KreuLetërsiBibliotekëKlarisa Haxhiraj: Tri miniatura

Klarisa Haxhiraj: Tri miniatura

Tirana në buzëmbrëmje

Atë pasdite fillimvere kishte dalë në ballkonin e vogël të pallatit, që ndahej nga dhoma e gjumit me një dritare të lartë ballkoni prej xhami. Përtej në horizont dallohej fare qartë hotel “Tirana International” ose siç e quanin ndryshe qysh në kohën e Partisë, pesëmbëdhjetë katëshi. Përballë tij, ndërtesa në konstruktim e sipër përflakej nga rrezet e fundit të perëndimit të përskuqur. Thepat e Dajtit ngjanin të përlyera si me një bojë fare të lehtë rozë, gati-gati e përzier me nuancën e portokalltë të diellit të lodhur. Poshtë ballkonit të vogël në katin e tretë lëvrinin tutje- tëhu makina gjithëfarësoj, të shtrenjta, luksoze, modeste, taksi. Përzier me këto, deri sipër vinin çuçuritjet e nënave që mbanin për dore fëmijët ngatërrestarë e të hedhur, në druajtje e sipër nga ndonjë hata anërruge. Teksa dielli u rrokullis ngadalë teposhtë e masandej përtej malit, e kuqërremta e përflakur e qiellit ia la vendin dalëngadalë një hijeje bojëhiri që së shpejti do cipërrosej sërish në errësirë. Në rrugicën e lagjes përballë, nga sipër pikasej një tufë kalamajsh të fillores që gajaseshin duke gjuajtur një topth nga t’u vinte për mbarë. Sakaq, ajri nisi të shpohej ngadalë nga një aromë ndjellëse, e ngrohtë; një aromë këndellëse, ftuese, që vinte ndofta nga ndonjë furrë e ngrohtë e mbushur me mish të njomë. Aromë tipike për një pallat të mbushur me familje, në një buzëmbrëmje të ëmbël e të zakonshme vere. Në fakt, me gjithë trazirat që po ndodhnin ato ditë në kryeqytet, ajo gjeti vullnetin për t’u ulur më në fund në ballkonin e ajrosur, rrëmbeu një libër e vendosi që gjer në mesnatë, të lexonte së paku ndonjë dyzinë faqesh të Kadaresë. Ajo ishte e marrosur pas perëndimeve dhe si jo rrallë, përhumbej e tëra në atë akt të magjishëm të natyrës. Mbrëmja i linte përherë një shije melankolie, gati-gati nostalgji për një kohë të shkuar, për kujtime të paharruara, për një jetë të lënë pas që asaj i mungonte jo pak, madje mund të thuhet se ngadonjëherë, malli për atë kohë e mundonte gjatë pjesës së mbetur të mbrëmjes. Ajri i mbrëmjes mbushej përherë me një freski përkëdhelëse, me aromën e luleve të sapoçelura të pemëve dekorative të bulevardeve tiranase. Rrugicat mbusheshin me dritat e verdhëlleme, shtëpizat private mbusheshin me aroma të llojllojshme gatimi kutërbues e këndellës, një zotëri i mbajtur parkonte diku biçikletën e ngarkuar me çanta të tejmbushura me fruta e perime të freskëta. Ajo e shijonte sa mundej Tiranën në mbrëmje.


 Vjeshta

Zonjëza Vjeshtë erdhi si përhera- namusqare. U çapit poshtë e lart, në shtigje, pyje e zabele e me mjeshtërinë që vetëm ajo di , pikturoi e dherdhi mijëra nuanca me qesëndi : gjetheve u dha ca të kuqërremtë e ca njolla verdhacuke pastaj me kujdes pemët i zhveshi e ua zbuloi degët e holla e përcëllake. Tek – tuk barin e njomë e kurseu, i dërgoi shiun e butë të pasditeve e vesën pikëlore herët në mëngjese . Mbi shtat të Tokës hodhi pëlhurën e hollë, të rremtën, cipëzën e lyer me bojëra të kafenjta. Vreshtat verdhëllore rëndojnë tashmë ndër ara, hurmat me kohë janë përskuqur e përsqullur; ndër to, ca shoqe rebelohen e marrin rrokullimën tatëpjetë brinjëve të kodrinave vogëlushe. Këtë pasdite po çapitet sërishmi per t’i dhënë dorën e fundit peizazheve të pjellës vjeshtake, per t’i lënë radhën Baba Dimrit mjekërbardhë.


 Vlora

Vlora , qyteti i historisë, strukur në gji të detit mbart në vetvete vlera të mëdha natyrore e historike. Të përpirë çdo ditë nga gjuhëza e Jonit të kristaltë , brigjet e saj piktoreske presin çdo ditë që në gjoksin e tyre të mbështeten anije e barka gjithëfarësoj. E derdhur lirisht mbi sipërfaqen e detit kaltërosh e duke ndier çdo ditë shijen e kripur në buzët e tij , Vlora trime dhe e bukur shtrihet përrallore gjer tutje në Sazan e Karaburun . Këta të dy , si ushtarë trima, i gendrojnë besnikë bukurise joshëse të Vlorës , duke i dhuruar asaj edhe më tepër hijeshi. Kjo është Vlora … një qytet piktoresk .. gjiri i saj joshës ; i egër e i butë njëherësh, fton gjithkënd t’a vizitojë , e kështu , në gjirin e ëmbël të Jonit premton t’i lërë sadopak mbresë gjithkujt!

Photo by Jeremy Thomas on Unsplash

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË