KreuLetërsiShënime mbi libraShefkije Islamaj: Kur fjala kthehet në dashuri

Shefkije Islamaj: Kur fjala kthehet në dashuri

(Vështrim eseistik)

Duke lexuar poezinë e Klara Kodrës

Njësia më e vogël në gjuhë që bart kuptim dhe vlerë fonetike është fjala.[1] Ky përkufizim nëpër kohë u zgjerua duke u veshur me tipare të tjera, si fjala vjen: njësi që shënjon nocion ose veprim, njësi kuptimore që mund të qëndrojë e pavarur, njësi themelore e të folurit, njësi marrëveshjeje (konvencioni), shenjë që nyjëton mendimet dhe komunikimin (të folurit logjik), përkufizime këto të mbështetura në përshkrimin e hershëm bazë të të paharrueshmit Aristotel në veprën e tij “Organon”. Por, Aristoteli s’u mjaftua me kaq, përkufizoi edhe artin poetik, përkatësisht fjalën poetike në “Poetikën” e tij famshme themelvënëse për poetikën e sotme. Fjala poetike sipas tij nuk është vetëm simbol i ndjesive, i përvojave dhe i sendeve, por është shenjë e përjetimeve shpirtërore që përfaqësojnë sendet, prandaj ajo është i mjeti patjetërsueshëm i poetit. Pa të nuk ka poezi. Poeti lind e vdes me fjalën poetike.[2]

Ndonëse fëmijë, që në fazën e hershme të jetës së saj, Klara Kodra u magjeps pas fjalës, pas fshehtësisë e magjisë së saj, pas fjalës si mendim, pas fjalës si ndjenjë, pas fjalës si ide, në të vërtetë u josh pas fuqisë së fjalës, sepse vetëm ajo, fjala, mund t’i japë njeriut ngrohtësi, shpresë, guxim dhe dashuri. Fjala, pra fjala poetike, e shoqëroi deri sot, në të vërtetë Klara Kodra nuk iu nda kurrë asaj, por shtegtoi sa te fjala poetike e sa te fjala ta quajmë “shkencore”. I ndërlidhi, i gërshetoi mrekullisht dhe i krijoi vetes një zonë rehatie mes dy fushave krijimtarie, të tillë që mund ta ndiejnë, mund ta kuptojnë e mund ta dashurojnë vetëm ata që kanë jetuar mes të dyjave, që kanë jetuar me to gjithë jetën.

Ndryshe nga fjala asnjanëse, e pangjyrosur, e arsyeshme, e ftohtë, serioze, e rreptë fjala poetike, pra e ngjyrosur, që jeton brenda poezisë e përvijuar ndër shekuj si e tillë, është tjetër, është ndryshe, është e paparashikueshme, është e epshme, është shkëlqyese, është joshëse, shkurt është shpirtërore. E shkruar ose e shqiptuar, e heshtur ose e zëshme, e kënduar ose e vajtuar, fjala në poezi bëhet poetike, bëhet dritë e shpirtit të gjallë, merr shkëlqim qiellor, thjesht bëhet shpirtërore, sepse fjalët lidhen me shpejtësinë e dritës në vargje figurash që nuk janë nga kjo botë, por i përkasin asaj. Fjala derdhet në fuqinë e vetë krijuesit që ka krijuar muzikën dhe kuptimin, prandaj thuhet se boshtin qeniesor të fjalës në poezi e përcakton bashkëjetesa e dhuntisë artistike dhe asaj semantike. Nuk ka fund fuqia poetike e një gjuhe e as fjala e saj. Edhe poetika e fjalës shqipe, poetika e gjuhës shqipe është e pafundshme.  Dhe këtë na e kanë dëshmuar folësit e saj, na e kanë dëshmuar krijuesit e saj më të mirë, poetët e shkrimtarët shqiptarët, na e ka dëshmuar këngëtari popullor nëpër shekuj. Që me lindjen në gjuhën amtare, shkrimtari, poeti, nxitet e ndikohet nga energjia e veçantë e lëndës melodike dhe nga shkëlqimi semantik i fjalës, në të vërtetë kështu lind talenti poetik. Shkrimtari i njohur Wystan Hugh Auden e përkufizon poetin kështu: “Poeti është, para së gjithash, një njeri i dashuruar me pasion për gjuhën.” Poetët “vjedhin”, i gjejnë e i rigjejnë, i përtërijnë e i ripërtërijnë, i aktualizojnë e i riaktualizojnë nga arka e harresës, ndonjëherë me lehtë e ndonjëherë me mundin e gjurmuesit të arit, por edhe duke i krijuar e duke i modifikuar. Ata janë përkushtuesit më të mëdhenj të fjalës e të gjuhës amtare.

Studiuesja Klara Kodra ka lindur me fjalën e me dhuntinë poetike, por në jetën e saj fjala poetike nuk është përkushtimi i saj i vetëm sepse në jetën e saj si krijimtaria shkencore, si krijimtaria poetike, përfaqësojnë shprehjen qenësore të mendimeve, të emocioneve dhe të integritetit të saj njerëzor, intelektual, shkencor dhe artistik, duke vepruar si një urëlidhëse ndërmjet botës së saj të brendshme dhe njëmendësisë së jashtme në të cilën ka jetuar nëpër kohën e saj tetëdhjetëvjeçare e deri sot. Fjala e saj ka formësuar jetën e saj përmes fuqisë së premtimit, të komunikimit dhe të krijimit, sepse të përdorësh fjalën, ta duash fjalën, ta krijosh fjalën, t’i qëndrosh besnike fjalës, do të thotë të zotohesh për të vërtetën dhe për të bukurën njëkohësisht, të qëndrosh fuqishëm midis të dyjave. Klara Kodrës nuk i ka mjaftuar të qenët vetëm poete, ose vetëm studiuese e poezisë, ajo ka rendur pas fjalës e pas mendimit shkencor por ka shtegtuar edhe pas fjalës poetike, pa e lënë anash asnjërën. “Poeti në fillim shkruan, e më pas – këndon” e thotë Ezra Pound.

Prof. dr. Klara Kodra është studiuese e shquar dhe është shumë prodhimtare në fushën e studimeve letrare, duke studiuar me dashuri e me përkushtim të rrallë poezinë më të bukur arbëreshe, më shumë se gjithë të tjerët. Ajo është autore vështrimesh kritike, studimesh monografike shkencore kushtuar shkrimtarëve arbëreshë, studime këto të vlefshme e të rëndësishme në filologjinë shqiptare[3]. Monografitë e saj “Poezia e De Radës”, “Vepra poetike e Zef Serembes”, “Tipologjia e poemës arbëreshe”, “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë, “Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqiptare”, “Santori, poet dhe dramaturg” bashkë me përmbledhjet me studime “ Rrënjët e lisit” “Paralele dhe kryqëzime”, Vallja e rrezeve”, I, II, janë kontribute të shquara jo vetëm për studimet e letërsisë arbëreshe, por edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi.

Por, Klara Kodra është edhe përkthyese nga gjuha shqipe në gjuhën italiane dhe nga italishtja në shqipen. Ndër veprat e përkthyera në italisht nga shqipja vlen të përmenden krijimet poetike dhe ato në prozë të De Radës: “Odiseu”, “Diana” si dhe disa përmbledhje me poezi të shkrimtareve shqiptare, ndërkaq nga italishtja në shqipen ka përkthyer tregimet e shkrimtarit bashkëkohor italian Tomazo Landolfi; romanin “E fshehta e Lukës” e autorit italian, po kështu shkrimtar bashkëkohor, Injacio Silone; “Bija e mallkuar” të F. Paolo Santori; veprën “Jeronim De Rada, poeti arbëresh” të Vittorio G. Gualtierit; një përmbledhje të artikujve kritikë të  Benedeto Kroçes të titulluar “Poezia antike dhe bashkëkohore”, e deri romanin për fëmijë “Një udhëtim i rrezikshëm” të Bedri Dedjes.

E lindur, këtu e tetëdhjetë e një vjet më parë, më 1945, nga prindër intelektualë (babai Malo Kodra i diplomuar në Austri, e ëma Jolanda Kodra, italiane, studiuese dhe përkthyese e letërsisë), e rritur me dashurinë prindërore mes librash, mes leximesh e kulturës dygjuhëshe, s’ka se si të shmangte rrugën nga ajo e së ëmës. E vogla Klara mori nga nëna shumëçka të dashur, të vlefshme, të dobishme e të nevojshme për të  trasuar rrugën e saj drejt e suksesshëm. Na e thotë edhe ajo vetë në kujtimet e saj: “ Mamaja kishte vendosur me ne vajzat (me mua dhe me time motër, Etelin), që nga fëmijëria e hershme, një frymë afërsie dhe dialogu. Ajo luante me ne, duke u bërë si të thuash, edhe vetë fëmijë, duke dramatizuar përralla, duke rikrijuar personazhe përrallash me anë të kukullave tona…”[4]

 Klara Kodra filloi të shkruajë herët që në moshën fëmijërore. “Poezia është dashuria e parë, sepse ka filluar që kur isha fëmijë” e thotë poetja në një intervistë[5]. Poezitë e para iu botuan që nga mosha 14 vjeçe në revistën “Nëntori” dhe në gazetën “Drita”, ndërsa nga mosha 23 vjeçe nisi të botojë përmbledhjet e para me poezi në kohën kur ende numri i poeteve shqiptare ishte modest. Edhe ajo vetë ka shkruar për këtë mungesë e vonesë në letërsinë shqipe edhe së fundi në shkrimin me titullin “Mungesa e grave krijuese në historinë e letërsisë shqiptare – një zbrazëtirë e ndjeshme[6]. Por, ajo s’mbeti vetëm poete. Me të mbaruar studimet në moshën 20 vjeçe dhe me të filluar punën në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë nisi studimet mbi letërsinë, më konkretisht nisi të studio poezinë arbëreshe fillimisht për t’u specializuar siç e thotë ajo dhe nuk iu nda asnjëherë asaj poezie. Por, krahas studimit të poezisë arbëreshe dhe shkrimtarëve arbëreshë, ajo u mor në vazhdimësi dhe me vëmendje të veçantë edhe me poezinë bashkëkohore shqipe, për çka ka botuar disa përmbledhje me vështrime e artikuj shkencorë..

Sot poetja Klara Kodra paraqet zë të veçantë poetik në poezinë shqipe. Ajo është autore e disa përmbledhjeve në poezi e prozë [7] si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, që kanë tërhequr dhe që tërheqin vëmendjen e lexuesve për një reflektim më të thellë mbi temat e ndryshme jetësore që ka trajtuar ajo dhe ndër to po përmendim “Buzëqeshje”, “Rrugë të hapura”, “Ne rendim”, “Bisedë me vëllezërit”, “Fjalë të pathëna”, “Vjen pranvera”, “S’janë lulebore”, “Pasqyra magjike”, “Erdhi dita e Arbrit”, “E vogla e shtëpisë”, “Ku janë zanat”, “Kush është më i miri”, “Epopeja e maceve, “Fjalë të pathëna” dhe, së fundi “E-maile nga deti”, “Ana e vogël dhe dhelpra Lili”, Agora, 2024.

Përmbledhja me poezi për të rritur “E-maile nga deti” që u botua më 2019 përmbledh 158 poezi dhe 2 poema. Ashtu si titulli i kësaj përmbledhjeje edhe titujt e poezive të përfshira në të, bartin figurshmëri e simbolikë të dalluar, duke hapur kështu dyert drejt temave të ekzistencës, të ritualeve të përditshmërisë, të marrëdhënieve me jetën dhe me njerëzit e dashur. Poezia e poetes jo vetëm nxit lexuesin të mendojë, por ajo shquhet edhe për gjuhën poetike të veçantë, me të cilën lidh në mënyrë të hollë vetjaken me universalen, marrëdhënien e botës së saj të brendshme me botën e jashtme.

Krijimtaria e saj shkencore dhe krijimtaria  e saj poetike janë biografia dhe autobiografia e saj. Derisa në krijimtari shkencore ka ndjekur, ka gjurmuar, ka njohur, ka studiuar, ka analizuar poezinë më të bukur arbëreshe të shkrimtarëve më në zë të përtej detit tonë Adriatik, duke përgjithësuar, vlerësuar, arsyetuar idetë e mendimet e saj me forcën e mendjes, krijimtaria e saj poetike ka lindur vetiu që në hapat e saj të parë për ta shoqëruar gjithë jetën deri sot. Poezia e saj ka bashkuar forcën e mendjes dhe forcën e zemrës.

Cila është poezia e Klara e Kodrës?

Është poezia ku ka derdhur mendimet, shpresat, pritjet, sprovat, humbjet, arritjet, frikën, mëdyshjen dhe dashuritë që e kanë shoqëruar shtigjeve të një jete të gjatë të mbushur përvojë e njohje. Poezia për çdo poet është dhuratë, edhe për Klarën tonë, prandaj ajo niset nga brigjet e saj dhe gjithmonë u kthehet atyre, siç u është kthyer edhe në përmbledhjen e saj të fundit. E ka thënë bukur shkrimtari Riçard Bah: “Mund t’i ndryshojmë jetët tona vetëm në atë çast të vogël të përjetësisë që na përket tani.” Poezia e saj dëshmon bindshëm shprehjen e saj të fuqishme lirike, e cila në këtë përmbledhje ka arritur qëllimin e synuar. Poezia e saj është mendimore, emocionale, jo rrallë baladike, me një ton rrëfimtar (të brendshëm) dhe me elemente ndërtekstorësie që përshkojnë sidomos vëllimin e fundit. Poezitë e saj paraqesin edhe një dhimbje të fshehur, një kërkim të pandërprerë për kuptimin e jetës.

Jo rastësisht është marrë në shqyrtim përmbledhja e saj fundit poetike “E-maile nga deti”, si më e arrira artistikisht, për të shquar lirizmin e saj dhe për të shpalosur Klarën e sotme, mendjen dhe shpirtin e saj të paqetësuar. Këtë e dëshmon tematika e saj e larmishme – fillimisht familjare, e drejtuar shpesh edhe kah e shkuara dhe prejardhja personale, për t’i hapur portën jo vetëm poezisë së dashurisë, por edhe asaj refleksive, patriotike, sociale – që ndriçojnë rrugën e vetënjohjes dhe të kuptimit të shoqërisë bashkëkohore në të cilën ka jetuar e jeton poetja. Si në jetën reale dhe në poezi ajo niset nga fillesa, nga hapat e parë të biografisë së saj personale. Në fjalët, në vargjet, në të shumtën e herës me rima të rregullta, poetja përpiqet të gjejë vendin e saj te lexuesi. Imazhet poetike ndërrohen njëra pas tjetrës, duke lënë pas një gjurmë të ndritshme si fari në det të largët, që jep shpresë dhe tregon rrugën drejt brigjeve. Kjo përmbledhje përfaqëson një lloj ditari lirik i karakterizuar me meditime filozofike të pjekura ndër vite jo të pakta. Hetohet qartë se në mjaft poezi ku shquajnë ndjenjësia e ndjeshmëria e poetes, rrëfimi emocional shndërrohet në nevojë për zbulimin e identitetit personal dhe të impulseve që i vijnë nga jashtë.

Kishte nëntë vjet që s’ishe  më,

Nëntë vjet që unë që s’dija  gjë

Prisja të të shihja me ankth, me mall,

Nëntë vjet që për ne ishe ende gjallë.

….

Nga larg me aq mall munde ti

Të puthësh veç një fotografi, 

S’më rroke dot në  krahë të  gjallë,

S’t’i  putha  dot  flokët e bardhë,

               (“Gjyshes Marie”)

Në poezinë e Klara Kodrës dhembja për gjyshen që s’e pa për të gjallë e për nënën që iku shumë herët përvijohet shpesh poezinë e saj ashtu si edhe dashuria ndaj babait, mbesave, nipit e djalit.

Sa herë  shkruaj në faqet

Gjithnjë mbetet një hapësirë,

Një hapësirë e bardhë ku shfaqet

Fytyra jote aq e mirë.

Ti m’ike aq shpejt, moj nënë,

Ti ike  e s’më the  lamtumirë

Nga pema e jetës  degëgjerë

Ti re porsi fryt i arrirë.

               (“Asaj që s’harrohet”)

Motivet e detit janë të pranishme dendur dhe përvijohen me një filozofi të hollë jetësore:

Kanë thënë  për detin

Se është  djepi i Afërditës.

Kanë  thënë për detin

Se është djepi i vetë jetës.

Si qielli i kaltër,

Po jo  si ai – pafundësi

I ngjan  njeriut 

Që të pasqyron Ty, Perëndi.

               (“Deti dhe njeriu”)

Jo rrallë poetja përpiqet të shmangë stereotipat e poezisë bashkëkohore. Fjala shfaqet si gjurmë themelore e kërkimeve të pafundme, ndërsa loja midis dritës dhe errësirës bëhet thelb i vargjeve:

Mos vajto  për ditët  që kanë shkuar,

Kur  rinia  ka qenë  e zjarrtë dhe e sertë.

Bredhi  është  vërtet  gjithnjë  i blertë,

Porse  bredhi  nuk çel  lule  kurrë. 

               (“Mos vajto”)

Sa janë? Pesë, dhjetë, njëzetë?

Me vrap rendin porsi retë,

Si krushq rendin  për në Vlorë,

Nuse t’bëjnë Shqipërinë e thinjur

Nga aq shekuj robërie,

Duan  t’i thurin një kurorë…

               (“Vjen nga deti fllad lirie”)

Në poezinë e Klara Kodrës, fjala dhe mesazhi bëhen simbol i dritës dhe i trazimit njerëzor. Përmasa meditative dhe ajo filozofike paraqitet e mprehtë dhe e rreptë për jetën, kurse njeriu na shfaqet njëkohësisht si simbol dhe si njëmendësi.

Një qëndistare e shquar është jeta.

Gjithnjë qëndis, gjithnjë qëndis.

Me  fije të arta, gri, të zeza

Përherë fatin tonë stolis.

Një qëndistare e shquar është jeta,

Po ne e shajmë se për çudi, 

Qëndis pas tekave të veta,

Dhe jo pas sonës porosi.

               (“Qëndistarja”)

Në shumë poezi shquhet përpjekje për modernizimin, intelektualizimin dhe individualizimin sidomos të poezisë patriotike. Patriotizmi për Klara Kodrën është forcë morale dhe identitare. Hetohet shpesh një aforizim i lehtë i shprehjes poetike.

Donim të mbanim në krahë Atdheun,

Po s’ishim Atlasë.

E lamë të shkasë. 

(“Për brezin tim”)

Diellit aq të lashtë pse s’i vjetrohen rrezet?

Sepse rilind  përherë nëpër mëngjese.

               (“Rilindje”)

Klara Kodra me përmbledhjen “E-mailet nga deti’ trupëzon universin e vet poetik të formuar në një kohë e në një vend shpesh të ashpër. Poezia e saj dallohet për trajtimin e shtresëzuar të temave të përditshme që shndërrohen në simbole universale të ankthit dhe të humbjes, ndërsa në mënyrë të tërthortë thekson kontekstin social pse jo edhe politik, përfshirë këtu temat intime, por edhe ato universale, si ankthi ekzistencial dhe pamundësia e komunikimit me botën dhe me njerëzit, përmes përshkrimeve dhe fragmenteve nga e kaluara dhe njëmendësia duke përfaqësuar një hap drejt gjurmimit të mundësive të reja poetike, duke theksuar tjetërsimin dhe përpjekjen për të gjetur kuptim në një botë që duket jo vetëm e fragmentuar por edhe kaotike.

Ishin binjake

Ishin vigane

Mrekullisht të bukura

Një mahnitje pa anë.

S’janë më.

Vjell qielli

Shkëndija,

Tym,

Zjarr.

S’është zemëruar Perëndia.

Po kush?

Njeri

A djall?

               (“Rekuiem për kullat vigane”)

Përmbledhja “E-mailet nga deti” e Klara Kodrës është një udhëtim i bukur poetik i mbushur ndjenjë dhe përpjekje për t’u shkëputur nga bota e madhe që e rrethon për të gjetur bregun ideal, një ishull a një strehë të ngrohtë. Çdo varg është bashkëjetesë e fëmijërisë, e atdheut, e familjes, e miqve, e dashurisë, e natyrës dhe e vetë jetës me të mirat e të këqijat. Është poezi intime, që shpesh duket se pyet lexuesin: “Çfarë është ajo që marrim më vete në përjetësi?”

Jam e bindur se përmbledhja “E-mailet nga deti’ është një nga librat poetikë më të pjekur artistikisht të poetes Klara Kodra. Stili i poetes në këtë përmbledhje përfaqëson një hap përpara përmes një lloj minimalizmi ku skena në dukje të zakonshme mbushen me kuptime të thella dhe me meditime filozofike.

S’është e lehtë të biesh për

Lirinë.

Po nuk është më e lehtë të jetosh.

                                             (“S’është e lehtë”)

Gaboi Zeusi dikur

Kur Prometheun

Në shkëmb të tmerrshëm

E pat mbërthyer

Kryet t`ia  kish stolisur me një

Degë dafine

Do ta kishte thyer.

(“Një degë dafine”)

Ose:

Mora një copë qiell,

Mora një re të bardhë

Që ty të të mbështjell.

                              (“Manteli që bleva për ty”)

Përmes kësaj përmbledhjeje, poetja ndërton një gjuhë poetike të veçantë, gjuhë që shpreh përvojën e saj artistike dhe temat globale që prekin çdo individ.

