Në parathënien e librit të tij “Sëmundja e ëndrrave”, autori Mehmet Kraja shkruan ndër të tjera
“… rrëfeva për vendlindjen… në fillim duke u nisur mbi rrëfimet mitike dhe legjendat, dhe gradualisht, duke e përafruar rrëfimin në kohë, arrita te grotesku, një ecje disi e natyrshme nga koha mitike tek ajo historike … duke parë … se si miti transformohet në histori, ndërsa historia, … disi merr atributet e të pandodhurës së mundshme…”
Ai vendos një paratekst të leximit të trilogjisë si “vështrim kritik” i të mundshmes së pandodhur, si anë tjetër e realitetit dhe si shpërfaqje e të përditshmes dhe të vetë vendlindjes.
Si përafrim i legjendës/mitikes së magjisë së vendlindjes me absurdin e groteskut të ndodhur dhe të bashkëkohësisë.
Trilogjia e Mehmet Kraës “Sëmundja e ëndrrave” mund të shihet edhe si një kalim (lexo: kapërcim) i njerëzimit nëpër historinë e perceptimit dhe shpjegimit të botës, apo për t’iu përmbajtur kësaj trilogjie – kalim i vendlindjes së autorit nëpër tri fazat e njerëzimit, që mund të shihet në tri perspektiva:
a) Perspektiva psikike e njeriut
Nga njerëzorja dhe fisnikja e pavetëdijshme (vetëdije të pakornizë, shih më poshtë në tekst), nga “problemi me paranë e dhuruar” e që është “mosdija se ç’të bësh me to”, deri në zgjidhje të po kësaj, e që është në “ndërtim të një ‘uble’ për të tjerët”; më tutje në kalimin e njerëzimit në vetëdijesim, e që nuk jepet si tjetër përpos si dorëzim dhe konfuzion ndaj absurdit të pafundësisë së ”mbretërive” me “topat” e tyre, dhe me këtë shpikjes së – kalkulimit – të jetës, apo thënë më saktë kalkulimit të “ikjes në pallatin e vetë Pashës së Luftës”; e deri, tutje, tek sëmundja e piskës së njeriut, në këtë, kalimi i njeriut tek sëmundja e ëndrrave, sëmundja e psikës dhe sëmundja e njeriut, kalimit të tij në depresion të jermët.
b) Perspektiva e kalimit të shprehjes së njeriut ndaj perceptimit të tij
Në të vërtetë “Sëmundja e ëndrrave” është fiksion që përmban tri novela mbi “vendlindjen”, të cilat e japin atë nga jeta në legjendë – “Ubla e Princeshës”; pastaj novela “Katundi midis dy mbretërive” mbetja e njeriut në ndërmjetësinë e legjendës/mitikes dhe reales apo asaj që autori në paratekst e quan “koha historike”; dhe novela e fundit “Sëmundja e ëndrrave” kur njeriu tanimë e lë prapa legjendën, e kjo duke mbetur në hije të njeriut, dhe njeriu duke pas kaluar vetë në “legjendar” përmes shpikjeve të tij si: ‘pushkatim’ dhe ‘shtab’, ‘gjyq’, ‘pushtet’; thënë në gjuhën e Krajës kalimin në një “Botë pa mbretër”, në “botën bashkëkohore”.
c) Perspektiva e kalimit të njeriut nga naivja kolektive në kolektive të vetëdijshme
Ky është kalimi i njeriut nga naivja e tij, që jeton diku mes legjendës/mitikes/të mbinatyrshmes dhe realitetit; tutje në shkeljen mbi naiven dhe në çarjen e të natyrshmes dhe në këtë kurthim të tij ndërmjet legjendës dhe vetë topit të mbretit që shemb çdo gjë përpos pallatit të vet, pra kalimit në politikën e forcës së njeriut, politikë kolektive/të mbretërive dhe të forcave ushtarake, si dhe të kalimit të njeriut në besimin në fuqinë e ushtrisë dhe të mbretit, e që është kalim nga besimi në të mbinatyrshmen në të besuar në realen. Dhe prej këtu, në novelën “Sëmundja e ëndrrave” kalimi në modernitet/bashkëkohësi ku kolektivi është mjet, që zgjatë bisedën (lexo: gjyqin) “dhjetë vjet”
“… ai i shtabit u nevrikos, filloi të shante nën zë… sa që një ditë dezertori pikasi me dhembje se ai i shtabit, ose ky i shtabit, përnjëherësh ishte mplakur dhe ishte thinjur, sikur kjo bisedë të kishte zgjatur nja dhjetë vjet e më shumë… prandaj. Kur ai një ditë i tha dezertorit, a merremi vesh… u ngut të pohonte me kokë, megjithëqë as vet nuk e dinte se për çfarë mund të merreshin vesh.” (Kraja, “Sëmundja e ëndrrave”, p. 286.)
Autori Kraja në paratekstin/parathënien e trilogjisë thotë ndër të tjera edhe se
“vendi ku kisha kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme kishte një histori dhe një memorie kolektive të jashtëzakonshme, e cila vinte nga thellësitë e kohës, si kompensim dhe kundërpeshë e kësaj bote që nuk i donte, por edhe si narracion i afërt me mënyrën e rrëfimit legjendar…”
Parateksti, në këtë rast kjo parathënie, është një ndërthurje e realitetit të librit me vetë përmbajtjen e tij, gjë që kalon në një marrëdhënie dhe përhapje të mëtutjeshme të vetë librit. Në të vërtetë – parateksti – e parashënjon tekstin vijues dhe e krijon shënjimin e librit si një varg.
Në këtë trilogjia “Sëmundja e ëndrrave” nga Mehmet Kraja, krijon shenjën e vendlindjes si memorie kolektive e cila kompenson dhe i bën kundërpeshë një bote që “nuk e don”, dhe nën anën tjetër konceptin/shënjimin përmes trilogjisë, gjë që vetvetiu të thellon në gjuhën e këtij libri, si shenjë, si theks dhe si determinantë e këtij shënjimi.
Duke pas thënë këtë, “Sëmundja e ëndrrave” e Mehmet Krajës, është vepër që në boshtin e saj shpërfaq determinantën e gjuhës së saj, e cila ndërthurë të mbinatyrshmen dhe të monotoninë e jetës naive dhe të përditshme në një fshat ‘Zotit prapa shpine’, dhe në këtë ndërton kalimin e psikës së njeriut nëpër kohë, në fjalë që ndërthuren në pashallarë e mbretër e topa e pallate, dhe më tutje në atë që u cek më lartë në zhdukje të fjalës mbretër/mbret, dhe ndërhyrje të një fjalori të ri si ‘gjyqi’, ‘shtabi’, gjykimi/dialogu, pushka etj.
Prandaj gjuha, apo thënë më saktë shpjegimi dhe perceptimi, duke filluar nga novela e parë janë vetë paranoja, paranoikja, si gjysmë shpjegim dhe gjysmë njohje dhe gjysmë imagjinatë, njëlloj pavetëdije vetëmbrojtëse, qoftë nga e mbinatyrshmja dhe qoftë nga fatkeqësia e pashpjegim, dhe qoftë edhe nga fatkeqësia natyrore në tërë vegjëlinë e njeriut në naiven e tij mitike. Kjo paranojë/njohje është sikur e pa vetëdije, pa një kornizë dhe gjërat që dalin jashtë saj, si personazhi Dardhojmeli dhe tërë ushtria bashkë me Prijësin e saj, ose tjetërsohen ose humbin në tërësi, duke mundur të kthehen në fshat vetëm si legjenda dhe legjendar. Qoftë edhe gjërat/njerëzit që vijnë në fshat (në universin letrar të kësaj trilogjie) janë njerëz që më shumë takojnë në – botën tjetër – se sa në realitetin e kësaj plazme (sikur që është fenomeni i kalimit të Princeshës me katër përcjellësit e saj në këtë fshat – Qafa e Ljares). Kjo pavetëdijësi, mungesë kornize, apo vetëdije e pakornizuar është një ‘pezullim’ i njeriut në këtë botë sikur gjuhë e cila është në lindje e sipër dhe tërë atë që e percepton dhe e sheh, si Princesha, njerëzit e zi (vetë përcjellësit e princeshës), Titulli Kont i dhuruar personazhit Mark Junkut, apo edhe vetë paraja/thesarët e dhuruara dhe pergamena, të gjitha këto shenja sikur ndërhyjnë në këtë pezullim dhe krijojnë një gravitet të njeriut në tokë dhe në ndarje nga natyra, duke – shpikur – edhe qëllimin e parasë me ndërtimin e një “uble”.
