KreuLetërsiBibliotekëMartina Hefter: Hej, mirëmëngjes, si je? (fragment nga romani)

Martina Hefter: Hej, mirëmëngjes, si je? (fragment nga romani)

fragment nga romani | Përktheu nga gjermanishtja Anna Kove

Jeton në Lajpcig. Në vitet ’90 studioi në Berlin vallëzim bashkëkohor dhe më vonë në Institutin Gjerman të Letërsisë pranë Universitetit të Lajpcigut. Krahas punës së saj si shkrimtare, realizon performanca  skenike, shpesh në bashkëpunim me artiste dhe artistë të tjerë.

Romani i saj Hey guten Morgen, wie geht es dir? / Hej, mirëmëngjes, si je? fitoi në Panairin e Frankfurtit në vitin 2024 Çmimin Gjerman të Librit (Deutscher Buchpreis) dhe me çmimin evropian Prix Grand Continent. Për krijimtarinë e saj letrare, Martina Hefter ka marrë gjithashtu Çmimin e Madh të Fondit Gjerman të Letërsisë, si edhe Çmimin e Letërsisë së Visbadenit, veçanërisht për punën e saj ndërdisiplinore në letërsi.

Ndër botimet e saj më të fundit janë vëllimet me poezi Es könnte auch schön werden / Mund të bëhet edhe bukur dhe In die Wälder gehen, Holz für ein Bett klauen / Të shkosh në pyll, të vjedhësh dru për një shtrat, të botuara, gjithashtu nga shtëpia botuese Klett-Cotta. Në tetor 2026, po aty do të botohet romani i saj i ri Nach der Sonne schauen / Të vështrosh nga dielli.


Kishte kohë që nuk e zinte më gjumi. Por, edhe kur flinte, shihte në ëndërr gjëra të marra, qenushë të vegjël, që i vërshonin me qindra nëpër apartament dhe lehnin si të tërbuar. Edhe ajo vetë u kthye shpejt në kafshë; nuk e pastronte më apartamentin. Natën kafsha rrinte syçelë, por nuk ishte kushedi sa aktive.

Shtrihej mbi një dyshek gjimnastike në dysheme, bënte ndonjë ushtrim të rastësishëm për muskujt e barkut dhe kaq. Në të vërtetë, pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke vështruar tavanin. Atje ishte një reliev stukoje, disa rrathë koncentrikë, mbi të cilët lundronin ca lule. Aq shpesh ishin lyer me bojë, sa dukeshin si planetë. Rrotulloheshin në orbitat e tyre, ditë e natë. Ishte krejt bukur t’i shihje planetët dhe asgjë tjetër.

Ndonjëherë Xhuni dëgjonte mekanizmin e shtratit të përkujdesit në dhomën e Jupiterit që uturinte; atëherë e kuptonte se ai ishte ende zgjuar dhe po rregullonte pjesën e shtratit ku mbështetej koka. Ai duhej ta vinte re kur ajo shkonte në tualet ose në kuzhinë për të marrë ndonjë gotë ujë. Por Jupiteri nuk i bënte kurrë pyetje; e çfarë do t’i kishte thënë ajo? Nuk mund të fle më, sepse gjithçka po bëhet e tepërt për mua.

Diçka e tillë. Së pari, nuk ishte e vërtetë dhe, së dyti, kjo nuk do të shpjegonte aspak asgjë.

Ndonjëherë merrte telefonin dhe hapte Instagramin. Në feed nuk shihte fare; zakonisht ai ishte i mërzitshëm. Më me qejf shkonte menjëherë te mesazhet private. Një kureshtje vezulluese e hovte përpjetë. A kishte ardhur sërish ndonjë mesazh nga ndonjë i panjohur? Në këtë rast, fjala kërkesë ishte me shkronja të trasha dhe blu.

Në të vërtetë, pothuajse çdo natë ishte me shkronja të trasha dhe blu.

Hi, më e bukura / Përshëndetje, bukuroshe / Hi, ti rreze dielli, si je?

Ata që i shkruanin quheshin Jimmy Taylor_354 ose Marcus DeBuonaventura. Quheshin Phil Gibson1973. William Smith dhe Dr. Antonio Alessandro. Tipa të nxirë nga dielli para jahteve me vela, burra të bardhë, flokëthinjur, me kapele bejsbolli dhe mjekër treditëshe. Një kauboj me çizme që pozonte para një ferme. Një gjeneral i ushtrisë amerikane me uniformë ushtarake. Një i ve me dy fëmijë; në një kuzhinë luksoze po bënin petulla.

Në të vërtetë, djem të rinj, që rrinin në një internet-kafe diku larg dhe shtypnin gënjeshtra kiç në kompjuter ose në telefon. Xhuni kishte parë dikur një dokumentar në YouTube; me titullin Love-Scamming. Dukej se ishte biznes i mirë. Ata u shkruanin grave më të mëdha në moshë, që dukeshin beqare, përmes një profili të rremë:

Pashë foton e profilit tënd dhe menjëherë u magjepsa pas teje.

Pastaj mashtruesit e dashurisë nisnin të ndërtonin një marrëdhënie.

Mirëmëngjes, e dashura ime.

Çfarë ke ngrënë sot? Kujdesu për veten.

I love you.

Stikersa me trëndafila të kuq. Stikersa me filxhanë kafeje, ku shkruhej love.

Një djalë i ri filmohej teksa lexonte një libër mbi manipulimin psikologjik.

Sa shumë më mungon! Ëndërroj ta kaloj jetën me ty.

Në një moment të caktuar, mashtruesit e dashurisë u kërkonin grave para.

Jam në një udhëtim pune dhe më ndodhi një aksident, tani jam në burg dhe nuk mund të hyj në llogarinë time bankare, a mund të më ndihmosh pak?

Xhuni ishte njëkohësisht e tronditur dhe e magjepsur nga numri i madh i grave që u besonin gjërave të tilla. Në dokumentar ato tregonin hapur se çfarë shumash kishin transferuar në fund, në vende të largëta me Western Union.

E tani edhe ajo kishte rënë në radarët e tyre, pikërisht ajo, Xhuni Isabela Flok. Xhuni, gruaja e Jupiterit, por këtë mashtruesit e dashurisë nuk e dinin. Pa u shqetësuar aspak, ata vazhdonin t’i dërgonin kërkesa. Dhe Xhunit i pëlqente t’u përgjigjej.

Në euforinë e errët e vezulluese të zgjimit, shumë kohë pas mesnate, nga dhoma e saj me planetët në tavan.

Hi, grua e bukur.

Hi.

Si je, si është moti atje tek ju?

Jam mrekullisht mirë, faleminderit.

Këtu kemi temperaturën 45 gradë, të bëhet truri qull. Çfarë pune bën?

Punoj në një kompani ndërtimi, ARCO, por jam edhe këshilltar financiar.

Po ti, çfarë bën?

Ushqej skifterët e mi, kam tre, secili kushton 20 000 dollarë. Quhen Leo, Bubo dhe Lukas.

Uau, sa interesante duket!

Burrë i bardhë, në moshë të mesme, me flokë të thinjur, kishte veshur pantallona të shkurtra dhe qëndronte nën një palmë.

Burrë i bardhë, me flokë të thinjur, mbështetur te një kabriolet.

Burrë i bardhë, i puthur nga dielli, përqafonte një qen të bardhë, leshatak.

Një marinar kalifornian, një ushtarak me flokë paksa të thinjur, me identitet të vjedhur.

Ejani te Xhuni. Ajo dëshiron të luajë me ju.

Hi, faleminderit, jam mirë.

Unë jetoj në Gjermani, një vend me pishina gjigante fokash në kopshtet zoologjike.

Çfarë bëj? Shtrihem në banjë, pi liker, si të gjithë në Gjermani.

Pi kartëmonedha, a ke provuar ndonjëherë?

E martuar? Aspak, jetoj me tre shërbëtorë, dy burra dhe një grua, shajmë njëri-tjetrin ndërsa pimë një arkë me birra.

Po ti?

Për një kohë të gjatë, mashtruesit e dashurisë i besonin thjesht çdo gjëje që ajo thoshte.

Në fillim ishte argëtuese: të gënjeje një tip pas mesnate.

Ajo zgjaste dorën: Eja.

Ishte qesharake në një mënyrë të ligë.

Ndonjëherë ata ngurronin.

Are you serious?

Smiley

Sa hezitonin, sa të pasigurt bëheshin!

Si përplasej diçka në botën e tyre, në rrënojat nga Xhuni Isabela Flok, e cila nuk pinte kartëmonedha, por jetonte në një dhomë pranë Jupiterit, i cili natën rrinte shtrirë në një shtrat përkujdesi. Ky shtrat përkujdesi mjeksor dukej si një shtrat spitali, vetëm se ishte i veshur me një shtresë që duhej të imitonte rimeson e drurit. Gjatë ditës, Jupiteri ulej në një karrocë me rrota. Karroca ishte lyer me bojë të kuqe metalike; e kishte zgjedhur vetë Jupiteri dikur. Tani kishte disa gërvishtje në bojë. Çdo mëngjes ai duhej të ngrihej nga shtrati dhe të kalonte në karrocën me rrota; kjo zgjaste pesë minuta. Jupiteri afrohej te buza e shtratit, me këmbët përpara, lëshonte mbi ndenjëse fillimisht njërën, pastaj tjetrën anë të trupit dhe, ndërkohë, mbërthehej me duar në mbështetëset e krahëve.

“Duhet vetëm ta ngresh pak përpjetë tokën”, i kishte thënë njëherë Jupiteri, “nuk është aq e vështirë.”

Ndoshta burrat që i shkruanin e meritonin të binin kaq lehtë në grackën e Xhunit. Ashtu siç binin në marrëzitë e tyre gratë që ata mashtronin.

Mos vallë donte të hakmerrej për këto gra? Mbase jo.

Atë nuk e zinte më gjumi natën, kaq ishte e gjitha.

Mashtruesit e dashurisë, në vendet e tyre në zhvillim, nuk dinin absolutisht asgjë për të, përndryshe ndoshta nuk do t’i shkruanin. Asaj, që natën rrinte zgjuar dhe vështronte tavanin.

Hej, grua e bukur, çfarë bën?

Xhuni u përgjigjej shpejt dhe saktë. Si ishte dhe çfarë bënte. Se kishte qenë e martuar dy herë dhe tani mërzitej me një mjek internist.

Se rriste qen luftarakë.

Se i donte qentë – prit, kjo nuk ishte gënjeshtër.

Dikur kishte vënë re se në gënjeshtrat e saj po depërtonin të vërteta të vogla. Diçka që ishte e vërtetë. Kjo më shumë e habiste Xhunin sesa e  shqetësonte. Ndonjëherë ndihej mirë të thoshte të vërtetën.

Përshëndetje, bukuroshe!

Si është moti atje tek ti?

Moti është gri dhe i ftohtë, nëntor, muaj i keq.

Dje pashë një film, Melancholia, e ke parë? Një planet përplaset me Tokën, nuk përfundon mirë.

Janë dy motra, Klera dhe Justina. Një herë Justina thotë se është mirë kur bota merr fund, ndërsa Klera mbetet e shtangur.

Si mund të jesh kaq e ftohtë, Justina, o njeri, ne po vdesim këtu, dhe ti thua se nuk ka gjë?

Klera kupton se nuk mund t’i besojë Xhonit. Xhoni është burri i Klerës, një astronom amator. Xhoni thotë se Melancholia do të kalojë pranë Tokës, mos ki frikë. Xhoni gabon, planeti kthehet, merr kthesë. Paniku i Klerës, qetësia e Justinës pak para përplasjes së planetit, Klera shtrëngon në kopsht djalin e saj pranë vetes, për ta mbrojtur.

Melancholia, a nuk është ky një emër i bukur për një planet të humbur? E dëgjoj shpesh muzikën e filmit kur shëtis. Ndonjëherë mendoj si Justina, një përplasje e tillë me një planet ose kometë, kjo do të ishte ç’do të ishte.

Mashtruesi i dashurisë nuk përgjigjet.

Klera merr nga Xhoni një lak prej teli, me të cilin mund ta mbajë Melancholia-n në kopsht. Melancholia qëndron në qiellin e ndriçuar nga dita si një hënë e madhe. Klera  sheh se si ajo, brenda lakut, bëhet gjithnjë e më e vogël; mendon sikur po largohet sërish në hapësirë, është e lumtur. Por një ditë më vonë: Melancholia shfaqet shumë më e madhe se laku. Melancholia ishte kthyer.

Si bien zogjtë përtokë! Breshëri gjëmon në ajër.

Kërcënimi që vjen nga hapësira gjithmonë  më trishton shumë, sepse përmasat janë shumë më të mëdha.

Mashtruesi i dashurisë nuk e lexoi mesazhin.

Hej, më shkruaj pak, mirë?

Është bukur t’i shkruaj të gjitha këto.

Mashtruesi i dashurisë nuk e lexoi mesazhin.

Hej, mirëmëngjes, si je?

Mashtruesi i dashurisë nuk iu përgjigj më.

Tjetri, vazhdojmë.

Më pëlqejnë filmat e dashurisë që nuk kanë fund të lumtur, për shembull Open Water, e ke parë? Një çift përfundon në det; kishin prenotuar një udhëtim në det të hapur për t’u zhytur, në varkë ishin disa njerëz, ekuipazhi i numëron gabim, varka kthehet dhe harron t’i marrë. Ata lundrojnë në Paqësor, ai sulmohet nga një peshkaqen. Ajo duhet të jetë e fortë, ta ngushëllojë, por ai vdes në krahët e saj. Ajo merr edhe një herë frymë, pastaj zhytet me kokë poshtë dhe nuk del më në sipërfaqe.

Gjithmonë e kam parë këtë si një histori dashurie të pamëshirshme në vrullin e saj.

Si e shohin njëri-tjetrin, si kapen pas njëri-tjetrit, si mbajnë njëri-tjetrin. Ai e mban atë që të mund të flejë, dhe pikërisht atëherë vjen peshkaqeni.

Më pëlqen konsekuenca dhe fakti që filmi nuk e zbukuron realitetin.

Vetëm kështu bëhet vërtet një film dashurie.

Mashtruesi ishte bërë i parëndësishëm, ndërkohë që ajo shkruante, edhe pse në fillim ai ishte përpjekur të futej në bisedë.

Po, e dashura ime,

dashuria e vërtetë është diçka e mrekullueshme!

zemër e kuqe

Më pëlqen gjithmonë, kur dashuria e vërtetë e tregon të vërtetën e saj vetëm në vdekje.

Të lutem, mos thuaj gjëra të tilla,

e dashura ime!

Por pikërisht gjëra të tilla dua të them.

Është vdekja ajo që në fund na bashkon.

Më vjen mirë që po e ndaj këtë me ty, meqë ra fjala.

Bitch.

Kështu përfundonin gjithmonë bisedat.

Mashtruesit, herët a vonë, nuk përgjigjeshin më, dhe ky i fundit u bë agresiv. Xhuni nuk u zemërua as me të. Edhe ajo fliste pikërisht kështu, me një agresivitet të përmbajtur, kur ishte e sinqertë.

Ndonjëherë i dukej se ky ishte qëndrimi i saj më i sinqertë.

Në bisedat e saj, ndoshta ishte Xhuni e vërtetë.

Fragment nga romani “Hej, mirëmëngjes, si je?”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË