NË KËRKIM TË ÇORAPES SË HUMBUR
E di që s’ka njeri që së paku njëherë në jetë të mos jetë bërë nervoz nga zhdukja e njërës çorape, prandaj unë këtu do ta tregoj një përvojë të tillë.
Ishte dita e dytë që ndodhesha në Çikago dhe, meqë isha lodhur gjatë bredhjeve nëpër qytet, sapo hyra në hotel, nisa të shpërthekohem që në lift. Kur arrita në katin e tretë dhe u futa në dhomë, pallton e hodha në karrige, këmishën e shpërthekova dhe e hodha mbi pallto, pantallonat i zhvesha duke i shkelur me këmbë, pastaj çova këmbën e majtë mbrapa, si kali kur e mbathin, e hoqa çorapen dhe e fluturova mbrapa, e çova edhe të djathtën njësoj dhe e hodha po njësoj. Isha pak hapa larg shtratit dhe, në vend se të ecja, u hodha fluturim në atë bardhësi të butë.
Pas dy orësh u zgjova nga alarmi e telefonit. Nga shtrati u turra te banja dhe u lava sa për t’u kthjellë. Pastaj u ktheva në dhomë, vesha pantallonat, këmishën dhe mora njërën çorape, të majtën, e rrasa në këmbë. Shikova për të djathtën, s’ishte askund. Vura gishtin në kokë për ta kujtuar nëse kisha ardhur me dy çorape, apo me një. I shikova këpucët, të dyja ishin para meje. Derisa kam ardhur me dy këpucë, do të kem ardhur edhe me dy çorape. S’kisha arsye ta hiqja çorapen, se ndodh që më vret këpuca, por kurrë çorapja.
Ku e lëshoi toka?
Shikova orën. Edhe gjysmë ore fillonte ndeja në klub. Kisha menduar se i kisha marrë me vete katër palë çorape, por në fakt i kisha marr vetëm katër çorape. Kur sapo erdha, e pashë këtë gabim, e kuptova se, ndërkohë, kur po bëja çantën gati, po këndoja diçka bluz, një këngë për një modus vivendi à la Al Capone, dhe po numëroja pa e pasur mendjen. Kështu: Follow the Money, 1; See where it goes, 2; Follow the money, 3; That’s all you need to know, 4. Mjaftojnë. Mandej thjesht kisha kënduar: Shady business smellin’ funky/ Follow the money.
Para numërimit (jo të parave, por të çorapeve), kisha menduar se kisha marrë katër palë, por muzika më kishte habitur, dhe kisha numëruar vetëm dy palë, pra katër çorape. (Prandaj, çuditem me ata që thonë se shkruajnë nën tingujt e muzikës. Unë me muzikë as çorape s’di të palos. Muzika nuk është diçka anësore për mua, ajo kthehet në kuptim të atij momenti, unë jetoj për ta dëgjuar atë. E shijoj momentin, e përjetoj muzikën).
U sorollata nëpër dhomë. Shikova poshtë shtratit, s’kishte. Mbi tavolinë vetëm libri When I Left Home, dhe një filxhan i madh më tutje. Shikova në shportë, s’ishte. Nën karrige, jo. U ndala në mes të dhomës dhe thashë kjo po ma bën kastile. Është fshehur dhe po zgërdhihet, duke e parë që s’po mund ta gjej. S’është hera e parë që ma bën kështu. N’e gjetsha sonte, gjithmonë kam për ta lidhur me tjetrën kur ta heq. O të humbin të dyja, o asnjëra.
Mund të jetë mbrapa meje. Dhe u ktheva në sekondë. S’ishte. Mos ka hyrë në banjë e mallkuara? E hapa derën, shikova: gjithçka bardhë, asnjë çorape e zezë. Veç nëse ka dalë në korridor, ose ka shkuar në klub para meje, se më ka dëgjuar që do të shkoj dhe kur ia kam futur gjumë, ajo do të ketë thënë: meqë ky fjeti, po shkoj bile unë.
Jo, i thashë vetes. Thirri mendjes! Ajo është çorapja jote, jo hunda e një zyrtari qeveritar. Ajo është brenda dhe po tallet me ty. Mos e lyp në vende ku të thotë mendja, përderisa e hodhe krejt pa mend!
Meqë mbi objekte s’ishte, do të jetë nën to. I pëlqen të mallkuarës të jetë subjekt. U shtriva barkas dhe pashë poshtë karriges, shtratit dhe tavolinës. S’ishte. U ktheva në shpinë dhe shikova në tavan, se mos më kishte mbetur te llamba që varej pingul. Jo.
Ora po ecte. Si të shkoj në klub me një çorape? T’i vishja ato që kisha pasur dje e me të cilat kisha ecur gjithë ditën gjithkah, s’bëhej fjalë. Kështu që, më duhej ajo çorape patjetër.
M’u kujtua një zgjidhje. Do të shkoja pa çorape. Ishte dimër, po futja. E hoqa dhe tjetrën dhe mbatha këpucët dhe, meqë më ishte terur fyti duke sharë e duke u shkrryer nëpër dhomë, herë nën tavolinë, herë nën shtrat, u çova për ta pirë pak ujë nga shishja mbi tavolinë. Duke e kapur shishen, pashë filxhanin e bardhë dhe diçka të zezë në të. Hapa sytë dhe u afrova. E mallkuara ishte bërë kutullaç dhe s’bënte zë fare. I futa ngadalë dy gishta si pinca në atë filxhan të madh, e kapa dhe e mbajta para hundës, e shikova me sy të skuqur nga inati, pastaj e kapa me të dy duart dhe ia spërdrodha qafën. Ashtu të alivanosur, ia futa këmbën në gojë dhe e shkela. E mbatha edhe tjetrën, pastaj edhe këpucët, piva ujin, vesha pallton, dhe e pashë që kishin mbetur edhe dhjetë minuta. Në këmbë nuk e arrija, kështu që thirra një taksi.
Zbrita poshtë dhe kur dola para hotelit, kerri po më priste. Eca duke e shkelur me inat çorapen e djathtë dhe hyra. Shoferi turk më pyeti se nga isha e ku po shkoja. Ah, bëri, është ai plaku që ka luajtur në filmin “Sinners”. Është bërë shumë i famshëm muajt e fundit, edhe fëmijët e njohin. E shikova si dikush që vjen nga një tjetër botë dhe i thashë: ai është i famshëm që nga vitet ’50. Ktheu kokën mbrapa i habitur. Veç e shikova dhe heshta. S’i tregova që s’isha vampir, le ta zbulonte vetë. Ngreha kokën për të gjetur pak qiell mbi rrokaqiejtë dhe në majë të buzëve më erdhën vargjet: The clouds roll in across the moon, and the wind howls out your name/ And it feels like rain.
Pas pesë minutash, arrita dhe zbrita. Një kolonë e gjatë njerëzish po futej në lokal. U futa në radhë dhe, ndërkohë që shikoja lart tabelën e lokalit, shkelja mbi këmbën e djathtë me sa forcë kisha. Kur në skenë u ngjitë kitaristi me kapele të zezë, rroba kat të kuqe me jakë të zezë, me këmishë të bardhë me pika të zeza dhe me kitarë, thashë: ai më ka pritur 90 vjet, dhe unë, për fajin e një çorape të poshtër, do ta lija të priste edhe më. Dhe, sapo e mendova këtë, e shtypa edhe njëherë shputën e djathtë, ndërkohë që duart e kitaristit bënin gjëra të çuditshme me kitarën e kuqe me pulla të bardha. Dikush pas meje tha: He is a guitar killer. Edhe unë gati sa s’u bëra vrasës, thashë. U lodha aq shumë duke e kërkuar atë çorape, saqë, po të kisha pushkë, do ta kisha vrarë. Por, unë s’isha as Hemingway, as Al Capone. Tashmë në Çikago burrat e pushkës i gjeje vetëm në këngë: The gypsy woman told my mother/ before I was born/ “You got a boy child’s comin’/ Gon’ be a son of a bitch… I mean, a son of a gun)”. Më pëlqeu “gabimi” i çunit plak të Çikagos, dhe e godita edhe njëherë dyshemenë me këmbë. E meritonte ajo çorape e mallkuar.
MINUTAT E MËKATIT
– O atë, më beko, se kam mëkatuar! Kam ardhur të rrëfehem.
– Zoti qoftë në zemrën tënde që të rrëfesh mëkatet me sinqeritet, o bir!
– Shkova një ditë në McCarthy’s, & Toad, një Irish Pub në Porter Square. Ishin dy tre klientë, baristi Harry dhe unë. Edhe një zonjë pak më tutje. Mendoj se ajo ishte djalli vetë, sepse shikonte djallëzisht. Nejse. E pyeta baristin se mos e kishte vëlla baristin tjetër që mungonte. Po, tha, Peadar është vëllai im. O atë, Peadar është varianti irlandez i emrit Peter, Pietro, Pjetër. Domethënë: gur. Qysh tha Jezusi: Ti je Pjetri dhe mbi këtë gur do ta ngre kishën time. Më fal, nëse dola prej teme. Në lokal, o atë, si gjithmonë, muzika ishte irlandeze. Nuk e di nëse është mëkat të lëshohet vetëm muzikë e tillë. Teksa shihja gruan që vuante për të rënë në sy, në murin anash, përtej saj, ma zuri syri foton e poetit Seamus Heaney, dhe m’u kujtua vargu: I saw a spirit suffering and I said nothing. Ndërsa baristit i thashë: muzika është e mirë, por a ka mundësi ta lëshosh një këngë tjetër për mua? Po, patjetër, tha. Si quhet? Dirty Old Town by The Pogue. Qeshi, shkoi dhe e lëshoi. Shikova prapë shpirtin që vuante, por kisha vendosur t’i përmbahesha poezisë, të mos i dorëzohesha tundimit. Pasi u kthye, baristi më pyeti: Të pëlqen kjo këngë? Më kujton diçka, thashë. Është shumë popullore, tha. E di, por unë nuk e kisha dëgjuar deri para dy vjetësh kur isha në Pragë; atje e luajnë çdo natë, në çdo Irish Pub. Ti je nga Praga?, pyeti. Po unë s’jam nga Praga, o atë. Unë jam nga Pruga, le të themi. E di ti që Pragë domethënë prag, dhe pruga, ose hekurudha, ka shumë pragje? E unë jam rritur afër prugës. Po atij i thashë, në formë spirale, kështu: jo, jam nga Kaçaniku, Kosova, Ballkani… dhe sa po bëhesha gati t’i thosha Evropa, siç bëja zakonisht me amerikanët – shumica e të cilëve nuk janë të mirë në gjeografi, dhe u mjafton të prezantohem si evropian – ai më ndërpreu: E di ku është Kosova. Pastaj shtoi: Ke jetuar në Pragë? Po çfarë të jetuari, o atë? Ku dimë të jetojmë ne shqiptarët e shkretë! Thjesht kam predikuar pak dhe kam kthyer ndonjë gotë Guinness, natyrisht. Kështu i thashë edhe atij, o atë, duke ngritur gotën me birrë irlandeze. Dy xhaxhallarët e mi kanë luajtur në këtë këngë, tha Harry, dhe hyri në youtube e m’i tregoi. Ndërkohë, ajo që ishte djalli vetë e që po më tundonte, iku paksa e nervozuar. Mandej Harry nisi t’i priste ca fruta për koktej, ndërsa në trurin tim nisi të përzihej një koktej kujtimesh. Prandaj, edhe pse kam pirë shumë, mora mundin dhe erdha të rrëfehem dhe të pyes se a është mëkat, o atë, që, në vend se për Prishtinën, ku djeg ditët qe një çerek shekulli, më mori pak malli për Pragën. Nëse po, atëherë dije se janë vetëm katër minuta mëkat, o atë! Ma fal këtë mëkat! Hë, si thua? Më fal dot? Nëse s’më fal, póg mo thoin.


