Shtëpia botuese Onufri, të hënën më 2 nentor, në prani të lexuesve të shumtë, romanin e ri të Ben Blushit.
Jo rastësisht u zgjodh ky vend: vjet në këtë kohë u promovua “Jam mysliman”, libër i cili i solli shumë fat autorit dhe mirëprit nga lexuesi.
Arsye tjetër pse u bë këtu promovimi, ishte se në themelet e hotelit Plaza, ka qenë hani ku ka fjetur disa net piktori i famshëm anglez Edward Lear, personazh i librit, i cili ka lënë një numër akuarelesh që na japin pamje të qendrës së Tiranës në vitin 1848, kur ende nuk kishte fotografi. Salla në këtë hotel ku u mbajt promovimi e ka emrin “Geraldine”, një nga personazhet e librit. Tjetër fakt: rreth 100m larg është vendi ku është themeluar qyteti i Tiranës nga Sulejman Pashë Bargjini, më 1614.
Për librin, dialoguan autori i librit dhe botuesi përballë sallës së mbushur me lexues. Në fund autori nënshkroi dhjetra libra për lexuesit e tij. Tani romani i “Historitë e çmendura të Tiranës”, është shpërndarë në të gjitha libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Po sikur historia e Tiranës të mos ishte rrëfimi i një qyteti, por kronika e marrëzive, ambicieve, dashurive, urrejtjeve dhe hakmarrjeve të njerëzve që e kanë bërë atë? Po sikur, pas fasadës së historisë zyrtare, të fshiheshin histori që nuk i kemi dëgjuar kurrë, personazhe që kanë sfiduar kohën dhe episode që duken më shumë si pjellë e fantazisë sesa si ngjarje të jetuara?
Pikërisht në këtë univers të pazakontë na çon libri më i ri i Ben Blushit, përmes një udhëtimi katërqindvjeçar në historinë e Tiranës, ku e vërteta historike takohet me paradoksin njerëzor dhe ku personazhet, për nga jeta dhe bëmat e tyre, shpesh ia kalojnë edhe imagjinatës së një shkrimtari.
Janë 38 kapituj, me rreth 100 personazhe dhe katër shekuj histori që përbëjnë arkitekturën e këtij rrëfimi krejtësisht të pazakontë. Nga viti 1600 deri në vitin 2000, në faqet e librit kalojnë shqiptarë e të huaj, politikanë e klerikë, pashallarë e bejlerë, mbretër e princër, burra e gra që, në mënyra të ndryshme, kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit.
Që në nisje të romanit, rrëfimi nis me Sulejman Pashë Bargjinin, themeluesin e Tiranës, dhe vijon me Haxhi Et’hem Beun, një tjetër figurë emblematike e historisë së kryeqytetit, emri i të cilit lidhet pazgjidhshmërisht me arkitekturën dhe identitetin e tij, përmes disa prej monumenteve më përfaqësuese, mes tyre edhe Kulla e Sahatit.
Tirana, si çdo qytet që ka jetuar gjatë, ka strehuar miliona jetë, histori dhe fate njerëzore. Por, Ben Blushi ka zgjedhur të ndalet te njëqind prej tyre.
Janë personazhe që kanë gëzuar famë, kanë ushtruar pushtet, kanë shkaktuar trazira, kanë sfiduar kohën apo kanë lënë pas një gjurmë që nuk është shuar.
Politikanë, shtetarë, shkencëtarë, studiues, mjekë, ushtarakë, princër, mbretër, pashallarë, hoxhallarë, shkrimtarë, poetë, fotografë, shqiptarë e të huaj. Një galeri e larmishme personazhesh, të përzgjedhur, siç pranon vetë autori, mbi bazën e një kriteri krejtësisht subjektiv, por të lidhur mes tyre nga një fill narrativ i pazakontë.
Në këtë roman, përzgjedhja e persona-zheve nuk i bindet vetëm rëndësisë historike dhe as peshës së emrit. Autori e shpjegon me një dozë humori të zi dhe ironie kriterin e tij: personazhet duhej të ishin ose të çmendur, ose të vdekur, ose, pse jo, të dyja bashkë.
Në të gjitha rastet, bëhet fjalë për njerëz që nuk jetojnë më. Edhe kur vështrimi i autorit afrohet te personazhet e kohës sonë, ai parapëlqen të mos i identifikojë me emra, duke shmangur kështu keqkuptimet, pakënaqësitë dhe ndoshta edhe ndonjë qejfmbetje të panevojshme.
Në një bisedë me botuesin e tij, Bujar Hudhri, Ben Blushi ka zbuluar disa prej historive që përbëjnë lëndën e këtij rrëfimi, ku e vërteta historike, drama njerëzore dhe paradokset e pushtetit ndërthuren në mënyrë të pazakontë.
Mes tyre është historia tragjike e Sabiha Kasimatit, intelektuales dhe shkencëtares biologe, e cila u ekzekutua nga diktatura komuniste; marrëdhënia e veçantë e Ahmet Zogut me të ëmën dhe pesë motrat e tij; si dhe një episod pak i njohur i jetës së Albert Ajnshtajnit, i cili, për t’i shpëtuar përndjekjes naziste, mbërriti fshehtazi në Shqipëri dhe qëndroi për disa ditë në Tiranë, në shtëpinë e mjekut gjinekolog Jani Basho, mikut të ngushtë të Ahmet Zogut. Ajo ndërtesë njihet sot si Shtëpia me Gjethe.
Në këtë mozaik historish gjejnë vend edhe rivalitetet e vjetra mes dy familjeve të mëdha tiranase, Bargjinëve dhe Toptanëve, përplasjet që kanë shoqëruar jetën e qytetit, si dhe inatet, mllefet e hakmarrjet personale të Enver Hoxhës.
Janë histori që kapërcejnë kufijtë e kronikës së zakonshme dhe krijojnë një univers ku personazhe, kohë dhe ngjarje të largëta vendosen përballë njëra-tjetrës, sikur historia të mos ishte një vijë e drejtë, por një skenë e madhe ku fatet njerëzore vazhdojnë të komunikojnë përtej epokave.
Blushi nuk e trajton Tiranën si një sfond të heshtur, ku thjesht zhvillohen ngjarjet. Përkundrazi, qyteti shfaqet si një personazh më vete, i formësuar nga rivalitetet, ambiciet, konfliktet dhe pasionet e atyre që e kanë sunduar, ndërtuar apo sfiduar.
Sipas autorit, historia e Tiranës është e vështirë të kuptohet pa sherret dhe përplasjet që e kanë shoqëruar, veçanërisht pa rivalitetin mes dinastive të saj të njohura, Bargjinëve dhe Toptanëve. Një histori që, në shumë prej episodeve të saj, duket se është shkruar më tepër nga konfliktet njerëzore sesa nga qetësia e kohës.
Rrëfimi ndalet në pragun e ditëve tona, ndonëse Tirana e sotme vazhdon të prodhojë çudirat dhe paradokset e veta. Qendra e saj gumëzhin nga një tjetër realitet, me personazhe dhe sjellje që, në një farë mënyre, duket se vazhdojnë traditën e gjatë të qytetit për të mos qenë kurrë një vend i zakonshëm.
Ben Blushi është ndër shkrimtarët shqiptarë që ka ditur ta vendosë letërsinë në një marrëdhënie të vazhdueshme me debatin publik.
Librat e tij kanë provokuar, kanë ngjallur polemika dhe kanë nxitur diskutime që shpesh kanë kapërcyer kufijtë e letërsisë. Herë duke u rikthyer te histori të njohura, herë duke nxjerrë nga harresa personazhe dhe episode të lëna në hije, ai ka ndërtuar një profil krijues që nuk i shmanget temave të vështira dhe as interpretimeve që mund të shkaktojnë kundërshti.
Në universin e tij letrar nuk duket se ka histori të paprekshme apo personazhe për të cilët duhet ruajtur një distancë ceremoniale. Historia mund të rishikohet, figurat mund të çmitizohen dhe e shkuara mund të rrëfehet edhe përmes anëve të saj më të errëta, paradoksale apo njerëzore.
Ndoshta është pikërisht kjo liri për të sfiduar versionet e konsoliduara të historisë, për të kërkuar të pazakontën brenda së zakonshmes dhe për të zbuluar njeriun pas figurës publike, e bën Ben Blushin një autor që vazhdon të tërheqë vëmendjen e lexuesve.
Në fund, përtej njëqind personazheve dhe katër shekujve histori, ky libër duket se na propozon një mënyrë tjetër për të lexuar Tiranën: jo vetëm si një qytet të ndërtuar nga koha, por si një qytet të ndërtuar nga njerëzit, nga marrëzitë, ambiciet, dashuritë, urrejtjet dhe hakmarrjet e tyre.
Një Tiranë ku historia nuk është gjithmonë e arsyeshme, ku e jashtëzakonshmja shpesh është më e vërtetë se e zakonshmja dhe ku, pas çdo emri të njohur, fshihet një histori që pret të rrëfehet.
NË HOTEL “PLAZA”, NJË EVENT PËRTEJ PROMOVIMIT TË ZAKONSHËM TË NJË LIBRI
Janë të rralla, madje shumë të rralla, rastet kur një vepër e re letrare, ende pa mbërritur në vitrinat e librarive dhe pa gjetur rrugën drejt lexuesit, arrin të ngjallë kaq shumë kërshëri dhe interes, duke e shndërruar promovimin e saj në një ngjarje që tërheq vëmendjen e publikut që në çastet e para të daljes nga shtypshkronja, kur boja e ofsetit mezi ka arritur të thahet.
Shumica e promovimeve të librave zhvillohen si takime të zakonshme mes autorit, lexuesve dhe njerëzve të letrave. Por, ka edhe mbrëmje që dalin përtej këtij rituali, duke marrë përmasat e një ngjarjeje më vete, ku libri shërben thjesht si pikënisje për një takim shumë më të gjerë, me protagonistë që vijnë nga botë të ndryshme të jetës publike.
Padyshim, e tillë ishte edhe mbrëmja e së hënës, kur Ben Blushi prezantoi në një prej sallave në Hotel “Plaza” botimin e tij më të ri, romanin “Historitë e Çmendura të Tiranës”.
Ajo që u zhvillua gjatë këtij promovimi kishte diçka nga atmosfera e një feste të madhe publike, e, në njëfarë mënyre, edhe nga dinamika e një mitingu, ku protagonistë të këtij eventi nuk ishin vetëm personazhet dhe historitë e shkruara në një libër, por edhe vetë njerëzit që kishin mbushur sallën.
Vështirë të gjesh një tjetër aktivitet të ngjashëm kulturor që të mund të mblidhte në të njëjtën hapësirë, kaq shumë emra të njohur të jetës shqiptare.
Politika ishte aty, krahas artit dhe kulturës; muzika pranë kinematografisë; gazetaria përkrah biznesit; ndërsa personalitete të shumta të jetës publike e shoqërore plotësonin një mozaik që rrallëherë shfaqet kaq i larmishëm në një aktivitet letrar.
Në fakt, përtej interesit që ngjall gjithmonë një botim i ri i Blushit, kjo mbrëmje dëshmoi edhe një fenomen tjetër: aftësinë e tij për të ndërtuar një urë të stërmadhe komunikimi, duke krijuar një hapësirë takimi mes botëve të ndryshme, të cilat jo gjithmonë kanë mundësinë apo edhe arsyen për t’u gjendur së bashku.
Ndoshta, pikërisht këtu qëndron veçantia e kësaj ngjarjeje. Një roman që mban në titull emrin e Tiranës dhe historitë e saj të çuditshme, u shndërrua vetë në një arsye për të mbledhur, pikërisht në vendin ku ky qytet e ka pikënisjen, një pjesë të konsiderueshme të personazheve që, në mënyra të ndryshme, përbëjnë mozaikun njerëzor të kryeqytetit të sotëm.
Për disa orë, kufiri mes letërsisë dhe jetës së qytetit duket se u bë thuajse i padukshëm: personazhet e romanit dolën nga faqet e tij për t’u takuar me personazhet e vërtetë të Tiranës.
Ben Blushi, një nga autorët me lexueshmërinë më të spikatur në letrat shqipe në tri dekadat e gjysmë pas rënies së komunizmit, duket se ka gjetur edhe një herë mënyrën për ta kthyer daljen e një libri në një ngjarje që shkon përtej kufijve të letërsisë.
Në këtë Tiranë të zhurmshme dhe kaq të vrullshme, të mbushur me njerëz që nxitojnë në drejtime të ndryshme, ku secili duket se ndjek ritmin dhe botën e vet, nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh një arsye që t’i bëjë njerëzit të ndalen, të afrohen e të ndajnë një hapësirë të përbashkët.
Megjithatë, ndonjëherë këtë mund ta bëjë një libër, që, çuditërisht mund të shndërrohet në një pikë takimi, në një urë mes njerëzve e mjediseve të ndryshme, në një pretekst të bukur për të kapërcyer distancat që krijon.
Kësisoj, përtej faqeve të tij, libri shndërrohet në një ngjarje që i përket edhe vetë qytetit, në një arsye për ta parë Tiranën, qoftë edhe për pak çaste, si një bashkësi që ruan ende dëshirën për t’u mbledhur rreth një ideje, një historie apo një fjale.
Parë në këtë këndvështrim, duket se Tirana, kryeqyteti ynë, ruan në thellësitë e historisë një pasuri të jashtëzakonshme rrëfimesh të panjohura, ngjarjesh të harruara dhe historish që kanë mbetur të strukura në skutat e shekujve.
Një qytet që nuk e tregon të kaluarën vetëm përmes monumenteve, arkitekturës, urbanistikës apo datave të shënuara, por edhe përmes një trashëgimie të pasur njerëzore, ku ndërthuren kaq shumë fate, personazhe dhe ngjarje që presin ende të zbulohen.
Ndërkaq, kryeqyteti, duket se ka zgjedhur një mënyrë tjetër: ta ruajë të kaluarën në kujtesën e njerëzve në ambiciet e tyre për pushtet, në rivalitetet e ashpra mes fiseve dhe dinastive të kohës, në pasionet njerëzore dhe në ato ngjarje që, po të mos kishin ndodhur vërtet, do të dukeshin si pjellë e një imagjinate të shfrenuar.
Pikërisht në këtë univers na fton Ben Blushi përmes librit të tij më të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, një udhëtim letrar nëpër katër shekuj të jetës së kryeqytetit, nga viti 1600 deri në vitin 2000.
Ajo që e bën këtë vepër veçanërisht joshëse dhe mirëfilli letrare është mundësia që i ofron lexuesit për ta zbuluar Tiranën përtej imazhit të saj të sotëm, duke depërtuar në shtresat dhe nënshtresat e historisë, të jetës dhe të kujtesës së saj.
Për të zbuluar se sa shumë jetë, interesa, përplasje, intriga, martesa të lidhura me interesa, etje për pushtet, pasione, paradokse, flirte dhe aventura njerëzore janë ndërthurur ndër shekuj, duke i dhënë formë qytetit që njohim sot.
Në këtë libër, historia nuk është thjesht një renditje ngjarjesh, por merr frymë përmes karaktereve njerëzore, përmes fatit të individëve dhe familjeve, përmes marrëdhënieve të ndërlikuara mes pushtetit, pasurisë, dashurisë, lakmisë dhe ambicies.
Çuditërisht, është një botë ku realiteti historik dhe imagjinata letrare takohen për të prodhuar rrëfime që të mbajnë zgjuar kureshtjen deri në fund.
Ben Blushi, ndryshe nga studiuesit dhe autorët që i qasen historisë përmes metodave analitike dhe dokumentuese, ka zgjedhur ta sjellë atë përmes letërsisë, një fushë ku dëshmon se di të lëvizë me mjaft mjeshtëri.
Ai ka marrë përsipër të trajtojë një temë që na përket të gjithëve, por që, paradoksalisht, vazhdon të mbetet e mbështjellë me dilema dhe të panjohura: historinë e qytetit që sot përfaqëson zemrën politike, administrative, shoqërore, sociale dhe kulturore të Shqipërisë.
Afërmendsh, është një libër që premton jo vetëm kënaqësinë e leximit, por edhe një këndvështrim tjetër mbi Tiranën dhe njerëzit që e kanë bërë atë çfarë është.
Për mua, ky botim është një rast i mirë për të hapur një diskutim më të gjerë mbi mënyrën se si letërsia mund ta rikthejë historinë në vëmendjen e publikut, duke e bërë atë më njerëzore, më të afërt dhe, pse jo, më intriguese, pa e shkëputur nga e vërteta historike.
Për të zbuluar më shumë, lexuesit i mbetet vetëm të kërkojë sa më parë librin “Historitë e çmendura të Tiranës”, një botim i veçantë i Shtëpisë Botuese “Onufri”, që sot vlerësohet me të drejtë si një nga entet botuese më serioze në vend.
Jam i bindur se, faqe pas faqeje, lexuesi do të zhytet në një botë sa të çuditshme, aq edhe magjepsëse, ku imagjinata dhe realiteti ndërthuren mjeshtërisht, duke i dhënë jetë një universi të veçantë njerëzor, të cilin vetëm një autor si Blushi di ta sendërtojë me kaq finesë, elegancë, zgjuarsi dhe besueshmëri.
Tiranë – 3 nëntor, 2026


