Javën e fundit të shtatorit shkuam me shërbim në një rreth të Jugut. Rruga ishte e gjatë dhe ne, për të mbërritur në kohë, u nisëm nga Tirana në mëngjes herët. Afër drekës, aty nga ora 11, ndaluam në një qytet të vogël klimaterik. “Gazi” ynë frenoi me zhurmë para Hotel Turizmit dhe shoferi, që tërë rrugën s’e kishte hapur gojën, kontrolloi diçka në motor dhe tha se do të qëndronim aty rreth një orë sa të furnizohej me benzinë. Ahere shoqja ime e udhëtimit u nis në Komitetin e Rinisë për të marrë disa të dhëna për gazetën.
Zbrita edhe unë. S’dija si ta kaloja atë orë. Një copë herë u sorollata trotuarit duke parë vitrinat e mapos përballë dhe stendën e madhe të fletërrufeve të qytetit. Tre burra me duar pas shpine lexonin me nge njërën prej tyre, që spikaste mu në krye të stendës. Me germa të kuqe qe shkruar emri i atij që i drejtohej fletërrufeja. Vinin pastaj varg dhjetëra e dhjetëra germa të zeza, shumë të rregullta, bërë me bojë kine, punë e ndonjë piktori të qytetit. Një ankesë për ndarjen e padrejtë të shtëpive me punë vullnetare. Kalova më tutje. Në librarinë në qoshe gjeta dy libra që qenë mbaruar me kohë në Tiranë. Më në fund, duke mos pasur ç’të shoh tjetër, hyra në sallën e kafesë, poshtë hotelit, për të pirë ndonjë gjë të ngrohtë, para se të ktheheshin shokët e mi të udhëtimit.
Salla ishte pothuajse e zbrazët. Në tavolinën pranë banakut, dy burra me kostume doku bojë hiri flisnin për kampionatin e futbollit. Më tutje, një kameriere e re fshinte tavolinat me pecetë të lagur dhe bënte muhabet me bufetieren. Prita një copë herë, me shpresë se do të më vinte re ndonjëra prej tyre, mirëpo qe e kotë. Asnjëra s’e ngriti kokën. Ahere iu drejtova vetë.
– A mund të më bëni një çaj? – thashë.
Kamerierja ktheu kokën, vështroi diku anash meje dhe duke vazhduar të fshinte në mënyrë monotone tavolinën, u përgjigj me ton të thatë:
– Do të prisni, se ekspresi na është prishur.
Ndenja disa sekonda në mëdyshje dhe pastaj u ula në një nga tavolinat pranë dritareve të mëdha, që binin nga lulishtja. Përballë, përtej perdeve të verdha ngriheshin plepat e lartë, ndërsa më tutje të merrte sytë vezullimi ngjyrë hiri si në argjend i liqenit. Ajri ishte jashtëzakonisht transparent dhe gjithçka dukej si një copë kuadër, i prerë diku në ndonjë tablo, nga ato që shohim shpesh nëpër ekspozita.
Në lulishten përjashta ishin mbledhur stivë mbulesat me kuadrate të tavolinave. Pista e vallëzimit, mbushur me gjethe të thara, të ngjallte një trishtim të lehtë. Oxhaku prej llamarine, ku piqeshin qoftet gjatë verës, ngjante tani si një gjë e panevojshme. Disa pensionistë luanin domino në dy tavolina të bashkuara duke përplasur me forcë gurët e lojës.
Era, me sa duket, kishte pushuar, sepse jashtë nuk lëvizte asnjë gjethe. Mua ende më buçisnin veshët nga zbritja malore. Pastaj, në një moment, u duk sikur gjithçka ra në një qetësi të shurdhët. Vetëm përplasja e gurëve të dominosë thyente herë pas here, si një krismë e thatë, heshtjen e çuditshme, të pazakonshme.
Duke parë atë peizazh aq të njohur, i cili më dukej i afërt dhe i largët njëkohësisht, ndjeva një lloj malli. Ndoshta nuk ishte mall, por një ndjesi e papërcaktuar, e afërt me atë që provon njeriu kur ka humbur diçka të rëndësishme, diçka nga ato që njerëzit në bisedat e tyre të përditshme i quajnë pa vlerë, por që në vetminë e tyre i përtërijnë dhe u japin dhjetëra kuptime, që ndoshta s’i kanë pasur në të vërtetë.
E njihja prej kohësh këtë qytet të vogël dhe tani, që për herë të parë kaloja pranë tij si tranzit, pa menduar për të, e ndieja veten pak të fyer nga indiferenca dhe ftohtësia me të cilën më pritën gjithë këto gjëra të vogla, që i njihja mirë.
Vite më parë, kur isha ende nxënëse gjimnazi, kaloja këtu pushimet dhe nuk ishte aq shumë gëzimi i larjeve në liqen dhe i mbrëmjeve të bukura që më tërhiqnin aty, sesa takimi dhe bisedat e çoroditura që më prisnin me Mirën, shoqen time të fëminisë. Nuk e di, ndoshta ishte edhe mungesa e saj, një pjesë e shkakut të asaj gjendjeje të topitur që po provoja, por them tani se s’duhet të ketë qenë vetëm ajo.
Në tavolinën ku rrija, dikush kish pirë pak më parë një filxhan kafeje dhe ndoshta, në vetminë e tij apo në bisedë me shokun, me një fije shkrepëseje kish bërë mbi llumin e kafesë vija të çrregullta. Fija e shkrepëses kish mbetur në filxhan ndërsa vijat e thara ngjanin tani si merimanga të ngrira.
Çaji po vononte. Kamerierja i ra edhe një herë përqark lokalit, pastaj shkoi te banaku dhe rregulloi flokët përpara pasqyrës së gjatë të bufesë, ku qenë vendosur shishet e pijeve. Në fakt, s’kisha ndonjë dëshirë për ta pirë atë çaj, por duhej ta justifikoja në njëfarë mënyre qëndrimin tim aty. Pastaj mendova se ishte vërtet një marrëzi të rrije brenda, kur jashtë ishte aq bukur.
Pa dashur aspak ta zemëroj kamerieren, u ngrita me kujdes dhe dola përjashta, nga dera që të nxirrte në verandën e lulishtes. Sido që dielli ndriste, bënte pak fresk. Mora rrugën e liqenit dhe duke dëgjuar guriçkat e imëta që kërcisnin nën sandalet e mia, provoja një trazim të qetë.
Plepat qenë rritur shumë qysh nga ajo kohë që i mbaja mend. Më pas kalova përbri tyre dhe sido që nuk më erdhi mirë, m’u drodh zemra kur më zunë sytë ato dy iniciale të shtrembëta që unë dhe Mira kishim gdhendur me brisk në trung. Ç’është e vërteta, u nisa atje me mendimin që t’i gjeja dhe nuk e prisja që një gjë aq e vogël të më shkaktonte atë farë turbullimi. Germat ishin deformuar dhe të linin përshtypjen sikur qenë shëndoshur edhe ato bashkë me trungun. Në vendet ku ne e patëm prerë, lëkura e plepit kish marrë një ngjyrë të murrme, që ngjante tani si një plagë e mbyllur. Desha të qesh me vete, por s’më bëri zemra.
Shkova më tej duke shkelur me kënaqësi mbi tërfilin e gjelbër që kish ngërthyer me lakmi tërë fundet dhe rrëzat e plepave. Sa shumë mundoheshim atëherë të gjenim një tërfil me katër fletë. Mira thoshte se një gjethe e tillë sillte fat, ndërsa një djalë nga lagjja e saj tallej me të. “Një tërfil me katër fletë, tri dhoma dhe një kuzhinë”, – thoshte ai. Këto shpjegime prozaike gjithmonë e nervozonin shoqen time.
Dhe ja, tani, prej andej dukej si në pëllëmbë të dorës plazhi i hapur dhe kabinat e braktisura. Veronjësit e fundit sapo kishin ikur dhe sezoni turistik ishte në të mbaruar. Kur po vinim në hyrje të qytetit, na zuri syri një grup turistësh që fotografonin nga kalaja.
Diku aty afër u dëgjua një klloçitje e lehtë. Një varkëtar po çante ujin me një lopatë të vetme, që nxirrte ca tinguj, që më shumë ngjasonin me një mërmëritje se me një këngë. Tri pulëbardha u ulën jashtëzakonisht butë mbi sipërfaqen e liqenit kur uji, megjithatë, mbeti përsëri i qetë dhe i parrudhur.
Pashë orën. Shoferi dhe shoqja ime e rrugës s’po dukeshin. Me siguri ia kishin shtruar muhabetit dhe kështu siç e kishim nisur, ne s’do të arrinim dot në M. para orarit zyrtar. Kishim lajmëruar me telefon për të na rezervuar një dhomë në hotel, por prapë kjo ishte një punë e pasigurt. E mira do të ishte që tani të ndodheshim në rrugë.
Në breg të liqenit filloi të bëjë vapë dhe unë u ktheva përsëri te plepat. Edhe që andej pamja nuk ndryshonte. Gjithçka dukej e vagëlluar dhe e butë si një përkëdhelje e dashur. Duke parë tërë atë ndriçim dhe paqe, nuk të vinte të besoje se këto ishin ditët e fundit të verës dhe s’do të kalonte shumë, ndoshta qysh të nesërmen, e do të fillonin erërat e ftohta dhe ky liqen i butë do të egërsohej e do të mbushej me rrudha brenda pak çasteve.
Prapa krahëve u dëgjuan ca hapa dhe veshi më kapi një zë të njohur. Ktheva kokën me rrëmbim dhe pashë një grumbull burrash që po afroheshin. Ata po kërkonin me sy një tavolinë në hije. Midis tyre e shqova menjëherë njeriun me atë zë të njohur.
Gjatë jetës qëllon shpesh të shohësh fytyra të njohura në vende që s’mbahen mend. Disa prej tyre të japin një gaz të papritur dhe dëshirën për t’i takuar menjëherë, të tjerët nuk ta trazojnë kujtesën për asgjë. Ndaj pa ndonjë brejtje ndërgjegjeje mund t’i shmangësh kollaj. Fytyra që më kapi shikimi ishte diçka tjetër. Në fillim ngurova pak, pastaj hoqa syzet e diellit për ta parë më mirë. Ishte nga ato fytyra që aty për aty të ngjallin një lloj kureshtjeje t’i vështrosh dhe aty për aty dëshirën për t’iu shmangur përballjes me të.
Burrat gjetën, më në fund, një tavolinë pranë trëndafilave të venitur dhe duke bërë shumë zhurmë e potere u ulën si mundën.
– Vërtet është ai? – mendova. Një çast më vonë u ktheva përsëri dhe pashë se si ata hapën një kuti të drunjtë tavlle dhe hodhën short për lojën që po nisnin me të.
Ishte pikërisht ai. Dhe s’qe ndonjë çudi që rastisi ta shihja. Megjithatë, prapëseprapë nuk munda të mposht njëfarë turbullimi. Mos duhej t’i flisja tani? Një lloj kureshtjeje e ngathët s’më linte të qetë dhe pa dëshirën time vazhdova ta vështroj edhe një copë herë si pa mendje.
Asgjë nuk kishte ndryshuar tek ai. Që nga fytyra e mprehtë, qëndrimi i drejtë i trupit, e gjer tek ato lëvizje të shkathëta të duarve, me të cilat po vendoste tani gurët e lojës. Ai kishte ulur kokën dhe po ndiqte me vëmendje rrotullimin e zareve. Pashë se në tëmtha qe thinjur pak, fare pak. Por e gjithë pamja e tij ruante gjithnjë atë vetëbesim dhe shkujdesje që, kohë më parë, na kish lënë pa mend mua dhe shoqen time. E megjithatë, në tërë qenien e tij kishte diçka të hirtë, diçka të zhubrosur, edhe pse jo të vjetër. Ndoshta këtë përshtypje ma krijonte kostumi gri, pak i rrezuar në supe, ato thinja të rralla dhe ajo kuti e tavllës, tepër e lëmuar nga përdorimi. Ndoshta kjo kish të bënte me të gjitha ditët e shkuara e të humbura kot, kur ky njeri kishte hyrë aq shumë në jetën tonë duke na e mbushur atë plot fjalë, gjeste dhe zhurmë.
* * *
Ahere ishte prill. Ndërsa përgatitesha për provimet e maturës, më erdhi një letër nga Mira, shoqja ime e këtij qyteti të vogël. Ajo më shkruante se kishte rënë në dashuri. Për mendjen time ishte diçka vërtet për t’u çuditur. Ç’qe kjo dashuri e papritur që i kish rënë asaj në kokë?
“Përse çuditesh?” – më pyeste ajo në letër. – “Ai është një njeri që nuk ngjan fare me ata që ke njohur ti gjer më sot. Përpara tij vetja më duket si milingonë”. Të të duket vetja milingonë, kjo ishte vërtet për t’u alarmuar. Me një fjalë, ëndrrat tona për të vajtur së bashku në universitet po i merrte lumi. Kjo gjë më hutoi dhe më zemëroi shumë. Po letrat e Mirës s’të linin të merrje frymë dhe s’u desh shumë kohë që të ndërroja mendje e të arsyetoja njësoj si ajo, në favor të saj.
Në qytetin e Mirës kishte shkuar një regjisor i ri teatri, që sapo kishte mbaruar Shkollën e Lartë të Arteve. E lexonte anglishten “si ta kish gjuhën e nënës” dhe do të bënte me teatrin e qytetit të saj gjëra që s’qenë parë ndonjëherë. Kështu më shkruante shoqja ime. Ajo ngulte këmbë të më bindte se miku i saj i porsanjohur qe një talent i madh. Mjaftonte ta dëgjoje kur fliste, kur lëvizte duart apo thjesht edhe kur rrinte e mendohej pa bërë asgjë. Shkurt, ai ishte një çudi dhe unë do të bindesha për këtë, që në çastin e parë që do ta shihja.
Sapo mbaruan provimet, shkova si zakonisht në qytetin klimaterik të Mirës. Dhe tanimë, jo si një vajzë pa mend, që s’di tjetër veç të lahet në liqen, të lexojë libra dhe të shohë perëndimet e diellit, por si një vajzë që përgatitet të hyjë në universitet, që e di mirë ç’bën dhe do të japë një mendim të saktë për punët e shoqes së saj.
Mira kish pasur të drejtë. Një ditë pas mbërritjes sime, ajo më çoi në Shtëpinë e Kulturës. Duke u munduar të dyja të merrnim një pamje që s’e kishim pasur kurrë, hymë në sallën e madhe të teatrit ku bëheshin provat. Zemra më rrihte fort. Mira tregohej e përmbajtur. Ajo e dinte mirë ç’bënte. Dhe s’qe gabuar. S’kishin kaluar as pesë minuta që aktorët luanin pjesën kur nga radhët e para të sallës dikush i ndërpreu.
– Është ai, – më pëshpëriti në vesh shoqja ime.
– Jo, jo, jo, – thirri regjisori me ton të prerë. – Sa herë të kam thënë… Futu, more djalë, futu në lëkurën e personazhit. Zhvishe lëkurën tënde…
Kumbimi i atij zëri zotëroi sallën dhe për një çast u duk sikur ndali në vend çdo frymëmarrje. Ishte një zë i tillë që të detyronte ta dëgjoje. Pata përshtypjen që edhe ai, për disa sekonda, sikur i mbajti vesh i çuditur, zërit të vet.
Kishte thënë vërtet gjëra të çuditshme. Shoqja ime më vërente me triumf. Unë aprovova me kokë.
Filluan përsëri provat dhe pas dy minutash, përsëri ndërhyrja e regjisorit:
– Nuk je veprues. Lidhu me partnerin. Transmeto veprimin. Duhet tempo, tempo ritmi…
Trupa dëgjonte si e mpirë. Aktorët pohonin me kokë, sido që shprehja e tyre të linte të kuptoje se nuk e kishin të qartë çfarë kërkohej prej tyre. Të them të drejtën, as unë s’po kuptoja gjë, por fundja s’isha aktore dhe termat e skenës s’kisha si t’i dija. Filluan nga e para. Regjisori ishte bërë nervoz. Ai nuk i la të vazhdonin gjatë, por kërceu nga salla drejt e në skenë.
– More djalë, – iu drejtua aktorit më të ri. – Harroje që je Sherifi. Në këto çaste ti je Don Diegos, që të kanë vjedhur pasurinë. Të kanë lënë me gisht në gojë. Kupton? Me gisht…
– E ka shumë të vështirë me ta, – më pëshpëriti shoqja ime në vesh.
U bë pushimi dhe ai erdhi me hapa të gjatë drejt nesh.
– Në rast se nuk gaboj, sigurisht, kjo duhet të jetë shoqja jote apo jo, Mira? – dhe më zgjati dorën.
– Unë dua që ju të jeni miq – tha Mira me të shpejtë. Ajo u skuq flakë dhe papritur vrapoi nga dera. Unë e ndoqa me sy, sepse nuk kuptova shkakun e atij vrapi. Pastaj u ktheva nga ai.
– Mira më tha se ju doni të bëni një… sistem të ri… teatri, – thashë dhe përnjëherësh u shqetësova, sepse ndjeva ashtu turbullt që po thosha gjëra që s’kishin kuptim. Nga kjo gjendje e vështirë më nxori regjisori. Ai bëri sikur se vuri re ngathtësinë time dhe unë ia dita për nder.
– Po, po, shumë ide kam në kokë, – tha ai me një ton të lodhur. Pastaj përnjëherësh u vrenjt. – Po është një tmerr të mendosh se me kë t’i komunikosh këto gjëra. Siç e shihni, këtu çdo gjë është e vështirë, shumë e vështirë. – Ai psherëtiu dhe kaloi dorën mbi flokët e zinj të dendur. – Ju e patë trupën me të cilën duhet të punoj, – shtoi duke buzëqeshur hidhur. – Dikush ka thënë me të drejtë se një pjesë e bukur muzikore nuk mund të ekzekutohet me një instrument të stonuar. Pastaj drama, drama. Oh, ku jemi ne me dramën!
– Doni të thoni se s’ka pjesë të reja? – thashë me shumë kujdes dhe e vështrova e ndrojtur se mos bëra ndonjë gabim të ri.
Jo, s’kisha bërë. Ai qeshi me dashamirësi dhe shtoi:
– Pjesë të reja? Varet si t’i marrësh. Unë jam për teatrin epik të Brehtit. Më shumë mendime, më pak emocione.
Përsëri u hutova. Fatmirësisht, s’pata kohë të përgjigjesha.
– Për këtë do të shkruaj vetë një dramë, – tha ai në mënyrë të shpenguar, pa i dhënë rëndësi asaj që po thoshte.
– Ashtu?! – thirra unë. Kjo gjë m’u duk shumë interesante. – Përse bën fjalë drama juaj?
– Hëpërhë, ende s’e kam kristalizuar në kokë. Dua të shkruaj diçka për njeriun e ri, më kuptoni, për njeriun e ri… por në një mënyrë të re.
– Kur do të uleni ta shkruani? – s’u përmbajta unë.
Ai qeshi sikur t’i vinte keq për mua.
– Ju dhe shoqja juaj mendoni se këto janë punë të thjeshta, apo jo?
Ai ndezi një cigare dhe unë, megjithëse e turbulluar, pata kohë të vë re mënyrën e bukur se si e thithi tymin dhe pastaj si e nxori të pandërprerë nga hundët. Ngjante aq shumë me përshkrimin e hollësishëm që më kish bërë Mira në letrat e saj, sa tani më dukej sikur e kisha parë këtë gjë vetë, diku gjetkë.
Atë çast u kthye Mira. Dukej se ishte qetësuar plotësisht nga ai vrap i papritur.
– Po flasim për dramën e re që do të shkruajë ai, – thashë menjëherë. Mira tundi kokën dhe pata përshtypjen se ajo u gëzua që ishim miqësuar aq shpejt. Në sallë hyri një grup i ri dhe regjisori, pasi na kërkoi ndjesë, u largua nga ne.
– Mos e pyete gjë për temën e dramës? – tha Mira e alarmuar posa ai na ktheu krahët.
– Po. Pse?
– Sa e marrë që je! Bën njeriu kurrë pyetje të tilla?
– Përse s’duhej ta bëja këtë pyetje? – thashë e çuditur.
– Ai po krijon diçka të re, moderne. Ajo që do të bëjë ai s’ka asgjë të përbashkët me dramat që ke parë ti gjer më sot. Kujton se është aq e thjeshtë për t’u shpjeguar ashtu me fjalë?
“Kujton se është aq e thjeshtë”. Diçka të tillë kish thënë edhe ai pak më parë, bile me të njëjtën shprehje në fytyrë.
– Po ty t’i ka shpjeguar? – thashë.
– Sigurisht. Vetëm se unë s’bëj pyetje.
– I kupton të gjitha vetë?
Mira u hutua.
– Si të them… ka edhe gjëra që s’i kuptoj, por unë nuk mund të tregohem aq budallaqe sa të them hapur që s’i kuptoj. Njeriu disa gjëra duhet t’i marrë me mend. Po unë çmendem ta dëgjoj kur flet. Ai thotë gjëra aq të çuditshme. Ah, sa bukur që flet!
Deri pasdite vonë, ne të dyja rrinim në kopshtin me mollë të teto Vangjës dhe s’bënim gjë tjetër veç flisnim për të.
– Sa shumë që është i dhënë pas skenës, – më shpjegonte Mira me pasion. – Është krim që e kanë sjellë në qytetin tonë të vogël. Ai ka nevojë për hapësirë, sepse do të bëjë diçka që del jashtë kufijve, jashtë normave të zakonshme.
Unë rrija shtrirë mbi bar dhe vështroja qiellin përmes degëve të mollëve. E kisha zili shoqen time që fliste me një gjuhë ndryshe nga ajo që dija unë vetë. Kufij, hapësirë… Verën e shkuar, nuk i përdorte këta terma.
– Po sytë, i ke vënë re se si i ka sytë?
– Ne kemi thënë se pamja e fytyrës nuk luan rol te burri – thashë e vrenjtur dhe jo pa dinakëri, një mendimin tonë të vjetër.
– Ashtu vërtet, kjo s’ka rëndësi, por ai ama i ka të gjitha të përsosura. Sa bukur duket kur thotë: “Dashuroje artin në veten tënde dhe jo veten tënde në art”.
– Të kujt janë këto fjalë?
– Nuk e di. Sigurisht, të atij.
– S’e besoj.
– S’e beson the? – Mira u indinjua. – Ai mund të thotë jo këtë, por gjëra shumë më të mençura se kjo. Sikur ta dije ti se ç’botë të pasur shpirtërore që ka ky njeri! Por nuk e kuptojnë. Ja edhe ti që je shoqja ime nuk arrin ta kuptosh. Do të vijë dita që ta shohësh emrin e tij anembanë nëpër afishe dhe do t’i kujtosh këto që të them.
Në ditët që pasuan s’bënim gjë tjetër, veç përgjonim dhe s’pushonim së habituri se si ai fliste gjëra që s’i kuptonim fare. Si rrinte e mendohej për orë të tëra duke shëtitur “si një shpirt i humbur” bregut të liqenit.
“Mendon për dramën”, – thoshte Mira dhe na drithërohej zemra se mos mendimet nuk i shkonin ashtu si dëshironte ai. Pastaj e shihnim nga xhamat e kafesë poshtë hotelit, tek pinte duhan duke lëshuar tymin rrathë-rrathë dhe vetja na dukej aq e mjerë, aq e mjerë. Shoqja ime më tërhiqte zvarrë kudo që ishte ai. Hynim e dilnim në bufenë e kafesë për të pyetur mos kishin ardhur gjë paketa “Arbëria”, ndiqnim të gjitha provat e teatrit, përsërisnim një për një të gjitha shprehjet e tij, të bindura se larjet në liqen dhe soditjet e perëndimeve ishin tashmë punë kalamajsh. Rastet kur regjisori gjente kohë të bënte muhabet me ne qenë çastet më të lumtura. Dhe për fat, ai gjente kohë shpesh. Pjesën tjetër të kohës që mbetej ne vrisnim mendjen të gjenim se ç’qëllim ishte thënë ndonjë fjalë e caktuar e tij. Ishte thënë rastësisht apo kish pasur ndonjë kuptim të dyfishtë. Përse ai kish qenë i trishtuar gjatë drekës dhe në fund të fundit, a ushqente edhe ai të njëjtat ndjenja që kishte Mira për të?
Këto hamendje nuk i zgjidhëm dot deri në fund të verës. Kur erdhi dita të nisesha për në qytetin tim, Mira më tha në mënyrë të papritur se ajo do të hiqte dorë nga shkolla po qe se ai do të pranonte të martohej me të. Ajo e kish mbledhur mendjen top të jetonte pranë atij njeriu e t’i përkushtohej tërësisht, për ta ndihmuar që ai “të gjente vetveten në art”. Me sa duket, ajo kish kohë që i bluante këto gjëra dhe për t’iu shmangur diskutimeve, gjeti kohën të m’i thotë minutat e fundit, para se autobusi të nisej.
Më vonë, sa herë që hipja nëpër autobusët urbanë dhe shikoja ndonjë vajzë që vraponte për të arritur portën e hapur, më kujtoheshin këto fjalët e saj që m’u dukën ahere fare pa lidhje. Prita me durim shumë kohë që ta takoja dhe ta pyesja për kuptimin e vërtetë të tyre. Kisha shumë frikë mos ajo e linte shkollën me gjithë mend dhe prandaj nuk i shkruaja. Por në shtator Mira erdhi në fakultet.
– Mos më pyet, – më tha ajo sikur të më lutej. Unë shpresoja më kot. Ai është artist. “Për artistin, martesa është burg”, kështu më tha.
Ne nuk folëm më kurrë për refuzimin e tij. Ajo ia kish falur atij fyerjen, unë, vetëkuptohet, gjithashtu. Kur në gazetën letrare u botua një artikull ku një pjesë e tij e vënë në skenë quhej “e dështuar”, ne u habitëm, por jo aq shumë. Ndoshta se tani ishim larg apo ndoshta sepse ditët në fakultet ishin të mbushura me zhurmë dhe gjithçka tjetër ishte më e gjerë dhe më e kuptueshme. Megjithatë, kjo nuk ishte ende ndonjë zhgënjim. Ishte vetëm fillimi i njëfarë indiference, që u bë e plotë kur shoqja ime u kthye në shtator nga pushimet e verës.
Duke më thënë shpejt e shpejt përshtypjet e verës, ndërsa tregonte midis të tjerave se si mollët e Teto Vangjës kishin bërë shumë pak kokrra atë vit, ajo papritur dhe krejt rastësisht tha se ai gjithashtu s’kishte bërë asnjë dramë. Nuk e mora dot vesh se përse çështja e tij erdhi kështu fill pas mollëve, sikur ai të qe një dru molle. Ajo nuk e zuri më në gojë dhe vetëm kur unë e pyeta njëherë rastësisht, përsëri tha shpejt e shpejt.
– Seç lozte një lodër, atë lodrën orientale me tavllë si dhe me të bërtitura “shesh mejdani” apo “shah-name”, s’më kujtohen mirë fjalët.
Të gjitha këto më erdhën ndër mend aty, në breg të liqenit. Tani ai ishte duke ndenjur në tavolinë vetëm disa hapa larg meje dhe hidhte me shkathtësi zaret mbi tavllë. Kohë më kohë, fërkonte duart dhe vështronte kundërshtarin me një sy triumfues.
– Ep-jek, – thirri i kënaqur dhe lëvizi zaret. Ja, ishte po ai zë që thërriste nga skena: “Zhvishe, zhvishe lëkurën tënde.”
M’u kujtua Mira. Ç’bënte ajo tani? Para pak kohe qe martuar në një qytet tjetër dhe punonte kimiste në laboratorin e një uzine. Tani ne s’kishim më kohë të shkruanim letra të gjata. Në të rrallë i bënim njëra-tjetrës ndonjë kartolinë.
Që nga rruga përtej hotelit u dëgjua një buri e zgjatur makine dhe një çast më vonë u duk te dera e verandës fytyra e gjerë e shoferit tonë. Ai po më kërkonte me sy. Unë ia bëra me dorë që nga larg.
Dielli qe ngritur lart dhe mbi liqenin e ndritur pasqyroheshin ëmbël konturet e maleve të zhveshura. U ula të këpus një gjethe tërfili, por ndjeva një dhembje të lehtë në ijë.
– Shesh-besh, – u dëgjua përsëri ai zë si një gjëmim i largët.
Të gjitha ato fjalë të mëdha dhe gjeste të bujshme, mendjemarrëse, ishin zhdukur si me magji dhe në vend të tyre kish mbetur tani vetëm ky “shesh-besh”, ashtu si një vend që ka qenë dikur i lulëzuar, plot jetë e drita, mbetet pas ca kohe një djerrinë e zbrazët, shterpë.
“Shesh-besh”. Nuk mund ta dëgjoja më.
Ika pothuajse me vrap, përmes plepave, pa u bërë merak se ai mund të më njihte. Kishte qenë një kohë që ai kish zotëruar zemrat dhe mendimet tona, dhe ja tani ishte bërë diçka e largët dhe e huaj, njësoj sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. U bë mirë që e pashë edhe një herë. U bë shumë mirë.
Shokët e mi të rrugës përplasën duart nga padurimi.
– Ku ishe futur? Hip shpejt, se jemi të vonuar.
Makina u nis. Plepat, liqeni dhe kabinat e plazhit po zhdukeshin me shpejtësi. Me kokën të mbështetur pas xhamit, ndërsa vështroja peizazhin që thyhej, vallëzonte dhe ikte, ndjeva papritur si po çlirohesha përfundimisht nga diçka e vjetër dhe e panevojshme, që më rëndonte prej kohësh në gjymtyrë, në zë, në ecje dhe në mendime. Ishte një ndjenjë e çuditshme lehtësimi, ku trishtimi që shkakton zakonisht kujtimi i diçkaje të zbrazët, përzihej me gëzimin e ndarjes prej tij.
1973


