës me ndiesinë e pranisë së fijes që i ushqen dhe mban bashkë të gjitha perspektivat. Harku kohor i hapur ndaj dhe për dashuri, sa me kthjelltësi të plotë, sa ngjizur në gjysmëndërrime, sidomos gjatë prehjeve në krahët e mallit, zgjimit të kujtimeve.

    Ai nuk e adhuron atë nga distanca platonike; ai e sjell, e gjallëron me prani afshi, e sjell mëtim zjarri dashuror; Preçi nuk i këndon ode bukurisë së detit nga larg pra, ai është brenda, valëve të kaltra, thellësive; është pasuri shpirtërore për të dashuruar, për të qenë i dashuruar nga të gjitha ngasjet, pse është kuptim, kuptimësi ekzistence.

    Ka brenda vargut edhe vetmi dramatike, ka revoltë përballë thatësisë së shpirtit, përreth e kudo, thirrje përgjërimtare, për dashurinë – kuptim i parë, ekzistencë, (sado të gjithë ikin nga ajo, apo ikën ajo nga të gjithë). Poezia e Zogajt është mëtim drejt gjetje – mosgjetjes së dashurisë, një kërkim pa fund, ngjashëm me dy të rinjtë e dashuruar tek romani i Orhan Pamukut, “Jetë e Re” (Jeni zaman) në kërkim të njëri-tjetrit, edhe duke u shkëmbyer aq pranë drejtime të kundërta, për askund e për të mos u gjetur kurrë; ose që përballen sy më sy tek Preçi dhe në çast përftojnë pa e arritur të tërën, të përsosurën që nuk ekziston; njësoj si tek poezia antologjike e Fatos Arapit “Si s’të desha pak më shumë”.

    Pra dëshira për ta pushtuar të plotën, të tërën, dhe që duhet aq pak, por që s’arrihet kurrë, që s’i ka shkuar kujt përdore, që të ndërmend komentin e Niçes për Don Zhuanin, simbol i kërkimit të mrekullisë lumturore që prore pasohet me zhgënjimin e radhës; për të rinisur nga e para dhe për të mos arritur; ngjashëm me pasionin flakë të filozofit që nuk mjaftohet pas asnjë objektivi të pushtuar, që s’është më lumturori, më i përsosuri e që s’e ka pushtuar kush… ( në një poezi Niçe thotë: “Jam flakë, i huaj për prehje, Djeg duke u djegur dhe vetë”.)

    Preçi s’djeg, as digjet. Ai kërkon, gjen dhe rigjen prehje lumturore në gjirin e dashurisë, dashurisë së përmasave njerëzore; në përballje sfidash, zhgënjimesh të ngushëllueshme dhe të pangushëllueshme, me besimin se mrekullia qëndron pranë, aty rrotull dhe rreth nesh.

    Autori i librit ‘In Love’ i ofron lexuesit studion e vet të hapur, ia ofron sfidat lumturore dhe vuajtëse të dashurisë; ato vijnë valë nga më shumë anë, gjendje, situata çasti dhe së bashku lidhin, kuptimësojnë një shtrat, rrjedha si nisje dhe rinisje dashurore, nga e para, në nxehje apo vakje, gjithë frymëzim, oksigjen pa të cilin nuk ka kuptim asgjë.

    Vargjet rrjedhin valë-valë si melodi polifonike, kreacione të natyrshme, qëndrim konstant i tavanit artistik.

    Autori vë përpara albumin e dashurive, jepet krahëve dehëse në arrati me pasionin e fjetur e të zgjuar dashuror;  gjurmëve stampuara në memorie, fluturimeve të veta, përftimeve, dashurinë e tanishme dhe të përhershme; jehona e valëve dashurore me këtë rast vjen Orfe që fton tërë universin të përfshihet në melodinë e tij, në fluturimet lumturore që magjishëm zhduk kufij, këtej dhe përtej, ai që dashurinë, të dashurën e ka bashkudhëtare të përjetshme…; në çaste vetmie, mbase larg zhurmërisë, shfaqet përpara, e gjallë fytyra, kurmi dikur i dashuruar, gjendje, zëra, klithma lumturore dhe çdo gjë përreth merr pjesë; bie në një përgjumjeje dehëse, ndjellëse; strehë kjo që bën bashkë, të rigjeturën, të gjeturën; abstragon çdo gjë grishëse përreth brenda strehës shndërruar tani si univers dashurie i zërit, i të adhuruarës, deri në gjetjen e rigjetjen e radhës, deri në faqen e fundit të librit…

    Dashuria mes gruas dhe burrit është më shumë se një pëlqim, është përtej një tërheqje çasti; më shumë se edhe një çast lumturor; është tërheqje drejt një përsosjeje lumturore, mëtim drejt përjetshmërisë, majë e arritshme dhe e paaritshme që njerëzimi s’do të resht kurrë së synuari…

    Malli është dhembje shpirti; për dashurinë e gruas dhe burrit, nga më të mëdhenjtë. Grekët e lashtë, për ta qetësuar e lehtësuar atë, mallin, shpikën barin, lëngun çudibërës Nepentes. Por malli është edhe dëshmi e shpirtit të begatë, që e ushqen, e mban gjallë dashurinë. Në çaste vetmie sidomos, ai gjallëron bëma lumturore, të largëta dhe të afërta, shpërfaq personin më të dashur, të adhuruar, mbush boshësinë përreth me bukuritë e saj/të tij, me hiret fizike dhe shpirtërore, aromën, magjinë e syve, derdhjen ar të flokëve, i himnizon ato dhe i anullon distancat, të gjitha në pritje, alarmuar dhe s’ka si të mos vijë ajo, si tek vargjet e poezisë ‘In Love’, kur ia beh si shkrepje e beftë drite, përmasa qiellore, duke lënë pa frymë hapësirën; duke u zhbërë çdo gjë përreth, në çast shfaqet ajo, lartësive të Safos (Sa më vështroi mbetem pa zë dhe gjuha më ngrin…) dhe trupi im që dridhet si kodër, si gjeth, si kitarë; mrekullia edhe më lumturore, më qiellore  me që vjen në një thatësi shpirti, kur gjithçka përreth vrapon më shpejt se dashuria, kur, gjithçka kërkon të dalë nga dashuri.

    Lirikat dashurore në librin e Preçit, shpërfaqin prirjen e krijimit të një strehe, ku dashuria do të jetë e mbrojtur nga brutaliteti, vulgariteti dhe agresiviteti, strehë përzgjedhur me delikatesë dhe elegancë fisnike, përmasash të vetë dashurisë, strehë me status sipëror, ku përftojnë nuanca me finesa perfekte, timbresh himnike, baladike, nostalgjike që derdhen përplotësuese mesveti, dhe që e rrëmbejnë, në valet e veta lexuesin, sidomos atë me prirje onirike, prirje që dorëzohet ngasjeve associative, ëndërrore të lirikës.

    Libri më i ri i Zogajt, rreh në frymën nerudiane; edhe për këtë, ai nxit hamendësitë e shpeshta në hapësirën shqiptare, për deficitin e këtij zhanri të lirikës; në harkun kohor socrealist shqiptar, edhe dashuria në art, do t’u përmbahej dozave të pëlqyera, ndërsa në atë kosovare, përparësi kishte refleksi refuzues, rezistues ndaj pushtuesit; libri ‘In Love’ me prurjen, hapësirën, me njëqind poezitë frymëzuar nga dashuria, nga perspektiva e zërit të dashuruar, sikur mëton të konpensojë, të mbushë boshllëqet që ka lirika e dashurisë në letërsi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË