Autorja e romanit Njerëz normalë, Sally Rooney, ka deklaruar se librat e saj nuk do të jenë më në libraritë e Mbretërisë së Bashkuar, si pasojë e mbështetjes së saj për organizatën Palestine Action.Shkrimtarja irlandeze kishte deklaruar vitin e kaluar se synonte të vazhdonte t’i përdorte të ardhurat nga të drejtat e autorit për të mbështetur këtë grup, i cili në Mbretërinë e Bashkuar është shpallur organizatë terroriste dhe është ndaluar me ligj.
Në një deklaratë për BBC News, Rooney tha se vazhdimi i botimit të veprave të saj mund të përbënte një «vepër të rëndë penale », ndaj kishte rënë dakord me shtëpinë e saj botuese, Faber, që librat e saj të mos shpërndaheshin më në tregun britanik.
«Kam bërë çdo përpjekje për të qenë e sinqertë me publikun lidhur me bindjet dhe qëllimet e mia dhe jam plotësisht e gatshme t›i pranoj pasojat», u shpreh ajo.
Botimet elektronike të librave të saj janë tërhequr tashmë nga shitja në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse shumë librari vazhdojnë të kenë në gjendje kopje të shtypura.
Rrjeti i librarive Waterstones konfirmoi për BBC-në se shtëpia botuese Faber kishte njoftuar se nuk ekzistonte asnjë kufizim që i pengonte libraritë t’i mbanin në raftet e tyre kopjet që kishin tashmë.
Sipas të dhënave të NielsenIQ BookData, Rooney ka shitur mbi gjashtë milionë libra në mbarë botën, prej të cilëve 2,3 milionë në Mbretërinë e Bashkuar.
Romani Njerëz normalë u botua në vitin 2018 dhe dy vjet më vonë, u përshtat në një serial televiziv shumë të suksesshëm, i cili i dha një shtysë vendimtare karrierës së aktorëve Paul Mescal dhe Daisy Edgar-Jones.
Romanet e tjera të Rooney-t janë Intermezzo, Biseda mes miqsh dhe Botë e bukur, ku je?.
Shtëpia botuese Faber deklaroi për BBC News:
«Legjislacioni aktual në Mbretërinë e Bashkuar ka krijuar një situatë në të cilën Faber nuk mund t’ia kalojë Sally Rooney-t të ardhurat që veprat e saj sigurojnë në tregun britanik.
Të shesësh veprat e një shkrimtari dhe të mos kesh mundësi t’i paguash atij të ardhurat që i takojnë është një situatë e papranueshme për ndërgjegjen e një botuesi.
Për këtë arsye, dhe në marrëveshje të plotë me Sally-n, kemi marrë vendimin që të mos i shpërndajmë më veprat e saj në Mbretërinë e Bashkuar, në asnjë format».
Faber shtoi:
«Vazhdojmë të jemi krenarë që botojmë krijimtarinë e saj të jashtëzakonshme, të cilën do të vazhdojmë ta tregtojmë në vendet e tjera».
Të katër romanet e Rooney-t, përfshirë edhe më të fundit, Intermezzo, do të tërhiqen nga shitja në Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria britanike e shpalli Palestine Action organizatë terroriste dhe e ndaloi në vitin 2025, duke argumentuar se grupi kishte një «histori të gjatë» të dëmtimit të qëllimshëm të pronës.
Veprimtaritë e grupit kanë përfshirë edhe aksione kundër kompanive të armatimit të lidhura me luftën e Izraelit në Gazë.
Në deklaratën e saj të së mërkurës, Rooney u shpreh:
«Në korrik të vitit 2025, grupi protestues i veprimit të drejtpërdrejtë Palestine Action u shpall organizatë terroriste dhe u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar.
Muajin pasues, shkrova një opinion, ku shprehja synimin tim për të vazhduar mbështetjen ndaj Palestine Action, një grup që këtu, në Republikën e Irlandës, nuk është shpallur i ndaluar dhe as nuk i është nënshtruar ndonjë ndalimi tjetër ligjor.»
Në artikullin e saj të botuar gushtin e kaluar në gazetën The Irish Times, Rooney kishte deklaruar se do të vazhdonte ta mbështeste grupin me honoraret e veprave të saj, pavarësisht se një veprim i tillë përbënte vepër penale në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo kishte anuluar gjithashtu një udhëtim në Britani për të marrë një çmim, nga frika se mund të arrestohej.
Në deklaratën e së mërkurës, Rooney vijoi:
«Si pasojë, përmbushja e kontratave për botimin e veprave të mia në Mbretërinë e Bashkuar mund të përbëjë tani një vepër të rëndë penale.
Pas një procesi konsultimesh dhe shqyrtimesh si dhe me pëlqimin tim të plotë, shtëpia ime botuese Faber ka vendosur, për këtë arsye, se nuk mund të vazhdojë t’i shpërndajë më veprat e mia brenda Mbretërisë së Bashkuar».
Bashkëthemeluesja e Palestine Action, Huda Ammori, deklaroi se Rooney kishte mbajtur «një qëndrim të guximshëm dhe parimor që nga çasti kur u shpallën planet për ndalimin e Palestine Action».
Sipas Ammorit, tërheqja e veprave të shkrimtares nga tregu shënonte «një pikë të re, edhe më të ulët, në sulmin gjithnjë e më të ashpër kundër lirisë së shprehjes, të shkaktuar nga shpallja e Palestine Action si organizatë e ndaluar».
Besohet se mbi 3700 persona janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar si të dyshuar për mbështetje të Palestine Action.
Rreth 2500 prej tyre janë akuzuar zyrtarisht, por asnjëri nuk ka dalë ende para gjyqit, ndërkohë që vazhdon procesi gjyqësor për kundërshtimin e ndalimit të organizatës. Kjo çështje pritet të shqyrtohet muajin e ardhshëm nga Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar.
Shënim i ExLibris
Me datë 21 tetor, një pjesë e madhe e shkrimtarëve më të rëndësishëm bashkëkohor, të bërë bashkë, nënshkruan një peticion në mbështetje të Rooney-t ku shprehen njëzëri se ajo nuk është terroriste:
Adam Tooze, Afua Hirsch, Ahdaf Soueif, AK Blakemore, Alexei Sayle, Alison Oliver, Amia Srinivasan, Amit Chaudhuri, Amitav Ghosh, Amitava Kumar, Andrea Calderwood, Andreas Malm, Andrew Motion, Angharad Hampshire, Anika Jade Levy, Anna Burns, Anne Carson, Anne Enright, Annie Ernaux, Annie Macmanus, Annie Proulx, Anthony Barnett, Antonia Lloyd-Jones, Arifa Akbar, Armando Iannucci, Arundhati Roy, Asif Kapadia, Avi Shlaim, Bella Freud, Ben Ehrenreich, Ben Lerner, Ben Rivers, Benjamin Moser, Bernardine Evaristo, Blake Morrison, Caryl Churchill, Chris Kraus, Chris Power, Ciara Mary-Alice Thompson (CMAT), Colm Tóibín, Colum McCann, Cornelia Parker, Daisy Edgar-Jones, David Edgar, David Farr, David Wengrow, Deborah Levy, Diana Evans, Ed Gillespie, Eleanor Catton, Elif Batuman, Emily Wilson, Faiza Shaheen, Fatima Bhutto, Fionn O’Shea, Francis Spufford, Francisco Garcia, Gary Lineker, Geoff Dyer, George Saunders, Hannah Lillith Assadi, Hassan Abdulrazzak, Hermione Hoby, Hisham Matar, Inua Ellams, Irvine Welsh, Jacqueline Rose, Jacques Testard, James Meek, James Wilson, Jeanette Winterson, Jeff McMahan, Jeremy Corbyn, Jessie Buckley, Jhumpa Lahiri, JM Coetzee, John Akomfrah, Jolyon Maugham, Jonathan Glazer, Jonathon Porritt, Josh Cohen, Judith Herrin, Julian Barnes, Juliet Stevenson, Kate Nash, Kate Zambreno, Kathy Lette, Kaveh Akbar, Kieran Morris, Kneecap, Lamorna Ash, Laura Wade, Lauren J Joseph, Lenny Abrahamson, Maaza Mengiste, Madeline Cash, Madra Salach, Margie Orford, Marian Keyes, Mark O’Connell, Maxine Peake, Megha Mohan, Merve Emre, Michael Frayn, Michael Magee, Michael Rosen, Mike Dibb, Mobeen Azhar, Monica Ali, Morgan Lloyd Malcolm, Namwali Serpell, Naoise Dolan, Naomi Klein, Neel Mukherjee, Nicole Flattery, Nikita Lalwani, Nitin Sawhney, Olivia Hetreed, Olivia Laing, Omar El Akkad, Omar Robert Hamilton, Orlando Reade, Owen Jones, Patricia Lockwood, Paul Mescal, Peter Singer, Priyamvada Gopal, Ramita Navai, Rana Dasgupta, Rebecca Perry, Rob Doyle, Robert Del Naja (Massive Attack), Rowan Moore, Sally Potter, Samuel West, Sangita Myska, Sarah Hall, Seamas O’Reilly, Shahidha Bari, Shami Chakrabarti, Sharon Horgan, Sheila Heti, Slavoj Žižek, Sophie Kemp, Sophie Smith, Stephanie Wambugu, Sunny Singh, Susan Bernofsky, Susan Sarandon, Tariq Ali, Tessa Hadley, Tilda Swinton, Tom Overton, Wendy Brown, William Boyd, William Dalrymple, Xiaolu Guo, Young Fathers, Zadie Smith


