Një libër studimor nga Suzana Varvarica Kuka
Me aq sa e njoh këtë fushë, studime të mirëfillta, të plota dhe të përqendruara posaçërisht te ilustrimi dhe ilustratorët e Eposit Shqiptar janë thuajse të munguar. Mendime e përsiatje kemi dëgjuar e lexuar, por ato mbeten të shpërndara në kumtesa, artikuj apo kapituj të veçantë, brenda trajtesave më të gjera, pa e marrë këtë temë në thellësinë që ajo meriton. Për këtë arsye, studimi i Suzana Varvarica Kukes përbën një ndërmarrje pioniere, një përpjekje për të zgjuar kujtesën përmes artit pamor dhe për të prekur një nerv të ndjeshëm të identitetit tonë kulturor.
Libri nuk ndalet vetëm te historia e ilustrimit. Ai prek një çështje shumë më të gjerë, që i paraprin vetë artit dhe e tejkalon atë. Çfarë kemi bërë e bejmë ne shqiptarët, me trashëgiminë tonë shpirtërore? Pika kulmore e studimit, ashtu siç e lexoj unë, qëndron te një pyetje e thjeshtë, e shtruar nga autorja me elegancën e një pyetjeje retorike:
“A mundet që Balladat, Legjendat dhe Eposi i Kreshnikëve, në konceptin e krijimit gojor të trashëguar, të jenë një vepër madhore dhe pretenduese e një eposi të kënduar prej popullit?”
Në pamje të parë, duket një pyetje si gjithë të tjerat, por mua më tingëllon si një pickim që të zgjon me dhimbje. Ajo më çon te popujt e tjerë, të cilët, duke u mbështetur në tradita të ngjashme, kanë arritur t’i japin trashëgimisë së tyre formën e një libri themelor, duke e shndërruar atë në një pikë referimi të ndërgjegjes kolektive.
Hebrenjtë me Biblën, arabët me Kuranin, hindutë me Vedat, budistët me Tripitakën, persianët me Avestën, egjiptianët me Librin e të Vdekurve, popujt e Amerikës Qendrore me Popol Vuh, etj… Secili prej këtyre popujve ka trashëguar, në mënyrën e vet, një univers rrëfimesh, besimesh dhe simbolesh, përmes të cilit ka ndërtuar vetëdijen e vet historike, shpirtërore dhe madje e ka shenjtëruar atë.
Po ne shqiptarët?
Si ata edhe ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme gojore, por ende na mungon Libri i Madh, jo librat, jo studimet, e as botimet dhe përpjekjet e vyera për mbledhjen e folklorit. E kam fjalën për diçka tjetër, për mungesën e një sinteze të madhe, ku mitet, baladat, legjendat, këngët, kanunet dhe simbolet tona të mos mbeten vetëm dëshmi e një trashëgimie të shpërndarë, por të marrin formën e një universi të përbashkët, të lexueshëm dhe të njohur si themel i ndërgjegjes sonë.
Libri ynë i Madh i Shenjtëruar ende nuk është ngjizur. Ai ekziston si pluhur kozmik, i mbarsur në kujtesën e brezave, me fjalën e përcjellë gojë më gojë, që ka mbijetuar nga errësira e shekujve. Lënda është aty. Yjet, planetët dhe hënat presin të marrin trajtën e tyre, të lidhen në një sistem dhe të na zbulojnë qiellin tonë shpirtëror. Kjo është arsyeja pse pyetja e Suzanës më duket shumë më tepër se një çështje e historisë së ilustrimit. Ajo prek një mungesë të thellë kulturore, një punë ende të papërfunduar të ndërgjegjes sonë.
Autorja na kujton se shtëpia pa lahutë është si një “shtëpi e lanun”. Shqipëria, shtëpia jonë, nuk është e tillë. Lahuta është ende aty. Ajo ruan jo vetëm melodinë e një populli, por edhe mënyrën se si ai e ka përfytyruar botën, të mirën, të keqen, nderin, besën, vdekjen, trimërinë dhe fatin.
Duke lexuar studimin, më krijohet përshtypja se Suzana e ka ndërtuar atë si një dekor teatri. Fillimisht shtëpia, pastaj sofra mikpritëse, lahuta, fjala dhe, më në fund, personazhet. Është një kompozim që nuk të hedh menjëherë në qendër të ngjarjes, por të fton të hysh gradualisht në të. Përpara se të shohim heronjtë, njohim hapësirën që i ka lindur. Përpara se të shohim figurat, dëgjojmë jehonën e fjalës që i ka thirrur në jetë. Më pas vijnë imazhet e krijuara nga ilustratoret. Ato e popullojnë këtë shtëpi, i japin fytyrë kujtesës dhe e bëjnë të dukshme atë, që për shekuj ka jetuar në zë. Ajo çfarë shkruhet më pas, është zgjerim teme, ndërtuar mirë e bukur, si bëhen punët e padukëshme e “të bekuara” të shtëpisë!
Ilustrimi i Eposit është një nga ndërthurjet më domethënëse ndërmjet trashëgimisë gojore dhe artit pamor. Ai nuk e shoqëron thjesht ngjarjen, por e bën atë të dukshme, i jep trup personazhit, hapësirë betejës, fytyrë dhimbjes dhe formë përfytyrimit. Përmes tij, kujtesa jo vetëm dëgjohet, por edhe shihet. Dhe ajo që shihet, shpesh, ngulitet në ndërgjegje me një force, që fjala fillikat e vetme, nuk mund ta arrijë.
Shkolla jonë e arteve nuk pati një atelie të veçantë për ilustratorët. Ata e zgjodhën vetë këtë rrugë, thuajse si një thirrje vetjake, dhe vit pas viti ndërtuan shkollën shqiptare të ilustrimit. Eposi përfaqësonte ndoshta një nga temat më joshëse, por edhe më të vështirin, sepse kërkonte jo vetëm zotërim të mjeshtërisë, por edhe një marrëdhënie të thellë me botën e lashtë të simboleve.
Piktorët që iu përkushtuan kësaj fushe u pagëzuan me emrin ilustratorë, sikur të përbënin një racë më vete. Dhe, në një kuptim, të tillë ishin. Ata luajtën rolin e shkuesit mes shkrimtarit dhe lexuesit, mes fjalës dhe syrit, mes një bote të rrëfyer dhe një bote të përfytyruar. Por marrëdhënia e tyre me tekstin nuk ishte ajo e një ndërmjetësi të thjeshtë. Shkrimtari dhe ilustratori bashkëjetonin në një simbiozë krijuese, ku secili ruante gjuhën e vet, ndërkohë të dy përshkruanin të njëjtin univers.
Kur fjala bën zbaticë, boshllëkun e mbush shkrimi. Por kur shkrimi bën zbaticë, atë e mbush ilustrimi. Shëmbëllen me tërheqjen e ujërave nga bregu, ku mbeten guaska, leshterikë dhe gjurmë të anijeve të mbytura, dëshmi të një bote që nuk e shohim më, por që ka lënë pas shenjat e ekzistencës së saj.
Ilustratorët shqiptarë kanë rrëfyer histori ku lexuesi nuk mund të ishte i pranishëm. Ata kanë hyrë në kohë të largëta, në beteja, në kuvende, në fate njerëzore dhe në hapësira mitike, për t’i sjellë ato përpara syve tanë. Në këtë mënyrë, ilustrimi bëhet një formë dëshmie.
Suzana thekson se ilustrimet e Eposit nuk qenë kurrë shërbëtore të fjalës. Kjo është një nga idetë më të rëndësishme të studimit të saj. Ilustratorët krijuan një ungjill tjetër, ungjillin e imazhit, të pavarur në gjuhën e vet, por paralel me ungjillin e shkruar.
Fjala e bën ngjarjen të dëgjohet, ilustrimi e bën të shihet. Fjala përshkruan heroin, ilustrimi e ngarkon atë me një trup. Fjala na çon drejt së padukshmes, ilustrimi i jep asaj një trajtë të përkohshme, të prekshme. Kështu, fjala dhe figura bëhen pjesë e një ikonografie të kujtesës, ku e lashta, e shenjta dhe njerëzorja takohen në një hapësirë të përbashkët.
Kontakti i parë me një libër është kopertina, më pas ilustrimi, e në fundi teksti, të cilin e lexojmë në një qoshe të rehatshme të shtëpisë. Sapo libri na bije në dorë, e shfletojmë me nxitim, por sytë na mbesin te figurat. Aty ngjizet dashuria e parë për ngjarjen e treguar. Ndodh shpesh, që lexuesi e ruan librin në kujtesë përmes ilustrimit. Fjalët mund t’i jenë tretur, ngjarjet mund t’i jenë mjegulluar, por figura mbetet e gjallë, e paprekur nga koha. Në fëmijërinë tonë, kështu ndodhte me Abetaren. Përpara se të mësonim shkronjat, ne e shijonim atë përmes ilustrimeve, piktogramat arketipale të shpellës së errët të qenies. Në këtë kuptim, ilustrimi nuk është thjesht një zbukurim i librit. Ai është një nga portat e para përmes të cilave njeriu hyn në botën e simboleve.
Ndodh që lexuesi i zakonshëm të jetë dembel, por ilustratori e zgjon. Dhe kjo nuk është pak. Ai e josh lexuesin, e tërheq drejt një dere të fshehtë, të cilën duket se vetëm ai di ta hapë. Përtej saj shtrihet një botë e lashtë, ku kufijtë mes njeriut dhe mitit, reales dhe së shenjtës, historisë dhe përfytyrimit treten në një klithmë epike.
Ndoshta për këtë arsye, librat pa ilustrime më janë dukur nganjëherë si një shkretëtirë e madhe, ku nuk shquaj asnjë oaz ku të ndalem për t’u freskuar. E di se kjo është një ndjesi personale, por ajo më zbulon edhe diçka për natyrën e leximit. Përballë një teksti pa figura, secili e krijon vetë imazhin e në këtë kuptim, çdokush bëhet ilustratori i vetvetes, duke i dhënë ngjarjes fytyrën që i sugjeron imagjinata e tij. Por ilustratori profesionist bën diçka tjetër. Ai ofron një imazh të ndërtuar mbi një gjuhë vizuale, duke mos e hequr lirinë për të imagjinuar. Jep një pikënisje, një shenjë nga e cila imagjinata e çdokujt mund të niset drejt territoreve të tjera.
Suzana analizon, aq sa ia lejon natyra dhe shtrirja e studimit, veçantinë ikonografike të ilustratorëve, gjuhën e tyre simbolike, metafizike, madje edhe liturgjike. Në leximin e saj, artisti nuk shfaqet si një dorë që i bindet tekstit, por si krijues i një universi figurativ, ku ndërgjegjja e një kombi të lashtë kërkon të njohë vetveten. Ilustratori shndërrohet kështu në ndërtuesin e një ikonostasi kombëtar, jo në kuptimin e një repertori të ngrirë figurash, por si një hapësirë ku mblidhen dhe marrin kuptim simbolet e një trashëgimie të përbashkët.
Megjithatë, ilustrimi mbart edhe një paradoks. Ai mund të kthehet në burg, sepse fjala është krijuar për të fluturuar. Në librin Katedralja e Parisit, Viktor Hygo mediton mbi fatin e fjalës së shkruar përballë arkitekturës, duke e parë librin si një forcë që mund ta zëvendësojë monumentin. Por, në marrëdhënien mes fjalës dhe figurës, mbetet gjithmonë një tension. Sa herë që i japim fjalës një trup, rrezikojmë t’ia kufizojmë fluturimin. Ajo, për nga natyra e saj, nuk ka një fytyrë të vetme. Ajo mund të marrë mijëra trajta në imagjinatën e lexuesve. Ilustrimi, përkundrazi, e zgjedh një trajtë dhe e bën atë të dukshme. E pasuron fjalën dhe njëkohësisht e kufizon.
Fjala e lirë si një zog, nuk duron dot të burgoset në kafazin e ilustrimit, sado i artë të jetë ai, por rraca ilustratoreve e lë derën e kafazit të hapur!
Shvejku i Hašekut mësoi të cicërijë në kafazin e artë të Josef Ladas, Gargantua dhe Pantagrueli i Rablesë në atë të Gustave Dorésë, Pinoku i Collodit në kafazin e artë të Carlo Chiostrit, Çipolino i Rodarit në atë të Vladimir Suteevit.
Vërtetë fjala është si një zog. Lind nga terri i qenies, pa trup e pa formë, rritet si tingull dhe fluturon me frymëmarrjen e njeriut që e shqipton. Nuk njeh kufij, mure apo korniza. Rrjedh nga errësira e kujtesës drejt dritës së zërit dhe për aq kohë sa mbetet në ajër, është e gjallë dhe e lirë.
I tillë është edhe Eposi ynë, një zog që ka fluturuar gojë më gojë, brez pas brezi, duke kapërcyer shekuj pa pasur nevojë për një strehë të vetme. Por njeriu, nga frika e harresës, kërkon t’i japë fjalës një trup që të mbijetojë përtej zërit të tij. Thirret piktori dhe ai, me fuqinë e krijuesit, i jep formë asaj që deri atëherë kishte qenë tingull, ritëm dhe kujtesë.
Ky është çasti ku lind paradoksi, vargjet e Eposit, që kanë fluturuar në hapësira të pafundme, hyjnë në hapësirën e kufizuar të ilustrimit. Mbyllet në kafaz, por Suzana e ridimensionon këtë hapësirë klaustrofobike. Në leximin e saj, ilustratori nuk është domosdoshmërisht ndërtuesi i një kafazi, ai mund të jetë ndërtuesi i një foleje. Fole që i jep një vend fjalës ku të pushojë, të ruajë ngrohtësinë dhe të përgatitet për një tjetër fluturim. I tillë, ilustrimi shfaqet si epifani e fjalës.
Për ta përmbyllur këtë udhëtim, duke e vendosur mendimin tim pranë atij të Suzanës, mund të them se libri Eposi në artet pamore nuk është vetëm një kontribut studimor, por edhe një akt kulturor. Ai na fton të shohim ndryshe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe të kuptojmë se Eposi nuk jeton vetëm në vargjet që janë kënduar, por edhe në figurat që artistët kanë krijuar për t’i dhënë një fytyrë kujtesës.
Ky libër do të ketë vendin e vet në bibliotekat tona, por vlera e tij nuk qëndron vetëm aty. Ai hap një udhë që duhet ndjekur më tej, përmes studimeve, botimeve dhe një vetëdijeje më të thellë për marrëdhënien mes fjalës, figurës dhe identitetit kulturor.
Suzana Varvarica Kuke ka hedhur një hap të parë në një maratonë të gjatë. Dhe ndoshta ky është shërbimi më i rëndësishëm që mund t’i bëjë një studim i tillë kulturës sonë, jo të pretendojë se e ka mbyllur një çështje, por të na bindë se ajo duhet hapur më në fund, me seriozitetin dhe përkushtimin që meriton.
Eposi, përpara se të jetë një trashëgimi e së kaluarës, është një mundësi e së ardhmes. Është fjalë që ende fluturon dhe që pret të gjejë, në artin tonë, jo kafazin ku do të mbyllet, por folenë prej nga do të niset sërish.a


