Përktheu: Roland Gjoza
NJË NJERI KALON ME NJË BUKË MBI SUP
Një njeri kalon me një bukë mbi sup
Pas kësaj a jam në gjendje të shkruaj për unin tjetër?
Një njeri ulet, kruhet, nxjerr një mor nga sqetulla
dhe e shtyp. Si guxon dikush të flasë për psikoanalizën?
Një tjetër ka hyrë në gjoksin tim me një shkop në dorë.
Pas kësaj a mund të bisedoj me doktorin për Sokratin?
Një ulok ecën krah për krah me një fëmijë
Pas kësaj a mund të vazhdoj të lexoj Andre Bretonin?
Një tjetër dridhet nga i ftohti, kollitet, nxjerr gjak.
Si është e mundur të mendoj se sa i shquar jam?
Një tjetër gërmon për të gjetur kocka, brinjë.
A mund të shkruaj pas kësaj për infinitin?
Një murator bie nga çatia, vdes para se të hante drekën.
Pas kësaj a mund të merrem me përtëritjen e tropit, metaforës?
Një tregtar mashtron klientin duke i vjedhur një gram
Pas kësaj a mund të flasim për dimensionin e katërt?
Një bankier falsifikon llogaritë e tij
Me ç’fytyrë mund të qaj në teatër?
Një i pa strehë fle me këmbët përthyer pas kurrizit
Pas kësaj a mund të flasim për Pikason?
Dikush shkon të varrosë ngashërimin.
Si mund të hyjmë në Akademi?
Dikush pastron një pushkë në kuzhinën e tij
Si guxon dikush të flasë pas kësaj?
Një tjetër kalon duke numëruar me gishta
Si mund t’i them, jo, pa qarë?
PARIS, TETOR 1936
Jam i vetmi që largohem nga të gjitha
nga ky stol, nga pantallonat e mia
nga të gjitha çështjet e mëdha, nga të gjitha marrëdhëniet
nga numrat e mi të ndarë nga njëri-tjetri.
Jam i vetmi që largohem nga të gjitha
nga Champs Elysees, nëpër atë shtegun e panjohur
të hënës kur bën harkun dhe humb
nga vdekja largohem, nga djepi im
dhe, i rrethuar nga njerëz, i vetëm fillikat, shkëputem
nga trajta njerëzore dhe shndërrohem
në një hije që edhe ajo largohet.
Dhe iki e iki duke u larguar nga gjithçka, gjersa gjithçka
mbetet për të krijuar një alibi;
këpucët e mia, vrimat, si dhe balta e tyre
dhe madje dhe përkulja e bërrylit
të këmishës me kopsat e saj.
NËN PLEPA
Si priftërinj, poetë të burgosur
plepat e gjakut kanë rënë për të fjetur
në kodra grigjat e Betlehemit
përtypin psalme bari në perëndim të diellit.
Bariu antik që në reflekse dridhet
në flijimin e fundit të dritës
në sytë e tij të pashkës kanë ngecur
një tufë me yje të kthjellët.
I rritur në jetimore ai bie poshtë
mes përshpirtjes së zisë, në fushën që lutet
dhe këmborët e dhenve tringëllojnë në stinën me hije.
Duhet mbijetuar, ngjyra blu shndërrohet
në hekur dhe mbi të ulen nxënësit,
një qen gdhend ulërimën e tij baritore.
NJË GUR I ZI MBI NJË GUR TË BARDHË
Do të vdes në Paris. në një stuhi shiu
një ditë që e mbaj mend dhe tani
do të vdes në Paris, por kjo nuk më shqetëson
padyshim një të enjte, si sot, në vjeshtë.
Do të jetë e enjte si sot, e enjte
ndërsa jam ulur dhe shkruaj këto vargje, i kam vënë shpatullat
së keqes. Kurrë si sot nuk jam nisur
rrugëve të pafundme ku jam fillikat vetëm.
Cesar Vallejo vdiq. Ata e goditën,
ata të gjithë, megjithëse ai nuk iu bëri asgjë.
Ata e goditën me një shkop dhe më fort e goditën
me fundin e një litari. Deshmitarët janë aty; ishte e enjte
kockat e shpatullave, vetmia, shiu dhe rrugët e pafundme.
TË MËDHENJTË
Në ç’orë do të kthehen të mëdhenjtë?
Santiago i verbër në orën gjashtë
dhe është shumë errësirë, terr.
Nëna na tha se nuk do të vonohej.
Aguedita, Nativa, Miguel,
kini kujdes, mos shkelni atje, ku
kujtimet e trishta jane ende te freskëta
se s’ka shumë kohë që ka ndodhur
në oborrin e qetë të shpendëve, ku
pulat ende s’e kanë marre veten
dhe prej tmerrit nuk i zë gjumi.
Pra duhet të qëndrojmë këtu.
Nëna na siguroi se nuk do të vonohej.
Dhe nuk duhet të jemi të trishtuar. Le të shkojmë të shohim
varkat – e imja është më e bukura, kjo dihet,
ne luajmë me to gjithë ditën dhe kthehemi në shtëpi në muzg
pa u grindur me njëri-tjetrin, sepse duhemi shumë
varkat qëndrojnë në pellg, gati për të nesërmen,
të ngarkuara me gjëra të thjeshta qe i fsheh nata dhe i zbulon mëngjesi.
Le të rrimë të presim me shpresën se do të kthehen
të bindur dhe të pafuqishëm, për t’iu kërkuar arsye
të mëdhenjtë shfajësohen, kërkojnë falje, por janë gjithmonë të parët
që na braktisin dhe na lënë vetëm
pse s’na marrin edhe ne me vete?!
Aguedita, Nativa, Miguel
sot ju thërras unë, kam kohë që ju kërkoj në errësirë, në terr.
Mos më braktisni,
kam mbetur fillikat vetëm!
BIE SHI KËTË PASDITE NË LIMA
Bie shi këtë pasdite ne Lima, si asnjëherë më parë; dhe unë
nuk kam dëshirë të jetoj, zemra ime.
Kjo pasdite është e ëmbël. Pse të mos jetë e tillë?
E veshur me hir të shenjtëruar dhe dhimbje; e veshur si një grua.
Këtë pasdite në Lima bie shi. Dhe une kujtoj
shpellat mizore të mosmirënjohjes sime;
bllokun tim të akullit mbi lulekuqen e saj,
më të fortë se “Mos u bëj kështu!” te agonisë së saj që po më shkatërron.
Lulet e mia të zeza, të dhunshme; dhe kjo ftohtësi barbare
e tmerrshme; kjo distanca akullnajore.
Dhe heshtja e dinjitetit të saj
me vajra të shenjtë ikonash që digjen per t’i dhënë fund gjithçkaje…
Kështu që këtë pasdite, si asnjëherë më parë, unë jam
me veten time, i ngjaj një bufi, me zemrën qe po vdes.
Gra të tjera kalojnë; dhe duke më parë kaq të trishtuar
ato marrin pak nga ty
në rrudhat e pendimit tim të thellë.
Këtë pasdite bie shi në Lima, shi i fortë, i pafundmë. Dhe unë
nuk kam dëshirë të jetoj, zemra ime!
MENDOJ PËR SEKSIN TËND
Mendoj për seksin tënd.
Zemra ime u thjeshtua, mendoj për seksin tënd,
para belit të pjekur të ditës.
Prek sythin e gëzimit, në stinën e lulëzimit.
Dhe një ndjenjë e lashtë vdes
në trurin e degjeneruar.
Mendoj për seksin tënd, brazdë më pjellore
dhe harmonike se barku i Hijes,
edhe pse Vdekja ngjiz dhe lind
nga vetë Zoti.
Oh, ndërgjegje,
po mendoj për bishën e lirë
që kënaqet me kë të dojë dhe ku të mundet.
Oh, skandal i mjaltit të muzgjeve.
Oh, bubullimë e heshtur.
UNAZA TË LODHURA
Ka dëshira për t’u kthyer, për të dashur, për të mos u zhdukur,
dhe ka dëshira për të vdekur, në luftë me tjetrin
ujëra kundërshtare që nuk e kanë kaluar kurrë istmin.
Ka dëshira për një puthje të madhe që do të mbulonte Jetën,
një që përfundon në Afrikën e një agonie të zjarrtë,
dhe nje tjeter në vetëvrasje!
Ka dëshira për të… mos pasur dëshira, o Zot;
Unë e drejtoj gishtin tim vetëvrasës nga ty:
ka dëshira për të mos pasur zemër.
Pranvera kthehet, rikthehet dhe do të largohet. Dhe Zoti,
i përkulur në kohë, përsëritet dhe kalon, kalon
me shtyllën kurrizore të Universit mbi shpinë.
Kur tëmthat e mia rrahin daullen e tyre të zezë,
kur ëndrra e gdhendur në një kamë më dhemb,
ka dëshira për të mbetur në këmbë në këtë varg!
MESHA
Pas betejës, luftëtari u gjet i vdekur. Një njëri iu afrua dhe i tha: “Mos vdis! Të duam shumë!”
Por ai, mjerisht, vazhdoi të vdiste.
Dy veta iu afruan dhe përsëri i thanë:
“Mos na lër! Perpiqu të ngrihesh!
Kthehu në jetë!”
Por ai, mjerisht, vazhdoi të vdiste.
Pastaj njëzet, njëqind, një mijë,
Pesëqind mijë erdhën, duke thirrur:
“Kaq shumë dashuri dhe s’po bëjme dot asgjë kundër vdekjes!”
Dhe ai, mjerisht, vazhdoi të vdiste.
Miliona e rrethuan,
duke iu lutur së bashku:
“Vëlla, mos na lër!”
Por ai, mjerisht, vazhdoi të vdiste.
Pastaj, të gjithë burrat anekënd tokës
qëndruan rreth tij. Luftetari i shikoi me trishtim,
pastaj u ngrit ngadalë,
përqafoi burrin e parë dhe filloi të ecte…
MIGUEL
( In memoriam për vëllanë )
Jam ulur këtu në verandën me tulla të vjetra
pranë mungesës tënde. Aty më larg është dhe pusi i zi.
Është ora kur luanim… Dëgjonim mamin që thërriste;
“Djema! Mos..!” dhe ne do të qeshnim më shumë, dhe unë do të nxitoja
të fshihesha aty ku ti nuk do të me gjeje kurrë… nën shkallët
në korridor, atje në papafingo… Pastaj ti do të bëje të njëjtën gjë si unë.
Miguel, sa të zot ishim në atë lojë dhe sa të gëzuar.
Dhe gjjithçka do të mbyllej me të qeshura të pafundme.
Po atë natë gushti askush nuk qeshi.
Ti shkove të fshiheshe përsëri dhe ishte shumë vonë
pothuajse po zbardhte agimi. Por tani yt vëlla i ka dhënë fund kësaj loje
se nuk të ka gjetur kurrë.
Hijet mbushin mungesën tende. Miguel, s’duroj dot më!
Dil të të shoh! Mami po te pret dhe është shumë e trishtuar…


