More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Teki Dërvishi

    Poezi nga Teki Dërvishi

    ESHTRAT QË VIJNË VONË

    prej shtëpisë sime me çati prej kashte
    dola me hejben plot vegla
    e mora rrugë Veriun e Thellë
    kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
    pas erës së bukës
    rrugë më rrugë shkretëtirës
    kah Lindja
    kah Perëndimi
    latues mermeri me daltë
    ikonograf me brushë e ngjyrë
    godita pirgjet e larta të botës
    gjurmë lash shenjën e qartë
    pikturat e amshuara nëpër tempuj
    lirikën – fjalë të zjarrtë
    aktor me pseudonim
    palaço në oborrin mbretëror
    pa emër pa datë
    disa shekuj pastaj
    në Atdhe
    eshtrat më vijnë vonë
    me anije
    -deti çohet dallgë

    VATERPOLISTI NË BULEVARD

    në bulevardet me drita ngjyrë fishekzjarresh
    më panë me plis të bardhë
    me buzë të përvjela më thanë:
    “Ja, vaterpolisti në asfalt!”
    në kokë më oshëtinte
    edhe porosia e sime amë
    “Biro, puna fizike sjell leverdi
    s’është marre të pastrosh nevojtore
    ne jemi njerëz të thjeshtë
    ti s’je profet
    ti s’je për punë krijuese, për lavdi
    për punë hyjnore… shpirtërore
    nëpër zebrën e kalimtarëve asfaltit ngarendi
    e ngreh përdore kazanin me rrotë
    mbi një teneqe me prush
    në skarë pjek shtalba misri
    dimrit pjek gështenja
    në Pragë Paris e Stamboll
    vjeshtë e dimër
    erë bliri kundërmoj
    erë vere nga atdheu im
    më sjellin kanjushat e mërgimtarëve
    të pështjellë me letër-celofan

    TRIM I MARRË

    në trotuar si beduin si kloshar
    në rrugët e botës më zë natë
    ngrysem si çifteli e kërleshur
    vruga qepallave hije m’i bën
    lirë e shes artin tim – mjeshtërinë
    se bukën s’e dua lëmoshë
    mëshirë s’e dua dashurinë
    asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron
    re e mllefur në ballin tim
    vetëton e bubullon
    më vret dru të njomë
    vonesa ime pranverore
    do të kthjellet në paanësi e di
    në veri atje ku një Doruntinë
    psherëtin
    e vëlla më pret t’i vij
    malli për të boll më del
    me leckat e mia vjeshta
    rrugëve të planetit kah m’i vjel

    DITA E PARË E VERËS ‘98

    Në çdo fund të vitit shkollor të fëmijërisë sime
    Kanë munguar nxënësit që janë mbytur në Lumin e thellë
    Unë siç shihni ende jam gjallë. E prita edhe këtë verë
    Në këtë fund të vitit shkollor mungojnë disa arsimtarë
    Tashmë janë tharë. Ra zilja e mbramë. Të gjithë pse qajnë?
    Unë dal oborrit të shkollës mbuluar me barin e njomë
    Jo nata që më zë në atë rrugë deri te dera kah largohem
    Më zë mosha ime. Pikëllimi. Kori me këngën për dëshmorë
    pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?
    Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së
    Buza e tyre e njomë me shkrumbin e dhembjes i fotografon
    Kanë shenjë Saturni. Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!
    Si luftoj unë që mendoj se fjalët ta hanë kokën shqim?
    Unë nuk kam kujdes kur flas. Gjuha m’shtin në flakë
    Kur shkruaj unë nuk flas, dikush me pëshpërit në vesh
    Mos u frikëso! Futu në zjarr! Mos u sill rrotull zjarrit!
    Mos e aktro dhembjen! Mos e aktro vetminë! Mos u shtir!
    Por fjalët e rrezikshme ende nuk më vranë. Jam gjallë
    Kush mund të më besojë? Kush beson se ka trima të gjallë?
    Një herë ndodh çdo gjë! Të tjerët ta përsërisin fatin!
    Unë ia dal të mendoj: nëse vazhdojnë t’i vrasin fëmijët
    Ç’t’i them moshës sime? Të ngushëllohem me fjalë t’rrezikshme
    Të hyj në flakë me fjalët trime, apo me trupin tim – me kokë?
    Kush thotë e jap kokën për Atdhe, gjuha i flet n’gojë e gjallë
    Heronjtë s’flasin, veç kur m’i përshpërisin në vesh këto fjalë!
    Ra zilja e mbramë. Fëmijë të vdekur mungojnë. Mungojnë arsimtarë
    Lumi i Thellë i fëmijërisë sime i merr, apo Mali në Veriun e Thellë
    Çdo gjë është vjetruar. Çdo gjë që përsëritet. Vetëm fëmijët tanë
    Dhe, varret e gjyshërve – habiten si nuk na ka hije mosha jonë!
    Nëse keni duruar robërinë, na lini neve rrugë kah parajsa, thonë.

    PLOJA E NATËS NË DEÇAN

    Pas ushtarëve.
    erdhën ikonografët me brusha,
    për të pikturuar “Pamjen” që paraqet një vajzë shtatëvjeçare.
    duke qëndruar në këmbë,
    në këmishë nate,
    në terrin e dhomës,
    midis trupave të masakruar të prindërve,
    vëllezërve dhe motrave të saj.

    Cili terr i mesnatës mund të paraqitet në pikturë
    Pa hijen e domosdoshme të dritave diskrete
    Edhe dhomës i mungon dritarja edhe qiellit yjet
    Kur ata që shohin me sytë tanë, tashmë janë të vdekur.
    Ata janë në paqe me vetveten: as afër s’janë. as larg
    Një dritë mendimi mund të bëjë tufë spektri violet
    Aq sa ta paraqesë figurën vertikale të Hanës shtatëvjeçare
    Merrni me mend dritat që i japin pamjet e ëndrrës
    Në të cilën ju vret me thikë pas shpine ulurima e shtazës.
    Piktura t’përjetëson n’këmbë duke qëndruar njëmijë vjet
    E rrethuar nga trupat e prindërve të saj të masakruar
    Me cilat këmbë do të largohet ajo hapësirës pa horizont
    Shkallëve tatëpjetë si do t’i kapërcejë lumenjtë aheron.
    Cila ulkonjë e pyllit të egër do t’i japë sisë
    Me ç’gjuhë do t’i flasë Liria kur ajo t’i zbret nga mali
    Në qytetin e dritave kristale, yje të natës në verë
    Gjuha e tmerrit, gjuha e vetmisë, gjuha e kobit të zi
    Është heshtja e t’masakruarve që ikin në sferat e tjera.
    Kaq shihet piktura me dritën e mendjes shumë statike
    Thotë Profeti i Xhibranit, “kur ri nuk banon në tmerr
    atëherë jeton me gojë, me fjalë. Zëri të bëhet lojë”
    Pamja e masakrës në kafazin e fjalëve krahët i hap
    por nuk mund të fluturojë atje ku janë të vdekurit tonë
    Po vijnë sharlatanët, politikanët,
    vëzhguesit, monitorët, humanitarë, mjekët pa kufij,
    zyrtarët e Bashkësisë Evropiane, rusët dhe kriminelët e tjerë.
    Nuk i la policia piktorët, kompozitorët,
    poetët, profetët – që të hyjnë në Banesën e Hanës shtatëvjeçare,
    ta pikturojnë duke qëndruar në këmbë pranë kufomave të prindërve të saj të masakruar.

    SI E STËRVIT GJUHËN AMTARE ALBANA E VOGËL, E CILA SOT JETON NË HELSINKFORST

    E ka parë Atdheun në CNN në emisionet e mëngjesit
    Me gjithë anglishte përmbajtja abstrakte e tmerrit
    Kur ka dënesur e ëma ajo e ka xhelozuar vajzën Kosovë
    Ime ëmë më mori me vete në këtë botë të bukur vetëm mua
    Dhe e la vetëm motrën time atje ku s’arrihet këmbë
    Bija ime, s’e ke motër Kosovën, por e ke Mëmë prej Dheut
    Në foshnjore Albanën e kanë pyetur anglisht për Albaninë
    Ajo shqip dëgjon vetëm kur grinden e ëma e saj me të atin
    Gjuhën e katarzisit që zhvesh sharjen e hidhur si funksion
    Funksioni i sharjes si ujë i ftohtë mbi zjarrin e pikëllimit
    Kur është rritur ime ëmë ka ardhur nga Peja në Helsinkforst
    Kur t’rritem unë ku do të gjej Atdhe tjetër edhe unë të shkoj
    karvaneve që ikin sot nga Kosova dua t’u bashkangjitem si zog
    Se thonë ata që ikin – ikin vetëm që të kenë ku të kthehen
    Ekskursioni i vogël i foshnjoreve n’rresht parakalon lulishtes
    Albana ka frikë mos do t’i takojë në rrugë të ëmën e të atin
    Shqip i flasin ata e anglisht do t’i duhet shfajësimi i kobshëm
    Nga i ra n’mend se gjuha mund të mësohet edhe nga libri i Ri
    Ajo ende s’di të lexojë dhe vazhdimisht e përpëlit brenga
    A janë të ndaluara edhe librat që shkruajnë gjuhë të ndaluara
    pse fëmijët e Helsinkut nuk e kanë edhe një Nënë prej Dheut
    Pse nga të gjitha gjuhët veç shqipja i ka fjalët miturishte
    E ëma e urdhëron anglisht por e përkëdhel veç me fjalë shqipe
    Ajo nuk e di se akcentit i thonë theks. Shqipja s’ka spelling
    Nuk e di se gjuhës i duhen tridhjetë fjalë për t’u marrë vesh
    Kur t’i telefonojë nga Kosova Grandmather fjala do t’i dënesë
    Çfarë gjuhe na qenka ajo që shpreh veç përmbajtje të dhembshme
    Nga shtatë vjet sa i ka tri vjet i është premtuar udha – larg
    Një ditë kur niset le t’jetë Pranverë e jo Vjeshtë mosha e saj
    Le t’jetë Venerë aq se i ngjan të Ëmës Të Bukurës prej Dheu

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË