Në duart e mia, pas dy shekujsh: Pushka e Ali Pashait të Tepelenës
“E morët vesh? U gjet pushka e Ali Pashait tuaj?”
Pyetja më erdhi papritur, mes muzikës dhe zhurmës festive në një anije që lundronte mbi Seine, në Paris.
Ktheva kokën menjëherë. Ishte shkëlqesia e tij, Mehdi Halimi, Ambasadori i Kosovës në Francë.
– «Çfarë? Ku? Kur?»
Ai hapi telefonin dhe më tregoi fotografitë që sapo i kishin mbërritur.Për një çast nuk dëgjova më as muzikën, as zërat përreth. I ngula sytë atij ekrani «të ftohtë», duke përthithur çdo detaj të një arme që nuk ishte një armë e zakonshme. Ishte pushka e Ali Pashait të Tepelenës.
Kanë kaluar katër vjet që, në njëfarë mënyre, jetoj me këtë figurë historike.
Biblioteka ime nuk mban vetëm libra për Ali Pashain, por edhe për Napoleon Bonapartin, Alexandre Dumas, dhjetëra autorë shqiptarë e të huaj, vëllime folklori të Jugut. Kam kaluar qindra orë në arkivat dhe bibliotekat franceze, duke lexuar korrespondencë diplomatike, raporte ushtarake, kujtime udhëtarësh e dokumente të kohës ; kam ndjekur gjurmët e Ali Pashait në rrethinat e Tepelenës, në Janinë, në qytete të ndryshme të Greqisë, në Paris e kudo ku më kanë çuar kërkimet e mia. Në çdo vend jam përpjekur të gjej libra të botuar në fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, kur Perandoria Osmane sundonte ende Ballkanin.
Megjithatë, deri atë ditë, marrëdhënia ime me Ali Pashain kishte qenë vetëm përmes dokumenteve. Kisha parë pak objekte autentike të tij: një pushkë në muzeun e ishullit të Janinës dhe çibukun e gjatë, rreth 1,62 metra.
Ndërkohë që Historia fliste, objektet heshtnin.
Derisa, mbrëmjen e 8 marsit, mbi një anije në Seine, Ambasadori i Kosovës më tregoi ato fotografi që sapo kishin mbërritur.
Kishim biseduar gjatë për projektet e mia kushtuar Ali Pashait dhe ai kishte ndjekur me interes kërkimet e mia.
I shkrova menjëherë koleksionistit Haziz Vardari. Nuk e pyeta sa kishte kushtuar, as ku e kishte gjetur, madje, as nuk e urova.
I shkrova vetëm: «Kur mund ta shoh?»
Ai qeshi : «Kur të kthehem.»
Ditën e takimit mbërrita gati gjysmë ore përpara.
-»Ke ardhur shumë herët. Nuk jemi gati!»– më tha me humor.
–”Nuk është faji im. Nuk kishte trafik.”
Ai vazhdoi të bënte shaka.
– «Jam i sigurt që më imagjinoje të të prisja me pushkën në krah, por vetë e ke fajin; nuk më le kohë!»
Qeshëm.
Besoj se padurimi im dukej qartë. Në mes të sallonit të madh, mbi një tavolinë të rëndë druri, qëndronte një objekt i mbështjellë me një cohë të vjetër.
Zgjata dorën.
– «Prit.»
Filloi ta çmbështillte ngadalë, me një kujdes si të ishte një objekt kristali.
Kur u shfaq e gjitha, mbeta pa fjalë, nuk ishte thjesht një armë.
Në ato çaste, kur frymëmarrja ime nuk ndiqte më ritmin e zemrës, përballë meje ishte një dëshmitare e historisë.
– «Kape me këtë copën. Mos lër gjurmë !»
Pastaj buzëqeshi.
– «Me emocionet që ke sot, mund të krijosh edhe ndonjë shkarkesë elektrike.»
Ai fliste, unë nuk dëgjoja më.E mora me kujdes, duke e mbajtur nga pjesa prej druri, pranë qytës.
– «Kujdes. Çdo kontakt me pjesët e tjera mund ta dëmtojë.»
Ishte shumë më e rëndë nga sa e kisha imagjinuar, kuptohet, jo vetëm për nga pesha, por për nga ajo që mbante mbi vete.
Nënqesha. Ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me pushkën model 56 që kishim mësuar përmendësh në zborr.
Në atë dru dhe në atë metal dukej sikur ishin grumbulluar beteja, vendime politike, fitore, disfata, pushtet, frikë dhe heshtje.
Për një çast pata ndjesinë se koha u tkurr, dy shekuj u shkrinë në atë dhomë.
Të prekësh një objekt që i ka përkitur Ali Pashait të Tepelenës nuk është emocioni i një koleksionisti, është takimi me historinë, një takim që të detyron ta shohësh ndryshe njeriun pas legjendës.
Për vite me radhë kam studiuar «Luanin e Janinës», «Tigrin e Epirit», «Napoleonin e Ballkanit», por atë ditë nuk po shihja më mitin.
Po përpiqesha të imagjinoja njeriun që e kishte mbajtur atë armë në duar :një burrë me ambicie, inteligjencë, mizori, vizion, gabime, përgjegjësi dhe dhimbje.
Historianët punojnë me dokumente; gazetarët kërkojnë dëshmi ; studiuesit përpiqen të rindërtojnë të kaluarën, por ka raste kur një objekt flet më shumë se mijëra faqe librash.
Kjo pushkë është një prej tyre dhe nuk është vetëm një armë.
Është një fragment i prekshëm i historisë sonë, shqiptare dhe ballkanike, një dëshmi e një kohe kur krisma e saj dëgjohej shumë përtej kufijve të Epirit.
Ajo na kujton se Ali Pashë Tepelena nuk jeton vetëm në kronika, gravura, romane, tragjedi, opera apo këngë ; ai jeton edhe në ato pak objekte që koha ka arritur t’i shpëtojë.
Kam në duar pushkën tënde, Ali Pasha!
Kam në duar pushkën tënde, Ali Pasha!
Ndjesia ishte e çuditshme, madje, shumë më tepër se kaq. Për një çast pata përshtypjen se nuk isha më në Paris, por se kisha rrëshqitur në një epokë tjetër.
Të prekësh një objekt që i ka përkitur Ali Pashait të Tepelenës nuk është thjesht një përvojë fizike, por është sikur të kapësh një fragment kohe që ende pulson.
E mbaja me kujdes, ashtu siç më kishte udhëzuar Hazisi dhe ndjeja se duart më dridheshin.
Nuk e di çfarë pa ai në fytyrën time, apo ndoshta nuk vuri re asgjë, por për mua ajo armë nuk ishte më një objekt ; ishte ciceronia e një kohe që kishte njohur beteja, vendime, fitore, disfata, krisma, heshtje dhe pushtet. Një dëshmitare e jetës së një njeriu që historia nuk e njohu vetëm për frikën që mbolli, por edhe për vetëpërmbajtjen dhe zgjuarsinë politike.
Ja ku ishim, unë dhe ajo, dy shekuj larg njëra-tjetrës ;
-»Atëherë?» – dëgjova zërin e Hazisit.
Dëgjova një zë të huaj që oshëtiu në atë hapësirë të panjohur më parë.
– «Është e rëndë… E preka- e ndjej- dhe ende arrij ta besoj…»
Ai buzëqeshi, u largua për pak çaste dhe u kthye me një plis me zhgabë në dorë.
Ma vendosi mbi kokë. Ndoshta unë vetë i kërkova ta bënim fotografinë, nuk më kujtohet ; më kujtohet (duke parë foton sot) vetëm se u vendosa përballë murit dhe pushka mbeti sërish në duart e mia.
Ishte ende po aq e rëndë, por tani nuk ndjeja vetëm peshën e saj, ndjeja një lidhje.
Hazisi nuk nxitoi.
Më la disa çaste vetëm me të, sikur e kuptonte se ai takim nuk kishte nevojë për fjalë.
Më dukej sikur isha përballë një dëshmitari që kishte heshtur për dy shekuj.
Kur ai e mori sërish me kujdes dhe filloi ta mbështillte, ndjeva një zbrazëti të pazakontë, sikur po më hiqnin nga duart jo një armë, por një pjesë të historisë që, për disa minuta, ishte bërë e imja.
Qëndrova në këmbë, në heshtje. Atëherë kuptova se historia nuk është vetëm ajo që lexojmë në libra, ndonjëherë historia ka peshë, dhe ajo peshë mund të matet vetëm kur e mban në duar.
Për një çast nuk isha më vetëm në të tashmen, por ndodhesha diku mes vetes dhe Ali Pashait të Tepelenës.
Jo të gjithë e përjetojnë historinë në këtë mënyrë ; disa e lexojnë, disa e studiojnë ndërsa unë
atë ditë, pata fatin ta prek.
Ndoshta sepse prej katër vitesh kam hyrë thellë në botën e tij. E kam ndjekur nëpër arkiva, letra diplomatike, udhëtime dhe dëshmi. Dhe kur më në fund preka një send që i kishte përkitur, ndjeva sikur kërkimi kishte marrë një përgjigje pa fjalë.
Ajo pushkë nuk ishte më një objekt muzeu, ishte kufiri ku studiuesja takon njeriun.
Deri atë çast kisha studiuar Ali Pashën, pas atij çasti fillova ta kuptoja.
Nuk ishte më vetëm «Luani i Janinës», «Tigri i Epirit» apo «Napoleoni i Ballkanit», por për herë të parë ai zbriti nga piedestali i legjendës : u bë një burrë prej mishi e gjaku, me ambicie,
me frikë, me dhunë, me zgjedhje dhe me përgjegjësi.
Historia kërkon gjithmonë ballafaqimet e saj.
Atë ditë mendova:
«Ali Pashai i Tepelenës, Veziri i Janinës, tani ju shoh ndryshe. Tani mund të flasim si dy qenie njerëzore. Pushteti juaj i përket historisë; detyra ime është ta kuptoj dhe ta rrëfej.»
Pse kjo pushkë ka rëndësi?
Sepse nuk është vetëm një armë, por mbi të gjitha është edhe një vepër mjeshtërie.
Zbukurimet e saj tregojnë se shqiptari nuk ndërtonte vetëm armë për të luftuar, ai i jepte edhe bukuri. Edhe në objektin që ndjell vdekjen, ai kërkonte të linte gjurmën e artit.
Ndoshta pikërisht aty qëndron forca e saj.
Nuk flet vetëm për luftën, por flet edhe për qytetërimin.
E ndiej se kjo pushkë nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit.
Një fjalë për Hazisin
Teksa largohesha, mendova se nuk e kisha falënderuar Hazisin.
Por për çfarë duhej ta falënderoja?
Që më lejoi të mbaja në duar pushkën e Ali Pashait? Jo, kjo është vetëm pjesa e dukshme.
Falënderimi i vërtetë është për diçka shumë më të madhe.
Për dashurinë me të cilën ai kërkon, ruan dhe shpëton objekte që janë pjesë e kujtesës sonë kombëtare ; për kontributin që u jep jo vetëm koleksionistëve apo studiuesve, por historisë shqiptare.
Për shekuj me radhë, mijëra objekte, figura dhe shumë të vërteta që lidhen me shqiptarët janë shpërndarë nëpër botë, janë përvetësuar, janë heshtur ose janë interpretuar sipas interesave të të tjerëve. Prandaj, çdo objekt që rikthehet në vëmendje është më shumë sesa një send i rrallë; është një copëz identiteti që rifiton zërin e saj.
Hazisi nuk e bëri këtë për dekorata, për tituj apo për një certifikatë mirënjohjeje. Jam e bindur se nuk ka nevojë për to. Ai e bëri si shqiptar !
E bëri sepse e do historinë e vendit të tij dhe beson se ajo duhet të njihet, të ruhet dhe të rrëfehet me fakte. Në një kohë kur shpesh të tjerët përpiqen të shkruajnë historinë tonë, kemi nevojë për njerëz që punojnë në heshtje për ta mbrojtur atë.
Prandaj, Hazis, në emër të studiuesve, të historianëve, të gazetarëve dhe të çdo shqiptari që e ndien historinë si pjesë të identitetit të tij, ju shpreh mirënjohjen time, sepse Shqipëria ka nevojë për më shumë njerëz si ju, të cilët nuk kërkojnë lavdi për veten, por lënë pas një pasuri që i përket brezave. Dhe kjo është forma më fisnike e patriotizmit.
Cili është Hazis Vardari
Kalindur më 1968 në Schaerbeek, Belgjikë, në një familje emigrantësh me origjinë shqiptare. Ai u rrit në Bruksel së bashku me vëllain e tij Alil Vardar, i njohur si aktor dhe autor komedish.
Që i ri u lidh me botën e skenës. Fillimisht punoi në prapaskenë, në teknikën e spektakleve, përpara se të ndërtonte së bashku me vëllain e tij një rrugëtim të madh në teatrin privat.
Në vitet 1990, vëllezërit Vardar krijuan ambiente të para teatrore në Belgjikë, më pas u shtrinë në Francë. Hazis Vardar u bë një nga figurat e rëndësishme të teatrit privat francez, veçanërisht në Paris. Ai ka qenë i lidhur me teatro si:
-Le Palace – një sallë historike e Parisit që ai dhe vëllai i tij e morën dhe e rikthyen në aktivitet pas një periudhe rinovimi.
-La Grande Comédie
-Comédie Saint-Martin
Ai njihet më shumë si producent dhe drejtues artistik, duke mbështetur komedi dhe spektakle të shumta.
Projekti Banksy Museum
Një nga projektet e tij më të njohura është krijimi i Banksy Museum, një koncept ekspozitash immersive që prezanton riprodhime të veprave të artistit britanik Banksy në një ambient muzeal. Projekti u shtri në disa qytete ndërkombëtare.
Lidhja me identitetin shqiptar
Nuk ka shqiptar që nuk e njeh Hazisin jo vetëm në Paris, por në gjithë komunitetin shqiptar jashtë kufijve francez. Madje ai nuk do të flasin për të as për çka bën për komunitetin shqiptar.
Hazis Vardar është një nga figurat e diasporës shqiptare që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Francë dhe Belgjikë, duke bashkuar biznesin, artin, teatrin dhe trashëgiminë kulturore.
Hazis Vardar është një producent dhe sipërmarrës i njohur në botën e teatrit dhe spektaklit në Francë. Me origjinë shqiptare, ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme duke u bërë një nga figurat e rëndësishme të skenës kulturore franceze, veçanërisht në fushën e prodhimit teatral.
I lindur në Belgjikë në një familje me origjinë shqiptare, Hazis Vardar ka krijuar dhe zhvilluar projekte të shumta artistike, duke drejtuar teatro prestigjioze në Paris dhe duke mbështetur krijime të ndryshme skenike. Përvoja e tij shumëvjeçare në prodhim, organizim dhe menaxhim kulturor e ka bërë një profesionist të respektuar në Francë.
Së bashku me Hazis Vardarin jemi të angazhuar në dy projekte të përbashkëta artistike, ku njëri prej tyre ka në qendër figurën historike të Ali Pashait të Tepelenës. Në këtë projekt ne jemi të dy producentë, të bashkuar nga dëshira për të sjellë një histori shqiptare në një dimension franko-shqiptar, përmes artit dhe kulturës.
Mbështetja dhe përvoja profesionale e Hazisit përbëjnë një vlerë të madhe për këtë projekt dhe një kontribut të rëndësishëm për komunitetin shqiptar. Angazhimi i tij tregon se suksesi i diasporës mund të shndërrohet në një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Francës.
Faleminderit Hazis !
Ne do ta sjellim Ali Pashain të marrë pushkën e tij në Paris !


