KreuLetërsiShënime mbi libraEmin Azemi: Gjuha e zymrydit - trauma, absurdi dhe profecia te Teki...

Emin Azemi: Gjuha e zymrydit – trauma, absurdi dhe profecia te Teki Dervishi

Një vështrim tekstologjik dhe arketipal mbi disidencën dhe kodin e ri estetik të dramës së vitit 1979 „Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi“, të Teki Dërvishit, që dokumenton thyerjen e paradigmës realiste përmes teatrit të absurdit beketian dhe gjuhës ezopike, duke e vendosur Dërvishin në dialog universal me Eskilin, Shekspirin dhe Ionesco-n, ndërsa projekton traumën e tij në Goli Otok si pasqyrim të tmerrit totalitar dhe si parashikim rrëqethës të fatit politik të Kosovës.

Dramaturgjia shqipe, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u zhvillua në dy mjedise me kontekste të ndryshme ideologjike, por që të dyja impononin një lloj lineariteti estetik. Në Shqipërinë kontinentale, dogma e realizmit socialist e ktheu skenën në një tribunë didaktike ku personazhet funksiononin si barometra të moralit komunist partiak. Në Kosovë, përballë rrezikut të asimilimit kulturor dhe represionit serb, teatri u dominua kryesisht nga dokumentarizmi historik dhe drama kombëtare e tipit romantik-patriotik. Ky teatër, ndonëse luajti një rol jetik emancipues, mbështetej fort në aksionin e jashtëm, në narrativën lineare aristoteliane (fillim, mes, fund) dhe në dikotominë bardhë e zi të personazheve.

THYERJA E PARADIGMËS REALISTE NË DRAMATURGJINË SHQIPE

Në vitin 1979, botimi në Shkup i dramës “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” i Teki Dervishit shënon një akt të pastër “subversioni estetik”. Dervishi e zhbën tërësisht veprimin e jashtëm. Ai nuk ndërton një dramë për një ngjarje, por për një gjendje. Vepra pozicionohet në kryqëzimin e ekspresionizmit shqetësues dhe teatrit të absurdit, duke u distancuar nga çdo përpjekje për të imituar realitetin sipërfaqësor.

Ekspresionizmi i Dervishit manifestohet në projektimin e tmerreve të brendshme, subjektive të psikes njerëzore mbi hapësirën fizike. Konflikti nuk buron nga një keqkuptim social apo nga një përplasje klasash, por nga një krizë ekzistenciale e qenies: përballja me humbjen e pakthyeshme të lirisë së brendshme. Gjuha, mjeti që tradicionalisht shërbente për të ndërtuar urat e komunikimit mes personazheve, këtu pëson një krizë totale. Ajo kthehet në një fushë të minuar ku pauzat, heshtjet dhe belbëzimet peshojnë më shumë se fjalët e thëna. Dervishi dëshmon se në kushtet e tiranisë totale, dialogu nuk është më mjet komunikimi, por një strategji neurotike  për të fshehur terrorin ekzistencial.

KATASTROFA E SKENËS KLAUSTROFOBIKE: KOHA CIKLIKE DHE SHTIGJET BECKETT-iane

Hapësira skenike te “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” refuzon çdo gjeografi reale. Ajo nuk është as shtëpi, as zyrë, as burg i shpallur; ajo është një burg i mendjes, një hapësirë klaustrofobike asfiksuese ku njësia e vetme matëse është presioni psikologjik. Dervishi eliminon dritaret dhe dyert si pika komunikimi me të jashtmen. E jashtmja ekziston vetëm si një kërcënim i vakët, si një hapësirë e egër ku sundon paranoja, ndërsa e brendshmja është tërësisht e kolonizuar nga prania e Zbutësit, Abu Bekirit.

Kjo metodologji tekstuale prodhon një shteg absolut, të ngjashme me atë të teatrit të Samuel Beckett-it. Në dramë nuk ka progresion, nuk ka një ngjarje që zhvillon veprimin drejt një zgjidhjeje (katarsis). Personazhet janë të ngrirë në një të tashme të amshueshme. Koha nuk është më lineare, por ciklike dhe neurotike. Ajo matet vetëm përmes progresit të humbjes së identitetit.Çdo seancë dialogu me Abu Bekirin nuk e çon dramën përpara, por e rrotullon atë rreth boshtit të frikës.

Në këtë linjë, lëvizja fizike e personazheve zbulon neurozën e tyre. Didaskalitë e autorit diktojnë lëvizje anësore, strukje pranë mureve dhe tendencë për t’u bërë pjesë e dekorit. Dorëzimi përpara kësaj linje është në fakt dorëzim përpara tjetërsimit (alienimit): personazhet presin që diçka të ndodhë, por ndryshe nga Vladimir dhe Estragon te “Duke pritur Godonë” që presin një entitet abstrakt, personazhet e Dervishit e kanë tmerrin e tyre të ulur në qendër të dhomës.

KATALOGU I PSIKES SË COPËTUAR: ANALIZA ARKETIPALE E PERSONAZHEVE

Për të zbërthyer strukturën e personazheve te “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, duhet të braktiset vlerësimi tradicional mbi bazën e veprimeve socio-politike dhe të kalohet në rrafshin e psikanalizës jungiane. Komuniteti i “Njerëzve me sy prej zymrydi” nuk funksionon si një grup personazhesh me biografi të ndara. Ata përfaqësojnë një ego kolektive të copëtuar, e cila ndodhet nën presionin e një procesi të dhunshëm të shpërbërjes psikologjike.

Në majë të kësaj strukture neurotike qëndron Abu Bekiri (Zbutësi), i cili mishëron plotësisht Arketipin e Hijes në nivel makro-shoqëror. Sipas Carl Gustav Jungut, Hija përfaqëson të gjitha ato aspekte të errëta, të shtypura dhe të papranuara të vetvetes. Abu Bekiri nuk është një pushtues që vjen nga një planet tjetër, ai është projeksioni i frikërave, oportunizmit dhe gatishmërisë për nënshtrim që fshihet në skutat e të pavetëdijshmes së vetë viktimave të tij. Ai mban veshur një maskë të shpëtimtarit, mësuesit ose kuratorit shkencor. Përmes kësaj maske institucionale, ai operon si një tirani kastrues, i cili nuk e shkatërron trupin, por eliminon egon autonome të tjetrit, duke e zëvendësuar atë me një ID të frikësuar dhe të nënshtruar.

Përballë tij, pjesa tjetër e komunitetit reagon përmes mekanizmave të ndryshëm mbrojtës psikologjikë, duke u ndarë në figura arketipale specifike:

Rebeli (i riu): Ky personazh përfaqëson Animus-in në gjendjen e tij të pastër dhe të paprivatizuar — instinktin fillestar të lirisë, forcën mashkullore të veprimit dhe refuzimin e verbimit. Ai është i vetmi që ruan një ego të shëndetshme, e cila refuzon të hyjë në kompromis me hijen. Mirëpo, tragjedia e tij buron nga fakti se ai izolohet jo vetëm nga Abu Bekiri, por edhe nga vetë komuniteti i tij. Ai shndërrohet në “kurbanin” e nevojshëm për të ruajtur paqen e rreme të të tjerëve.

Plaku: Ky personazh bart arketipin e dështuar të plakut të mençur. Në kushte normale, ai duhet të ishte udhërrëfyesi dhe ruajtësi i memories historike të zymrydit. Megjithatë, frika dhe trauma e gjatë kanë sjellë një regresion shpirtëror te ai. Memoria e tij është e fragmentuar, impotente dhe nostalgjike. Ai nuk është më burim i urtësisë çlirimtare, por i dorëzimit pasiv, duke dëshmuar se si totalitarizmi arrin të deformojë edhe arketipet më të shenjta të memories kolektive.

