Duke u përgatitur për këtë intervistë, isha në hall për pyetjet që do të duhej t’ia bëja yllit më rrezatues të muzikës elitare, ekselencës së tij, kitaristit shqiptar me famë botërore, Ehat Musa. Sikleti im ishte se, në gazetari, pyetja e parë është çelësi i suksesit të bisedës, prandaj me personalitete të tilla bashkëbisedimet nuk janë të lehta. Mirëpo, ndodhi ndryshe, ashtu siç e thotë fjala e artë popullore: “Njerëzit sa më të mëdhenj, aq më modestë janë!”.
Këtë ma vërtetoi Ehat Musa përmes thënies latine: “Horas non numero nisi serenas” (“Nuk i numëroj orët, përveç atyre të lumtura”), sentencë elegante, stoike dhe humaniste, që është deviza jetësore e Maestros. Ajo lidhet me topin e vogël në kopshtet e Palais Royal-it në Paris, i cili bie në mesditë çdo të mërkurë dhe i fton njerëzit të mos mbeten robër të errësirave të jetës. Artisti ynë, që nga rinia e hershme, ka preferuar kthjelltësinë dhe qetësinë, ndërsa me paqen shpirtërore ka pushtuar majat e famës botërore. Në këtë intervistë janë orët e lumtura, për të cilat Ehat Musa ka investuar zjarrin e zemrës dhe dritën e mendjes, nëpër dekada përpjekjesh të suksesshme që ia stolisin kujtesën.
Intervistoi Skënder Zogaj
I nderuari z. Ehat Musa, na flisni për fëmijërinë, familjen dhe fillet e formimit tuaj artistik.
Shtëpia ku kam lindur nuk ekziston më. Më 1912, forcat serbe dhe malazeze e dëbuan prej pragut të shtëpisë familjare gjyshen time me foshnjën e saj, babanë tim. Familja jonë arriti ta rimarrë shtëpinë kryesore vetëm gjysmë shekulli më vonë. Aty kam kaluar adoleshencën time. Duke ndjekur këshillat e vëllait tim të madh, Emrushit, stomatolog, i cili luante kitarë dhe kishte marrë mësime me Jovan Joviqiçin, vëllai im i dytë, Feto, më çoi në një recital të tij. Pikërisht atëherë lindi dëshira ime për t’u bërë kitarist.
Udhëtimi juaj me kitarë drejt Evropës dhe ndikimet muzikore në jetën tuaj?
Edhe pse shumë më vonë, zbatova parimin e Romain Rolland-it: “Të bashkosh pesimizmin e inteligjencës me optimizmin e vullnetit”, në fillim, për t’u hedhur në këtë rrugë të vështirë siç është arti, duhet një dëshirë shumë e fortë, një vrull i mbartur nga një dozë e mirë pavetëdijeje për vështirësitë që do të vijnë. Këtë dëshirë, profesorët e mi, Alirio Díaz në Itali dhe Alberto Ponce në Paris, dinin si ta zgjonin dhe ta ushqenin me një zjarr të brendshëm.
Teknika është e rëndësishme, sigurisht, dhe sa më herët të fitohet, aq më mirë, por nuk është ajo që ka përparësi. Para së gjithash duhet të rikrijohet bota e brendshme e fshehur pas notave. Dhe aty është imagjinata ajo që ka rëndësi, për të zbatuar, në një farë mënyre, atë që përshkruante Pablo Picasso, të dish ende të pikturosh si fëmijët.
Díaz na linte të mahnitur sapo luante disa nota. Diaz kishte një lehtësi të jashtëzakonshme në interpretim, një natyrshmëri dhe ndjenjë ritmi që e kanë muzikantët popullorë. Meqë shumë kompozime amerikano-jugore, si valset venezueliane dhe “aguinaldos”, janë muzikë popullore e përshtatur për kitarë nga vetë Díaz, ose e frymëzuar prej saj, si te Vicente Emilio Sojo, Antonio Lauro, Raúl Borges e Rodrigo Riera, ritmi është thelbësor dhe jo gjithmonë jepet saktë. Duhet të respektohen mirë theksat.
Për shembull, Emilio Sojo, në vend që të shkruante në 5/8, i ka shënuar disa pjesë në 2/4, me një triole dhe dy tetëshe, gjë që ndryshon kuptimin ritmik të pjesës. Díaz e refuzonte këtë notacion dhe i luante në 5/8, me tri tetëshe dhe dy tetëshe. Ishte gjithashtu i dalluar në muzikën e quajtur “klasike”: interpretimet e tij të Manuel Ponce mbeten të pakrahasueshme. Gjithashtu, ai ishte kitaristi i preferuar i Joaquín Rodrigo-s.
Ai vinte nga shkolla e Andrés Segovia-s dhe ishte asistenti i tij në Accademia Chigiana, në Siena. Unë kam ndjekur mësimet e tij në Alessandria dhe, falë letrës së tij të rekomandimit, mora një bursë për të shkuar në Paris.
Parisi, kryeqendra evropiane e kulturës, çka ju afroi në formimin tuaj artistik?
Alberto Ponce në Ecole Normale de Musique de Paris, kishte një tingull shumë të ngrohtë. Ai luante pothuajse pa thonj, gjë që krijonte një atmosferë të veçantë. Ponce kishte një ide të caktuar të tingullit, gjë krejt normale, pasi ai vinte nga shkolla e Emilio Pujol-it, i cili e ka zhvilluar këtë temë në një artikull të gjatë: “El dilema del sonido en la guitarra” (Loja me thua ose me tulin e gishtit). Pujol ishte vetë trashëgimtar i kitaristit të madh Francisco Tárrega, që ndryshoi interpretimin në kitarë.
Alberto Ponce bënte pjesë ndër ata interpretues jo gjithmonë të rregullt në koncert, tepër të ndikuar nga emocioni i skenës, por kur arrinte suksesin, ai ishte i plotë. Po ashtu edhe Julian Bream, të cilin e kam dëgjuar dhjetëra herë. Recitali i tij në amfiteatrin e Fakultetit të Drejtësisë në Paris qe i përsosur nga fillimi deri në fund.
Regjistrimet e Alberto Ponce-s të veprave të Tárrega-s dhe Pujol-it janë xhevahire. Gjithashtu edhe ato të Maurice Ohana-s. Ai ka punuar shumë me Ohana-n dhe arrin ta bëjë të kuptueshme gjuhën e tij delikate.
Nisma e jetës koncertale nga Kosova drejt skenës artistike ndërkombëtare të muzikës serioze?
Koncerti im i parë, në moshën njëzetvjeçare, në Deçan, u zhvillua në një mjedis shumë të veçantë: në koloninë e shkrimtarëve dhe të piktorëve. I ftuari i nderit atë vit ishte piktori i madh Ibrahim Kodra. Më vonë ai u bë mik i imi dhe realizoi një portret të madh timin, që më ka humbur. Më ka mbetur vetëm një portret i vogël, që ai e vizatoi shumë më vonë në Itali. Kodra më ftoi të luaja në Brescia, me rastin e hapjes së ekspozitës së tij, dhe në Milano, në studion e vet.
Kam qenë gjithmonë i pasionuar pas muzikës, sigurisht, por edhe pas arteve në përgjithësi. Në letërsi adhuroj Jorge Luis Borges-in dhe Marguerite Yourcenar-in, veçanërisht veprën e saj ‘Kujtimet e Hadrianit’, e cila më ka magjepsur.
Për pikturën, po e citoj Antoni Tàpies: ‘Nëse nuk mund ta ndryshoj botën, të paktën mund të ndryshoj mënyrën se si njerëzit e sodisin atë’. Dy artikujt e mi, ‘Mbi Vermeer-in’ dhe ‘Mbi interpretimin’, janë botuar nga revista “Përpjekja”.
Unë kam pikturuar shumë gjatë viteve ’90, madje kam realizuar dy ekspozita: një personale në Qendrën Kulturore të Garches-it, në rajonin e Parisit, dhe një tjetër kolektive në Bashkinë e Parisit 14. Jam shumë i lidhur me një pikturë ku i kam shkruar vargjet e Migjenit: “Thellë në vetën time flenë kangët e pakëndueme”.
Atdheu është hija që e ndjek artistin gjatë gjithë jetës. Si është puna me shtëpinë e fëmijërisë?
Ajo që më ka interesuar shumë ka qenë rindërtimi i shtëpisë familjare, në stilin e atyre të Beratit, të cilën serbët e dogjën gjatë luftës në Kosovë. E rindërtova me shpenzimet e mia, pa asnjë ndihmë, që të mos e rëndoja buxhetin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike, pjesë e të cilit shtëpia ka qenë dhe vazhdon të jetë.
E rindërtuam besnikërisht për sa i përket planimetrisë, ngritjes dhe pamjes së jashtme. Jo me qerpiç, por me tulla. Ndërsa brenda kam shtuar një oxhak, dritare të mëdha deri poshtë që hapen drejt kopshtit në anën jugore dhe, mbi të gjitha, kam ndryshuar hapësirën duke krijuar dhoma shumë të mëdha dhe duke hequr një pjesë të tavanit në katin përdhes për të hapur pamjen drejt çardakut, me një lartësi monumentale të brendshme.
Për fat të mirë, kemi një kopsht mjaft të gjerë, ku rriten pemë të mëdha. Më trishton të shoh se si gjelbërimi po zhduket pak nga pak nga qytetet tona dhe si po ngrihen gjithnjë e më shumë ndërtesa të larta, pa marrë parasysh mirëqenien që sjellin pemët. Të gjitha qytetet në Francë dhe gjetkë mbjellin pemë për të luftuar rritjen e temperaturave që i shkakton ndryshimi klimatik, pavarësisht opinionit të Donald Trump-it. Në vitin 1992 kisha kritikuar shkatërrimin e pyllit me pisha në Durrës.
Ku qëndron aktualisht Kosova?
Shumë do të kisha dashur që Peja të frymëzohej nga Rue Férou, në Paris. Shkoja shpesh atje për të takuar Marie-Françoise Allain, e cila punoi shumë për Kosovën me intelektualë të njohur.
Në Francë janë organizuar disa aktivitete në mbështetje të Kosovës. Pikërisht atëherë u mbajt në Les Halles një manifestim në përkrahje të Kosovës, ku mora pjesë së bashku me Rexhep Mitrovicën, Tedi Papavramin, Angelin Preljocaj dhe të tjerë. Gjithashtu isha pjesëmarrës edhe në veprimtarinë e organizuar në Aix-en-Provence nga kompania e Preljocaj-t. Për t’u kthyer te rue Férou, mbi një mur të madh, është shkruar dhe u ofrohet kalimtarëve poema ‘Le Bateau ivre’ e Arthur Rimbaud-së. Ne mund të bënim diçka të ngjashme me poetët tanë të mëdhenj.
Jeni i mirënjohur për punën artistike në skenat ndërkombëtare, por brezi i ri në Kosovë nuk është mjaftueshëm i njohur me veprimtarinë tuaj.
Sa u përket koncerteve, kam luajtur në mbarë Jugosllavinë, me dhjetëra herë në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, në Shqipëri me Orkestrën Filarmonike të Radio-Televizionit të Prishtinës.
Në Dubrovnik mora pjesë në emisionin e famshëm “Le Grand Échiquier” të Jacques Chancel. Bëra një turne të madh në Bashkimin Sovjetik. Kam qenë drejtor artistik i Festivalit të Budvës, kam dhënë kurse për pedagogë të rinj në Neum, përkrah flautistit të madh Alain Marion. Kam marrë pjesë në Festivalin e Muzikës së Vjetër në Saintes, në Charente të Francës, ku gjatë gjithë vitit organizohej “Musique en Pays Roman”, me shumë koncerte në kishat e vogla romane të rajonit. Këto veprimtari tërhiqnin jo vetëm melomanë që vinin nga larg, por edhe popullsinë vendase. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për ta afruar rininë tonë me muzikën klasike.
Në Paris organizova “Les Mardis Internationaux de Guitare” në kishën Sainte-Marie, si edhe “Festivalin Manuel Maria Ponce” në kishën Saint-Julien-le-Pauvre.
Keni performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat shumë artistë nuk kanë pasur rastin as t’i shohin me sy. Cilat janë më domethënëset në kujtesën tuaj?
\Kam dhënë dy recitale në Festival Internacional Andrés Segovia në Madrid dhe po aty zbulova në Museo Reina Sofía piktorin Julian Schnabel dhe pashë nga afër veprën madhështore e të tmerrshme “Guernica” të Pablo Picasso-s. Shpresoj që një ditë dikush nga piktorët tanë të krijojë një vepër ekuivalente për luftën në Kosovë.
Orozco më ka ftuar në “Manhattan Institute for the Guitar” në New York, me Narciso Yepes si president nderi. Kam luajtur edhe në Cathedral of Saint John the Divine, katedralja neogotike më e madhe në botë, në New York, ku interpretova vepra të Rafet Rudit dhe Rauf Dhomit. Kam luajtur gjithashtu në Sallën e Kopshteve Botanike në Bruksel, në Lausanne etj. Mirëpo, koncertet e mia më të rëndësishme kanë qenë ato në Salle Gaveau, në Paris, ku kam luajtur tri herë. “Le Nouvel Observateur” ka shkruar për recitalin tim dhe është shprehur: “Ehat Musa bën pjesë në oborrin e më të mëdhenjve!”
T’i kthehemi edhe pak kujtimeve për Kosovën.
Qyteti i Pejës më nderoi duke organizuar Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës, me Xhevdet Sahatxhijnë drejtor artistik, dhe themeloi Konkursin “Ehat Musa”, ku unë isha kryetar nderi i jurisë. Nuk e kuptoj, as sot, pse ky festival u ndërpre.
Qyteti i Gjirokastrës i dha emrit tim Çmimin e Madh të Kitarës në kuadër të Festivalit të Gjirokastrës dhe Konkursit “Tempo”.
Kitara është bashkudhëtari juaj më i devotshëm.
Kam pasur kitara shumë të ndryshme. E para ishte kitara e vëllait tim, e ndërtuar nga lutieri hungarez Ernest Köröskenyi në vitin 1956. Më pas kam përdorur kitara të José Ramírez, Friedrich, Antonio Marín Montero, Ignacio Fleta, disa José Romanillos, Kolya Panhuyzen, Michael Gee dhe Manuel Contreras.
Sot është një lutier kosovar, Arben Begaj, i cili punon jashtë vendit. Kitarat që më kanë pëlqyer më shumë kanë qenë ato të Romanillos-it, sepse frymëzohen nga lutieri i madh Hermann Hauser dhe nga “shpikësi” i kitarës moderne, Antonio de Torres. Më pëlqen tabela e harmonisë prej bredhi, që jep një tingull njëkohësisht të qartë dhe të rrumbullakët në regjistrin e lartë, dhe të ngrohtë në të ulëtin. Por bredhi e bën lojën më delikate, sepse emetimi i tingullit është shumë i shpejtë dhe kërkon një sinkronizim të përsosur të të dyja duarve. Kedri e transmeton tingullin më ngadalë. Diferenca është e hollë dhe zgjedhja mbetet personale, si për verërat.
Krijuesit janë gjithmonë aktivë, sepse arti është si lutja për bukën e përditshme. Frymëzimet për mësimet dhe masterklaset?
Për mësimet dhe masterklaset jam frymëzuar nga metoda pianistike e Walter Gieseking-ut. Në thelb, partitura duhet studiuar para se të luhet, madje edhe të mësohet përmendësh. Natyrisht, kjo nuk mund të bëhet me fillestarët, por sapo të jenë në gjendje, mund t’u jepen disa takte për t’i mësuar. Nuk duhet kurrë të bëhemi skllevër të partiturës; ajo duhet respektuar, por njëkohësisht duhet zhvilluar interpretimi personal, përndryshe do të ekzistonte vetëm një mënyrë për të luajtur një vepër. Vjen një moment kur mund të “fluturoni”. Po kështu vjen një moment kur një nxënës është gati të zhvillojë stilin e vet.
Disqet në Paris me veprat e Bach-ut ishin sukses që pati jehonë të madhe për ju dhe Kosovën. Si e kujtoni sot?
Kur dolën disqet e mia me veprat e Johann Sebastian Bach-ut, u pritën jashtëzakonisht mirë nga kritika e tribunave më të shquara publicistike: Diapason, Les Cahiers de la Guitare, Guitar Magazine, Stereoplay, Gendai Guitar…
Shkrimi i John Tano-s në Soundboard është për mua më vlerësuesi, sepse tek unë e ndien dhe e thotë se: “Është ngrohtësia dhe qetësia e interpretimit të tij që e bëjnë origjinalitetin dhe bindshmërinë e stilit të tij”. Ndërsa vlerësimi i Chris Kilvington-it në Classical Guitar është ai që më ka prekur më shumë, sepse mënyrën e interpretimit e konsideron si: “Një interpretim që na kujton se ende ekziston një bërthamë qytetërimi në zemër të shoqërisë sonë.”
Falë Alirio Díaz-it, unë isha ndër të parët që incizova versionin e plotë të ‘La Catedral’ të Agustín Barrios-it, së bashku me preludin. Në shtëpinë time dëgjova me Díaz-in një regjistrim ‘live’ të saj nga John Williams. Díaz menjëherë e shënoi në pentagram preludin, për mua dhe për veten. Në atë kohë askush nuk e kishte.
Më vjen keq që kam regjistruar vetëm rreth 3 deri në 4 për qind të gjithçkaje që kam luajtur gjatë jetës sime.
Nëse do të niseshit sërish nga fillimi, çfarë do të bënit ndryshe?
Nëse duhej ta nisja nga e para, nuk do të ndryshoja asgjë. Por do të kisha dashur të riregjistroja versione të reja të suitave të Bach-ut, për shembull. Jo që të jenë më të mira, por që të jenë ndryshe. Kam vizione të reja, por jo aftësitë fizike për t’i realizuar. Për mua, muzika e Johann Sebastian Bach-ut është kulmi i artit muzikor dhe do ta përfundoj këtë bisedë me fragmente tekstesh që mi shoqërojnë disqet:
“E rëndësishme është që fryma e muzikës të mbetet e paprekur dhe thelbi i muzikës së Bach-ut qëndron në strukturën e saj; ngjyra nuk është aq e rëndësishme. Arkitektura e saj e palëkundshme është ajo që lejon larminë e interpretimeve dhe madje të përshtatjeve.”
“A mund të mbyllen veprat brenda rregullave të interpretimit “autentik”? Nuk bëhet fjalë më vetëm për lirinë e interpretimit, por për një koncept tjetër të veprës së artit: të transpozueshme, të transformueshme, të gjallë.”
PS:
Me kënaqësi e them se, në gjithë karrierën time gazetareske, kjo është intervista që më gëzon më së shumti, sepse, kitaristi Ehat Musa, është ambasadori më i mirë që e ka përfaqësuar Kosovën në arenën artistike ndërkombëtare, kur emri i saj ka qenë fare pak i njohur në Evropë. Dhe, është Ehat Musa, njeriu dhe artisti që e ka afirmuar dhe ia ka bë me dije botës perëndimore se, “…ende ekziston një bërthamë qytetërimi në zemër të shoqërisë sonë…”


