I përktheu: Marjola Dashi Jaupi
Bengt Berg, poet i shquar, ka lindur në vitin 1946 në Torsby, në veri të Värmland-it, Suedi. Pas studimeve në universitete të ndryshme suedeze, ai ka punuar si shkrimtar i pavarur, që nga mesi i viteve 1970. Berg ka botuar rreth 50 libra, kryesisht poezi, shumë prej të cilëve në bashkëpunim me artistë të ndryshëm të arteve pamore. Gjatë viteve 1970 dhe 1980, ai ishte një nga redaktorët e revistës dhe shtëpisë botuese “Rallarros”, ndërsa që nga viti 1990 drejton “Heidruns Förlag”. Bashkëpunimi i tij me muzikantë dhe aktorë ka rezultuar në shfaqje të shumta skenike, krahas paraqitjeve në radio dhe televizion. Poezitë e tij gjenden në botime të veçanta ose në revista letrare të ndryshme në shumë gjuhë
Në anën tjetër
Në anën tjetër të shiut
kishte zëra të tjerë
që kishin qenë aty
para se të niste shiu:
Ata tingëllonin si diçka
që nuk mund të harrohej.
Në anën tjetër të paqes
kishte zëra të tjerë
që kishin qenë aty
para se të nisnin vrasjet:
Ata tingëllonin si diçka
që mbetet nga jeta.
Në anën tjetër të luftës
duhet të ketë një të ardhme
ku të ketë vend për të gjithë:
“Kjo botë është një vend i mrekullueshëm,
për të cilin ia vlen të luftosh!”
(siç tha Ernest Hemingway…)
Mbrëmje vere
Ulem në diell, dhe e lë hijen time
të më bëjë shoqëri. Ka cicërima zogjsh
këtu e aty; është një bukuri pa emër.
Në diell, në karrige, dhe zhurma
e trafikut përtej,
e brenda gjelbërimit: kafe dhe diell,
disa libra po marrin diell mbi tavolinë
dhe hijet rrotullohen ngadalë
në drejtimin e duhur, një insekt, jeshil vezullues
më zvarritet në krah,
dhe pyes veten : çfarë mesazhi
kërkon?
Më bukur se kaq
Nuk mendoj se vera mund të jetë më e bukur:
E gjelbra është më e gjelbër se vetë
e gjelbra,
hiri që na është dhënë
nga kjo mbrëmje dhe zogjtë
aty mes gjelbërimit, hija
mbi bar, me karrocën e dorës
si një tablo altari, aty ku qëndron
aq e sigurt mes hithrave.
Është vetëm shiu që na mungon,
shiu i mrekullueshëm.
Shoh këmbën time, pesë gishta
që drejtohen pak a shumë
në të njëjtin drejtim.
Poemë e mbrëmjes në Veri
Ai yll i vetmuar që shkëlqen në
jugperëndim,
një llambë rruge në Kozmos.
Rruga e fshatit zhytet ngadalë në muzg,
pasqyra e liqenit është kthyer përbrenda,
pothuajse duke thithur aromat e dheut në pranverë.
Mund t’i mbushësh mushkëritë me mall,
jo drejt Venusit lart në qiell,
por drejt dikujt më pranë teje
që gjithashtu po pret
në karantinën e dashurisë.
Të duash, nuk do të thotë të zotërosh
Ti sheh me sytë e tu
një flutur me krahë vezullues.
Unë të shikoj ty kur flutura niset
dhe largohet lehtë, plot verë.
Ti e dëgjon zërin tim
kur flas, fjalët e mia
marrin hua ajrin e fluturës
nga krahët e saj – të verdhë vezullues,
kafe si ndryshku, të bardhë dhe me një prekje
të blusë së qiellit.
Jemi dy njerëz të lumtur,
bota na përket neve
dhe gjithë të tjerëve.
Koha që duhet
Duhet kohë për të parë,
por vetëm një e qindta e sekondës
për t’u parë.
Ecëm mes gjelbërimit
me sytë ngulur
drejt së shkuarës së largët,
shija e barit të sapo korrur
aroma e reve pa shi,
ndjesia se po lëvizim
në një rrip të hollë,
mes së tashmes dhe
çastit që sapo kaloi.


