Letërsia më e mirë shqipe është shkruajtur prej atyre shkrimtarëve që kanë njohur mirë gjuhën shqipe dhe botën shpirtërore të shqiptarit. Pra, prej atyre që fillimisht kanë njohur veten, që nuk e kanë mohuar shqiptarin te vetja. Të qenit shqiptar nuk është gjithmonë fatkeqësi, madje shumë shkrimtarë ndër shekuj e kanë përshkuar shqiptarin me asi ngjyrash që i kanë dhënë një dukje fisnike dhe madhështore. Siç ata shkruajnë në veprat e tyre ka disa gjëra te shqiptari që duhen çmuar, vlerësuar e lëvduar, një ndër to është besa. Një fjalë, e cila ka një domethënie të fuqishme dhe peshë në jetën e shqiptarit, të atij të dikurshmit.
Besa gjendet e përmendur në kanune, në folklor dhe në vepra autoriale. Është interesante sesa emra të letrave shqipe morën prej folklorit shqiptarë për të rindërtuar një këndvështrim apo edhe një lexim të ri për besën, që ne e kemi të trashëguar brez pas brezi. Ndër autorët më të njohur që mori elementin e besës dhe e trajtoi në veprën e tij, është Ismail Kadare, me romanin “Kush e solli Doruntinën’’.
Kadare e shtyn leximin, ai vazhdon rrëfimin e mbyllur në “Kënga e Dhoqinës’’, për t’i dhënë lexuesit vazhdimësinë e tronditjes për zbulimin e bërë dhe forcën e fjalës së dhënë. Këtë guxim të Kadaresë për të vazhduar leximin e asaj që njihet si e mbyllur dhe e patjetërsueshme, me origjinë folklorike pa cënuar dhe shëmtuar traditën duket se e bën edhe Ervin Nezha në romanin e tij “Erërat që trazojnë mjegullën’’.
Ky roman është një rimarrje e “Kënga e Gjergj Elez Alisë’’, ku Nezha nuk tjetërson materialin folklorik apo e vazhdon leximin si Kadareja, ai bën diçka tjetër, humanizon figurat legjendare të këngës. Pra, nuk na jep një hero legjendar apo një bajloz të frikshëm e të urryeshëm. Ai na jep dy qenie që mendojnë, gabojnë, ndiejnë dhe pranojnë vdekjen se nuk kanë zgjidhje tjetër, sikurse bën gjithsecili prej nesh.
Nezha ruan shumë elemente nga folklori, doemos duke qenë se një nga shtyllat e romanit është pikërisht folklori, tjetra mbështetet te imagjinata e krijuesit. Në roman ruhen personazhet e Gjergj Elez Alisë, motrës së tij, bajlozit, por edhe hollësi të tilla, si: 9 plagët, 9 vitet e lëngimit, dueli me bajlozin e zi, ardhja e bajlozit prej detit, besa e dhënë, lotët dhe kujdesi i motrës besnike.
Nga ana tjetër, Nezha i sjell lexuesit disa elemente origjinale, të vetat, si: raporti i ngushtë i motrës dhe vëllait së bashku me dyshimet mbi këtë raport, lojën e ruajtjes së pushtetit, pushtetin e Naisinës, prifti i kishës, Monuni, marrëdhënia e Monunit me Naisinën, Orët dhe magjia e tyre, (të cilat nuk gjenden në “Kënga e Gjergj Elez Alisë’’, por në këngë të tjera), marrëdhënia e tyre me njeriun, në veçanti me Gjergj Elez Alinë, po ashtu edhe emrin e bajlozit, Marko Gali.
Personazhi i Marko Galit, bajlozit shkruhet me një lloji objektivizmi nga ana e Nezhës, ku jepet një anë njerëzore, e prekshme e bajlozit famëkeq. Ai jepet si një nga protagonistët e rrëfimit, i cili pëson ndryshime, shkaku i rrethanave ku vendoset. Marko Gali, bajlozi, të cilin prej folklorit e njohim si një qenie mizore që vjen prej detit të marrë tokat e shqiptarëve, këtu është një burrë, pse mos ta quajmë të ndershëm, që vjen i dërguar prej Doxhës së madh, me mision. Një gjeneral i bindur që kërkon të vërë pushtetin e mbretit të tij mbi tokat e Gjergj Elez Alisë.
Marko Gali çuditet me sjelljen e shqiptarëve, me mikpritjen, respektin për të vdekurit, aftësinë e tyre për të falur, humanitetin që mbartin shpirtrat e egër të Naltinisë. Këto vyrtyte të tyre e konfuzojnë Marko Galin dhe i japin një avantazh Naisinës në lojën e saj të ruajtjes së pushtetit. Madje, ajo e luan lojën aq mirë sa te ai lindin ndjenja të ëmbla karshi saj. Këto ndjenja e distancojnë gjeneralin prej detyrës së tij dhe kjo mund t’i kushtojë karrierën e tij ushtarake dhe vetë jetën.
Nga mënyra se si Nezha e ndërton personazhin e bajlozit, lexuesi ndjen një lloj keqardhje për të, herë-herë e simpatizon më shumë se personazhin e Gjergj Elez Alisë, i cili jepet si një figurë e errët, enigmatike, e ashpër, por edhe besnike. Ai është mbrojtës i Naltinisë dhe gjithçkaje që përfaqëson identitetin shqiptar. Edhe këtë personazh, Nezha e humanizon, e zbret prej lartësive legjendare për ta bërë të zakonshëm, kur tregon se në mënyrën e tij të drejtimit të vendit ka egërsi, frikë madje edhe tirani, me të cilën vendasit pajtohen duke qenë se ai është mbrojtësi i vetëm i tyre. Zhdukja e tij për 9 vite i dëmton vendasit, pasi të gjitha dyndjet e huaja vërshojnë deri në brendësi të Naltinisë. Ajo që ruhet prej Gjergj Elez Alisë së folklorit është guximi dhe besa e mbajtur.
Gjergj Elez Alia përballet me Marko Galin në duelin legjendar ku të dy përfundojnë të vdekur, vetëm se në “Erërat që trazojnë mjegullën’’ vdekja e tij lidhet me mbarimin e magjisë së lules së tij, e cila tingëllon shumë magjike, fantastike. Lulja e Gjergj Elez Alisë për të cilën ka dijeni Ora e tij, e dashurur me të, këputet prej Naisinës, e cila vendoset mes dy zgjedhjeve, vëllait e atdheut nga njëra anë dhe vetes nga ana tjetër. Nezha e ruan tiparin e vetëmohimit te motra e Gjergj Elez Alisë duke treguar se ajo zgjedh të vëllanë, atdheun, lirinë duke sakrifikuar veten dhe të ardhmen e saj mes njerëzve.
Ajo tregohet si një grua racionale në veprimet e saj dhe njëkohësisht e mistershme. Misteri përforcohet me paktin e saj me Orët, për t’u larguar përgjithmonë prej botës njerëzore. Po ashtu e mistershme dhe e komplikuar shfaqet edhe marrëdhënia e saj me Monunin, me të cilin është rritur dhe dikur ka patur ndjenja për të, të cilat me kohën janë venitur. Monuni nga ana tjetër mbart ndjenja të sinqerta, por rreth Naisinës duket si një kafshë besnike dhe gati për sulm nëse ajo e nxit.
Monuni është sakrifica e dytë e Naisinës, ajo dakortësohet me ekzekutimin e tij, pavarsisht se nuk e beson fajësinë e tij, vetëm për t’i qenë besnike deri në fund të vëllait. Ndërgjegjen e saj për vendimin e marrë e lehtëson duke iu dhënë fizikisht Monunit. Një akt, i cili mund të lexohet si një kërkim ndjese apo shfajësie, por edhe si akti i fundit i një gruaje të lirë, pasi më vonë do t’u bashkohet përgjithmonë Orëve.
Sakrifica e tretë e Naisinës është Marko Gali, për të cilin shtrembëron të gjithë të vërtetën dhe bëhet arsyeja pse ai merr emërtimin ‘Bajlozi i zi’. Ajo i vë damkën Marko Galit për të shpëtuar nderin e njerëzve të saj. Në asnjë çast nuk heziton për vendimet që merr, duke u shfaqur herë-herë mizore.
Ajo që qepet në mënyrë fantastike në këtë roman, përveç narracionit dhe folklorit është edhe letërsia autoriale e shkrimtarëve kanonikë të letrave shqipe. Vargje dhe rreshta që pluskojnë prej së shkuarës, të cilat lejojnë udhëtimin drejt një kohe dhe bote të largët, e cila jepet e palëvizur, por duke i hequr heroizmin dhe duke i dhënë një natyrë më të prekshme, më njerëzore, më të vërtetë. Kërcehet nga njëra legjendë te tjetra sikur të gjitha të ishin pjesë e së tërës, e në fakt të gjitha legjendat dhe krijesat magjike janë pjesë e Naltinisë.
“Krahina kishte mbetur pa zot. Por kjo nuk zgjati shumë kohë, sepse po atë natë, një çoban, që e kishte parë duelin nga maja e një shkëmbi, humbi lopët e të zotit dhe duke i kërkuar gjeti tri djepe Zanash. Dhe kur u kthye në fshat qe njeri tjetër.’’
Naltinia është simbol i qëndresës dhe shpirtit të patjetërsuar të shqiptarit. Naltinia fsheh në vetvete legjenda dhe histori heronjsh, të cilat enden nëpër kohë dhe që jehojnë qysh prej thellësive më të largëta e të pashkelura nga njeriu. Ajo gjendet pas mjegullës që e trazojnë erërat, ato që vijnë prej së largu e që synojnë zbulimin e fshehtësive të saj. Terratisja e së cilës do të zbulonte egërsinë e shqiptarit të lirë, të patjetërsuar e të harruar. Një shqiptar i çuditshëm, enigmatik që vështirë se mund të nënshtrohet prej ndokujt, që është i lidhur me tokën e tij, me historitë e vjetra të pasuara gojë më gojë brez pas brezi. Një qënie që të tjerët presin të vetëshkatërrohet prej mërzisë, harresës e paqes.
“Do të kthehemi Altininjo, do të kthehemi, dhe kjo është mënyra e vetme që kemi për të fituar. Nëse ne nuk i sulmojmë, ata do të shkërrmoqen vetvetiu. Do t’i lëmë vetëm dhe do t’i marrë malli për ne. Dhe kur ne të mos vijmë, ata do të hidhërohen, do t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe veten dhe kur t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe atë, sepse ai thjesht nuk do t’u duhet më.’’
Duket se në këtë paragraf gati përfundimtar të romanit, Nezha e lë lexuesin e tij me një zbulim të pakëndshëm, si për t’i thënë që argëtimi mbaroi, koha për të menduar… A po presim ne barbarët apo po na presin barbarët ne? Çfarë të presim kur pritja e gjatë të përfundojë? Cilët janë më të egër, ata që fshihen brenda apo jashtë mjegullës? Po Naltinisë, sa kohë i mbetet për të qëndruar krenare dhe e gjallë? Çfarë ndodh nëse një popull harron? Çfarë ndodh kur një popull harron të shkuarën e vet?
Nezha është i bindur se një popull që harron të shkuarën, origjinën e tij është i prirur të shkërrmoqet. Po ashtu ai është i bindur se një popull i izoluar në Naltini qarkuar nga mjegulla rrezikon të harrojë se përtej fashës së bardhë ka një botë të gjerë, popuj të tjerë të cilët duhen njohur. Ajo që dikur shërbente si fortesë mbrojtëse mund të shndërrohet në varr. Nuk mund të jetosh gjithë jetën me frikë, herë – herë duhet gjetur guximi për të qenë i lirë, jo vetëm nga armiqtë, por edhe nga miqtë.


