KreuLetërsiBibliotekëKonstandin Dhamo: Rrebeshi (tregim)

Konstandin Dhamo: Rrebeshi (tregim)

Ishte vrenjtur dhe, retë e gufuara rrokulliseshin tek bubullinte kumbueshëm, a thua se do të shembeshin përtokë.

Po e ndiqja me kërshëri katrahurën në qiell dhe, terri i parakohshëm po më pëlqente përnjëmend, ngaqë sikur të mëvetësonte aty në trotuarin që po zbrazej…

 Ah, si është prilli: gjithë përndezje afshesh dhe epshesh ! Tek e fundit, cilat qenie nuk përngjallen në këtë muaj ?

O Zot, një çast ndieja vapë, një tjetër çast shkulmi i një ere të ftohtë më rrëqethte…

U terr edhe më, a thua se nuk ishte mesditë, por mbuzja e mbrëmjes dhe, ndonëse rrebeshi pritej të shkrepej, vazhdoja të çapitesha më nge, edhe pse nuk kisha me vete një ombrellë…

Pun’e madhe ; ajo derdhja e shiut mbi krye, le t’ishte si fillimi i një rituali pranveror…

Pas qulljes anekënd nga shirat do të mugullojë bari e do të çelen lulet, të cilat do t’i shkelin bletët dhe brumbujt pllenues.

Shkrepi rrebeshi !

Pemët në trotuar dhe përgjatë brigjeve të pjerrët të Lanës, i përfshiu duhia me shi dhe erë, duke i tundur e spërdredhur sikur t’i kishte zënë prej flokësh .

Rruga u përfshi nga rrëketë lyla – lula, teksa vetëtimat që kërcëllitnin si qarqet elektrikë kur digjen, më sëmbonin trupin e më kreshpëronin qimet.

Ashtu i lagur paq, më në fund shpejtova hapin dhe u futa te tuneli poshtë pallatit masiv përballë Lanës, madje vajta gjer te mesi i tij, sepse era dhe pikat e shiut e përshkonin tej e tej duke m’u përplasur mbi fytyrë.

Çfarë rrebeshi zemërak e i tërbuar, që s’përmbahej kurrsesi !

Hehe, por unë dëshiroja ta ndiqja, ndonëse i rrasur pas murit të tunelit.

Përtej shiut të pjerrët që shkundej valë – valë gjithçka dukej e shfokusuar, që nga pemët e deri te makinat q’e hidhnin ujin anëve si motoskafët, ndërsa dritat e tyre të bardha e të kuqe zmadhoheshin tek përsëriteshin mes trazimit të pikave. Shkreptiu fort e me inat një vetëtimë verbuese dhe, më pas një rrufe goditi shurdhueshëm mesin e rrugës, duke përhapur mbi asfalt një rrëke si llavë e shkrirë vullkanike. Oh, duhej t’ishte rrufe e lëngshme, ( liquid lightning !)

Nuk e di se çfarë do të ndodhte, nëse atë çast do të kalonte aty pari një njeri, apo qoftë edhe një makinë …

Sakaq, në tunelin ku turrej era dhe rruzujt sëmbues të shiut si t’ishin rrufe sferike, hyri një femër që kullonte e tëra. Teshat i qenë ngjitur pas trupit, ndërsa nga flokët e gjatë të rrafshuar pas kokës, rridhnin e rridhnin bulëzat e shiut mu si nga lastarët e një shelgu lotues.

Nuk m’i hodhi sytë, gjersa e këqyri veten nga këpucët, gjer te këmisha që ishte bërë e tejdukshme mbi gjoks, por, me të shkrepur sërish rreptësisht një tjetër rrufe, u trand dhe, si e urdhëruar prej saj u kthye nga unë dhe, më vështroi pickueshëm, tek drithërohej . Ishte e gjitha një përftim i rrebeshit, vetëtimave, rrufeve dhe pemëve që kërlesheshin me njëra – tjerën, tek ua përziente era kurorat.

Oh, e njoha ! Ishim ndeshur sa e sa herë të dy ja, pikërisht në trotuarin e kësaj rruge, megjithatë, kur ia behu në tunelin me korrente, nuk e dallova që në fillim. Sa herë ishim shkëmbyer në trotuar, ajo më vështronte haptazi, duke buzëqeshur ëmbëlsisht, për të lënë të kuptohej se, dëshironte të lidheshim ( ndoshta ?), por unë, asnjë herë nuk vendosa ta ndalja. E përse ? S’e di, s’e di…

Vetëtinte dhe shkrepnin rrufe !

Ah, ç’femër ! Qull si një nimfë e sapodalë nga ujërat, u lëshua drejt meje e m’i hodhi duart rreth qafës, teksa unë e mbërtheva nga supet dhe, duke u puthur fort fort me kafshime rrëshqitës, po kërkonim çmendurisht të bëheshim një trup i vetëm!

Vetëtinte e shkrepnin rrufe !

Asqë e kujtoj sesi e zhvesha nga mesi e poshtë, ndërkohë që buzët i kishim të shkrumbëzuara…

Nisi të më ngulë thonjtë ku të mundte dhe, më së fundi, u tund nga shkrehja e orgazmës e sinkronizuar me shkrepjen e një rrufeje në qiell…

I ndërpreu lëvizjet e spërdredhura dhe, u lëshua ashtu siç lëshohet edhe një muskul kur shtendoset.

Ndreqi pa vëmendje teshat dhe…

Iku me nxitim !

Rrebeshi pushoi,

Ai rrebesh,

Që na paskësh munguar

Të dyve…

 2000

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË