Shtatëdhjetë vjet pas fjalimit të Vjenës kur mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes
Nikos Kazantzakis dhe paradoksi i një njerëzimi që përparon, por nuk mëson të jetojë në paqe
Më 26 tetor 1957, në Freiburg të Gjermanisë, mbylli sytë një nga figurat më të mëdha dhe më komplekse të letërsisë greke dhe botërore të shekullit XX, Nikos Kazantzakis, intelektuali me vetëdije universale. Vepra e tij la të hapur një dialog të përhershëm mes njeriut dhe lirisë, mes shpirtit dhe materies, mes besimit dhe dyshimit, mes luftës së brendshme dhe përgjegjësisë ndaj botës. Poet, dramaturg, eseist, udhëtar, ai ishte, mbi të gjitha, një shpirt i shqetësuar, një mendimtar që nuk pranoi të pajtohej me kufijtë e ekzistencës njerëzore. Pas tragjedive të dy luftërave botërore dhe shkatërrimit atomik të Hiroshimës e Nagasakit, Kazantzakisi ishte ndër ata intelektualë që kuptuan se kriza e qytetërimit nuk ishte vetëm politike apo ushtarake, por mbi të gjitha morale.
Në vitin 1946, gjatë qëndrimit në Angli, ai bëri thirrje për krijimin e një “Internacionaleje të Shpirtit”, një bashkimi të intelektualëve të botës në mbrojtje të paqes dhe të vlerave humaniste.
Më 28 qershor 1956, në Vjenë, atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Paqes, në kuadër të nismës së Këshillit Botëror të Paqes. Ishte një vlerësim i rëndësishëm për një shkrimtar që, megjithëse kishte fituar njohje të gjerë ndërkombëtare, vazhdonte të përballej me kundërshtime dhe mosbesim në atdheun e tij, për shkak të bindjeve politike, kërkimeve filozofike dhe trajtimit të çështjeve fetare në veprën e tij. Në këtë ceremoni, Kazantzakisi nuk foli si një shkrimtar që kremtonte lavdinë personale, por si një njeri që ndiente mbi vete peshën e historisë dhe përgjegjësinë e fjalës.
Vjenë, 28 qershor 1956
Të dashur miq,
E pranoj këtë shpërblim të lartë, Çmimin Botëror të Paqes, ashtu siç pranon një punëtor i moshuar mëditjen e tij, kur tashmë ka rënë mbrëmja. Jam thellësisht i prekur, por njëkohësisht ndiej turp dhe nuk di ç’të bëj. A jam i denjë të pranoj një mëditje të tillë?
Në çastet e para ngurrova; më në fund, në emër të Kretës, atdheut tim, mendova se mund ta pranoj një nderim të tillë. Vetëm ajo, Kreta, ishulli tragjik që e fitoi paqen me një çmim aq të shtrenjtë, është e denjë për një shpërblim të tillë. Për shumë shekuj, Kreta luftoi për paqen, por nuk mundi ta fitonte veçse duke kaluar nëpër lumenj gjaku dhe lotësh. Ja përse, që nga fëmijëria ime, e përjetova me një intensitet të madh kuptimin tragjik të jetës dhe shijen e hidhur të luftës. Fryma e Kretës më rrëmbeu dhe u përpoqa, si njeri dhe si shkrimtar, të luftoja për lirinë, paqen dhe dinjitetin e njeriut.
Por ceremonia e sotme është shumë domethënëse për mua dhe më prek thellë në zemër. “Komiteti i Çmimeve Ndërkombëtare të Paqes” i ofron një poeti grek degën e ullirit; dhëntë Zoti që ky gjest të jetë mesazhi pararendës i paqes në mbarë tokën greke.
Përpiqem ta përmbaj dhimbjen time, por sonte, në këtë kremtim të paqes, nuk mundem, fytyra e Qipros më shfaqet përpara, e mbuluar me gjak. Në këtë çast që po flasim, forcat e errëta janë vërsulur atje dhe kërkojnë ta mbysin lirinë. Le të bashkohemi të gjithë, le të përpiqemi të gjithë që në këtë ishull heroik e martir të triumfojë liria; vetëm ajo mund t’i sjellë njeriut të mirën më sublime: paqen.
Kurrë më parë ideali i paqes nuk ka qenë kaq i domosdoshëm sa në epokën tonë. Për herë të parë, njeriu gjendet me vetëdije përballë humnerës. Ja përse shohim përreth nesh hutimin, disfatizëm dhe tradhtinë e kaq shumë shpirtrave. Për herë të parë, njëkohësisht, mjetet e shfarosjes janë bërë kaq të tmerrshme. Shkenca, kjo thikë me dy tehe, ka vendosur një fuqi djallëzore në duart e pitekantropit. Prej mijëra vjetësh, më kot ky pitekantrop përpiqet të arrijë majën e tij më të lartë, njeriun. Ende nuk ka arritur të bëhet i tillë në të gjithë sipërfaqen e tokës. Forcat e errëta vazhdojnë të tërbohen brenda tij. Kërcënuese dhe të vendosura.
Të armatosur me këtë fuqi djallëzore, kemi hyrë në xhunglën e egër që e quajmë epoka atomike. Çasti është kritik. Midis përparimit të intelektit dhe nivelit moral të njeriut të sotëm, ekziston një hendek i madh, jashtëzakonisht i rrezikshëm. Gorilla e zbuloi zjarrin tepër herët.
Nëse nuk duam ta lëmë botën të fundoset në kaos, duhet që, ashtu siç çliruam forcat e fshehura brenda materies, të çlirojmë edhe dashurinë që qëndron e burgosur në zemrën e çdo njeriu. Fuqia atomike duhet të vihet në shërbim të zemrës së individit.
Liria dhe paqja, këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, qëndrojnë përtej kufijve të botës materiale; ato janë të dyja bija të njeriut, i cili i lindi me djersë dhe lot. Për sa kohë njerëzit do të marrin frymë mbi këtë tokë, të dyja do të jenë gjithmonë në pararojë, shoqe besnike. Por në çdo çast ato janë në rrezik. Është detyra jonë që në çdo çast të mobilizojmë të gjitha forcat për t’i mbrojtur; duhet të qëndrojmë pranë tyre, ditë e natë, në këmbë.
Abati Munier, kjo mendje e ndritur dhe e hollë, më thoshte një ditë:
-Shkova të takoja mikun tim Bergson. Henri, i thashë, a mund të ma përmbledhësh me një fjalë, vetëm me një fjalë, të gjithë filozofinë tënde?
Bergsoni heshti për një çast, u zhyt në mendime dhe papritur thirri:
-Mobilizim! Mobilizim! Kur gjendemi përballë një pengese, duhet të mobilizojmë të gjitha forcat e shpirtit tonë dhe pengesa do të mposhtet menjëherë.
Të dashur miq,
Forcat e së Keqes janë mobilizuar; le të mobilizojmë edhe ne forcat e së Mirës. Le të japim kushtrimin për gjithçka njerëzore që mbijeton ende brenda nesh dhe përreth nesh. Le të luftojmë me të gjitha forcat për paqen dhe vëllazërimin e njerëzve.
Kinezët kanë një mallkim që në pamje të parë duket i çuditshëm: “Të zëntë mallkimi im e lindsh në një epokë interesante!” Ne kemi lindur në një epokë interesante. Një botë po trandet, gati për t’u shembur, ndërsa një tjetër po ngrihet. Format e shkatërrimit dhe të rindërtimit rrjedhin të panumërta përreth nesh. Ja përse përgjegjësia e njeriut sot është e madhe. Ai tashmë e di se çdo veprim i tij mund të ketë jehonë në fatin e njerëzimit.
Ai e di se njerëzit, të gjithë njerëzit, të bardhë e të zinj, janë një. Nëse në skajin më të largët të botës qofttë edhe një njeri vuan nga uria, faji është yni. Nuk mund të jemi të lirë për sa kohë që, në një skaj të botës, qoftë edhe një njeri është ende i robëruar.
Por ankthi që sot e mbyt çdo njeri me vlera shoqërohet nga një shpresë e madhe, jo shpresë, por siguri. E Keqja, në fund, mposhtet gjithmonë nga gjithëfuqia e ngadaltë, por e sigurt, e së Mirës. Nëse ky ligj misterioz nuk do ta qeveriste fatin e njerëzimit, shpirti do të ishte dërrmuar prej mijëra vjetësh nga materia. Liria dhe paqja do të ishin mbytur nga Frika e Madhe.
Një legjendë e lashtë lindore e shpreh me një forcë të jashtëzakonshme këtë ligj misterioz.
Një Engjëll zbriti në tokë. Demoni, sundimtari i botës, i tërbuar nga zemërimi, iu vërsul dhe me shpatën e tij e preu në dy pjesë. Menjëherë, nga të dyja pjesët dolën dy Engjëj. Sundimtari i botës tërbohet, vërsulet përsëri dhe i ndan në katër pjesë. Dhe menjëherë dolën katër Engjëj. Tashmë i tmerruar, Sundimtari i botës u vërsul dhe i copëtoi përsëri. Katër Engjëjt u bënë tetë. Nga tetë u bënë gjashtëmbëdhjetë. Nga gjashtëmbëdhjetë u bënë tridhjetë e dy… Dhe pas pak, një ushtri e panumërt Engjëjsh mbuloi tokën.
Të dashur miq, këtë Engjëll besoj se e keni njohur: është Engjëlli i Paqes.
Shtatëdhjetë vjet pas këtij fjalimi, pyetja që Kazantzakisi i drejtoi njerëzimit mbetet ende pa përgjigje. Njeriu ka arritur të depërtojë në thellësitë e materies, të eksplorojë hapësirën kozmike, të krijojë teknologji që dikur i përkisnin vetëm imagjinatës, por ende nuk ka arritur të çlirojë plotësisht atë që shkrimtari e quante “dashuria e burgosur në zemrën e çdo njeriu”.
Në këtë kundërthënie qëndron një nga tragjeditë më të mëdha të qytetërimit bashkëkohor: aftësia jonë për të krijuar është rritur me një shpejtësi marramendëse, ndërsa aftësia për të bashkëjetuar, për të kuptuar tjetrin dhe për të respektuar jetën njerëzore vazhdon të vihet në provë.
Në vitin 1956, Kazantzakisi paralajmëronte për rrezikun e epokës atomike. Sot, këtij kërcënimi i janë shtuar forma të tjera të pushtetit teknologjik, të cilat e bëjnë edhe më urgjente pyetjen për përgjegjësinë morale të njeriut. Inteligjenca artificiale, zhvillimet e bioteknologjisë, automatizimi i sistemeve të luftës dhe mundësitë e pakufishme të manipulimit të informacionit na vendosin përballë një dileme të ngjashme me atë që formulonte shkrimtari grek: a jemi moralisht të përgatitur për fuqinë që zotërojmë për të ndërtuar një qytetërim të denjë?
Sot, shtatëdhjetë vjet më vonë, në një botë që vazhdon të përballet me luftëra, dhunë, përçarje dhe kërcënime të reja teknologjike, fjalët e Kazantzakisit nuk tingëllojnë si një dokument i largët historik. Ato mbeten një pyetje e hapur për ndërgjegjen tonë: A ka përparuar moralisht njeriu po aq sa ka përparuar shkencërisht?
Më 26 tetor, kur kujtojmë largimin nga jeta të Nikos Kazantzakisit, nuk përkujtojmë thjesht një shkrimtar të madh. Rikthehemi te një ndërgjegje që vazhdon të na shqetësojë, sepse pyetjet e tij janë ende aktuale dhe Engjëlli i Paqes i Kazantzakisit vazhdon të kërkojë vend mbi tokë. Dhe ndoshta pyetja nuk është më nëse ai do të arrijë të mbijetojë, por nëse ne do të dimë ta mbrojmë.