Gjuha në novelën e dytë, gjuha e shënjuar nga Mbreti dhe Topi i Mbretit dhe Ushtria e tij, e çon këtë njeri, këtë kolektiv në një banim/zhvendosje në urë, që shndërrohet në simbolikë të kalimit të njeriut nga legjenda dhe mitikja në reale, të ndarë nga bota.
Në të vërtetë këtu njeriu ende nuk e ka kaluar kufirin me vdekjen dhe ai ende flet me tjetrin dhe me veten në vdekjen e tij, sikur që janë personazhet e Malush Canit dhe Alush Ceni: pastaj personazhet e Bajram Sali Kurti dhe Xhemal Hasan Lani që edhe pse të vdekur vazhdojnë të paramendojnë kthimin dhe luftën me vetë pashën dhe padishahun e mbretërisë.
Në Novelën e tretë tanimë njeriu është një somnambul i cili në depresionin e tij prej të gjitha luftërave që kurrë as nuk kanë fund dhe as zgjidhje. Në të vërtetë, ky somnambulizëm është vetë rikthimi i mitikes dhe të mbinatyrshmes si jermi, si depresion dhe si gjuhë e cila është transformuar si kolektive e mekanizuar në mjet. Është vetë rikthimi i mitit. Vetë rikthimi i çarjes së botës vetëm për njeriun, duke e vënë atë në lojë, apo në bartës të një mitikeje të re, e këtu miti si magjia e vendlindjes (siç u cek në fillim të tekstit).
Në novelën e tretë, personazhi Halil Skjeja, i cili si ushtar i mbretërisë së Malit të Zi ka mbijetuar edhe komunizmin, mbetet i vetmi njeri i lirë, por vetëm pasi që ka kuptuar siç thuhet në këtë paragraf:
“… Çka u ba kështu me këtë botë, që u prish kaq fort? Çdo gja ishte përzier dhe ishte ba lamsh i madh! Nuk kishte ma as qiell ku të zinin vend retë dhe as tokë ku të derdheshin rrëketë, as hënë nuk kishte as diell që të lindte e të perëndonte, as dita nuk ishte ditë e as nata nuk ishte natë! Mbretërit i kishin lënë mbretëritë e tyre dhe kishin ikur diku larg, as xhandarë dhe xhandarmëri nuk kishte më, as kufi që të ruhej e as mbret që të mos shahej. Pthu. Botë e keqe!…”
Ndoshta ajo që i lidh më së miri këto kapërcime të perceptimit dhe të shpjegimit të ‘vendlindjes’ së autorit, vetë njeriut në prapavijë të saj, janë disa pyetje që do të mund të parashtrohen këtu, si vetë shpjegimi dhe po ashtu perceptimi i botës së këtij njeriu:
a. Ç’ është kont në një botë legjende ku tërë universi fillon dhe përfundon në fshatin tënd?
b. Ç’ është mbret, mbretëri, kur ato janë të panumërta dhe asnjëra nuk e ka as interesimin dhe as përkujdesjen ndaj vetë mbretërisë së saj?
c. Ç’ është gjyq, kur ai nuk arrin të shpjegoj mos-vdekjen dhe mungesën e varrit të njeriut të parë që e ka gjykuar dhe e ka ndëshkuar nën gjyqin e tij?
Në të vërtetë këto janë pyetje të cilat mund të merren si hapë tutje i njeriut, tutje në botën e re, një botë të re, duke u munduar në ankth që të ikë nga ajo e kaluara. Por ky hap, i progresit dhe vetëdijesimit, në gjyqe dhe biseda “dhjetëvjeçare” është në të vërtetë vetë kthimi i njeriut në ëndrrën e tij, në ëndrrën e tij sikur të personazhit të “toger Lanit” i cili në vetëvrasjen e tij në dëshpërim për mungesë të një mbreti (ndër të tjera) vetëvritet, derisa tërë ajo që ai sheh dhe kishte mundur të shoh ishte “një qiell i kaltër”.