Titulli i librit, Përimtime, i autorit Abdullah Zeneli, paralajmëron një ligjërim ndryshe, një tekst letrar tjetërsoj, që në emër të letërsisë, sugjeron kundërvënien totale, mbase përmbysjen konceptuale, gjithnjë për të shkallmuar shkarrashkrimin e ulur këmbëkryq në letrat shqipe. Botëperceptimi si “antiletërsi”, një përceptim që më vjen prej lojës me fjalën, jo lojës për lojë, po të qajes kundërvënëse, në treguesit formësues të letërsisë. Në materien e librit, gjithnjë në emër të letërsisë, pra për t’u kthyer në letërsi, lidhet para sëgjithash me praninë e zhanrit letrar të lëvruar. Në krye të librit ka një shënim të autorit Raymond Queneau, në frëngjsht dhe në shqip, të cilin po e sjellim këtu simbas fusnotës në gjuhën shqipe:
“Disa e kanë parë atë [“Ushtrime stili” 1947], si një përpjekje për ta përmbysur letërsinë. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Sidoqoftë, qëllimi im ishte thjesht të bëja ushtrime.”[1],
që luan rolin e paratekstit, por njëherit edhe të një “provokimi” autorial mbi atë që përfaqëson letërsia. Përmendja e shkrimtarit francez, në kuptimin formal, përfaqëson implikimin e parë, mbi zhanrin e lëvruar. Gjithashtu në parathënien e imtësuar, të Gani Bytyçit, kemi këtë përcaktim:
“Do thënë se me këto tregime të shkurtra – proza poetike, A. Zeneli dëshmon një kulturë të admirueshme letrare, historike e kulturore.”[2],
duke shënuar stilemën e dytë të përcaktimit zhanror të këtij teksti. Pa hyrë ende në hapësirën e tekstit letrar, kemi dy gjasa, mbase dy mundësi të zhanrit të lëvruar, të largëta ndërmjetshëm, sikur janë ushtrime stilistike apo kemi të bëjmë me lëvrimin e prozës poetike. Shqiptimi autorial, si “antiletërsi”, të kthimit në letërsinë me shenja estetike, lidhet me përcaktimin e zhanrit/zhanreve të lëvruar në këtë libër. Ndërthurja e tharmit letrar, me dije filozofike, si dhe me piketa historike, po ashtu edhe me figura të shquar të historisë botërore dhe shqiptare, sidomos të letërsisë, e kthen në një rebus apo prizëm estetik. “Amalgama” e shkrimit, e mirëmenduar enkas, letrar dhe më përtej, e shpie situatën gjer te zanafilla e shkrimit, që është zgjerim i domosdoshëm, për të nisur shpëtimin nga “mungesat letrare” të shumta dhe uluritëse, që për çudi ka kapur majën e hierarkisë letrare. Libri Përimtime, është një tekst autorial, në pamje të parë i tejtërsojmë, ndonëse në thelbin shkrimor duket si antiletrar, përkundër pandehmave të shumta, shënon një klithëm kundër hierarkizimit zyrtar apo klanor, që e kanë ngrirë ligjërimin letrar, në të djeshmen, që përkon me socrealizmin, si dhe me të sotmen e zhurmuesve, me libra e “broçkulla” shkrimore. Sugjerimi, pra si akt i shpallur “antiletërsi”, si shpalim i nënvetëdijes, është një thirrje për t’u kthyer në letërsi, jo të mbetemi përjetësisht në parullëzim dhe llafollogjema, propagandë dhe shërbesë, kalambure dhe stilizime monotone, po të lëvizet drejtë një formësimi të teksti letrar, reagues dhe kundërshtues, për të shenjuar mes fjalës, energji çliruese, për të mundësuar katarsën, pastrimin shpirtëror, të pashmangshëm në shkrimin letrar.
Zhanër sinkretik
Në pikëpamje formale, ky libër, pavarësisht përcaktimeve të ndryshme, herë si ushtrime stilistike apo si gjurmë letrare, këto tekste, në formësimin tipik teorik, mbi zhanret letrare, mund të emërtohen edhe si prozë poetike, gjithnjë duke e lënë të hapur mundësinë e gjurmimeve për përcaktime të tjera. Teorikisht, përcaktimi prozë poetike, një nënlloj letrar, mbase një zhanër i ndërmjetëm, që përftohet duke shkruar një tekst në prozë, por që ka një dinamike ritmike, poetike. Megjithatë, po të vështrosh në brendësi të materies letrare, secilin tekst të librit Përimtime, por edhe tërësinë e materies letrare, vëmë re:
A – Në secilin tekst, kemi prani dhe rol të narrativës, ku autori-rrëfimtar, kalon nga njëra gjendje në tjetrën, madje shpesh duke e përmbysur situatën, si dhe secili tekst formalisht është shkruar në rreshta, njëherit duke shpërfytyruar prozëshkrimin, shpesh gjer në paradoks.
B – Ritmika e frazës, e cila e shpie gjendjen letrare, deri në nivelet e shkrimit poetik, po ashtu ndeshim figurshmërinë, si dhe në mënyrë të veçantë, spiktatet prania e një –un-i, me ndjesi të forta dhe të brishta, të cilat skicojnë një pamje të mirëfilltë poetike.
C – Në disa tekste të këtij libri, po ashtu kemi situata të qarta dialogjike, të cilat shpalosen si dialogim me veten, me të tjerët, ku ai dhe ajo, identifikojnë kahje të ligjërimit dramatik, sidomos kur “dialogon”, me Molierin, Brehtin, Joneskon etj. , situata bëhet më e qartë, mbi këtë ngjyresë të shenjave dramatike.
Në pikëpamje formale, këto tekste rebuse letrare, mund të emërtohen edhe si proza poetike, ndërkaq lënda e tyre, formësimi ligjërimor me një larmi letrare, është më tepër se sa kaq, madje më tepër, materia letrare e librit Përimtime, anësohet nga thurja e sinkretikës letrare, e bashkëshkrimit të gjinive dhe zhanreve të ndryshëm letrar.
Poetika e numrave
Kuptohet që roli i fjalës letrare në librin Përimtime, vetvetiu na shpie kah poetika, gjurmimi dhe shenjimi i saj. Megjithatë, në këtë libër, prania e numrave, roli i tyre, në ekspozimin dhe strukturimin e teksteve, bën që gjithçka e materies letrare, të vështrohen edhe në këtë përbashkësim, të fjalës dhe numrave, si dhe të vënies përballë e të dyja anëve. Fjala, nga sa paraqet libri, e pranishme në tekstet e shumtë, herë si poezi, herë prozë a dramatikë, e ndonjëherë edhe si etikë, filozofi ose polemikë, pamëdyshje që ka peshën kryesore edhe në këtë rast, ku numrat kanë peshë të përfillshme. Nga ana tjetër, në paraqitjen e këtij libri, duket se edhe numrat kanë rol të posaçëm, në formësimin dhe shpalimin e kësaj brendie jo pak të trazuar, autoriale dhe tekstore, si formësim dhe ligjërim. Veçanërisht, në këtë analizë, e kemi fjalën për numrin tre, me rol për të endur triptikun, ku formësohen pesëdhjetë vatra ligjërimi, të cilat shpalohen si versione, variante apo inversion letrare, gjë që tregon një përvojë njohje, por diçka më tepër, një aftësi shkrimi, për të mbërritur te eksperimenti, krejt i pazakontë në llojin e vetë. Me anë të kombinimit të teksteve si triptik, janë realizuar njëqind e pesëdhejtë tekste letrare, vërtet të njëjtë në formë, por të ndryshëm në tharmin estetik. Libri Përimtime, jo rastësisht hapet me formulimin TRIPTIK, që pasohet nga tre tekste, përkatësisht me titull Unë, Ajo dhe Ata, si një mënyrë e thurjes së teksteve me anë të kësaj teknike shkrimi. Krahas numrit tre, për të thurur triptikun letrar, në këtë eksperiment të mirëfilltë, për ta materializuar si tekst eksperimental, është edhe numri dymbëdhjetë. Të gjithë tekstet e librit Përimtime, janë realizuar vetëm me dymbëdhjetë rreshta, për të endur njëqind e pesëdhjetë tekste letrare, ku bashkëlidhen esencat letare, të prozës, poezisë, dramatikës apo të shenjave të tjera ligjërimore. Mjafton të sjellim pranë lexuesit tekstin:
Dymbëdhjetiane
Dymbëdhjetë muaj zgjatën përgatitjet. Dymbëdhjetë javë iu dha afat kumtesave. Nga dymbëdhjetë faqe formati a4 me times neë roman dumbëdhjetë pikësh. Dymbëdhjetë folës qenë përzgjedhur. Dymbëdhjetë medie e përcollën. Dymbëdhjetë shekuj duheshin përfshirë. Dymbëdhjetë apostujt e mendimit qenë përcaktuar. Dymbëdhjetë orë zgjati simpoziumi. Nga dymbëdhjetë minuta pushim për kafe qenë kërkuar. Dymbëdhjetë herë ndërhyri kryesuesi për zgjatje kohe. Dymbëdhjetë tërheqje vëmendjeje për auditorin për pëshpërima. Një auditor ky me dymbëdhjetë ndjekës. Mbështetur nga dymbëdhjetë sponsorë. Dymbëdhjetë![3]
që mban peshën kryesore të formulimit me dymbëdhjetë rreshta, si koncept i shtrirjes së një viti, ku bashkë me mesazhin e domethënies për një takim akademik, një realitet monoton të përditshmërisë sonë, situata ligjërimore, shkon gjer në absurd. Në të gjithë tekstet e librit, janë përdorur vetëm dymbëdhjetë rreshta, duke u kthyer në një model shkrimi stilistik, si dhe në një kod të zbërthimit të misterit që mbart ky numër dhe gjithë libri.
Teksti Përimtime, sugjeron një materie letrare, të tjetërsojme dhe të ndërlikuar, së paku në letrat shqipe. Qenësia e substancës shkrimore tjetërsoj, me gjasë e tjetërfarshme, veçanërisht lidhet me pamundësinë për një përcaktim përfundimtar të zhanrit të lëvruar. Më e rrokshme kjo situatë e ndërlikuar, bëhet nga kundërtia logjike/alogjike, që bartin tekstet, si dhe nga shprehësitë e kundërtive gjuhësore. Po kaq, një libër i ndërlikuar, sepse në hapësirën e teksteve, gjenden shenja poetike, të prozës dhe dramatikës, madje të polemikës dhe reagimit, duke dëshmuar laryshi ligjërimi letrar. Kuptojmë se me këtë libër, kemi risime letrare, gjë që në letërsinë botërore, është materializuar me kohë. Model i letërsisë ndryshe, madje të komplikuar, është libri “Uliksi” i shkrimtari irlandez James Joyce, botuar për herë të parë në vitin 1922, një roman nga më të vështirët, si dhe një eksperiment i përfunduar. Nuk kemi qëllimin të bëjmë përqasjen, por vetëm të prekim hullinë e shkartisjes letrare, deri në përmbysje, si gjurmë të “antiletërsisë”, praktikë e sprovave dhe eksperimenteve, të rrugëtimit të letërsisë.
Dialog me veten dhe me botën
Tekstet e librit Përimtime, në formën shprehëse, të jashtme dhe të dukshme, por njëherit edhe të frymëzimit shtytës, që gjithsesi mbetet mister, është një dialog i mirëfilltë. Është dialogim i gjallë, i shtrirë nëpër vite, që më në fund gjeti shtegun e daljes në dritë, sepse e shembi murin, për të shkuar te Tjetri, lexues apo antilexues. Thelbi i një eksperimenti letrar, ku të bësh “antiletërsi”, në emër të letërsisë, është komunikimi nëpërmjet dialogut, thellësisht të brendshëm, deri në daljen e librit, që megjithatë e shkallmoi zhguallin ku ishte ngujuar për shumë vite. Teksa e rilexova librin, më erdhi ndër mend ideja e autores franceze, Sophie Képès, kur shkruan:
…shkrimi është e vetmja hapësirë ku ti mund të marrësh frymë lirisht, dhe kjo e bën një dhuratë absolute.”[4],
një akt domethënës që autori i librit e ka realizuar me tregimet, poezinë, dramat, me shumë libra të tjerë, duke dëshmuar se letërsia është hapësirë lirie e pambarimtë, mbase e vetmja strehë ku ndeshim lirinë. Megjithëse fjalët, konceptet, nuancat, kuptimet, keqkuptimet, thëniet dhe heshtjet, burojnë nga brenda qenies, ndërkaq dialogimi, si një rrebesh apo tërmet shumëballësh, ka si adresime, këto pista:
Së pari: Dialogu me veten, që është kumti kryesori, është përsëdytësi që e ndjek kudo qenien, ku dje, sot dhe nesër, janë shenja reale dhe fiktive. Diçka më tepër, një kohë e pamatshme, e ngrirë në këtë grimëkohë, kur shumëçka është përmbysur, është tjetërsuar gjer në shpërfytyrim, e tanimë vetëm ëndrra ka mbet, as e gjallë, as e vdekur dhe po shqiptohet pa vramendje.
Së dyti: Dilaog me botën, më përtej kufijëve që na rretheqarkojnë ditët dhe motet, e cila është çmendur nga etja për pasuri dhe famë, nga kërkimi i paqes përmes luftës, nga hapja e betejës absurde në mes qytetërimesh, kur dihet se fitilat, zakonisht i ndezin sundimtarët, në emër të egos së pushtetit, që secilën ditë e shpërfytyron qenien, e largon nga vlerat e humanizmit.
Së treti: Dialog me historinë, dëshmitaren e fatit të qenies, të historisë siç ka ndodhur, jo dokrrat e shkruara nga sharlatanët, që gënjeshtrën e veshin me pelerinë vërtetësie, dialog me filozofinë, dijen e dijes së fatit të botës dhe të qenies njerëzore, me të gjitha figurat e ndritura të saj, si një udhëtim që do të duhet ta realizojë qenia, për të mos e humbur drejtimin e përparimit.
Së katërti: Dialogu me letërsinë, që është më i gjeri, përherë i pranishëm në librat e autorit, si larmi shprehjeje, me yjet dhe prijësit e epokave të shkëlqimit, pra me shkrimtarët e secilës kohë dhe hapësirë, të letërsisë botërore, duke përmenduar autorë dhe vepra, si një adhurues i gjithçkaje të bukur. Me po atë frymim, në këtë dialogim të pambarimtë, përmend shkrimtarët shqiptarë, mjeshtrat e shkrimit të letërsisë, duke thurur një aureolë për letrat shqipe, si një kujtesë dhe himn. Letërsia, në kohët gri, pra edhe në tanishmëri, me sa duket, ka mbetur hapësira e fundit e lirisë, letërsia ëshë zhgualli që nuk epet, është qela unike e shpirtit, anipse gjallin në trazime të shumta.
Dialogjet e librit, në një kuptim, të ndërmendin dialogjet sokratike dhe platonike, që jehojnë prej lashtësie, por si formë ekzistimi, sepse në esencë tekstet e librit, janë antidialogje, që zhvillohen në një botë shurdhane dhe memece, kredhur në limontinë e jetës bosh, pa ideale dhe moral, prandaj pa të nesërme.
Paradoks tekstesh të një libri të hapur
Leximi i librit Përimtime, një qasje e beftë shkrimi, që përbëhet nga disa imta të holla, të krijon ndjesinë e absurdit, me gjasë të një paradoksi, përcjellur me ligjërim të përmbysur. E thënë më shkoqur, është një libër që ngrihet mbi kundërtinë, sprovën dhe eksperimentin e pranishëm. Kundërtia ose shtjellimi vetanak, formësohet nga roli që merr përdorimi i triptikut, një kamer letrare, me kahje të një ligjërimi preciz. Në radhën e kundërtive letrare, më unikja, është përdorimi për secilin tekst, të strukturës me dymbëdhjetë rreshta/vargje apo dialogje, që vetëm e thekson tiparin e letërsisë precize, që ta përkujton klasicizmin francez, të shekullit të XVII. Nga leximi dhe rileximi i teksteve, ku vlen ideja e I. Calvino: “Përfundimi që kam arritur është se leximi është një veprim pa ndonjë qëllim të caktuar; ose që synimi i tij i vërtetë është leximi në vetvete. Libri është një mbështetës i tij, apo madje një pretekst…”[5], që krijon një premisë për të depërtuar në labirinthet e librit Përimtime. Rileximi i tekstit, më bëri të kuptoj, që përveç triptikut dhe dymbëdhejtë rreshtave, është përdorur edhe teknika e shkrimit letrar, si version, variant dhe inversion. Megjithatë, këtë “pamundësi” teorike, autori në tekstet e këtij libri, ka materializuar tri gjendje shkrimi, përplotësuese dhe në kundërshti me njëra-tjetrën:
-Versioni letrar, mënyrë e plasimit të ligjërimi kundërvënës, të shprehësisë autoriale, për të ardhur në letërsi përmes përmbysjes semantike dhe shprehëse, vetëm si ligjërim letrar, ku janë shtatëdhejtë e tetë tekste, si forma më e parapëlqyer në libër.
– Inversioni letrar, që ngjan me version, madje shqiptohet duke sendërtuar disa kahje ligjërimi të një kundërvënie semantike dhe shprehëse, gjë që ngjet në tridhjetë e gjashtë tekste.
– Varianti letrar, forma e ligjërimi paradoksale, ku e njëjta ide, paraqitet në disa mënyra ligjërimi. Kjo ngjet në vatrat ligjërimore Vitratje, Kontrastiku, Nudiadë, Kritikuce, Incestik, Dramatike, Asketi, Formulë dhe Ribëriana, ku janë përfshirë njëzet e shtatë tekste, si dhe tre raste, ku bashkëshkrihen version me varantin, siç ndodh me vatrën Kurtizania, që shpaloset në tekstet Hyrje, Rrëfim 1, Rrëfim 2, Kurtizania 2, posaçërisht në tekstet Parantezë, Rrëfim 3, Rrëfim 4, Kurtizania 3, A posteriori, Rrëfim 5 dhe Rrëfim 6, duke përmbyllur numrin njëqind e pesëdhjetë tekste, të pranishme në libër.
Përimtime, një libër eksperimental, që shqipton një letërsi ndryshe, duke iu kundërvënë modeleve skematike, e mbi të gjitha duke mbetur një libër i hapur, që prêt lexime të pambarimta.aa
[1] Abdullah Zeneli, Përimtime, shprehje e marrë [“Ushtrime stili” 1947], të autorit francez Raymond Queneau, Buzuku, Prishtinë, 2025, f. 5.
[2] Po aty, f. 10.
[3] Abdullah Zeneli, Përimtime, Buzuku, Prishtinë, 2025, f. 55.
[4] Sophie Képès, Çpërkatësia (Psikologjia e krijimit letrar), Buzuku, Prishtinë 2025, f. 17.
[5] Italo Calvino, Nëse një natë dimri një udhëtar, Tiranë, Botimet Dudaj, 2012, f. 276-277.


