More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vincenti", tregim nga Shkëlzen Halimi

    “Vincenti”, tregim nga Shkëlzen Halimi

    Kur i hapi sytë ndjeu se nga dhembja koka do t’i pëlcasë. Kishte kaluar një natë të rëndë. Duke lëvizur gjunjëz, arriti te dritarja, i hapi kanatat dhe sakaq u ndriçua tërë oda. Sapo e vërejti shishen e verës në tavolinë, iu kujtua se kishte pirë deri pas mesit të natës nën presionin e ankthit për shitjen e pikturave, të cilat i mbante në një kthinë të errët, ngjitur me odën e tij. U ul pranë tavolinës, mbushi një gotë me ujë, e cila thjeshtë i rrëshqiti nëpër grykën e qafës, duke e shuar etjen, e cila ia kishte tharë zgavrën e gojës. Duke u mbajtur për parmakë u lëshua nëpër shkallët e drurit, të cilat ciatën thekshëm dhe doli në oborr.

    -Keni fjetur mirë?, – e pyeti nikoqirja e shtëpisë, zonja Helen, një plakë që i kishte kaluar të shtatëdhjetat dhe që ndjente një dhembje të madhe tek shihte se si vuante Vincenti.

    -Jo mirë. Më duket se tërë qielli më rëndon mbi kokë, – i tha ai, duke u munduar t’i buzëqeshë.

    – Po ta bëj një kafe, – i tha zonja Helen.

    Sapo u ul në stolin e vjetër, iu kujtua letra, të cilën ia kishte dërguar vëllait, Teos, që punonte në Paris.

    “Ti do të jesh i varfër gjithë kohën derisa më ushqen mua, por unë o do të t’i kthej paratë, o do të ta jap shpirtin. Kam vendosur t’i shes dyzet piktura, dyzet vepra në të cilat punova pa pushuar gjatë dy muajve. Jam rraskapitur”, i kishte shkruar Vincenti Teos.

    -Gati është kafeja.

    -Zonja Helen, më duket se po vdes, – tha Vincenti.

    -Deri te vdekje kemi për të bërë edhe shumë rrugë. Dhe, nuk është lehtë të arrish atje.

    -Më duket se në këtë botë kam ardhur në kohë të papërshtatshme.

    -Nuk është e papërshtatshme, por e pakuptueshme.

    -Ndoshta unë po shpejtoj, – foli me një zë të ngjirur Vincenti.

    – Oh, i dashur Vincent, ne vazhdimisht shpejtojmë, por askund nuk mbërrijmë.

    -A do të thotë kjo se lëvizim në një vend?

    -Lëvizim në një vend dhe jemi kaq të lodhur.

    Pastaj, Vincenti, një nga një i palosi pikturat në një karrocë të thjeshtë. Në sheshin e Ovrit, pranë murit të kafenesë së vjetër, i mbështeti të gjitha kornizat, ndërkaq vetë u ul anash derës së kafenesë.

    -Ç’dajllë që bëra kështu! – murmuriti në vete Vincenti, duke lëshuar një ofshamë të rëndë që i erdhi nga fundi i barkut.

    Një kloshar i dehur që doli nga kafeneja me një shishe në dorë dhe që ecte duke u luhatur, u ndal para Vincentit dhe e shikoi ngulshëm.

    -A më çon në shtëpi me atë karrocë, se nuk më mbajnë këmbët?

    -S’mundem, – tha Vincenti, – s’mundem se jam i zënë me shitjen e pikturave.

    -Ç’janë ato, vëllaçko?

    -Piktura….

    -Piktura?

    – Po pra, piktura.

    -E kush blen piktura, – pyeti kloshari.

    -Askush, – u përgjigj shkurt Vincenti.

    -Natyrisht, askush.

    -Je me fat, – iu drejtua Vincenti.

    -Unë me fat! Jo byrazer, askush nuk është me fat. Të gjithë aktrojnë se janë të lumtur…shtiren se janë të tillë…Të lumtur janë vetëm ata që bëjnë gjumë të qetë…gjumë…gjumë…vetëm gjumë…dhe krejt shekullin e kalojnë në gjumë…

    – E ç’të bëjmë? – pyeti Vincenti.

    -T’i mbyllim sytë…veshët…të ecim kokulur…

    -Do të vdesim të verbër e të shurdhër.

    – Ama të lumtur… sepse nganjëherë…jeta…jeta është e lumtur…

    -Më shumë se e lumtur, jeta është e dhimbshme.

    -Nuk shiten pikturat…shiten prostitutat…dhe…dhe…mjegulla…

    -Mjegulla!

    Të gjithë shesin mjegull, i dashur…të gjithë….- tha kloshari dhe vazhdoi rrugën, duke lëvizur herë në njërën anë, herë në anën tjetër të rrugës.

    ***

    -Pse kaq herët, i dashur, nuk ka kaluar as mesdita, – tha zonja Helen kur pa Vincentin që e hapi derën për ta futur karrocën në oborr.

    -Nuk shitet puna e shpirtit, zonja Helen.

    -Nuk shitet biri im.

    Vincenti u tërhoq në odën e tij të errët. Sapo u shtri, ndjeu se diçka si çark ia shtrëngoi gjoksin. Ishte një therje shqetësuese. Kur i gumëzhinë zorrët, iu kujtua se ishte dita e tretë që kur nuk kishte futur asnjë kafshatë në bark, pos verës që e kishte pirë një natë më parë dhe kafesë në mëngjes. Fare nuk bërë përpjekje që të lëvizë, sepse e dinte që nuk kishte as edhe një kore bukë. Në çast iu kujtuan vitet e ikura, fëmijëria, të cilat sikur i mbulonte një pamje e zbehtë.

    -Ishin vite të ftohta, akull, – pëshpëriti derisa u ngrit nga shtrati.

    Pastaj filloi të ecë çuditshëm nëpër dhomë. I mori librat që qëlluan në tavolinë dhe pa ndonjë kontroll i përplasi mureve. E përplasi edhe shishen e verës, e cila u bë copë e grimë.

    -Vincent, Vincent, – dëgjoi tek bërtiti zonja Helen.

    Ai nuk u përgjigj fare. Kur u bind se zonja Helen nuk është pranë derës, i mënjanoi perdet e dritares dhe fashat e dritës u përplasën mbi sipërfaqen e letrës së bardhë. Shpejt e shpejt mori brushën dhe bëri disa vija të cilat nuk paraqitnin asgjë. Ndërsa dora i dridhej, ai vërejti se sipërfaqen e letrës së bardhë e kishte mbuluar me ngjyrë të zezë.

    -Nuk e do më Vincent, – tha dhe i plasi vaji.

    Tinëzisht doli nga oda, duke u kujdesur që të mos ciasin shkallët e vjetra. Nga pusi nxori një kovë me ujë dhe e pastroi fytyrën nga ngjyra e zezë, e cila iu ngjit derisa po i fshinte lotët. Sërish, tinëzisht u ngjit në odë. E mori arkën e vogël ku i mbante gjërat më të dashura. Një fotografi të nënës, një unazë, pastaj në një kavanoz të vogël të mbushur me alkool, në të cilën e mbante copën e veshit, që pa vetëdije dhe nën presionin e dhembjes së kokës e kishte prerë. Aty e kishte edhe revolen e vogël, të cilën rastësisht, shumë vite më parë, e kishte gjetur te varrezat, kur kishte shkuar për ta vizituar varrin e Isidores, në të cilën tmerrësisht ishte dashuruar, por që asnjëherë këtë dashuri nuk ia kishte shprehur. Në krehrin e revoles ishte vetëm një plumb. Tevona zbriti në odën e ditës, ku zakonisht pushonte zonja Helen, të cilës i tha se qiranë do t’ia paguajë një ditë tjetër.

    -Mos u sëkëlldis Vincent, – foli ajo me një zë të butë dhe të ëmbël.

    Vincenti doli në oborr dhe shikoi gjatë përreth. Hodhi vështrimin tej arave të grurit, të cilat në shikimin e tij sikur po jepnin shpirt, duke u ngurtësuar dhe duke u mbuluar me ngjyrë ari. Vetëm kur dëgjoi zërin e një korbi, ai u përmend nga ajo zhytje në ato pamje pa fund. Pastaj, duke kaluar pranë një gardhit, u gjet në pjesën e prapme të shtëpisë, e cila ishte e mbuluar me degët e pemëve. Pa u hamendur fare, nxori revolen dhe e shkrepi nën brinjë, duke menduar se do ta qëllojë zemrën. S’vonoi shumë dhe e mbuloi gjaku, por çuditërisht, ai nuk u plandos në tokë. Ngeli i ngujuar në këmbë, ndonëse plaga i digjte si zjarr. Kur e pa në atë gjendje, zonja Helen, e cila erdhi duke dihatur rëndë, klithi:

    -Vincent, ç’ndodhi kështu me ty?

    -Asgjë, – tha ai me një shtrëngim të fytyrës, – asgjë, desha ta gjej fundin. Dua të iki, bashkë me jetën.

    -Ku do të shkosh?

    -Larg, shumë larg. Diku ku askush nuk do të më njohë, diku ku askujt nuk do t’i kem borxh…Zonja Helen, duhet të ngjitemi në maje të plehrave, se po ngelëm poshtë, do të mbulohemi me to.

    -Eja, eja, i dashur, shkojmë në odë…

    Nuk vonoi shumë, erdhi edhe mjeku, një burrë thatim. Sapo ia shikoi plagën, me një zë të ultë, zonjës Helen i tha se nuk guxon të intervenojë më shumë, sepse gjendja e tij mund të keqësohet edhe më shumë.

    Pasi i kishin lajmëruar, të nesërmen arriti edhe Teo, ndërkaq Vincenti akoma ishte në agoni. Megjithatë, kur ndjeu dorën e ngrohtë të Teos, ai sikur mblodhi pak forcë dhe u këndell sa për t’ia shtrënguar dorën. Përballë, në mur, Vincenti, qysh para dy muajve e kishte varur autoportretin e tij. Dhe, kur e pa për herë të fundit u bind edhe një herë se në atë prapavijë të ngjyrave, me krenari ndahej koka e tij, e cila sikur tregonte se qysh atëherë ishte e vetëdijshme për fatin e saj. Kurse Teo, me lot ndër sy ia rikujtoi fëmijërinë dhe çastet e paharruara që i kishin kaluar bashkërisht. Pak para mbrëmjes, Vincenti u kollit rëndë dhe duke ia shtrënguar dorën Teos, i tha:

    -Vëlla, paratë nuk t’i ktheva, por pa ta jap shpirtin.

    Sakaq ra pikërisht ajo heshtje e kobshme mortore, e cila zakonisht t’i përmbys të gjitha ndjenjat dhe të gjitha kujtimet që lahen me lotët e dhembjes që shpërthejnë sa herë që ikin nga kjo botë të dashurit tanë.

    -Na la Vincenti, – tha zonja Helen, duke i fshirë lotët me një shami.

    -Po, – tha Teo duke dënes, – vetëm shpirtin nuk e mori me vete…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË