Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri
Pas drekës, nga salla e ngrënies e përmbytur në dritë të fortë e të nxehtë, dolën në kuvertë dhe u ndalën te parmakët. Ajo mbylli sytë, i vuri dorën në faqe me pëllëmbën nga jashtë dhe qeshi me një të qeshur të çiltër e magjepsëse — te kjo grua e vogël gjithçka ishte magjepsëse — pastaj tha:
– Më duket se jam dehur… Nga dolët ju? Para tri orësh as që e merrja me mend se ekzistonit. Madje as nuk e di ku hipët. Në Samarë? Po s’ka rëndësi… A më merren mendtë mua, apo po marrim ndonjë kthesë?
Përpara kishte terr e drita. Nga terri u binte në fytyrë një erë e fortë, e butë, ndërsa dritat rendnin diku anash: vapori, me një kapardisje vollgiane, përshkruante vrullshëm një hark të gjerë, duke rendur drejt një skele të vogël.
Togeri ia mori dorën dhe e çoi te buzët. Dora, e vogël dhe e fortë, mbante erën e lëkurës së nxirë nga dielli. Dhe zemra iu ndal, njëherësh nga ëndja dhe nga tmerri, tek mendoi sa i lidhur e i zeshkët duhej të ishte krejt trupi i saj nën atë fustan të lehtë prej liri, pas një muaji të tërë të kaluar shtrirë nën diellin e jugut, mbi rërën e nxehtë buzë detit (ajo kishte thënë se po vinte nga Anapa).
Togeri mërmëriti:
– Të zbresim…
– Ku? – pyeti ajo e habitur.
– Këtu, në këtë skelë.
– Përse?
Ai heshti. Ajo e vuri përsëri kurrizin e dorës në faqen e nxehtë.
– Çmenduri…
– Të zbresim, – përsëriti ai si i topitur. – Ju përgjërohem…
– Ah, bëni si të doni, – tha ajo, duke u kthyer mënjanë.
Vapori, që kishte marrë vrull, u përplas butë me skelën e ndriçuar zbehtë dhe ata për pak sa nuk ranë mbi njëri-tjetrin. Sipër kokave u fluturoi skaji i një litari; pastaj vapori u tërhoq prapa, uji vloi me zhurmë dhe gjëmuan dërrasat e zbarkimit… Togeri u turr të merrte bagazhet.
Pas një minute kaluan përmes zyrës së vogël, të përgjumur, dolën në rërën e thellë, ku rrotat zhyteshin gjer në bosht, dhe hipën në heshtje në një karrocë të hapur me qira, të pluhurosur. Ngjitja e butë përpjetë, mes fenerëve të rrallë e të shtrembër, nëpër rrugën e zbutur nga pluhuri, iu duk e pafund. Por ja, arritën lart, dolën në qytet dhe karroca nisi të trokëllinte mbi kalldrëm; ja një shesh, ndërtesa zyrtare, kulla e vrojtimit të zjarreve, ngrohtësi dhe aroma të një qyteti të vogël provincial në natën e verës…
Karrocieri ndaloi pranë hyrjes së ndriçuar, pas dyerve të hapura të së cilës ngrihej thikë një shkallë e vjetër druri; një shërbëtor plak, i parruar, me një këmishë rozë me jakë anash dhe me redingotë, mori pa qejf bagazhet dhe u nis përpara, duke çapitur me këmbët e rrafshuara nga vitet.
Hynë në një dhomë të madhe, por tmerrësisht mbytëse, të përvëluar gjithë ditën nga dielli, me perdet e bardha të lëshuara në dritare dhe me dy qirinj të pandezur mbi tryezëzën nën pasqyrë — dhe, sapo hynë e shërbëtori mbylli derën, togeri iu turr asaj me aq vrull dhe të dy u mbytën në puthje me një dalldi të tillë, sa për shumë vjet më pas do ta kujtonin atë çast: asnjëri prej tyre nuk kishte përjetuar kurrë në jetë diçka të tillë.
Në orën dhjetë të atij mëngjesi me diell, të nxehtë e të lumtur, me kumbimin e kambanave të kishave, me pazarin në sheshin përpara hotelit, me erën e sanës, të katranit dhe, sërish, me tërë atë përzierje të ndërlikuar aromash që mbush një qytet provincial rus, ajo — ajo grua e vogël pa emër, që nuk ia tha asnjëherë emrin dhe që, me shaka, e quante veten “e panjohura e bukur” — u largua.
Fjetën pak; por në mëngjes ajo u la e u vesh në pesë minuta dhe, kur doli nga pas paravanit pranë shtratit, ishte e freskët sikur të ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. A ndihej në siklet? Jo, fare pak. Vazhdonte të ishte e çiltër, gazmore dhe — tashmë — e matur.
– Jo, jo, i dashur, – tha ajo, kur ai i kërkoi ta vazhdonin udhën së bashku, – jo, ju duhet të qëndroni këtu e të prisni vaporin tjetër. Po të vazhdojmë bashkë, do të prishet gjithçka. Do të më vinte shumë keq. Ju jap fjalën e nderit se nuk jam aspak ajo që mund të keni menduar se jam. Kurrë nuk më ka ndodhur asgjë që t’i ngjante qoftë edhe sadopak kësaj dhe nuk do të më ndodhë më kurrë. Sikur m’u err mendja… Ose, më saktë, të dyve na zuri diçka si pika e diellit…
Dhe togeri u pajtua me të çuditërisht lehtë. Me zemër të lehtë e të lumtur, e çoi deri në skelë, pikërisht në kohën kur po nisej vapori rozë i shoqërisë “Samoljot”; e puthi në kuvertë para të gjithëve dhe mezi arriti të hidhej mbi urën e zbarkimit, të cilën tashmë po e tërhiqnin mbrapsht.
Po aq lehtë e pa merak u kthye edhe në hotel. Por diçka tashmë kishte ndryshuar. Dhoma pa të iu duk krejt tjetër nga ç’kishte qenë kur ajo ndodhej aty. Ishte ende plot me të — dhe bosh. Ishte e çuditshme! Ende ndihej aroma e kolonjës së saj të mirë angleze, ende mbi tabaka rrinte filxhani i saj i lënë përgjysmë, kurse ajo tashmë nuk ishte më… Dhe zemra e togerit u shtrëngua befas nga një valë aq e butë përmallimi, sa ai nxitoi të ndizte një cigare dhe bëri disa herë ecejake nëpër dhomë.
– Ç’aventurë e çuditshme! – tha me zë, duke qeshur e duke ndier se sytë po i mbusheshin me lot. – “Ju jap fjalën e nderit se nuk jam aspak ajo që mund të keni menduar se jam…” Dhe tashmë kishte ikur…
Paravani ishte shtyrë mënjanë, shtrati ende nuk ishte rregulluar. Dhe ai ndjeu se tani thjesht nuk kishte fuqi ta vështronte atë shtrat. E fshehu pas paravanit, mbylli dritaret që të mos dëgjonte zërat e pazarit dhe kërcitjen e rrotave, uli perdet e bardha që gufonin nga era dhe u ul në divan… Po, ja ku mbaroi kjo “aventurë udhëtimi”!
Iku — dhe tashmë është larg; me gjasë, rri në sallonin e bardhë me xhama ose në kuvertë dhe vështron lumin e stërmadh që shkëlqen nën diell, trapet që vijnë përballë, ranishtat e verdha, largësinë vezulluese të ujit e të qiellit, gjithë atë pafundësi të Vollgës… Dhe lamtumirë — tani përgjithmonë, përjetë… Sepse ku mund të takohen më?
“Nuk mundem, – mendoi ai, – nuk mundem që, pa pritur e pa kujtuar, të shfaqem në atë qytet ku ajo ka të shoqin, ku ka vajzën trevjeçare — ku, me një fjalë, ka gjithë familjen dhe gjithë jetën e saj të zakonshme!”
Dhe ai qytet iu duk një qytet disi i veçantë, thuajse i ndaluar, dhe mendimi se ajo do të vazhdonte të jetonte atje jetën e saj të vetmuar, ndoshta duke e kujtuar shpesh, duke kujtuar takimin e tyre të rastësishëm, aq kalimtar, kurse ai nuk do ta shihte më kurrë — ky mendim e shtangu dhe e tronditi. Jo, kjo s’mund të ndodhte! Do të ishte një gjë tepër e çmendur, e panatyrshme, e pabesueshme! Dhe ndjeu një dhimbje të tillë, dhe e gjithë jeta që i mbetej përpara pa të iu duk aq e kotë, sa e pushtuan tmerri dhe dëshpërimi.
– Ç’dreqin! – mendoi ai, duke u ngritur e duke nisur sërish të ecte nëpër dhomë, ndërsa përpiqej të mos hidhte sytë nga shtrati pas paravanit. – Po ç’është kjo që po më ndodh? Ç’kishte ajo aq të veçantë dhe çfarë kishte ndodhur, në fund të fundit? Vërtet, sikur më kishte rënë pika e diellit! Dhe, mbi të gjitha, si do ta kaloj tani, pa të, një ditë të tërë në këtë humbëtirë?
Ai e mbante ende të tërën në kujtesë, me çdo veçanti, edhe më të imtën; kujtonte erën e lëkurës së saj të nxirë nga dielli dhe të fustanit të lehtë prej liri, trupin e saj të lidhur, tingullin e gjallë, të çiltër e të hareshëm të zërit të saj…
Ndjesia e kënaqësive që sapo kishte përjetuar prej gjithë hireve të saj femërore ishte ende jashtëzakonisht e gjallë brenda tij; por tani mbizotëronte, megjithatë, kjo ndjenjë e dytë, krejt e re, ajo ndjenjë e çuditshme, e pakuptueshme, që nuk ishte shfaqur aspak sa kohë qenë bashkë, të cilën as që mund ta kishte marrë me mend se ekzistonte brenda tij kur dje nisi atë njohje që, siç mendonte, do të ishte vetëm një zbavitje, dhe për të cilën tani s’mund t’i fliste më!
“Dhe, mbi të gjitha, – mendoi ai, – nuk do t’ia thuash dot më kurrë! E ç’të bësh, si ta kalosh këtë ditë të pafundme, me këto kujtime, me këtë vuajtje pa rrugëdalje, në këtë qytezë të harruar nga Zoti, mbi po atë Vollgë vezulluese, nëpër të cilën e kishte marrë me vete ai vapor rozë!”
Duhej të gjente shpëtim: të merrej me diçka, ta hiqte mendjen, të shkonte diku. Vuri me vendosmëri kasketën, mori kamxhikun e kalërimit, përshkoi me nxitim korridorin e zbrazët, me mamuzet që i cingërinin, dhe zbriti me vrap shkallët e pjerrëta, deri te hyrja… Po, por ku të shkonte?
Te hyrja rrinte një karrocier i ri, me një kaftan të hijshëm, dhe pinte qetë një cigare. Togeri e vështroi me hutim e habi: si ishte e mundur të rrije kaq qetë në ndenjësen e karrocierit, të pije duhan dhe, në përgjithësi, të ishe një njeri i zakonshëm, i shkujdesur, indiferent?
“Me sa duket, vetëm unë jam kaq tmerrësisht i palumtur në mbarë këtë qytet”, mendoi ai, duke marrë udhën drejt pazarit.
Pazari tashmë po shpërndahej. Kushedi përse, ai u end ca nëpër bajgat e freskëta, mes qerreve e ngarkesave me kastravecë, mes tasave e poçeve të reja; gratë, ulur përdhe, e thërrisnin kush e kush më parë, merrnin poçet në duar, u trokitnin me gishta e i bënin të tingëllonin, për t’i treguar sa të forta ishin; burrat ia shurdhonin veshët duke i bërtitur:
– Ja, kastravecë të dorës së parë, zotëri!
E gjithë kjo ishte aq e marrë, aq pa kuptim, sa ai iku me vrap nga pazari. Shkoi në katedrale, ku tashmë këndonin me zë të lartë, hareshëm e me vendosmëri, me ndjenjën e detyrës së kryer; pastaj eci gjatë, duke u vërtitur nëpër kopshtin e vogël, të nxehtë e të lënë pas dore, në buzë të rrëpirës së kodrës, përmbi shtrirjen e pamatë të lumit, të çelët si çeliku…
Spaletat dhe kopsat e tunikës ishin nxehur aq fort, sa nuk mund t’i prekte. Brezi i kasketës, nga brenda, ishte qull në djersë; fytyra i përvëlonte…
Kur u kthye në hotel, hyri me ëndje në sallën e ngrënies në katin përdhes, të madhe, të zbrazët e të freskët; me po atë ëndje hoqi kasketën dhe u ul në një tryezë të vogël pranë dritares së hapur, nga e cila hynte vapa, por sidoqoftë ndihej njëfarë rryme ajri; porositi botvinja me akull…
Gjithçka ishte mirë; në gjithçka kishte një lumturi të pamatë, një hare të madhe: edhe në atë zheg, edhe në gjithë erërat e pazarit, edhe në tërë atë qytezë të panjohur, edhe në atë hotel të vjetër provincial, ishte ajo — ajo hare; e njëkohësisht zemra po i bëhej copë-copë.
Ai piu disa gotëza vodke, duke i shoqëruar me kastravecë të kripur lehtë, me kopër, dhe duke ndier se do të pranonte pa u menduar dy herë të vdiste që të nesërmen, sikur me ndonjë mrekulli të mund ta sillte atë sërish pranë vetes e të kalonte me të edhe një ditë — pikërisht ditën e sotme — ta kalonte vetëm për këtë, vetëm për këtë: t’i rrëfente sa me dhembje e sa me ngazëllim e dashuronte, t’ia provonte në ndonjë mënyrë, ta bindte… Përse t’ia provonte? Përse ta bindte? Nuk e dinte përse, por kjo i ishte më e domosdoshme se vetë jeta.
– Më qenkan shfrenuar fare nervat! – tha, duke mbushur gotëzën e pestë me vodkë.
E shtyu botvinjën tutje, porositi një kafe të zezë, nisi të pinte duhan e të mendonte me ngulm: ç’duhej të bënte tani, si të shpëtonte nga kjo dashuri e beftë, e papritur? Por të shpëtonte prej saj — këtë e ndiente tepër fort — ishte e pamundur. Dhe befas u ngrit përsëri me ngut, mori kasketën dhe kamxhikun e kalërimit dhe, pasi pyeti ku ndodhej posta, u drejtua me nxitim andej, me fjalinë e telegramit tashmë të formuluar në mendje:
“Që nga ky çast, e gjithë jeta ime, përgjithmonë, deri në varr, është e juaja, në dorën tuaj.”
Por, kur mbërriti te ndërtesa e vjetër me mure të trasha, ku ndodheshin posta dhe telegrafi, u ndal i tmerruar: ai e dinte qytetin ku banonte ajo, e dinte se kishte të shoqin dhe një vajzë trevjeçare, por nuk dinte as mbiemrin, as emrin e saj! Dje, gjatë darkës dhe në hotel, e kishte pyetur disa herë për këtë, dhe çdo herë ajo kishte qeshur e kishte thënë:
– Po ç’ju duhet të dini kush jam e si quhem?
Në cep të rrugës, pranë postës, ishte vitrina e një atelieje fotografike. Ai vështroi gjatë portretin e madh të njëfarë ushtaraku me spaleta të rënda, plot thekë, me sy të dalë, ballë të ulët, favorita çuditërisht madhështore dhe një gjoks tejet të gjerë, të mbuluar krejt me dekorata…
Sa e huaj, sa e frikshme bëhet gjithçka e përditshme, e zakonshme, kur zemra është goditur — po, pikërisht goditur, tani e kuptonte — nga ajo e tmerrshme “pikë e diellit”: nga një dashuri tepër e madhe, nga një lumturi tepër e madhe!
I hodhi sytë portretit të një çifti të sapomartuar: djaloshi, me redingotë të gjatë e kravatë të bardhë, me flokët të qethur shkurt si furçë, rrinte gatitu, krah për krah me një vajzë në tyl nusërie; pastaj e kaloi vështrimin te portreti i njëfarë zonjushe të bukur e çapkëne, me kasketë studenti të vënë pjerrtas…
Pastaj, i brejtur nga një zili e dhembshme ndaj gjithë atyre njerëzve të panjohur për të, që nuk vuanin, nisi të vështronte me ngulm përgjatë rrugës.
– Ku të shkoj? Ç’të bëj?
Rruga ishte krejt e shkretë. Shtëpitë ishin të gjitha njësoj: të bardha, dykatëshe, shtëpi tregtarësh me kopshte të mëdha; dukej sikur në to s’kishte frymë njeriu. Një shtresë e trashë pluhuri të bardhë mbulonte kalldrëmin; e gjithë kjo të verbonte, gjithçka ishte përmbytur nga një diell i nxehtë, flakërues e i hareshëm, por që këtu dukej sikur ndriçonte më kot.
Në largësi, rruga ngrihej, bënte kurriz dhe ngulej në horizontin pa re, të përhimët e me një vezullim. Në gjithë këtë kishte diçka jugore, që të kujtonte Sevastopolin, Kerçin… Anapën. Kjo ishte veçanërisht e padurueshme.
Dhe togeri, kokulur, duke picërruar sytë nga drita, me vështrimin ngulur te këmbët, duke u lëkundur e duke u penguar, me mamuzet që i kapeshin njëra me tjetrën, mori rrugën e kthimit.
U kthye në hotel aq i dërrmuar nga lodhja, sikur të kishte bërë një marshim të stërgjatë diku në Turkestan a në Saharë. Duke mbledhur fuqitë e fundit, hyri në dhomën e tij të madhe e të zbrazët. Dhoma ishte rregulluar tashmë, e zhveshur nga gjurmët e fundit të saj — vetëm një karficë flokësh, që ajo e kishte harruar, rrinte mbi tryezëzën pranë shtratit!
Ai hoqi tunikën dhe vështroi veten në pasqyrë: fytyra e tij — ajo fytyrë e zakonshme oficeri, e përhimët nga nxirja, me mustaqet e zbehta, të zbardhura nga dielli, dhe me të bardhat kaltëroshe të syve, që nga nxirja e fytyrës dukeshin edhe më të bardha — kishte tani një shprehje të ethshme, të çmendur; ndërsa në pamjen e tij, me këmishën e hollë të bardhë dhe jakën e ngritur të kollarisur, kishte diçka rinore e thellësisht të mjerë.
U ngrit pa ngut, pa ngut u la, ngriti perdet, i ra ziles dhe kërkoi samovarin e llogarinë; piu gjatë çaj me limon. Pastaj urdhëroi të thërrisnin një karrocier e të nxirrnin bagazhet dhe, teksa ulej në karrocën e hapur, mbi ndenjësen e saj kuqërreme, të zbehur nga dielli, i dha shërbëtorit plot pesë rubla.
– Me sa duket, zotëri, qenkam unë ai që ju solla mbrëmë! – tha hareshëm karrocieri, duke marrë frerët.
Kur zbritën në skelë, mbi Vollgë po kaltëronte tashmë nata e kaltër e verës; shumë dritëza shumëngjyrëshe qenë shpërndarë mbi lumë dhe dritat vareshin në direkët e vaporit që po rendte drejt skelës.
– Ja, ju solla tamam në kohë! – tha karrocieri me një ton lajkatues.
Togeri i dha edhe karrocierit pesë rubla, mori biletën dhe doli në skelë… Përsëri, si mbrëmë, u ndie përplasja e butë kur vapori preku skelën dhe një marramendje e lehtë nga lëkundja nën këmbë; pastaj fluturoi litari i ankorimit, u dëgjua zhurma e ujit që vëloi e vërshoi përpara nën rrotat e vaporit, i cili ishte tërhequr pak prapa… Dhe vapori, tashmë i ndriçuar kudo, plot me njerëz e me erën e gatimeve, iu duk jashtëzakonisht mikpritës e i këndshëm.
Pas një minute, vapori vazhdoi të rendte përpjetë lumit, në po atë drejtim ku ishte larguar edhe ajo më herët po atë mëngjes.
Muzgu i errët i verës po shuhej larg përpara dhe pasqyrohej në lumë, i mugët, i përgjumur e shumëngjyrësh; larg, nën të — nën atë muzg — lumi vezullonte ende aty-këtu me valëza që dridheshin, ndërsa dritat e shpërndara rreth e rrotull në errësirë rrëshqisnin e rrëshqisnin prapa.
Togeri rrinte ulur nën tendë, në kuvertë, duke u ndier sikur ishte plakur dhjetë vjet.
Alpet Detare
1925