Për Klara Kodrën poezia është impulsi më shpirtëror i qenies në gjuhë drejt njohjeve të thella, vertikalja shpirtërore e ekzistencës njerëzore, është bota ku dashuria është shtysa kryesore e njeriut, është kuptimi i qenies së tij dhe mjeti shërues për çdo sëmundje shpirtërore ose fizike, mjet me të cilin na fut në botën e saj shpirtërore, përkatësisht na e shfleton botën e saj shpirtërore ndër vite, më mirë të thuhet gjithë jetën e saj. Poezia e saj është dëshmitarja besnike e jetës së saj.

Si përfundim: e nisa këtë vështrim me fjalën dhe po e përfundoj me fjalën dhe me mendimin  se poezia është ajo që e pavdekëson fjalën, që e pavdekëson gjuhën, që e ruan më së shumti e më së lehti pavdekësinë e saj duke zgjeruar mundësitë e mjetet e saj, duke e rilindur dhe duke e fisnikëruar. Si forma më e lartë e shkrimit letrar, poezia është, në thelb, paradigma shpirtërore dhe ontologjike e jetës së gjuhës, por në kontekst të ngushtë këtu është edhe paradigma shpirtërore e dhe ontologjike e jetës së Klara Kodrës, është shpirti i saj.

Vlen të thuhet prandaj: jo vetëm “jeto për të treguar”, por edhe shkruaj për të jetuar.

25 mars 2026


[1]  Aristotel, “Organon”, “Kultura”, Beograd, 1965 (përkth. nga greqishtja).

[2]  Aristotel, “O pesničkoj umetnosti”, përktheu Miloš N. Ðurić, Beograd, 1988; AristoteL, “Kako ispričati priču. Drevni vodič za pripovedanje, za pisce i čitaoce” (Aristotel, “Si të tregosh një histori. Një udhëzues i lashtë për rrëfimin, për shkrimtarët dhe lexuesit”), MIBA BOOKS, Neven, Beograd, 2023, f.19.

[3]  “Poezia e De Radës”, monografi, Tiranë, 1974; “Vepra poetike e Zef Serembes”, monografi, Tiranë, 1975; “Tipologjia e poemës arbëreshe”, monografi, Tiranë, 2001; “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë”, monografi, Tiranë, 2004; “Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqiptare” Tiranë, 2011, “Santori, poet dhe dramaturg” 2020,  “Rrënjët e lisit” (përmbledhje studimesh), Tiranë, 2013, “Paralele dhe kryqëzime” (përmbledhje studimesh), “Vallja e rrezeve”, I, II, (përmbledhje studimesh), Tiranë, 2020, etj.

[4]  Prof.dr. Klara Kodra, “Mamaja dhe ne vajzat” (Fragment nga libri biografik “Jolanda nëna ime”), në gazetën “Exlibris”, nr. 318, 23.1.2025 Tiranë, f. 11.

[5]  Intervistë dhënë gazetares Vera Pelaj, në Radio Blue Sky, 14.6.2009, Prishtinë.

[6]  Prof. dr. Klara Kodra, “Mungesa e grave krijuese në historitë e letërsisë shqiptare – një zbrazësirë e ndjeshme”, në gazetën “Exlibris”, nr. 325, 8.3.2025, Tiranë.

[7]  “Era e Revolucionit”, poezi, Tiranë, 1968; “Buzëqeshje”, poezi, Tiranë, 1970; “Rrugë të hapura”, poezi, Prishtinë, 1972; “Ne rendim”, poezi, Tiranë, 1974; “Bisedë me vëllezërit”; Tiranë, 1984; “Fjalë të pathëna”, poezi, Shkodër, 2001; “Vjen pranvera”, poezi, Tiranë, 2008; “S’janë lulebore”, poezi për fëmijë, Tiranë, 1986; “Pasqyra magjike”, poezi për fëmijë, shqip dhe italisht, Tiranë, 1999;  “E-maile nga deti”, Tiranë, 2019; “Erdhi dita e Arbërit”, novelë, Tiranë, 2003, “Erik”; “E vogla e shtëpisë”, tregim shqip dhe italisht, Tiranë, Konica 2005; “Ku janë zanat”, përrallë, Tiranë, Erik 2010; “Kush është më i miri”, Erik, 2011, “Epopeja e maceve”, poezi për fëmijë, Erik 2022 etj.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË