KreuUncategorisedDinçer Güçyeter: Fatma

Dinçer Güçyeter: Fatma

Dinçer Güçyeter ka lindur në vitin 1979 në Nettetal, Gjermani. Është poet, dramaturg, redaktor dhe botues. Nga viti 1996 deri në vitin 2000 kreu një formim profesional si mekanik dhe më pas punoi në gastronomi. Në vitin 2012 themeloi ELIF Verlag, një shtëpi botuese e pavarur me fokus te poezia bashkëkohore, të cilën e drejton edhe sot, paralelisht me punën e tij me kohë të pjesshme. Ka botuar vëllimet poetike Aus Glut geschnitzt/I gdhendur nga prushi (2017); Mein Prinz, ich bin das Ghetto/ Princi im, unë jam getoja (2021). Në vitin 2022 u nderua me Çmimin Peter Huchel për poezinë. Romani i tij i parë, Unser Deutschlandmärchen/ Përralla jonë gjermane (2022), u vlerësua në vitin 2023 me Çmimin e Panairit të Librit në Leipzig në kategorinë e letërsisë artistike (Belletristik). Romani, i cili ndërthur historinë familjare, përvojën e migrimit dhe kërkimin e identitetit, është përkthyer në disa gjuhë dhe është përshtatur edhe për skenën. Në vitin 2024 Güçyeter mori edhe Çmimin Lirik Else Lasker-Schüler. Nga viti 2024 deri në vitin 2025 ishte shkrimtar rezident i qytetit Bergen-Enkheim. Güçyeter është baba i dy fëmijëve dhe jeton në Nettetal.

Përktheu nga gjermanishtja Anna Kove

Fatma

Fragment nga „Përralla jonë gjermane“

Fatma është emri im. Jam e bija e Hanifes dhe e Osman Beut. Isha vetëm dhjetë vjeçe kur ca burra krejt të panjohur sollën trupin e tij të pajetë në oborr. Isha fëmija më i dashur i babait tim dhe ai, ai ishte engjëlli im mbrojtës. Çdo të premte sillte trofta, gjithkujt i jepnin nga një, unë mund të haja dy… Pastaj ai vdiq.
„Rregulloni plaçkat!“ thërret nëna ime. „Rregulloni plaçkat! Do shkojmë në qytet. Nuk do t’ju rris nën mëshirën e pamëshirshme të shtëpisë së tim eti. Askush nuk ka të drejtë t’ju poshtërojë. Në qytet do të punojmë së bashku dhe do ta fitojmë vetë bukën tonë.“ Nëna, unë dhe dy vëllezërit e mi, Hasani dhe Mehmed Aliu, ngarkojmë shtretërit, jastëkët, tenxheret në një qerre me qe dhe, në një mëngjes, nisemi për në qytet.
Dyshemeja është akull e ftohtë, dyshemeja është akull e ftohtë, dera nuk ka bravë. Dhoma më frikëson. „Mos kini frikë“, thotë nëna, „shkarkojini të gjitha, shpalosni shtretërit. Ndërsa ju merreni me këtë gjë, unë do ta gjej një punë.“ Në mbrëmje vonë ajo kthehet me një bukë furre nën sqetull. Unë dhe Hasani rrimë në shtëpi, nëna dhe Mehmed Aliu dalin. Dyshemeja është akull e ftohtë, dyshemeja është akull e ftohtë. Nga mbrëmja, para derës sonë ndalon një karrocë me kuaj, ngarkuar me kashtë. „Shtrojeni, mandej nuk do të kemi më aq ftohtë“, thotë nëna, këtë herë me nga një bukë furre nën secilin krah, dhe bashkë me to edhe një byrek me susam; shtëpia shndërrohet në një sallë feste.
Ca muaj më vonë, në mes të pranverës, shoferi i autobusit sjell një kumt nga fshati. Ka një mëtues nga Gjermania për Fatmën, i cili do të vijë pas disa ditësh. Nëna shan e fërshëllen nga inati: „Jo! Çdo bari mund ta marrë vajzën time; ama jo një i huaj.“ Të nesërmen mëtuesi qëndron tashmë para derës sonë bashkë me xhaxhain tim të vogël; ka një kokë të stërmadhe dhe një biçikletë. Fytyra më digjet si qymyri në furrë, nuk mund të shikoj askënd në sy.
„Kam ardhur të marr Fatmën me vete në Gjermani, dua ta marr për grua“, thotë burri me kokën e stërmadhe dhe me biçikletë. „Jo“, thotë nëna, „jo!“ Xhaxhai nga fshati e ndërpret: „Mos u ngut! Dy djemtë e tu janë sakatë. Jepja Fatmën atij, le të shkojë në Gjermani. Nëse ajo ngulet atje, edhe djemtë do ta kenë një fat të dalin nga kjo varfëri. Pa bukë, atdheu nuk është kafaz i artë. Lëre Fatmën të shkojë, shpëtoji fëmijët nga ky mjerim!“ Nëna fshin lotët me majën e shamisë së kokës dhe tund kokën.
 Bëhet ashtu siç thotë xhaxhai. Dyshemeja është akull e ftohtë, dyshemeja është akull e ftohtë… Me monedhat e arta në qafë, me vellon e kuqe të nuses rreth belit, dëshmia e virgjërisë sime, unë hip në kalë dhe lë shtëpinë e prindërve, ndjek si nuse burrin tim me kokën e stërmadhe drejt Gjermanisë. „Të huaj“, pëshpëris, „tëhuajtje“, që prej tri brezash na fryn andej-këtej, nga toka në qiell, nga qielli në tokë. Është viti 1965, jeta ime e re fillon në një vend, ku mund t’i këpusësh paratë nga pemët. Kështu na kishin treguar. Nuk di ç’të them.

***

Qëndroj në platformën e stacionit. Zëra të pakuptueshëm më futen në veshë, ndërtojnë aty skelën e tyre. Mes këmbëve që më dridhen është valixhja prej druri; brenda saj janë botë e botë… Sa e vogël është bota. Ylmazi më çon në një shtëpi të vjetër, dyshemeja dhe tavani kundërmojnë erë qymyr. Ende dridhem, zemra ime është si një fole pëllumbash, e kërcënuar. Burra të panjohur hyjnë në shtëpi, më thonë „motër“; burra të panjohur, të veshur keq, me sy të shuar. Nuk ka as sobë, as ibrik, nuk mund t’u ofroj asgjë mysafirëve. „Na duhet patjetër një ibrik çaji“, them e turpëruar. Rrugët janë aq të pastra, sa pothuajse mund të hash nga toka. Fqinjët kanë nxjerrë një komodinë dhe një tavolinë mermeri para derës. Ylmazi pyet nëse mund t’i marrim; po, sigurisht, përgjigjet gruaja e moshuar. Ajo mban një përparëse me lule, më dhuron një vazo dhe tri trëndafila. Fqinjët janë të mirë. Por diçka mungon. Diçka që ma shtrëngon edhe më fort nyjën brenda vetes. Nuk gjejmë as ibrik çaji, as patëllxhana, as kungulleshka. Nëpër dyqane Ylmazi përpiqet të flasë gjermanisht. Unë nuk e kuptoj gjuhën, por dëgjoj se as atij nuk i ecën gjithçka vaj. Gugat, sikur të kishte guralecë në gojë dhe po i përtyp. Unë qesh, qesh edhe më shumë, faqet më digjen si qymyri në furrë. Nuk dua të qesh, por qesh, nuk e përmbaj dot veten, nuk është në dorën time, qesh.

Ti ishe burri që më kishte munguar

Duhej ta mbaje ti thikën e mprehtë në Kurban Bajram, atë që yt atë nuk qe kurrë në gjendje ta mbante; duhej të shkoje në xhami e ta mbështetje ballin përtokë, për çka nuk munda kurrë ta bindja tët atë; duhej të kurseje para, të blije shtëpi, të bëje tregti, gjëra për të cilat yt atë nuk qe kurrë i zoti. Gjithë jetën ia pagove borxhet. Ti duhej të ishe thjesht burri që më kishte munguar, i vendosur, i fortë. Kjo ishte dëshira ime e vetme. Mos vallë po kërkoja shumë?
A e di sa e lumtur isha kur të pashë në fabrikë me kominoshe, me një limë në dorë, si një burrë i vërtetë, njëri prej nesh, një punëtor? Momentet më të bukura të asaj kohe ishin për mua orët e mëngjesit: të ngrihesha dhe të të bëja bukë me vete. Sa shumë do të kisha dashur t’ia bëja edhe tët eti. Ai ende dergjej në shtrat, në gjumë të thellë, kur unë dilja nga shtëpia.
Në jetë isha vetëm, vetëm me gjithë ato fatura, paralajmërime, me shqetësimet e përditshme, me netët pa gjumë. Edhe të vendoste një llambë në abazhur, të shtrëngonte një vidë në mur, edhe përpara këtyre gjërave, ai tërhiqej. Ti ishe shansi im i dytë në jetë; duhej të ishe shpërblimi për paaftësinë e tët eti. Si grua, nuk kisha dëshiruar asgjë tjetër, veçse pak mbrojtje, pak siguri.

Epilog – Fatma

Fatma është emri im. Jam nëna e Dinçerit. Këtu, nën qiellin e Gjermanisë, pluskojnë historitë tona, imja dhe e të tjerëve si unë. Vëzhgoj njerëzit në rrugë, njerëz në kotësinë e tyre, si të mund të zhvendosnin male, si të kishin kapërcyer dete.
Ndërsa ne vazhdimisht na shohin nga lart, na përçmojnë: thuhet se nuk jemi integruar, se jemi të paarsimuar dhe se kemi mbetur gjithmonë vetëm kafshë pune. Ç’të them; më shumë nuk kërkoi askush prej nesh. Sigurisht, shumë gjëra mund t’i kishim bërë më mirë. Por tani po ju pyes: nëse në këtë planet je vetëm një pemë pa rrënjë, deri ku mund t’i shtrish degët?
Detyra jonë ishte të bënim punën që na vihej përpara. Donim të fitonim pak para dhe të ktheheshim, por kjo joshje të bën të pangopur, mosmirënjohës.
Ju lutem, mos besoni se nuk kishim ëndrra më të bukura. Po, i kishim. Ishin ëndrra të bukura… Thoni ç’të doni, por ju lutem, ju lutem, jo me vështrime përbuzëse. Bëjeni ju më mirë, më bukur.
Fatma është emri im, punëtorja e huaj, ajo që thyente normat e punës me normë. Gjithçka që tek unë nuk gjeti gjuhë, le t’i hapë faqet në gjuhët tuaja. Nëse më lejoni, dua t’ju jap një këshillë të vogël. Ne u përpoqëm verbërisht ta shëronim dhimbjen e çrrënjosjes – me pasuri, me para, më kot…
Ju duhet të jetoni më mirë, më të lirë, pa frikë. Çdo barrë, çdo dhimbje është e përkohshme. Guxoni, mos kini frikë nga jeta.
Dinçer, jam e lodhur, vëri një pikë kësaj përralle. Dhe thuaj, a i ka veshur tashmë këpucët Heidi?

Fragmente nga romani “Përralla jonë gjermane”

Fragmente nga “Princi im, unë jam getoja”

në një revistë letrare përmendet prejardhja ime

e, si për të kaluar radhën, se jam poet;

ç’diletant ky kumt i fundit

kush e di, ndoshta më vlen për ndonjë çmim Best-of-Migrantenpreis

princi im, eja, më dhuro një palë tuta të reja vrapimi

dhe këpucë të kuqe Nike, sigurisht, le të jenë edhe fallco

ti e di ku më gjen

në dyqanet me një euro, në kazinotë e lojërave, në stacionet e autobusëve (po, udhëtar pa biletë),

në qebaptore, në dasma, në varganë turmash, në mjedise të shthurura,

në pijetore të qelbura, në dosje të dyshimta,

jashtë qendrave, në një pavijon,

si shitës hekurishtesh

eja dhe më trego kush jam

ti e sheh, në të gjitha pikat e nxehta, jam kundërshtimi i refuzuar

princi im, këtë tekst ta kam shkruar ty

të lutem, mbaje fshehur; kështu të dy do të jemi të mbrojtur.

***

beso te ne, gjermani, beso te këta njerëz. mos u përpiq të na mbash larg me ligjet e tua, me rregullat, me politikën tënde në kostum karnavalesh; për këtë kemi folur mjaft në mikrofonat që çahen. ne duam të të prekim, të ta ndiejmë frymën, mos po kërkojmë shumë? ti beson te sistemi yt, te struktura jote, te makinat, te laboratorët, te fitimet… amen! mendo, të lutem, qoftë edhe një herë, për njerëzit që po shkatërrohen mes këtyre rrotave. mund të ishte bërë edhe më bukur. ti e shpërfill këtë mundësi, kapitullon përballë frikës, përballë demonit në tablo, që vetë e ke pikturuar me penel të fortë. ne, njerëzit, mungojmë në këtë tablo, gjermani.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË