KreuÇmimeThomas Frashëri dhe Ajten Toptani: PALMAT E MID’HAT BEUT

Thomas Frashëri dhe Ajten Toptani: PALMAT E MID’HAT BEUT

Më 3 tetor të këtij viti, ora 09.25, do të mbushen 77 vjet – një jetë njeriu! – nga kalimi në amshim i Mid’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, në hotelin Winthrop të New-York-ut.

Vepra e tij poliedrike, poliglote dhe politike, një plejadë shkrimesh, por edhe angazhimesh e veprimesh, e ka paracaktuar Mid’hat Frashërin të shihet si një Janus Bifrons kur vjen fjala të vlerësimet e pasardhësve; një personalitet shenjues, mbi mijëra të tjerë i dallueshëm, kryet e të cilit janë mësuar të mbajnë si kurorën me gjemba të mërisë në të gjallë, ashtu edhe dafinat dhe palmat postume të mirënjohjes publike. Shtegtar i kreshtave të thepisura e të braktisura, ku dielli pak ndriçon e ku ngricat ndodh të jenë të përjetshme, Mid’hat Frashëri mbetet po aq një personazh historik qendror, sa edhe një personalitet vetmitar e skajor.

Një “margjinal”, teknikisht.

Për të zgjeruar fushëpamjen studimore mbi Mid’hat Frashërin, si edhe mbi shumë të tjerë të ngjashëm me të, është e rëndësishme t’u biesh rreth e rrotull margjinave, skajeve të jetëve të tyre. Lypset t’u përshkohen kreshtat ku ata gjetën paqe dhe distancë nga e zakonshmja, t’u vizitohen kopshtet intime, t’u shquhet, t’u preket e t’u kuptohet çka për ta ishte çiltazi apo fshehtazi ideale, e dashur, e vlefshme, e shenjtë, e paprekshme; nga njerëzit te gjësendet, nga idetë te simbolet. Hollësi më hollësi. Skaj më skaj.

Një qasje e tillë të çon te instrumentet e hulumtimit dhe interpretimit që përdorin sot ata të cilët mund të quhen “historianë të margjinalitetit” – të skutave dhe të skajeve, e për rrjedhojë, të vetë të skajuarve. Instrumente hulumtimi dhe interpretimi të një mikrohistorie të mentaliteteve shpënë deri në limite, të cilat përligjin, duke parafrazuar një specialist, studimin e subjekteve të pakta në numër, por të karakterizuara nga një veçori: të qenit konstitutive të skajeve sa të largëta aq edhe të larta të shoqërisë, me një plasticitet mbijetese përkundër krizave dhe me aftësi për të qëndruar vetvetja në mënyrë të palëkundur[1].

I izoluar dhe “i skajuar”, dokumenti diplomatik që përbën pikënisjen e këtij studimi do të kishte mbetur një gjurmë e thatë nëse do të ishte parë dhe hulumtuar me një sy përgjithësues. Mirëpo i parë nga “skajet” e një jete, një veprimtarie dhe një tradite të “skajuari” gjithënjëherësh, ai merr dimensionet e një burimi të mirëfilltë ndihmës për historinë dhe prosopografinë, një çelës që e gjen më në fund portën të cilën duhet të çkyçë, duke i hapur njëkohësisht rrugën këndvështrimeve të reja brenda të njëjtit stok ekzistues dijesh[2]. Promovimin e një qasjeje të tillë i ka dhënë porosi ligji, në njëfarë mënyre, Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, si “konservator kujdesi”, për të ruajtur “kujtesën materiale të dekoratave dhe të mbajtësve të tyre”. Në diapazon të kësaj porosie u ndërmor edhe shkrimi që i propozohet lexuesit.

Në skajet e jetës së tij, i skajuari “Mid’hat Bej” ose “Zoti Mid’hat” ka mbajtur me egon, aura-n, vetëvlerësimin, nderin – në të gjitha ngjyresat që i jepte këtij nocioni polisemik Lucien Febvre[3] –, marrëdhënie të cilat nuk është e lehtë t’i depërtosh. Por një gjë është e sigurt: imazhi i tejçuar nga jeta dhe veprimtaria e tij plot tallaze, ka mbetur ajo e një refraktari ndaj nderimeve, e një përbuzësi të vlerësimeve. Një imazh i kultivuar nga vetë Mid’hati, i ndjeshëm ndaj efektit të misterit, parakusht i dinjitetit dhe i autonomisë personale, sepse imunizues ndaj parodive urbane dhe lajthitjeve tëhuajëzuese të mexhlisit të kohës së tij. Nën cipën ironikisht proletare të cilësimit “dyqanxhi”, që i ngjishte vetes sa herë i bënte bisht anëmarrjeve të rrezikshme ku e ngusnin të faktorizohej[4], spikaste ndoshta edhe më shumë natyra skajore e elitarit, e sojliut tekanjoz por të kthjellët në qëndrime, e “konservatorit romantik” siç është quajtur dikur[5], ose e “liberal-konservatorit” – siç do të konsiderohej sot pas kallëpeve bashkëkohore – plot kundërthënie, por pa lëshime.

Mid’hat Frashëri i dekoruar me Palmat e Oficerit të Arsimit Publik
(akuarel nga Ajten Toptani, 2026)

Ishte Mid’hati ai, i cili, kur në dhjetor 1923 iu lutën të merrte drejtimin e Qeverisë, u përgjigj me shpërfillje: “Nuk mund ta çnderonj shtëpinë time”[6]; i njëjti me Mid’hatin, i cili në mërgim i mëkonte mbesës këto fjalë në frëngjisht për ta nxitur në luftën kundër totalitarizmit:

“Il m’est impossible de ne pas plaindre mon pays; nous avons cette obligation Selma, non seulement moi, mais toi aussi, car nous sommes des Frasheris, et que nous ne pouvons pas être des mécréants”. (E kam të pamundur të mos t’i qaj hallin vendit tim; e kemi këtë detyrim Selma, jo vetëm unë, por edhe ti, sepse ne jemi Frashërllinj dhe sepse nuk mund të jemi të pafé)[7].

Mid’hati i vetëcilësimeve “ouvrier”[8] dhe “dyqanxhi”, ishte po i njëjti që në një tjetër korrespondencë të panjohur drejtuar Selma Zavalanit i përgjërohet të mos harrojë se nga vjen:

“Frëngu thotë Noblesse oblige. Do të shtonj se gjaku ujë s’bëhet”[9].

Shumëkush ia ka kritikuar Z. Mid’hat prirjen, të cilën e fshihte jo gjithmonë me shkathësi, për të mos shkelur mbi hierarkitë shoqërore të sojit e të klasës, mbi simbolet e epërsisë në udhëheqësi të elitës. Që të ecte “me hapin e kohës”, ai duhej t’i sakrifikonte ato në emër të idealeve gjithëpërfshirëse, kryesisht egalitarizmit, të cilat përparonin natyrshëm bashkë me ngritjen e shteteve-kombe. Por askush nuk ka guxuar të vërë në dyshim sinqeritetin e parimeve të tij demokratike, thellësisht republikane madje, e respektit gati fetar ndaj të drejtave kombëtare dhe, njëkohësisht, ndaj lirive themelore të individit, tok me besimin që ushqente ndaj progresit lëndor dhe zhvillimit njerëzor integral.

“Ai ishte një republikan i vendosur (…) me sjellje të rrepta, një konservator romantik, i përshkuar nga një patriotizëm i zjarrtë dhe një besim katonian në virtytet e aristokracisë”[10].

Milan Šufflay, në një fotografi-portret që i dërgonte, i skiconte në dedikim Mid’hat beut trajtat e një “kalorësi” që mishëronte idealet e kohëve antike, plot me fisnikëri morale, vlera, elegancë dhe shquarsi vetjake (καλοκἀγαθία):

               “16.I.1931.

Mikut tim Mid’hat Frashëri (Lumo Skendo), plot me καλοκἀγαθία klasike, xhentëlmen modern i përsosur, i kushtoj këtë kujtim të qëndrimit tim në Tiranë”[11].

               “Kalorësi” Mid’hat nuk u bë asnjëherë Kalorës me dekret, sa qe gjallë, nga shteti që aq shumë kontribuoi të mëkëmbej. Duke lënë mënjanë konfliktet dhe hatërmbetjet personale me potentatët e kohës, me raste fort akute[12], është e qartë se dekorimet në urdhrat e kalorësisë të Republikës, e më pas të Monarkisë, atij i janë shmangur dhe ai vetë as që i ka mëtuar.

Nuk ka dyshim se Z. Mid’hat e dinte që shihej si një simbol i gjallë:

               “Gëzohet dhe nderohet ajo Djalëri, kur sheh se Dera e Frashërit jua ka lënë Zotërisë tuaj trashëgimin e idealit kombëtar, q’i përkitte në kohërat më të errëta të regjimit despotik”.

(Letër e Avni Rustemit, 1920) [13]

E ndiente, jo vetëm për shkak të respektit që u frymëzonte të tjerëve:

“Një fisnikëri aq e madhe si ajo e zotnis suaj është shumë zor të harrohet”.

(Letër e Kristaq Tutulanit, 1936)[14]

“Kishim një adhurim edhe për djalin e Abdyl Frashërit që ishte Mitat beu, ose Lumo Skëndoja (…) Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit. Plak i mbajtur mirë, me flokë të bardhë, veshur me elegancë (…) Respekti për Lumo Skëndon ishte i pakufishëm”.

(Musine Kokalari)[15]

por edhe nga përmasat që merrnin, nganjëherë në mënyrë të tepruar, kritikat që i adresoheshin:

“Nuk mjafton të kesh emrin dhe të krenohesh për gjakun fisnik të Frashërllinjve, kur veprimet që bëni të dëmshme janë për faqe të zezë. Në veprimet e lavdinë e të parëve ne kemi pjesën tonë dhe duhet të përpiqemi që t’u ngjajmë atyre dhe kemi barrën që t’u zbardhim faqen, të ecim në gjurmët dhe të shtojmë bëmat, në qoftë se duam të jemi të tyre”.

(Letër e Bajo Topullit, 1907-1908)[16]

Si i tillë, Z. Mid’hat duhej të kujdesej që emri i tij të mos përballej e, në fund të fundit, të mos “asgjësohej” nga simbole që lëshonin mbi tokë hijen e tyre. Urdhrat e kalorësisë në atë kohë ishin vërtet, dhe mbeten edhe sot e kësaj dite, shenja honorifike, por në thelb ata e ruajnë natyrën e bashkësisë së të barabartëve, të dallueshëm mes tyre vetëm prej llojit dhe rëndësisë së meritës dhe kontributeve: të atyre meritave dhe kontributeve, megjithatë, që shteti i konsideron të denja për vlerësim.

               Në vitin 1900, në faqet e Kalendarit Kombiar, Mid’hat beu, atëherë në të njëzetat, nuk pati drojë të shkruante një pamflet kundër parësisë, në të cilin qesëndiste pa u ndalur gjatë edhe “nishanet”, dekoratat, simbolet honorifike që përdorte sulltani për të joshur në bindje krerët e Shqipërisë:

               “Qeverija, kur do që t’i bëjë vendit tënë no një të ligë, u thotë parësisë “ndihmëmi pa t’u ap nishane, rytbe dhe memurijet”, edhe parësia që, lakmimi u-nxi sytë, gënjehenë, bëhenë një me qeverinë, dhe, mbase pa dashurë, bëhenë nëpërka për të kafshuarë e për të vrarë vëllezërit e tyre!”[17].

               Sa më sipër do të mjaftonte të dilej në përfundimin e përgjithshëm se Mid’hat be Frashëri ka pasur njëfarë alergjie ndaj simboleve-funksione shtetërore, ndaj elementit honorifik në hapësirën publike. Në të vërtetë, mosha e re lënë mënjanë, përçmimi i “mehmureve” nga ana e atij, i cili, vetëm një vit pas shkrimit të sipërcituar u punësua në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Stamboll dhe më 1905 mori “mehmur” jo më pak se Drejtorinë politike të vilajetit të Selanikut, lypset të relativizohet[18]. Njësoj vlen të nuancohet edhe “alergjia” ndaj simboleve honorifike.

Mid’hat beu e kuptonte në fakt krejt mirë peshën dhe vlerën e këtyre simboleve, aspektin e tyre arketipal, magjinë dhe efektet irracionale, subjektive dhe emocionale me të cilat janë të mbarsura. Por, në ndjeshmërinë e tij, simboli përfaqësonte diçka që duhet të ishte në koherencë me angazhimin dhe idealin e brendshëm; ai duhet të bënte bashkë brenda vetes (συµβάλλω), në mënyrë koherente dhe kuptimplotë, përjetimet kontradiktore të nderit vetjak, vetëvlerësimit dhe modestisë. Vlera që ai i njihte simbolit ishte intime dhe madhështore njëherazi, mjaftueshëm “e shenjtë” sa për të mos u trajtuar në mënyrë folklorike dhe me mendjelehtësi. Për t’i dhënë fund një polemike të tejzgjatur shkaktuar nga një shkrim, ku një flamur i dhuruar nga Aladro Kastrioti cilësohej prej tij si “levere e ndyrë”, Mid’hat Frashëri i kujton patriotëve domethënien e simbolikës së shenjave:

“Vetëm përdorimi është i shenjtë; ngjyra dhe pëlhura padyshim s’kanë asnjë dëftim. I përdorur në një luftë, në një punë dhe në një rasje patriotike, thjesht një pëlhurë merr një karakter të shenjtë. Përkundër, me ngjyrat e një flamuri mund të bëhen edhe më të thjeshtat dhe më të poshtërat e gjërave (…)

(…) Simbolet e sotme janë të shenjtëruara, se i ka shenjtëruar jo ngjyra dhe forma, po përdorimi ose shërbimi”[19].

Citimi i mësipërm jep dorë të kuptohet një moment skajor i jetës së Mid’hat be Frashërit, mesa duket i rëndësishëm për të, por deri më sot krejt i panjohur. Më 3 prill 1923, kreu i Legatës franceze në Shqipëri, me seli në Shkodër, i drejtohej zyrtarisht me një shkresë ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Pandeli Evangjelit. Bëhet fjalë për ministrin Jean Béguin-Billecocq, diplomat i rrahur herët me andrallat levantine, i cili do të luajë një rol politiko-diplomatik jo të vogël në Shqipëri deri në vitin 1928. Kryetari i Republikës Shqiptare do ta dekorojë Oficer të Madh të Urdhrit të Skënderbeut. Béguin-Billecocq-u çoi në fund, atë vit, plotësimin e një dëshire të Z. Mid’hat, ashtu siç rezulton nga shkresa që po përcillet këtu e plotë në shqip.

“Zoti Ministër,

Z. i Ngarkuar me Punë ad interim i Shqipërisë në Paris i ka bërë me dije tani së fundmi Shkëlqesisë së Tij Zotit Kryetar të Këshillit dhe ministër i Punëve të Jashtme, dëshirën e Ahmet Mid’hat bej Frashërit (Ahmed Midhat Bey Fraschéri) për t’u pajisur me certifikatën e Oficerit të Arsimit Publik që i është akorduar më 1908, atëherë kur ai ushtronte funksionet e Drejtorit të Zyrës politike osmane në Selanik me emrin Mid’hat Bej (Midhat Bey).

Për t’iu përgjigjur kësaj dëshire, Shkëlqesia e Tij Zoti Kryetar i Këshillit më përcolli, dhe kam nderin t’ia dërgoj me këtë zarf Shkëlqesisë Suaj, një kopje (duplicata) të kësaj diplome, për të cilën do t’Ju isha mirënjohës të siguronit dorëzimin te i interesuari.

Lutem të pranoni, Zoti Ministër, etj. etj.”[20].

Shkresa, e cila gjendet në Arkivin Diplomatik të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, është kërshërore. Kalimthi të vihet re përdorimi i emrave të dyfishtë: Ahmed (i denji për lavdërim), fare rrallë i përmendur, shoqëruar nga Mid’hat (bartësi i cilësive të lavdërueshme), traditë islame e parapëlqyer në Shqipëri, sidomos nga shtresat e larta.

Palmat e Oficerit të Arsimit Publik
në vitet kur është dekoruar Mid’hat Frashëri

Ajo që tërheq vëmendjen më shumë në këtë shkresë është megjithatë fakti që Mid’hat beu ka qenë i dekoruar nga Republika Franceze me Palmat e Oficerit të Arsimit Publik, madje në një moshë të re, 28 vjeç, në kohën kur drejtonte Zyrën politike osmane në Selanik. Me interes është gjithashtu fakti që i dekoruari ka “dëshiruar” të pajiset me një dublikatë të certifikatës 15 vjet pas ngjarjes. Pajisja me një dublikatë mund të vinte si pasojë e humbjes së diplomës origjinale. Tjetër shkak mund të ketë qenë mungesa e saj në momentin e dorëzimit të dekoratës, praktikë e rëndomtë në një kohë kur diplomat dërgoheshin shpesh pas aktit të dekorimit. Por në rastin në fjalë vihet re se kjo kërkesë nuk ka ndonjë qëllim praktik. Mid’hat beu nuk duket ta ketë vënë në punë certifikatën për të plotësuar dosjen e personelit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, madje as për t’i kërkuar Kryesisë së shtetit lejen për mbajtjen e dekoratës së huaj. “Dëshira” për të pasur një dublikatë duket se i përgjigjej më shumë një nevoje sentimentale: dokumentimin e një vlerësimi honorifik të cilin kishte plot arsye ta kishte për zemër. Jo sepse ai rezulton – deri më sot – i vetmi i kësaj natyre që Z. Mid’hat ka marrë gjatë jetës, por sepse, i dhënë nga Republika Franceze, ai merrte në sytë e tij vlerën e një simboli me një lloj “shenjtërie”, “jo nga ngjyra dhe forma, por prej përdorimit dhe shërbimit”.

E gjitha kjo meriton një shpjegim.

Oficeri i Arsimit Publik (Officier de l’Instruction Publique) ishte shkalla eprore e një vlerësimi honorifik të krijuar nga Napoleoni I Perandor më 17 mars 1808, i cili u kthye në dekoratë të mirëfilltë më 1866 nga Napoleoni III nën emrin e Urdhrit civil të Palmave Akademike. Në kohën kur Mid’hat beu është dekoruar, Palmat nuk ishin një dekoratë e rëndomtë, por një simbol luftarak, një flamur militant i shkollës publike përkundër arsimit privat të mbajtur nga kleri dhe rregulltarët. Palmat përbënin stimulin kryesor për të çimentuar në një komunitet merite të gjithë ata që kontribuonin me bindje në konsolidimin e shkollës së modelit francez: republikane, falas, e detyrueshme, laike. Urdhri çonte përpara një projekt universalizmi të arsimit, mbajtur mbi supe nga arsimtarët dhe arsimtaret e shkollës publike, të quajtur në atë kohë, me një shkelje syri ndaj përparëses së punës, “kalorësit e zinj të Republikës” (les hussards noirs de la République). Ishin ata që formonin “fabrikën e heronjve”, nga e cila duhet të dilnin të edukuar, të formuar dhe të emancipuar, qytetarët e Francës republikane të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërisë[21].

Një model shkolle i cili përkonte pikë për pikë me atë që babai, Abdyli, dhe ungjit e Mid’hat beut – Naimi e Samiu – patën ëndërruar, ku më pak e ku më shumë, për Shqipërinë, e për të cilin u përpoqën me çdo mënyrë e pa u kursyer. Në fjalimin e tij mbresëlënës të 14 janarit 1878, në Parlamentin osman, Abdyl be Frashëri “kërkoi zgjerimin sa më shpejt të rrjetit arsimor duke hapur shkolla plotore në fshatra, gjimnaze në qytete, kurse në kryeqytet një universitet të plotë dhe një akademi shkencore me një varg institutesh kërkimore”[22]. Në disa numra të revistës osmane “Hafta” (Java), të cilën Mid’hati e lexonte që në fillimet e adoleshencës[23], Sami be Frashëri parashtronte nga ana e tij se arsimi publik ishte në rrënjë të lumturisë dhe të mirëqënies së një populli dhe se modeli për ta shpërhapur atë si duhet ishte shkolla republikane franceze e ngritur mbi idealet e Shekullit të Dritave. Vektori më i mirë për suksesin e tij, sipas Sami beut, mbetej mësimi i gjuhës frënge[24]. Më konkretisht, për sa i përket Shqipërisë, Samiu e zbërtheu modelin francez të shkollës publike në kapitullin XIII të “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”:

“Gjithë katundetë e gjithë pshatratë a dy tre pshatra t’afërta bashkë duhetë të kenë shkolla të para dhe qytetetë të kenë nga më shumë se një, pas madhërisë së tyre. Gjithë djemt’e vashatë që më 7 vjeç e gjer më 13 do të jenë të shtrënguarë të venë domosdo në shkollë edhe ata qërtohen e të shtrëngohenë t’i dërgojnë. Mësimi do të jetë pa ndonjë pagesë, edhe të varfëret do t’u epenë edhe fletoretë e karta etj. pa pagesë. Në mest të çdo nëngastre do të jetë një shkoll’e dytë për djemt dhe një për vajzat”[25].

Me fare pak përditësime, të njëjtin vizion për arsimin do të shpalosë, fjalë për fjalë, Z. Mid’hat, alias “Adriatiku”, në një artikull botuar te “Dielli”, më 25 maj 1921, me titull “Arsimi duhet të jetë i detyrueshëm për të tërë fëmijët”[26].

I ndikuar nga i tillë mjedis familjar, ku shkruheshin vepra voluminoze në frëngjisht, madje edhe libra mbi historinë e Francës – si “Histori e shkurtër e Francës” (Tarih-i Mücmel-i Fransa) botuar nga Samiu më 1872 – dhe ku kushërinjtë më të mëdhenj shkonin të gjithë në shkolla franceze, Mid’hati përjetoi me idetë dhe gjuhën frënge një histori të vërtetë dashurie që në vitet e para të nxënies. Në një përkujtesë shkruar në osmanisht, kur ende nuk kishte mbushur 14 vjeç, ai kujtonte si vijon (sipas përkthimit të Haki Sharofit më 1963):

“Në moshën 12-13 vjeç, mbrenda vitit qi erdhëm së parit në Këzëll-Toprak kam mësue me të ndjerin baban t’im (…) Histoire d’un petit homme – frëngjisht me përkthim, Imlai fransevi – diktat frëngjisht (…) Edhe në moshën 13-14 vjeç, përsëri po në Këzëll-Toprak, por në nji shtëpi tjetër, vajta në shkollën e Fretënvet tetë muaj (…) Këtu studjova gramer, lektur, arithmetikë (katër veprime) (…) Në këtë kohë i ndjeri baba em u sëmur randë nga sytë; e ndroi shtëpinë. Atje m’u ngjall nji dëshirë e madhe për studim. U përpoqa shumë. Vet më vehte studjova gramer frëngjisht, Zhenovefën, roman, e shumë romane të vegjël turqisht e frëngjisht. E ma në fund, në prill e në maj, studjova pranë nji profesori grek (…) sindaksë frëngjisht (…) Në këtë periudhë studjova vet më vehte edhe shumë romane frëngjisht (…)”[27].

Më 27 maj 1309/1893, Mid’hati shkruan po aty:

“Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjanë. Persishten e marrë vesht disi – arabisht kuptoj – gjermanishten e lexoj – edhe greqishten e lexoj”[28].

Shenjat e Kalorësit dhe Komandarit të Urdhrit Kombëtar të Lisit Akademik

Deri në vitin 1923, kur Mid’hat beu shprehu dëshirën për të marrë një dublikatë të certifikatës së Palmave që i patën qenë akorduar, mbi 15% e veprës së tij të shkruar rezulton e hartuar në frëngjisht nga vetë autori. Nëse i shtohet prodhimit të tij shkrimor edhe letërkëmbimi, atëherë me siguri pjesa e trashëgimisë së shkruar në gjuhën frënge merr përpjestime më të mëdha. Shkrimi i parë në frëngjisht i Mid’hatit duhet konsideruar, pas çdo gjase, një artikull gazete nën emrin dhe siglën Lumo Skëndo Frascheri/ L.S.F., botuar më 1901-1902, mbi qëndrimin politik të Abdyl Frashërit ndaj Greqisë[29].

Në propagandimin dhe çuarjen përpara të modelit francez të arsimit publik, arsimtarët francezë nuk ishin të vetmit që duheshin mikluar dhe vlerësuar. Për këtë arsye, Palmat i destinoheshin gjithashtu të gjithë atyre, përfshirë edhe të huaj, anëtarë shoqërish savante, shkrimtarë, dijetarë, të cilët kishin merita në mësimdhënie ose që kishin mbështetur në mënyrë domethënëse zhvillimin e arsimit në çdo shkallë dhe në çdo mënyrë[30]. Është e saktë se Palmat Akademike jepeshin atëherë edhe për motive kortezie protokollare, shpesh si një parapërgatitje për të marrë Legjionin e Nderit pas një periudhe më të gjatë kohore. Për rrjedhojë mund të mendohet se Mid’hat beu ka përfituar nga statusi i tij prej notabli politik të Selanikut për të marrë të tillë nderim.

Në të vërtetë, sado me status të lakmueshëm shoqëror ose profesional, askush nuk mund të dekorohej me Palmat e Oficerit të Arsimit Publik, nëse nuk i justifikoheshin merita ose kontribute në fushën përkatëse të nderimit. Më 1908, përtej statusit të tij personal, mund të thuhet padyshim se Mid’hat beu i plotësonte, edhe në këtë aspekt, kushtet për vlerësim. Personalitet i elitës së Selanikut, Mid’hat beu nuk do të jetë, më 1908, vetëm kryetari i Kongresit të Manastirit, i cili vuri në rrugë të mbarë njësimin e alfabetit të shqipes, kushti sine qua non për zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit. Ai do të nisë botimin e “Liria”-s, njërës prej fletoareve më emblematike të botës shqiptare, e cila problemin arsimor në Perandorinë osmane, dhe më veçanërisht në trojet shqiptare, do ta ketë në krye të çështjeve të debatuara në faqet e saj. Në lidhje me zanafillën e kësaj gazete kombëtare, autoriteteve franceze nuk do t’i ketë shpëtuar fakti që numri i parë doli më 14 korrik 1908 qëllimisht, për të kremtuar datën historike të shogruar të triumfit të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërisë, njëkohësisht festë kombëtare e Republikës Franceze[31]. Autoriteteve që kanë propozuar dekorimin e Mid’hat beut nuk do t’i kenë shpëtuar as kuvendimet dhe as shkrimet e tij në frëngjishte të përsosur në përditshmërinë e shkëmbimeve zyrtare dhe personale. Veçanërisht e vlerësuar duhet të ketë qenë edhe futja e disa orëve mësimi të frëngjishtes në shkollën shqipe të Klubit të Selanikut, në tetor 1908, si faktor për ngritjen e nivelit të nxënësve[32].

Vëzhgues i mprehtë dhe pa iluzione i politikave të Fuqive të mëdha, Mid’hat Frashëri nuk ka qenë naiv mbi projeksionet franceze në Juglindjen europiane, të cilat nuk shkonin doemos paralel me dashurinë dhe admirimin që popujt mund të ushqenin për gjuhën, qytetërimin dhe modelin arsimor frëng. Qëndrimet e diplomacisë franceze të Republikës III, shpeshherë jo në sintoni me interesat e menjëhershme të Shqipërisë, Z. Mid’hat nuk e ka pasur të vështirë t’i denoncojë haptazi. Mirëpo, kërkues siç ishte ndaj vetes dhe ndaj shqiptarëve, mungesën e afrimitetit me Francën republikane, ai e shihte edhe si një problem tonin: pamundësinë e një shteti në shpërgënj për të tërhequr pas vetes partneritetin e një fuqie me peshë vendimtare në fatet europiane të Shqipërisë. Mbi këtë, si edhe mbi një dëshmi të atashimit – sentimental në sipërfaqe, por praktik në thelb – ndaj Francës si pjesë e qenësishme e Realpolitik-ës që shteti shqiptar duhet të formësonte brenda strategjisë së vet kombëtare, Mid’hat Frashëri ka lënë një shkrim në frëngjisht në vitin 1921, “Les Albanais”. Shkrimi i bënte jehonë vizitës në Shqipëri të senatorit francez Justin Godard. Prej tij vlen të sillen këtu disa kalesa:

“Për Francën, sidomos, ka vend këtu për një politikë krejt të re dhe shumë të frytshme, për një horizont të ri që po çelet. Prej shumë kohësh madje, shqiptarët kishin kthyer vështrimin e tyre në drejtim të Francës. Bashkëpunimi i vetvetishëm dhe i ngrohtë, të themi, midis ushtrisë së Orientit dhe shqiptarëve (në Korçë), kujtimi i shkëlqyer që lanë oficerët dhe trupat franceze tek shqiptarët dhe kujtimi jo më pak i mirë që ata morën me vete, janë prova të tilla të ndjenjave të bashkëlindura, që vërtetojnë praninë e një simpatie të natyrshme mes dy popujve (…)

Është, pra, krejt e natyrshme që Shqipëria të bëhet aleate e Francës: gjithçka është inkurajuese në këtë drejtim: marrëdhëniet shpirtërore, interesi politik dhe vetë forca e gjërave, që i bëjnë shqiptarët të ndiejnë se Franca mund të jetë për ta një mbrojtëse pa interes dhe se ata vetë mund të mbrohen ndaj të papriturave që sjellin zhgënjimet, vetëm po qe se vendosin marrëdhënie të vazhdueshme me republikën e madhe (…)

Është me vend të theksojmë se tërë të rinjtë shqiptarë, që kanë marrë njëfarë arsimimi, e kanë mësuar frëngjishten si gjuhë ndihmëse, madje do të thosha si mjet përçues i mendimit modern dhe i ideve globale (…).

– Atëherë, u dashka që Franca të adhurohet në Shqipëri? – pyeti një profesor një të ri shqiptar.

– Kjo nuk mjafton, – ia ktheu shqiptari, – duhet që edhe francezët ta duan Shqipërinë”.

Dhe në veprën e saj rilindëse e ripërtëritëse, Shqipëria mendon për Francën, miken e saj të dashur shpirtërore. Dhe pikërisht asaj ajo i drejtohet për organizatorë e specialistë, për të riorganizuar apo krijuar nga e para mekanizmat e ndryshëm të administratës. Dhe konkretisht, qeverisë së Republikës Franceze i është drejtuar tashmë një kërkesë për një oficer të lartë dhe për inxhinierë civilë”[33].

Sivëlla i vogël i Palmave Akademike është sot Urdhri i Lisit Akademik, dekoratë e lartë që akordon Republika e Shqipërisë për merita dhe kontribute të veçanta në fushat e artit, kulturës, dijes, shkencës, arsimit, sportit, gazetarisë, si edhe në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe vlerave demokratike. Në vitin 2025, Urdhri i Lisit Akademik u përfshi në ekspozitën e 70-vjetorit të reformës së Palmave Akademike dhe të rrezatimit të tyre në botë, ekspozitë e cila vazhdon në formë itinerante në një pjesë të madhe të universiteteve franceze edhe gjatë këtij viti[34]. Palmave Akademike dhe trashëgimisë së tyre shekullore, të cilën Mid’hat Frashëri e ruajti si një kujtim të vyer të rrugëtimit personal, dekorata shqiptare nuk i mbetet pas për nga domethënia dhe simbolet. Ngjyrat naimiane të manushaqes dhe të gjelbërimit të peisazheve shqiptare në shiritin e tij, emri fisnik marrë nga “lisat e gjatë” te “Bagëti e Bujqësi”, 7 marsi i përcaktuar me ligj si dita e tij festive, janë dëshmi e një vazhdimësie idealesh, e një kontinuiteti të ambicies së një Shqipërie të emancipuar – e të shëlbuar – prej arsimimit, kulturës, dijes dhe dinjitetit të shkollës së saj: ambicie e cila ka qenë në zemër të veprës dhe të veprimtarisë së Z. Mid’hat[35].

Një falënderim i veçantë për ndihmën e dhënë në përgatitjen e këtij artikulli i shkon Znj. Mira Hoxha, Drejtor i Arkivit Diplomatik të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Z. Bejtullah Destani, studiues dhe diplomat.


[1]  MENSION-RIGAU, Eric: La noblesse en France est une survivance, Le Figaro, 15 shtator 2026.

[2]  SCHMITT, Jens Oliver: Tito und Ceausescu machten viel Geld mit ihrer Schaukelpolitik: Ein Gespräch über die Geschichte des Balkans – und sein schlechtes Image, Neue Zürcher Zeitung, 29 korrik 2026.

[3]  FEBVRE, Lucien: “Honneur et Patrie”. Une enquête sur le sentiment de l’honneur et l’attachement à la patrie, Librairie Académique Perrin, Paris, 1996.

[4]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. IX (përg. Uran Butka), Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2024, f. 203.

[5]  AMERY, Julian: Sons of the Eagle. A Study in Guerilla War, Macmillan & Co. Ltd, London, 1948, f. 189.

[6]  VLLAMASI, Sejfi: Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942) (përg. Marenglen Verli), bot. 2të, Neraida, Tiranë, 2000, f. 355.

[7]  Letër e pabotuar e Mid’hat Frashërit dërguar Selma Zavalanit nga Reggio, 15 mars 1946, (verso). Kortezi e Z. Bejtullah Destani.

[8]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. IX, vep.cit., f. 212.

[9]  Kartolinë e pabotuar e Mid’hat Frashërit dërguar Selma Zavalanit nga Roma, 20 shtator 1946, (verso). Kortezi e Z. Bejtullah Destani.

[10]  AMERY, Julian: Sons of the Eagle, vep.cit., po aty.

[11]  AQSH, F. 35, D. 36/7, 1662.1 (verso).

[12]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. IX, vep.cit., ff. 178-179.

[13]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. VI, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2021, f. 323.

[14]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. IX, vep.cit., f. 176.

[15]  KOKALARI, Musine: Një Yllësi, vëll. I (përg. Uran Butka), Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2025, ff. 192; 194.

[16]  TOPULLI, Bajo: Topullarët e Gjirokastrës, Bajo e Çerçizi. Pararendësit dhe pasardhësit, Albin, Tiranë, 2008, f. 143.

[17]  Sa e varfërë është sot Shqipëria. Si mund të shpëtojë nga kjo varfëri, Kalendari Kombiar, 1900, f. 41.

[18]  BUTKA, Uran: Vepra madhore e Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo), në FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. I, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2017, f. 18.

[19]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. II, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2018, f. 126.

[20]  ADMEJP, D. 25, V. 1923, fl. 2.

[21]  THIVEND, Marianne: L’école républicaine et ses héros. Les institutrices et instituteurs décoré(e)s des “Palmes académiques” au début de la Troisième République, në DUMONS, Bruno; POLLET, Gilles: La fabrique de l’honneur. Les médailles et les décorations en France, XIXe-XXe siècles, Presses Universitaires de Rennes, 2009, ff. 143-149.

[22]  FRASHËRI, Kristo: Abdyl Frashëri, Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892), Botimet M & B, Tiranë, 2013, f. 83.

[23]  AQSH, F. 35, D. 2, V. 1893, fl. 8 (verso) (përkthimi nga Haki Sharofi më 1963).

[24]  ÇOLLAKU, Shaban: Mendimi iluminist i Sami Frashërit, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1986, ff. 112; 118; 137.

[25]  FRASHËRI, Sami: Vepra, vëll. II (përg. Zija Xholi), Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1988, f. 76.

[26]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. I, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2017, ff. 399-400.

[27]  AQSH, F. 35, D. 2, V. 1893, fl. 6-8.

[28]  Po aty, fl. 9.

[29]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. XI (përg. Uran Butka), Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2025, f. 53, nr. 57.

[30]  THIVEND, Marianne: L’école républicaine et ses héros, vep.cit., ff. 144-145.

[31]  BUTKA, Uran: Vepra madhore e Mid’hat Frashërit, vep.cit., f. 21.

[32]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. XI, vep.cit., f. 60, nr. 117.

[33]  FRASHËRI, Mid’hat: Vepra të zgjedhura, vëll. II (përg. Uran Butka), Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo”/ Onufri, Tiranë, 2018, ff. 402-403 (përkthyer nga frëngjishtja nga Fotaq Andrea).

[34]  “Les Palmes académiques. Un ordre au service du savoir”, https://ifg.univ-lorraine.fr/manifestations/70-ans-des-palmes-academiques-un-ordre-au-service-du-savoir/

[35]  FRASHËRI, Thomas: Naimi i dekoruar dhe Naimi dekoratë, Onufri, Tiranë, 2026, ff. 109-111.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË