Disa herë e shoh të arsyeshme të shkoj tek lexuesi me tekstet e mia, sepse debatet e linduara ndërmjet artistësh keqinterpretohen ndërvedi, si edhe shkaktojnë keqinformim në publikun artdashës. Një prej më të fundit është tronditës. Ai lidhet me mohimin në art të realizmit socialist në Shqipërinë e para viteve `90. Mohuesit pranojnë se artistët shqiptarë kanë krijuar vetëm art realist. Madje shkojnë edhe më thellë, mohojnë ekzistencën e edukimit me metodën e realizmit socialist në shkollat e artit të atyre viteve. Dhe, kjo ide hidhet dhe justifikohet nga individë që kanë qenë artistë komunistë, të organizuar apo anëtarë partije, të cilët kanë drejtuar ose kanë qenë pjesë aktive e organizatave dhe institucioneve artistike, të asaj kohe.
Historia shqiptare i ka përcaktuar periudhat e zhvillimit të artit pamor shqiptar. Ato e formojnë fizionominë e tyre të kushtëzuara nga zhvillimet fetare, sociale, politike dhe ekonomike në trojet shqiptare. Një nga vetitë e dukshme është se periudhat e zhvillimit deri në dhjetëvjecarin e parë të shekullit XXI nuk kanë ecur në një linjë kohore me artet pamore të zhvilluara në vendet perëndimore europiane dhe ato ballkanike. Ky tekst nuk merr përsipër të shtrihet në të gjitha periudhat kohore, sepse edhe epiqendra e informacionit gjendet aty ku filloi të lulëzojë arti jofetar në trojet tona, i cili e anashkaloi artin fetar dhe theksoi dallimin ndërmjet tyre.
Kishat ortodokse lindore, në trojet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, ishin dhe janë mjedise, në muret e të cilave, shfaqen imazhet biblike. Ato janë afreske ose piktura murale, ku duken imazhet e martirëve. Dhe në ikonostas bëhen të dukshme ikonat e shënjtorëve. Ato janë imazhe të pikturuara mbi dru, që mendimtari i gjithanëshëm Pavel Florencki (1882-1937), artin e bërë nga ikonabërësit e quan “artin e të gjitha arteve”, në librin e tij të fundit “Ikonostasi, esse mbi ikonën dhe arti”, i shkruar në vitin 1922. Rënia e kurbës së lulëzimit të artit fetar mesjetar bizantin dhe pasbizantin, në Shqipëri, ndodhi në mesin e shekullit XIX. Thuajse në kohën kur lindi Kolë Idromeno (1860-1939), piktori i shquar shkodran. Ai është artisti i parë që pikturoi subjekte dhe akte jofetare, i ndihmuar edhe nga teknika fotografike e ardhur në Shqipëri, në mesin e shekullit XIX. Në fund të këtij shekulli nisi rrugëtimi i arti figurativ realist.
Rreth “Realizmit”
“Realizmi”, si lëvizje artistike, në artet pamore, ka një gamë të gjërë zhvillimesh deri në ditët e sotme. Përmes imazheve më përfaqësuese i ka dhuruar botës një kronikë njohjeje gjithëpërfshirëse të historisë së shoqërisë njerëzore.
Në Shqipëri, gjatë gjithë shekullit XX, në art lëvrohet, me dhjetëra cilësi të ndryshme të figuracionit, “Realizmi”. Njohja me cilësitë e tij bënë të mundur të kuptohet thellësisht ndryshueshmëria e tij nga dy drejtimet e tjera: “Realizmi social” dhe “Realizmi socialist”, për të cilët artistët më të mirë të traditës dhe ata bashkëkohës krijojnë me ose padashje kakofoni mendimesh. Unë thjeshtë kam një hamendësim për të parët. Ajo është tronditja që ata ndejnë, sepse kanë krijuar në kohën e komunizmit sipas parimeve të metodës së Realizmit socialist. Dhe kam një mendim për ta. Nuk kanë pse tronditen, sepse, gjatë asaj kohe, ata për të qenë artistë dashamirës me artin, profesionistë dhe në konkurencë krijuese, e kishin kërkesë të përgjegjshme të bënin art. Kjo atmosferë krijuese ka bërë që disa vepra të krijimtarisë së tyre të jenë përfaqësuese të periudhës historike, që shprehin aftësi dhe cilësi të larta krijimi, si dhe janë dëshmuese të ndryshimit thelbësor ndërmjet “Realizmit”, “Realizmit social” dhe “Realizmit socialist”. Një vëzhgim i shkurtër, i thjeshtë, estetik dhe historik mbi të tre drejtimet artistike, ku baza e tyre është figuracioni dhe fjala realizëm, është nisja e një rrugëtimi mbi kuptueshmërinë e keqinterpretimeve dhe keqinformimeve.
Historia botërore e artit e përcakton si pikënisje të “Realizmit” mesin e shekullit XIX. Ai lindi në Francë. Në fillim të shekullit XX u përhap në ShBA. Artistët e tij kundërshtuan parimet e idealizmit romantik. Kushtet e lindjes së tij u përcaktuan nga Revolucioni Francez dhe ai Industrial. Zhvillimet e tyre ndikuan në rritjen e numrit të klasës punëtore dhe në ndryshimin e mënyrës së jetës. Një faktor i rëndësishëm i shfaqes së këtij stili është lindja dhe zhvillimi me shpejtësi i fotografisë. Ajo nga njëra anë sfidoi deri diku pikturën si formë përfaqësimi dhe nga ana tjetër i dha asaj një seri elementesh, për tu afruar me të vërtetën dhe natyrën. Artistët e parë realist si: Courbet e Camille Corot etj. sfiduan fotografinë duke pikturuar mjedise dhe personazhe të thjeshtë, që nuk ishin përfillur më parë. Këta artistë të hershëm të “Realizmit”, kërkuan teknika të reja dhe e revolucionarizuan pikturën.
Në vendet europiane “Realizmi” ishte një mënyrë e të menduarit dhe një lëvizje arti. U përfaqësua kishte një grup artistësh dhe platforma e tyre. Ata, jo vetëm krijonin por shprehnin mendime për ekzistencën, progresin dhe ndryshimin. Piktori Gustave Courbet (1819-1877), njëri prej liderave të “Realizmit” shkroi se: “Unë kam marrë përsipër misionin për të reformuar botën përmes artit”.
Kur flasim për stilet në art, në kushtet e Shqipërisë feudale në kapërxyell të shekullit XX, nuk mund flitet për platforma arti, për artistë përfaqësues stilesh dhe për drejtime artistike, sepse ato mungonin plotësisht. Nuk flitej as për artistë që do të reformonin botën përmes artit të tyre. Disa studiues shqiptarë, të pas viteve `90, fillesat e stilit realist i lidhin me krijimin e portretit “Motra Tone”, 1883 të Kolë Idromenos. Ai është një portret klasik që pozon, kryen një gjest dhe ka disa elemente të artit realist. Ka disa arsye, që studimet e mia veçojnë portretin “Gruaja që qep” të Simon Rrotës si fillesën e pikturës realiste shqiptare, të cilat mbështeten në vetitë dalluese që e identifikojnë, tërësisht stilin realist.


“Realizmi” shprehet përmes stilit dhe figuracionit. Stil nuk është vetëm teknikë dhe mënyrë ekzekutimi, por është edhe zhvillim i përzgjedhjes së përmbajtjes së një vepre arti, e cila lidhet flakë për flakë me kushtëzimet kohore dhe mjedisore të realitetit ku stil lind dhe formohet. Stili i “Realizmit” përcaktohet nga dy elemente kryesorë: saktësia teknike dhe vërtetësia e subjektit.
Figuracioni në artet realiste është bazamenti i “Realizmit”. Ai përfaqëson format e artit realist, të cilat gjatë procesit të krijimit burojnë nga vëzhgimi i botës reale që na rrethon. Ai pasqyron qartësisht imazhe të njeriut, objektit, figurave dhe natyrës, që syri i njeriut dallon.
Imazhet e dy portreteve të pikturave “Rrobaqepsja” dhe “Baresha po lexon” dëshmojnë më së miri për tiparet karakteristike të “Realizmit”. Në të dy kompozimet, piktorët, si ai shqiptar dhe ai francez, kanë pikturuar përqendrimin e tyre ndaj detajeve të përpikta dhe përfaqësimin natyralist të subjekteve. Artistët kanë paraqitur dy personazhe të paidealizuar të jetës së përditshme. Ata nuk i kanë kushtuar rëndësi ideimit kompozicional dhe imagjinatës së sofistikimit të ngjyrave, por kanë përshkruar thjeshtësisht vëzhgimin e tyre të drejtpërdrejtë fizik të përsonazheve dhe subjektit të tablove, siç e kanë gjetur në jetën e zakonshme. Edhe vetisë së hije – dritës i kanë kushtuar vemendje maksimale duke e përshkruar me saktësi, ashtu siç kanë bërë me përmasat trupore të figurave njerëzore dhe të objekteve. Ata, përmes ngjyrave lokale, kanë evidentuar teksturat dhe kanë interpretuar me besnikëri realitetin. “Realizmi”, me me këto karakteristika thelbësore, të gjeneruara në mesin e shekullit XIX në Europë, tregoi në artin shqiptar, me veprën e Simon Rrotës, se kishte arritur tek caku i reflektimit të sinqertë të realitetit, që do të thotë se e përmbushte shumë qartë ekszistencën e tij që në fillim të shekullit XX.
Rreth “Realizimit social”
Filozofi dhe kritiku e artit Jean-François Revel (1924-2006), duke vëzhguar arritjet e pionierëve të realizmit francez vuri në pah se: “…objektivi kryesor i realistëve të mëpasëm ishte të prodhohej realizëm social”. Ai dalloi në veprat e tyre mbirjen e simbolizmit të shtresuar, që më pas do ta kultivonin artistët e lëvizjes artistike të “Realizmit social”. Krijimtaria e tyre, përkatësisht në vende të ndryshme europiane dhe në ShBA, ka karakteristika të ndryshme. Çdo studiues apo estet më parë këshillon që të mos ngatërrohet kurrsesi “Realizmi Social” me “Realizmin socialist”, pasi thelbi i tyre është krejt i ndryshëm.
“Realizmi social” është një lëvizje artistike ndërkombëtare. Lindi rreth vitit 1920 nga vështirësitë e shumta ekonomike në mbarë botën. Thelbi i artit të “Realizmit social” ishte të bënte të dukshme, përmes artit gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale të klasave të varfëra, kryesisht të klasës punëtore. Imazhet pasqyronin kompozime realiste, të paidealizuara dhe pazbukuruara nga jeta e skamjes dhe e padrejtësive sociale. Qëllimi i këtij grupi artistësh europianë dhe amerikanë ishte të tërhiqnin vemendjen dhe të kritikonin strukturat shtypëse të shfrytëzimit kapitalisht. Në kompozimin e këtij togëfjalëshi zbulojmë se termi i parë realizmi, me teknikat dhe subjektet nga jeta e përditshme mbetet thelbi i figuracioneve të tij. Ndërsa termi i dytë social qartëson pëmbajtjen e këtij drejtimi artistik dhe informon se çështjet sociale janë në epiqendër të interesave krijuese. Thelbi i “Realizmi Social” është struktura e kritikës mbi varfërinë, padrejtësinë dhe korrupsionin brenda një shoqërie.
Në Shqipëri “Realizmi Social” nuk ka platformë estetike, nuk ka një shtrirje kohore dhe nuk ka datë të lindjes së tij. Është shumë tërheqëse, që në mënyrë sporadike shfaqet ndonjë vepër tek-tuk në tërësinë e krijimtarisë së artistëve shqiptarë. Kjo nuk i jep të drejtën askujt të deformojë ecurinë e drejtimeve krijuese dhe të intrigojë e të mbivendosë “Realizmin social” mbi “Realizmin socialist” ose të pohojë të parin për të mohuar të dytin.
Ndërkombëtarisht, karakteristikat e “Realizmit social” janë të përcaktuara sepse u përhap në të gjitha vendet e mëdha të industrializuara, kryesisht në Angli, që nga mesi i shekullit XIX. Ato bëhën më vidente duke analizuar dy vepra, që i përkasin “Realizmit social”, për të bërë dallimin edhe nga “Realizmi” edhe “Realizmi socialist”. Në ShBA, Lëvizja e “Realizmit social” ishte shumë i përhapur deri në vitet `40 dhe zanafilla e tij vjen nga Shkolla Ashcan e qytetit të Nju Jorkut. Artistët e saj pikturuan jetën në lagjet e klasës punëtore të qytetit të madh. Shkolla u duk nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të atij XX dhe ndikoi në lindjen e lëvizjes artistike të “Realizmit social”, i cili u rrit së bashku me “Rajonalizmin amerikan”, një lëvizje arti e përqendruar në klasën punëtore rurale, me përfaqësues kryesor Grant Wood (1891-1942).

“Të papunët”, 1958, vaj mbi kanvacë, 192 x 326 cm.©GKA, Tiranë

“Agjencia e Punësimit”, rreth viteve 1930. ©Koleksion privat.
Artisti i shquar shqiptar Vilson Kilica, studioi në shkolën sovjetike të artit dhe u diplomua në vitin 1958. Atyre viteve në vendin tonë artet figurative kishin cilësi realiste dhe po zinte vend dukshëm “Realizmi socialist”. Diploma e tij është një pikturë me përmasa të mëdha e titulluar “Të papunët” dhe fatmirësisht i përket realizmit social. Ajo është ndër të pakta vepra të këtij drejtimi artistik dhe e vetmja vepër ku shfaqen të gjitha karakteristikat e tij.
Artisti amerikan, i lindur në Rusi, Raphael Soyer është një prej përfaqësuesve më të njohur të “Realizmit social”, edhe pse në vitet `30 të shekullit XX, stili abstrakt ishte më popullori. Soyer e pa realitetin amerikan dhe krijoi vepra realiste duke nxjerrë në pah jetën e njujorkezëve të vetmuar dhe të shtypur të klasës punëtore që i shihte në bare, agjenci punësimi dhe në rrugët e qytetit.
Të dy veprat theksojnë cilësitë e këtij drejtimi. Në qendër të tyre janë njerëz të zakonshëm, të papunë, që shfaqin varfërinë si padrejtësi e shoqërisë. Artisti shqiptar e merr temën dhe psikologjinë njerëzore në gjendjen e mjerueshme ekonomike para viteve `40 në Shqipëri dhe artisti amerikan te psikologjia e njerëzve të papunë gjatë Depresionit të Madh në ShBA. Personazhet e Kilicës përfaqësojnë varfërinë e një klasë punëtore që sapo formohej, në dyert e një vendi pune. Fokusi i piktorit amerikan janë personazhe të një klase punëtore të formuar dhe të depresuar, si një komunitet i margjinalizuar, përpara një agjensie punësimi. Të dyja veprat shprehen përmes një stili të ashpër, që kritikon gjendjen e mjerueshme dhe evokon ndërgjegjësimin mbi vështirësitë.
Rreth “Realizmit socialist”
“Realizmi” dhe “Realizmit social” e kanë përfunduar misionin e tyre, por edhe në ditët e sotme dhjetëra artistë i praktikojnë në forma të moderuara, të pasura me elemente të mjediseve të kohës sonë, të cilët i kanë nxitur artistët drejt praktikimit të “Realizmit modern apo bashkëkohor”. Është një rrymë, ku artistët përdorin teknika tradicionale për të pasqyruar skena moderne urbane, portrete psikologjike dhe natyra të qeta me saktësi pothuajse fotografike, duke i dhënë nisje rrymës hiperrealiste.
Politika globale kishte filluar ta ndante globin në dy ideologji. Në njërin kah merrte hov arti modern me “Abstraksionizmin” dhe në kahun tjetër në vitet `20 të shekullit XX do të hidheshin hapat e para të “Realizmit socialist”. Ishte një lëvizje arti që mori formë të plotë në mesin e shekullit XX. Gjatë komunizmit në Bashkimin Sovjetik, ai u promovua ideologjikisht nga Josif Stalini, në 1932, me qëllimin e vetëm që arti të përshkruhej si një version i realizmit të idealizuar të jetës së përditshme. U importua, u aplikua në të gjitha vendet që drejtoheshin nga partitë komuniste dhe mori formën e artit zyrtar.
Fillimisht, boshti i Realizmit Socialist u tentua të krahasohej me etosin e lëvizjes paraprake të Realizmit dhe kërkonte që artistët të krijonin imazhe të njerëzve të zakonshëm në jetën dhe veprimtaritë e tyre. Ky etos nuk mund të barazohej, sepse Realizmi Socialist ishte një formë arti thellësisht politike. Ai i nënshtroi artistët të përshkruanin revolucionit marksist dhe të glorifikonin luftën e klasave kundër borgjezisë.
Në Shqipëri, kjo formë arti u përvetësoi, që në vitet `40 të shekullit XX, kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare. Veprat e para ishin vizatime grafike të simboleve komuniste mbi dokumentacionet e shkruara ilegale të trakteve e të gazetave. Ata ishin drapër e çekan, grushti mbi kryqin nazist, djaloshi që shkul rrënjët etj. Në Bashkimin Sovjetik “Realizmi socialist” filloi të bjerë në vitet `60, pas vdekjes së Stalinit. Dhe bashkëjetoi me lëvizjet moderne të artit deri në vitet `80. Në Shqipëri ekzistenca e tij u bë edhe më egër. U shpall art zyrtar dhe e përfundoi ciklin e vet në vitin 1991, kur u përmbys përfundimisht komunizmi.
Artet monumentale ishin më të përdorurat nga propaganda kulturore komuniste me qëllim edukimin e masave populore me euforinë e sistemit komunist, që servirej si sitemi më i lartë shoqëror. Mozaiku “Shqipëria marshon” është vepra monumentale me gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese e “Realizmit socialist”. Ajo pasqyron e epopenë historike sipas komunizmit shqiptar. Të tilla krijime u kryen edhe në vendet e kampit komunist lindor. Mozaiku i madh “Bujqësia” e artistit azerbaxhanas Hidayjet Jalilov ka të njëjtin përfaqësim.

Vilson Kilica (1932-2016), Josif Droboniku, Agim Nebiu, Aleksandër Filipi, Anastas Kostandini “Shqipëria marshon”, në fasadën e MHK. Detaj i veprës.

Në doktrinën zyrtare politike të “Realizmit socialist” të Bashkimit Sovjetik janë të shënuara pesë parime të detyrueshme të zbatoheshin nga artistët. Imazhet e mozaikëve “Shqipëria marshon” dhe “Bujqësia” kanë lindur si rezualtat i parimit epiqendër politik, ai i partishmërisë, i cili do të thoshte se: “Arti kishte për detyrë absolute të mbështeste dhe të glorifikonte parimet e shtetit dhe të partisë”. Në dy mozaikët këtë funksion e luajnë flamurët e kuq, yjet, rrezet etj.
Parimi i evidentimit udhëheqjes së shoqërisë nga proletariati që do të thoshte: “Arti duhej të t`i kushtohej klasës punëtore dhe të imazhet e tij të kuptoheshin lehtësisht prej saj”. Parimi letrarisht bëhet i dukshëm nga figurat e qarta realiste njerëzore, nga veshjet dhe objektet simbolike që mbajnë në duar.
Parimi i realizmit lidhet me formën që do të thoshte se: “Arti duhej të huazohej nga arti figurativ tradicional dhe të aplikohej me rigorozitet. Forma realiste përjashtonte dhe refuzonte rreptësisht format moderniste të shprehjes. Ato u cilësuan “dekadente dhe reaksionare”. Imazhi i mozaikëve është realizuar me skrupolozitet nga forma figurative e lexueshme. Çdo objekt është simbolikë e metodës së “Realizmit socialist”.
Parimi e tipikes që do të thoshte se: “Arti duhej të pasqyronte skena, ngjarje, subjekte ku tregohej jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë të punës në fabrika, fusha, uzina, shkolla etj.”. Imazhi i dy mozaikëve është një konfigurim i imagjinatës së artistëve për të përcjell në publik dhe në arenën urbane tërësinë e jetës entuziante e të gëzuar në komunizëm, të punëtorit, fshatarit, intelektualit e luftëtarit.
Parimi i heroi pozitiv ose “Njeriu i ri” do të thoshte që “Arti duhej të pasqyronte punëtorin, fshatarin kooperativist ose partizanin, dëshmorin, udhëheqësin komunist, besnikun e partisë.” Dy figurat qëndrore janë personifikim i këtij heroi në të dy imazhet e mozaikëve.
Konkluzione mbi ndryshimin
“Realizmi” është pasqyrim i drejtëpërdrejtë i asaj që shohim.
“Realizmi social” është pasqyrimi kritik i realitetit të klasave vunerabel e të varfëra.
“Realizmi socialist” është arti zyrtar, është pasqyrimi i realitetit të glorifikuar imagjinar të jetës në shoqëritë komuniste, të ngritura mbi urrejtjen klasore dhe në shërbim të makinës së madhe censuruese.
Korrik 2026


