More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Dy personazhe që nxitojnë drejt ikjes

    Andreas Dushi: Dy personazhe që nxitojnë drejt ikjes

    Ka raste kur kritika, e pamësuar me letërsinë moderne e aq më pak me atë postmoderne, librat dhe personazhet i ndan veç në dy kategori: me fund të lumtur ose të hidhur dhe pozitiv apo negativ. Rasti i Normal People të Sally Rooney sjellë në shqip nën titullin Njerëz Normalë nga shtëpia botuese IDK tregon se si brenda një teksti kemi fund të dyfishtë dhe se brendashkruar një personazhi janë të dy polet.

    Historia e këtij romani ndërtohet mbi truallin e krijuar nga ndërthurja aq e thjeshtë e të zakonshmes, sa duket sikur po flasim për diçka të jashtëzakonshme. Dy shokë, Mariana dhe Konelli janë vazhdimisht në tentativë për të qenë të dashuruar, por nuk kuptojnë pse kjo edhe kur i afron, në të vërtetë i largon. Mariana kërkon të jetë me Konellin, ndërkohë që Konelli ka turp prej saj. Ai është shumë popullor në gjimnaz, ndërsa ajo, një njeri nomral. Mandej… Konelli kërkon të jetë me Marianën, ndërkohë që Mariana është shumë popullore në universitet ndërsa Konelli, një njeri nomral.

    Dy personazhet kryesorë pësojnë herë pas here metamorfoza duke u kthyer nga njëritjetrin dhe veç kjo i bën të mos ngjajnë normalë. Historia e marrëdhënies së tyre ka një dinamikë, në dukje të mefshtë e të pambuktë, por në të vërtetë, të fortë e të hekurt. Të dy mbahen bashkë të lidhur falë zgjidhjes së herëpashershme, çka ndërton strukturën e kontekstit në të cilin ngjarjet ndodhin. Sikurse strukturalizmi pohon se nëse ushtrohet presion mbi një element thelbësor të strukturës, kjo e fundit ndryshon e tëra, edhe vijueshmëria e ndodhisë bazë të romanit cënon linearitetin e saj sa herë preket dashuria.

    Sapo njëri vjen (pozitivi?), tjetri ikën (negativi?). E thashë më lart se njëri shumë thjeshtë bëhet tjetri dhe tjetri, veç përgjatë një hopi shndërrohet në njëri prandaj, pozitivi e negativi krijojnë gërshetin – kapistall që autorja i lidh rrotull qafës jetës së secilit prej personazheve të saj. Dhe ngutja drejt ikjes, sapo gjithçka duket se po merr për mirë është vallë një fund i hidhur? Po nëse pas saj ngrihet një fillim i lumtur? Pse të mos jetë fillimi i ri, fundi?

    Ndryshe nga një pjesë e mirë e librave ku flitet për jetën në gjimnaz dhe dashuritë e adoleshencës, Normal People nuk mund të kapërdihet si limonatë. Përkundrazi: është një limon i athët, shija e të cilit të prek kujtesën dhe ndërgjegjen.

    Veç me dy libra, këtë dhe Conversation with friends ku tregohet se si fatet e katër njerëzve ngatërrohen nga rastësia (a nuk jemi të gjithë dhe a nuk është gjithçka burim i rastësisë?), Rooney ia ka dalë të lexohet dhe përkthehet në dhjetra gjuhë, çka e ka kthyer në një përfaqësuese të brezit të saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË