Në trembëdhjetë vjetorin tim, dikush nga ata që vinin për vizitë në shtëpi e më uronin, ishte një kohë atëherë kur ndodhte ende ky fenomen, më dhuroi librin The Fault in Our Stars të John Green-in në anglisht. Besoj se ka qenë libri i parë në gjuhë të huaj që kam lexuar nga fillimi gjer në fund. Kur mbusha gjashtëmbëdhjetë vjeç, ma dhuruan prapë, këtë herë në shqip. E lexova sërish, nga fillimi në fund. Ajo çka përjetova nga ky lexim i dytë ishte krejt tjetër nga ajo e leximit të parë. Mendova mos ishte për hir të dukurisë së rileximit në të cilën ende nuk kisha filluar të aftësohesha. Prandaj e lexova dhe një herë në anglisht. Vura re se përjetimi nuk lidhej me rileximin, por ishte pasojë e përkthimit. Një tekst ku flitet për dashurinë mes dy të rinjve, i rënduar gjer në padurim me fjalë të marra nga një fond leksikor i tejkaluar qysh në përkthimet e para të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Pra, lexuesi i synuar për këtë libër, ai i kategorizuar si young adult, shmangej tërësisht nga përkthyesi dhe i jepej një tekst me një regjistër në të cilin ai kurrsesi nuk mund ta gjente veten, pasi nuk ka asnjë mundësi që me dikë të së njëjtës moshë, fjala bie, t’i referohet fëmijërisë si vogëli[1], të përdorë shprehje të tipit të ra për hise[2], mbiemra si e qëmotit[3] apo foljen rëndet[4] e plot e plot të tjera.
Për fat të keq, kjo dukuri e zakonshme e keqpërkthimit, që ndonjëherë fshihet nën termin liriko-patetik “shqipërim” (për të cilin shpjegimin më të mirë e ka dhënë prof. Aristotel Spiro në nr. 152, fq. 18-19 të kësaj gazete) është një ndër arsyet kryesore përse shumë të rinj shqiptarë zgjedhin të lexojnë në anglisht. Përkthyes të mbetur në rrjetën e një faze të gjuhës, të pazotë për ta ndjekur shpejtësinë e saj dhe farkëtimet që i ndodhin prej çdo brezi, e ngjyejnë kalemin në po ato leksikone të përdorura gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë vjet më parë. Sikurse në shumëçka tjetër, edhe këtu përvijohet sëprapthi një situatë krejt e natyrshme: një i rritur që lexon një libër për adoleshentë, pyet të bijën a të birin për kuptimin e një fjale. Jo, adoleshentët e këtushëm duhet të pyesin nënat a baballarët, sepse përkthimi flet me ta dhe vetëm me ta.
Përtej sa shtrova më lart, duke u kthyer dhe një herë te The Fault in Our Stars,një çështje tjetër shumë e rëndësishme lidhur me përkthimin e tij në shqip, mbetet edhe mënyra se si jepet titulli i librit të një prej personazheve në vepër, Peter van Houten. Ai që në anglisht është An Imperial Affliction, në shqip vjen si një pikëllim therës. Nuk ka kurrfarë hermeneutike që mund ta justifikojë disi këtë zgjedhje. Të dyja fjalët janë të përkthyera gabim. Sikurse duket, përkthyesi nuk ka lexuar intervistat e vetë autorit që thotë se ky titull është, në fakt, varg i marrë nga strofa e tretë e poezisë There’s a Certain Slant of Light e Emily Dickinson (None may teach it – Any –/ ’Tis the Seal Despair –/ An imperial affliction/ Sent us of the Air –), çka do ta nxiste që, minimalisht, ta shihte se si do të pozonte në kontekst ky variant në shqip me të cilin ai zgjedh ta përkthejë. Për fat të mirë, kjo poezi ka së paku dy përkthime, të dyja më vonë se libri i Green-it, një nga Herman Çuka, pubikuar në KultPlus më 18 janar 2022 (Askush nuk mund t’ja u mësojë atë – të tjerëve –/ është vula e dëshpërimit –/ si një pikëllim perandorak/ i dërguar prej ajrit) dhe një nga Roland Gjoza, botuar në ExLibris nr. 168, fq. 10 (Askush s’mund ta thotë aq qartë/ Se si e zë trishtimi, vaji/ Se si kjo vuajtje perandorake/ Vjen nga lart, nga ajri).
Kur e lexova atëherë, këtu e më shumë se një dekadë më parë, sigurisht, nuk i dija të gjitha sa shkrova deri tani. Por shija e mbrapshtë e atij leximi që më kthehej sa herë më kujtohej a lexoja diçka nga John Green qe ajo që më nxiti më pas të kërkoj e të kuptoj. Dhe ky është elementi i parë i rritjes së lexuesit. Një libër që dikur ka pasur një lexues të ri, tani ka një lexues të rritur. Në dy faza të ndryshme, përvojat e leximit janë krejt të ndryshme, kjo nuk diskutohet. Por po ashtu, në dy faza të ndryshme, arsyeja pse një tekst nuk të shijon, shpaloset krejt ndryshe. Zakonisht është një proces që ndodh nga brenda-jashtë. Në këtë rast, është sërish sëprapthi: nga jashtë-brenda. Megjithatë, këto janë çështje të lidhura me lexuesin. Ato çështje që mundojnë autorin janë shumë më sfiduese.
Lexuesi, pra, e ka mundësinë ta rilexojë, ta rikuptojë, ta rivlerësojë dhe ta rizbërthejë librin në çdo lexim; e ka mundësinë të evidentojë gabime të autorit a lajthitje të përkthyesit, të njohë më mirë veten nëpërmjet krahasimit të mënyrës se si e ndien dhe e kupton veprën në dy çaste të ndryshme leximi e kështu me radhë. Kurse autori, në rastin kur e tejkalon me sukses sfidën me lexuesin nëpërmjet një vepre, gjendet menjëherë para sfidës së radhës, e cila, sipas të gjitha gjasave, është shumë më e vështirë për t’u kapërcyer: si të shkruajë një libër më të mirë? Ndërsa një autor i librave young adult, sikurse John Green në rastin tonë, kur lexuesi i cili ka pëlqyer librat e tij të parë e ka humbur tanimë epitetin young dhe është vetëm adult, gjendet përballë një pengese edhe më të ndërlikuar: si të vazhdojë të komunikojë me atë lexues besnik? Dhe zgjidhja është një sentencë e thjeshtë për t’u thënë dhe shumë herë e pamundur për t’u realizuar: shkruaj për të rritur. Këtë ka bërë autori ynë me librin e tij të fundit Hollywood, ending, i pritur jashtëzakonisht shumë mirë nga lexuesi dhe nga kritika duke tërhequr vëmendjen e disa prej mediave më prestigjioze.
Natyrshëm, kjo më bën të mendoj për letërsinë tonë dhe mendja menjëherë më shkon te Viktor Canosinaj dhe eksperimenti i tij me romanin Meriyll.
Fëmijët e brezave të mbramë të milenialëve dhe të gjitha breznitë e Gen-Z, këtë roman e kanë bërë me detyrim në shkollë. Mes tyre, edhe unë. Nuk e di a bëhet ende. Atëherë kur më kanë detyruar ta lexoj, e kam konsideruar si një libër panevojshmërisht të rëndë. Kam qenë në klasë të gjashtë, dymbëdhjetë vjeç. Kurse tani, sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem se subjekti i tij ka ndikuar disi në traumën kolektive të milenialëve të fundit dhe të Gen Z-ve shqiptarë. Është historia e një vajze trembëdhjetëvjeçare, e cila miqësohet me një komshie dhe nëpërmjet saj, njihet me dy çuna. Paraprakisht, duhet thënë se kësaj vajze i kishte vdekur e ëma dhe se i ati ishte i papunë dhe i alkoolizuar. Dy çunat me të cilët e njeh komshia i propozojnë të shkojë në Greqi me ta – duan ta trafikojnë. Një vajzë trembëdhjetë vjeçe! Dhe ketë histori, të mos e harrojmë, është i detyruar ta lexojë një fëmijë dymbëdhjetë vjeç. Njëri nga djemtë, madje, e fut me zor në makinë dhe e dhunon, aq sa e bën për spital. Në fund, shpëton dhe mbështetja e një tjetër djali, Sidit, e ndihmon ta përballojë situatën.
Njëzet e ca vjet pas këtij libri, autori boton Pandashmërisht Meriyll, ku Sidi dhe Meriylli janë rritur. Sikundër vetë autori thotë, shumë lexues ia kanë kërkuar ta shkruajë vazhdimin e jetës së Merit dhe të Sidit. Këtu jemi të detyruar të kthehemi dhe një herë te The Fault in our Stars për të treguar se si kjo kërkesë nuk mund të jetë shtysë për një autor që të krijojë letërsi. Autori i atij libri me titull të përkthyer keq, Peter van Houten, kur lexuesit i kërkojnë një vijim për librin, thotë: “Ai roman është krijuar duke shkruar shkronjat në letër, e dashur. Personazhet që banojnë në të nuk mund të jenë jashtë atyre shkronjave. Çfarë ndodhi me ta? Që të gjithë reshtën së jetuari nga çasti që romani përfundoi.” (fq. 194-195) E përdor dhe vetë herë pas here këtë fjali, kryesisht kur më pyesin për personazhe me emër apo karakteristika si të miat në romanet e mia.
Por le të rikthehemi te Meriyll. Çfarë ndodhi kur lexuesi u rrit? Autori, i cili ka shkruar edhe romane për të rritur, vendosi ta përcillte heroinën e tij, gjurmët e së cilës disa lexues qenë të detyruar t’i mbanin përherë me vete, në një moshë tjetër, sa më pranë moshës së re të lexuesve të atëhershëm. Duhet mbajtur parasysh se breznitë që s’kanë pasur nga t’ia mbanin pa e lexuar këtë libër përbëhen nga fëmijë që e përjetuan ’97-ën në vetë të parë dhe ata që u rritën duke dëgjuar për të. Prandaj, të gjithë atyre, kur u vinte mosha për ta lexuar librin Meriyll, e kishin të gjallë në mendje idenë e ngjarjeve të atij viti të mbrapshtë. Megjithatë, tani gjendeshin në atë qetësinë e zakonshme pas një stuhie të furishme. S’kishte drita, s’kishte ujë, s’kishte rrugë, por kishte njëfarë sigurie se llahtaret e atëhershme nuk do të përsëriteshin. Ky roman, sikur asgjë tjetër, ka thirrur stresin post-traumatik sa herë është lexuar dhe këtu e kam fjalën si për atë stres të kaluar pasi je vetë pjesë e një traume, si për atë të ndierën kur trauma bashkë me detajet e saj që e kanë ndikuar familjen tënde të rrëfehet prej të tjerëve, kryesisht prej atyre tek të cilët ke më së shumti besim. Çdo tentativë krejt sporadike për ta tejkaluar shijen e baruttë të asaj periudhe, rrëzohej sapo detyroheshe të lexoje këtë roman. Pastaj, vetë subjekti. Një paraadoleshente që si trafikimin, ashtu edhe shpëtimin, e gjen te djemtë. Një shenjë e pamundësisë së saj për të qenë e pavarur apo e zonja që t’i tejkalojë situatat e vështira pa pasur nevojë për dikë në krah. Një lëvizje aq e shpejtë nga frika prej trafikimit dhe dhuna, te dashuria e çiltër dhe shpresëdhënëse, saqë duket krejt e pamundshme për një fëmijë trembëdhjetë vjeç. Një histori ku trajtohen problematikat sociale, me situata krejt të panatyrshme të spërkatura mbi kontekstin e një traume të gjallë. Asnjëherë nuk u punua për shërimin e shoqërisë prej asaj traume. Përkundrazi, u bënë hapa në forcimin e gjurmëve të saj mbi një brez të tërë! Fëmijëve u duheshin dhënë libra që t’i bënin ta kuptonin dhunën, jo të atillë që kur lexoheshin, i nxisnin ta përjetonin edhe vetë atë, bashkë me shpëtimin e përrallshëm nga një princ që ke në klasë. Diskutohet shpesh mbi indoktrinimin e rinisë së dikurshme nga tekste të realizmit socialist dhe shumë mirë që bëhet ky diskutim. Por pse, aty mbaron e keqja e librave që u jepen nxënësve me detyrim? Pas ’90-ës, gjithçka shkoi mbarë? Shkolla e tanishme dhe programet e saj ku deri vonë, në mos ende, përfshihej edhe Meriyll i kanë bërë mirë formimit të të rinjve?
Është e pakuptimtë rropatja e shkrimtarit për t’iu përshtatur lexuesit të tij, si në ato raste kur e ka fituar vetë me një vepër shumë të mirë, ashtu edhe atëherë kur i është dhënë i gatshëm pasi vepra i është imponuar disa breznive. Sot në Shqipëri, letërsia për fëmijë gjendet në një plan të dytë. Matanë saj, në një plan të harruar në të shkuarën, gjendet letërsia për të rinj. Unë nuk di sa nga gishtat e njërës dorë teprojnë po t’i numërosh autorët që e lëvrojnë atë. Kur lexuesi rritet aq sa të mos e pëlqejë më një autor që ka lexuar kur ka qenë i vogël, ky i fundit duhet të heqë dorë e të arrijë ndër lexues të tjerë. Në rast se nuk i gjen, s’ka asnjë kuptim të kthehet e të kërkojë strehim tek lexuesi i dikurshëm duke i ledhatuar egon e kureshtjes. Njëlloj edhe në ato raste kur lexuesi është aq i ri sa të mos i kuptojë si sinonime shalën e mushkës me sediljen e avionit veç pse të dy konsiderohen mjete transporti. Këtu s’ka faj askush përveç botuesit që atë çka kursen me përkthyesin, e paguan me prishjen e shijes së letërsisë së përkthyer në një brez të tërë lexuesish.
Letërsia nuk duhet të bëjë asgjë. As të frymëzojë ndryshime, as të paraqesë a të ndryshojë shoqërinë e as të mposhtë të keqen. Letërsia duhet të jetë, të ofrohet, të paraqitet si mundësi. Rruga për ta bërë këtë sa vjen e i bëhet më e vështirë. Nuk duhen shtjerë shkopinj të tjerë në rrotat e saj të lëmuara. E mes këtyre shkopinjve, ndër më të dëmshmit mbetet dëshira për të mos e lejuar lexuesin të rritet.
[1] Shq.: Lisharësi ndodhen ende aty, barishtet e këqija ishin rritur në hendekun e vogël që ishte krijuar në vendin ku ngrihesha më lart, në vogëli. (Fq. 126) / Angl: That swing set was still back there, weeds growing out of the little ditch I’d created from kicking myself higher as a little kid.
[2] Shq.: As ti nuk duron dot më, por ajo s’është e detyruar. Kurse ty të ra për hise ta mbash këtë barrë. (Fq. 67) / Angl. Neither can you, but she doesn’t have to handle it. And you do.
[3] Shq. -Unë, – ia nisa, e sigurt që pjesa tjetër e fjalisë do të dilte nga ajri që kalonte në kordat e mia zanore. Por asgjë nuk ndodhi. Më në fund thashë. – Unë ndihem pak e veshur. – Ah, qenke vajzë e qëmotit? – tha, dhe më vështroi buzagaz. (fq. 162-163) / Angl. “I,” I said. I kept thinking the rest of my sentence would emerge from the air passing through my vocal cords, but nothing happened. Then finally, I said, “I feel underdressed.” “Ah, this old thing?” he said, smiling down at me.
[4] Shq: S’të rënder fakti që është më e zgjuar se ti. (Fq. 312) / Angl. You never worry if she is smarter than you.