Oportunisti (I zbuturi i parë): Ai përfaqëson fazën përfundimtare të tjetërsimit, individin që ka kaluar me sukses përmes makinerisë së Abu Bekirit. Psikologjikisht, ai vuan nga sëmundja e identifikimit me agresorin. Duke mos e përballuar dot terrorin e të qenit viktimë, ai adopton sjelljen, gjuhën dhe metodat e xhelatit. Ai shndërrohet në syrin dhe veshin e Abu Bekirit brenda dhomës, duke dëshmuar se zbutja e plotë kërkon që vetë viktima të kthehet në roje të burgut të vet.

Gruaja: Ajo bart arketipin e Anima-s së shtypur, ndjeshmërinë, pjellorinë dhe lidhjen organike me jetën. Në hapësirën asfiksuese të dramës, Anima pëson një krizë të thellë ekzistenciale. Ajo mban brenda vetes tmerrin e vazhdimësisë së llojit: lindja e një fëmije të ri me “sy prej zymrydi” në këtë ambient nuk shihet më si një bekim, por si lindja e një viktime të radhës për Abu Bekirin. Kjo dilemë dëshmon se si sistemi arrin të helmojë edhe instinktin më bazik njerëzor, atë të amësisë.

GJURMA AUTORIALE: GOLI OTOKU SI LABORATOR I SHPËLARJES SË TRURIT

Nuk mund të bëhet një anatomi e saktë e tekstit të “Zbutësit…” pa zbritur në biografinë traumatike të vetë Teki Dervishit. I arrestuar në moshë krejtësisht të re,  dhe i dënuar me internim në Goli Otok, gulagun famëkeq të ish-Jugosllavisë titoiste, Dervishi kaloi përmes laboratorit më mizor të thyerjes psikologjike të shekullit XX.

Goli Otoku dallonte nga burgjet e tjera klasike të Evropës Lindore sepse ai nuk bazohej thjesht në eliminimin fizik apo punën e detyruar, por në asgjësimin moral dhe shpirtëror të individit. Metoda kryesore e kampit ishte detyrimi i të burgosurve që të torturonin, spiunonin dhe rrihnin njëri-tjetrin për të provuar “riindoktrinimin” e tyre politik. Ky proces i quajtur “revizionim” synonte që t’i vidhte njeriut dinjitetin e fundit, duke e kthyer viktimën në xhelat të shokut të tij.

Kur Teki Dervishi shkruan dramën në vitin 1979, Goli Otoku nuk është vetëm një kujtim, ai është matrica e fshehur që strukturon të gjithë veprën. Autori fshihet në çdo skutë dhe nëntekst të tekstit:

Metoda e Abu Bekirit si pasqyrë e kampit: Abu Bekiri nuk përdor dhunë fizike skenike, ai nuk mban kamxhik dhe as armë. Ai përdor saktësisht metodologjinë e Goli Otokut: izolimin, ngjalljen e ndjenjës së fajit, thyerjen e solidaritetit kolektiv dhe nxitjen e tradhtisë së ndërsjellë. Kur Abu Bekiri thotë se sytë e tyre janë një “sëmundje” që duhet kuruar, ai përsërit ekzaktësisht retorikën e komandantëve të kampit, të cilët e quanin disidencën politike si një “infeksion” që kërkonte një kurë të dhunshme.

Copëzimi i vetvetes te personazhet: Teki Dervishi e ka projektuar traumën e tij post-traumatike duke e ndarë veten e tij në dy figura qendrore. Ai është Rebeli (i riu) që mban mend tmerrin e ballafaqimit të parë me tiraninë dhe refuzon të dorëzohet, por ai është njëkohësisht edhe Plaku i thyer, i cili mban brenda vetes fajin e tmerrshëm të mbijetesës në një sistem që të detyron të bësh kompromise.

Teatri si akt katarsisipost-traumatik: Për Dervishin, shkrimi i kësaj drame ishte një seancë e dhimbshme e psikanalizës autoriale. Duke refuzuar ta përmendte emrin e burgut për shkak të censurës, ai krijoi një hapësirë universale ku mund të ekzaminonte anatominë e nënshtrimit që kishte parë me sytë e tij. Kjo e bën dramën një dokument të jashtëzakonshëm të letërsisë së traumës, ku çdo pauzë dhe heshtje në tekst mbart peshën e tmerrshme të gurëve të thyer në ishullin e Goli Otokut.

MIKRO-ANATOMIA E TEKSTIT: NËNTEKSTI, EKOLALIA DHE SEMIOTIKA E OBJEKTIT

Për të kuptuar mekanizmat e fshehur të dramës “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, duhet të kalohet nga shtresat e përgjithshme tematike te mikrostruktura gjuhësore dhe semiotike. Në këtë vepër, gjuha pëson një deformim të vetëdijshëm, ajo nuk përdoret për të shprehur mendimin, por për të fshehur terrorin dhe për të shmangur asgjësimin shpirtëror.

Hapësira midis fjalëve (Heshtja pinteriane): Teki Dervishi e përdor heshtjen jo si mungesë veprimi, por si momentin ku tensioni dramatik arrin kulmin asfiksues. Kur Abu Bekiri bën një pyetje, heshtja e gjatë e personazheve (e shënjuar përmes didaskalive apo pikëpamjeve të fragmentuara) është hapësira ku personazhi peshon vdekjen ose dorëzimin. Kjo heshtje është “bërtitëse”, ajo zbulon se personazhet kanë humbur aftësinë për të mbrojtur lirinë e tyre me fjalë dhe se çdo tingull i nxjerrë mund të jetë një kurth fatal.

Strategjitë e shmangies: Gjatë seancave të pyetësorëve të Abu Bekirit, njerëzit me sy prej zymrydi aplikojnë një neurozë gjuhësore: ata flasin për gjëra krejtësisht banale dhe sipërfaqësore (motin, ushqimin, sendet përreth) për të shmangur konfliktin direkt me Tiranin. Kjo kapje pas detajeve të parëndësishme tregon frikën e tyre patologjike nga ballafaqimi me të vërtetën e tmerrshme që po u ndodh, gjegjësisht shndërrimin e tyre në qenie të zbutura.

Ekolalia si fiksim psikologjik: Përsëritja obsesive e fjalëve si “zymryd”, “zbutje”, “sëmundje” apo “rregull” nga ana e personazheve krijon një efekt ekolalie. Kur Abu Bekiri thotë një fjalë, viktimat e përsërisin atë mekanikisht. Kjo mikro-strukturë sintaksore dëshmon humbjen e kuptimit origjinal të gjuhës dhe për rrjedhojë, fjalët kthehen në predikime të zeza dhe në rrethe vicioze ekzistenciale nga të cilat personazhet nuk mund të dalin më përmes logjikës.

Semiotika e “syve” si objekt fetish: Në nivelin e skenografisë tekstuale, sytë prej zymrydi nuk trajtohen thjesht si një tipar anatomik, por si një objekt fizik, fetish dhe burim rreziku. Sytë mund të preken, të fshihen, të mbulohen apo të nxirren vullnetarisht. Në nivelin psikologjik, ky fetishizim tregon se liria dhe identiteti janë kthyer në një barrë të rëndë që u rrezikon mbijetesën, prandaj objekti (sytë) duhet sakrifikuar për të shpëtuar trupin.

POLIFONIA E PËRMBYSUR: DIALOGIZMI BAHTINIAN DHE JEHONA E TIRANIT

Përmes teorisë së Mihail Bahtinit mbi polifoninë dhe dialogizmin, ne zbulojmë se si Teki Dervishi ndërton një nga kurthet më të tmerrshme psikologjike në dramaturgjinë moderne. Sipas Bahtinit, në një tekst polifonik, zërat e personazheve janë autonomë, të barabartë dhe mbartin botëkuptime të pavarura që hyjnë në dialog me njëri-tjetrin. Megjithatë, te “Zbutësi…”, Dervishi aplikon një polifoni të përmbysur..

Në fillim të dramës, njerëzit me sy prej zymrydi kanë zërat e tyre origjinalë, të cilët artikulojnë kujtesën, dyshimin dhe rezistencën. Por, me progresin e procesit të “zbutjes” të udhëhequr nga Abu Bekiri, ndodh një fenomen i tmerrshëm gjuhësor: zëri i tiranit fillon të kolonizojë zërat e viktimave.

Kur personazhet flasin me njëri-tjetrin, veçanërisht në skenat e thyerjes (Volta) ku fillojnë të akuzojnë dhe të spiunojnë shokët e tyre, ata nuk përdorin më fjalët e veta origjinale. Ata flasin duke përdorur strukturat urdhërore, konceptet ideologjike dhe leksikun e Abu Bekirit. Ata fillojnë ta quajnë lirinë e tyre si “egërsi” dhe nënshtrimin si “shërim”.

Kjo formë e dialogizmit bahtinian tregon se manipulimi dhe thyerja psikologjike kanë depërtuar në nivelin më të thellë të vetëdijes. Nuk ka më nevojë që Abu Bekiri të flasë apo të jetë fizikisht prezent në qendër të skenës. Diktatura dhe sistemi i tij totalitar tashmë kanë marrë peng organet e zërit të vetë të shtypurve. Zëri i shoqërisë kthehet në një jehonë polifonike të vetë xhelatit, duke dëshmuar se zbutja shpirtërore është kryer plotësisht kur viktima mendon dhe flet me trurin e tiranit.

DEKODIMI I GJUHËS EZOPIKE: LEKSIKU SEKRET KUNDËR CENSURËS SË VITIT 1979

Në kushtet e mbikëqyrjes së rreptë nga aparati shtetëror jugosllav (UDB) në Shkupin e vitit 1979, Teki Dervishi u detyrua të ndërtonte një kod semiotik të mbyllur për t’iu shmangur censurës ideologjike. Gjuha ezopike në këtë dramë nuk funksionon si dekor letrar, por si një sistem paralel i komunikimit të fshehur, ku fjalët e pafajshme në sipërfaqe mbartin një ngarkesë të fuqishme subversive politike.

Leksiku sekret i dramës zbërthehet përmes këtyre nyjeve kryesore kuptimore:

“Sytë prej zymrydi”: Ky është gurthemeli i të gjithë kodit ezopik të Teki Dërvishit. Në rrafshin literal, sytë me ngjyrë smaragdi paraqiten si një anomali fizike ose veçanti estetike e komunitetit. Në nëntekstin politik, ata përfaqësojnë identitetin kombëtar shqiptar, kujtesën historike të paprivatizuar dhe vetëdijen autonome për liri. Zymrydi, si gur i çmuar që reflekton dritë dhe nuk ndryshket, simbolizon rezistencën organike ndaj asimilimit kulturor dhe ideologjisë artificiale të “vllazërim-bashkimit”.

“Zbutësi” (Abu Bekiri): Emri me ambalazh oriental dhe funksioni i tij si “kujdestar” apo “mësues”,  janë zgjedhur qëllimisht për të mashtruar cenzorët, duke e zhvendosur vëmendjen drejt një konteksti abstrakt ose ekzotik. Në realitet, Abu Bekiri mishëron aparatin shtetëror totalitar, policinë sekrete dhe mekanizmat e censurës. Procesi i “zbutjes” së njerëzve kodon denacionalizimin, thyerjen administrative shpirtërore dhe ri-edukimin e dhunshëm ideologjik.

“Egërsia”: Ky term pëson një inversion të plotë semantik. Për Abu Bekirin, “egërsia” është sëmundja fillestare e njerëzve me sy prej zymrydi. Në kodin e fshehur, ajo përfaqëson dinjitetin njerëzor, mosdorëzimin dhe vullnetin për liri. Propaganda zyrtare e kohës e cilësonte çdo kërkesë të shqiptarëve për të drejta si «nacionalizëm të egër». Dervishi e rimerr këtë fjalë dhe e kthen në një vlerë të pastër humane: të jesh i “egër” do të thotë të mbetesh njeri.

“Sëmundja” dhe “kura”: Abu Bekiri pretendon se drita që lëshojnë këta sy u shkakton dhimbje vetë njerëzve, prandaj ai ofron një “kurë” (verbimin ose zbutjen). Kjo është metafora e ndëshkimit politik dhe shtypjes së mendimit ndryshe. Regjimet totalitare historikisht e kanë trajtuar disidencën si një devijim patologjik apo psikiatrik që duhet “shëruar” përmes izolimit dhe ri-edukimit.

Censura komuniste dështoi ta ndalonte veprën sepse e lexoi atë thjesht si një eksperiment hermetik të teatrit të absurdit. Ata nuk arritën të kuptonin se nën petkun e termave alkimike fshihej një skaner kirurgjikal i vetë sistemit të tyre shtypës.

TEATRI SI PROFECI HISTORIKO-POLITIKE: KOSOVA NË VITET ‘81 DHE ‘90

Vlera më rrëqethëse e dramës “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” qëndron në karakterin e saj profetik. E shkruar në vitin 1979, kjo vepër parashikoi me një saktësi pothuajse shkencore dinamikën shoqërore, politike dhe psikologjike që do ta gjunjëzonte Kosovën në dy dekadat vijuese.
Teki Dervishi nuk përshkroi të kaluarën, por projektoi të ardhmen përmes këtyre katër akteve profetike:

1. Parashikimi i vitit 1981 dhe arketipi i Rebelit

Në dramë, pista dhe qetësia e rreme e dhomës thyhen në mënyrë dramatike nga Rebeli (i riu), i cili refuzon të fshehë dritën e syve të tij, duke sfiduar hapur Abu Bekirin. Vetëm dy vite pas botimit të dramës, në pranverën e vitit 1981, rinia studentore e Kosovës (që përkon saktësisht me këtë arketip) shpërtheu në demonstrata masive. Dervishi parashikoi se gjenerata e re, e cila nuk e kishte përjetuar thyerjen e parë të Goli Otokut, do të ishte ajo që do të guxonte të thyente ngrirjen ekzistenciale për të kërkuar lirinë.

2. Parashikimi i “Diferencimit Ideopolitik” të viteve ‘80

Gjatë viteve ‘80, pas demonstratave, regjimi jugosllav aplikoi masën e “diferencimit”. Çdo shqiptar duhet të dënonte publikisht kërkesat e rinisë dhe të mohonte identitetin e tij, në të kundërtën largohej nga puna dhe izolohej. Ky është saktësisht mekanizmi që Abu Bekiri aplikon në skenën e mesit të dramës: ai u kërkon njerëzve të pranojnë se sytë e tyre janë të dëmshëm dhe t’i denoncojnë ata që refuzojnë të “shërohen”.

3. Anatomia e apartheidit të viteve ‘90

Kur Sllobodan Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës në vitin 1989, filloi dekada e apartheidit të plotë. Shqiptarët u dëbuan nga institucionet, shkollat dhe mediat, duke u detyruar të jetonin në një sistem paralel. Gjeografia klaustrofobike e skenës së Dervishit – dhoma e mbyllur pa dritare, ku njerëzit struken qosheve, flasin nën zë dhe tentojnë të bëhen të padukshëm për t’i shpëtuar syrit të tiranit – u kthye në realitetin fizik dhe psikologjik të çdo familjeje shqiptare përgjatë viteve ‘90.

4. Paranoja e kolaboracionizmit dhe lufta e brendshme

Pika më e dhimbshme e dramës është momenti kur Abu Bekiri korrupton komunitetin, duke bërë që viktimat të spiunojnë njëri-tjetrin për të shpëtuar veten. Gjatë viteve të okupimit, regjimi u mbështet fort në rrjetin e bashkëpunëtorëve lokalë (UDB-ashët shqiptarë). Dervishi parashikoi se rreziku më i madh i një shoqërie nën presion të gjatë nuk vjen nga dhuna e jashtme, por nga infektimi i brendshëm moral, ku frika prodhon oportunizëm dhe tradhti kolektive.

RRAFSHI KOMPARATIV NDËRKOMBËTAR: DERVISHI PËRKRAH ESKILIT, SHEKSPIRIT, BECKETT-it DHE IONESCO-s

Për të matur saktë vlerën universale të dramës “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, ajo duhet të zhvendoset nga konteksti i ngushtë i historisë lokale dhe të vendoset në rrafshin e dramaturgjisë së madhe botërore. Teki Dervishi dialogon në mënyrë të vetëdijshme me tekstet themeltare të teatrit botëror, nga antika e deri te avangarda e shekullit XX, duke ndërtuar urat e tij origjinale krahasuese:

Përmbysja e mitit titanik (Krahasimi me “Prometeu i lidhur” i Eskilit): Në tragjedinë antike, konflikti mes Prometeut dhe Zeusit bazohet te drita (zjarri) që titani u jep njerëzve për t’i emancipuar. Te Dervishi, “sytë prej zymrydi” janë gjithashtu bartës të dritës dhe të vetëdijes. Abu Bekiri funksionon si një Zeus modern, autoritar dhe ndëshkues, që kërkon asgjësimin e kësaj drite. Dallimi tragjik dhe modern që Dervishi sjell, buron nga fakti se në dramën e tij nuk ka një hero titan që qëndron i pathyer deri në fund.Këtu drita dorëzohet për shkak të dobësisë dhe frikës njerëzore, çka e bën veprën më afër dëshpërimit tonë bashkëkohor sesa tragjedia antike.

Burgu si gjendje ekzistenciale (krahasimi me “Hamletin” e Shekspirit): Kur Hamleti deklaron se “Danimarka është një burg”, ai projekton krizën e tij të brendshme mbi sistemin politik korruptiv të kohës. Te Dervishi, dhoma pa dritare është një “burg i mendjes” po aq absolut sa ai i Hamletit. Megjithatë, ndërsa Hamleti ka hapësirën e monologut të lirë për të peshuar aksionin dhe mos-aksionin (Të jesh a të mos jesh), personazhet e Dervishit janë të privuar edhe nga kjo e drejtë: Abu Bekiri u ndërhyn në mendime, ua kolonizon gjuhën dhe ua kontrollon edhe dyshimin, duke e kthyer krizën hamletiane në një luks të pamundur.

Godoja që ka mbërritur (Krahasimi me “Duke pritur Godonë” i Samuel Becketit): Të dyja dramat ndajnë të njëjtën strukturë: linjën absolute (mos-veprimin) dhe pritjen e ankthshme neurotike. Por, ndërsa te Beckett-i absurdi është pasiv sepse Vladimiri dhe Estragoni presin një entitet abstrakt (Godonë) që nuk vjen kurrë, te Dervishi absurdi është agresiv dhe asfiksues: Godoja i tyre ka mbërritur dhe ai është Abu Bekiri. Absurdi i Dervishit nuk buron nga zbrazëtia e botës, por nga tejngopja e saj me praninë e dhunshme të tiranit.

Epidemia e Konformizmit (Krahasimi me “Rinoceronti” i Eugène Ionesco-s): Te Ionesco, njerëzit shndërrohen gradualisht dhe vullnetarisht në rinocerontë, duke braktisur humanizmin e tyre për t’u bërë pjesë e masës konformiste totalitare. Kjo epidemi psikologjike te Dervishi quhet “zbutje”. Të dy autorët arrijnë në të njëjtin përfundim rrëqethës: lehtësinë e tmerrshme me të cilën individi dorëzon veçantinë dhe lirinë e tij për t’u shndërruar në një numër të bindur të sistemit.

Studimi i thellë i anatomisë së dramës “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” dëshmon se kjo vepër përbën nivelin më të lartë të modernizmit dhe disidencës në dramaturgjinë mbarëshqiptare. Përmes shkrirjes gjeniale të traumës personale të Goli Otokut me kodin hermetik të gjuhës ezopike, Teki Dervishi ndërtoi një skaner të për jetshëm të mekanizmave të shtypjes shpirtërore.


Gusht, 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË