Fragment nga romani «MISTERET E PARISIT» (vëllimi 3, pjesa e 7-të, kapitulli 13-të)
Shqipëroi nga origjinali : XHEVAIR LLESHI
«Në historinë e letërsisë franceze të shekullit XIX, pak vepra kanë pasur ndikimin e thellë social, etik dhe letrar që pati romani Misteret e Parisit (Les Mystères de Paris), botuar fillimisht në gazetën Journal des Débats gjatë viteve 1842-1843. Autori i tij, Eugène Sue (1804-1857), u bë një ndër figurat më të njohura të kohës falë këtij romani, që jo vetëm magjepsi publikun e gjerë, por ndikoi fuqishëm mbi idetë shoqërore, ligjore dhe politike të epokës.
Ka romane që shkruhen për të argëtuar, ka të tjerë që vijnë për të përmbysur bindje; por ka edhe vepra që, si një dritë e beftë e epërme, zgjojnë ndërgjegjen e një epoke dhe i flasin njeriut përtej kufijve të kohës. Nga kjo pikëpamje, por edhe më e rrallë dhe më e çmuar, qëndron «Misteret e Parisit» i Eugène Sue, epopeja e errësirave dhe dritësimeve të një qyteti që u bë simbol i gjithë botës moderne. Ka vepra që lindin thjesht si tregime. Ka të tjera që lindin si jehonë e një epoke. Por ka edhe vepra si Misteret e Parisit, që lindin për të tronditur zemrën e një qyteti dhe për të ndriçuar anët e tij të fshehta, si një pishtar i ndezur mes një nate shumë të gjatë…»
… Mirëpo, në vend që të kapesh pas asaj që është e ndritshme dhe e pastër në një bashkim mendjesh dhe zemrash, me të cilin miqësia është e kufizuar, thellësitë e baltosura të epshit tim, të nxitura nga ai harbim i epshit që ndjeva në moshën time, nxorën re që mjegulluan sytë e mendjes sime.
… I braktisa pa kufizim kënaqësitë e mia sensuale, zjarri i të cilave, si katran i zierë, më dogji zemrën dhe më konsumoi gjithë energjinë dhe forcën.
…Kur pashë shokët e mi duke u mburrur me shthurjen e tyre dhe duke u ndjerë gjithnjë e më të drejtë për të, sa më famëkeqe ishte, u turpërova që s’kisha bërë të njëjtën gjë.
[Rrëfimet e Shën Agustinit, Libri II, Kapitulli II, III.]
Nata ka rënë.
Heshtja e thellë që mbretëron në pavijonin e banuar nga Zhak Ferrò thyhet herë pas here nga rënkimi i erës dhe shpërthimet e shiut të rrëmbyeshëm.
Këto tinguj melankolikë duket se e bëjnë vetminë e kësaj banese edhe më të plotë.
Në një dhomë gjumi në katin e parë, mobiluar shumë mirë me mobilie të reja dhe të shtruar me një tapet të trashë, një grua e re qëndron para një oxhaku ku ndizet një zjarr i bukur.
Vërtet e çuditshme! Në mes të derës së mbyllur me kujdes që shikon nga shtrati, vihet re një kapak i vogël, pesë ose gjashtë inç katror, që mund të hapet nga jashtë.
Një llambë reflektuese hedh një dritë të zbehtë në këtë dhomë të varur me letër-muri ngjyrë e kuqe e zënë; perdet e krevatit, perdja e dritares dhe mbulesa e një divani të madh janë të gjitha të bëra prej damasku mëndafshi dhe leshi me të njëjtën ngjyrë.
Ne ndalemi me kujdes në këto detaje të gjysmë-luksit të futur fort kohët e fundit në shtëpinë e noterit, sepse ky gjysmë-luks paralajmëron një revolucion të plotë në zakonet e Zhak Ferrò, të karakterizuara deri më tani nga lakmia e ndyrë dhe një indiferencë spartane (sidomos ndaj të tjerëve) ndaj gjithçkaje që lidhet me jetesën e mirë.
Nën hijen e këtij sfondi me ngjyrë tulle, me ndikim të fuqishëm dhe me tone të ngrohta, shfaqet figura e Sesilias, që do përpiqemi ta pikturojmë. E gjatë dhe e hollë, gruaja kreole ishte në kulmin e pjekurisë së saj. Zhvillimi i shpatullave të bukura dhe vitheve të gjera e bënte belin e saj të këputur, që të dukej aq i hollë sa dikush mendonte se Sesilia përdorte gjerdanin e saj si rrip mesi. Sado e thjeshtë, sa është edhe simpatike, kostumi i saj alzasian është në një stil të veçantë, disi teatror, edhe më i përshtatshëm për efektin që ajo krijonte. Këpucët e zeza prej kashmiri, dukej se zbulonin bustin e saj të spikatur gjysmë e hapur, shumë e gjatë në bust, me mëngë të ngushta dhe një shpinë të sheshtë, qe e zbukuruar lehtë me push të purpurt në qepje dhe e dekoruar me një rresht kopsash të vogla bojë argjendi. Një fund i shkurtër portokalli merino, në dukje tepër i plotë, pavarësisht se i ngjitet figurës së saj të pasur skulpturore, zbulon gjysmë gjurin simpatik të saj, veshur me çorape të kuqe të ndezura me cepa blu, që të kujtojnë piktorët e vjetër flamandë që shfaqin me aq vetëkënaqësi lastarët e heroinave.
Asnjëherë një artist s’ka ëndërruar për një trup kaq të pastër sa këmbët e Sesilias; të holla
dhe të forta poshtë pulpave të tyre të plota, ato përfundojnë me një këmbë të bukur, plotësisht të rehatshme dhe të harkuar me hir në këpucën e saj të vogël të zezë, me një tokëz argjendi.
Sesilia, e anuar pak majtas, qëndron para pasqyrës mbi oxhak… Dekolteja e ulët Spencer zbulon qafën elegante e të plotë, të bardhë, verbuese, por jo të tejdukshme. Duke hequr kapelën ngjyrë kadifeje e qershie dhe duke e zëvendësuar atë me mjedër, gruaja kreole zbuloi flokët e saj të trashë, madhështorë, blu të zënë, ndarë në mes të ballit me kaçurrela natyrore, që s’binin më poshtë se gjerdani i Venusit, që i lidhte qafën me shpatullat.
Duhet ta dish stilin e paimitueshëm me të cilin gratë kreole i përdredhin këto shami me ngjyra të ndezura rreth kokës, për të vlerësuar vërtet modelin elegant të flokëve të Sesilias gjatë natës dhe kontrastin mahnitës të këtij materiali, të larmishëm me vjollcë, blu dhe portokalli, me flokët e saj të zinj, të cilët, duke dalë nga palosjet e ngushta të mjedrës, i përshtatnin faqet e saj të zbehta, por të rrumbullakëta e të forta, me mijëra kaçurrelat e mëndafshta. Me të dy krahët e ngritur dhe harkuar mbi kokë, ajo përfundonte në majat e gishtërinjve të hollë si boshte fildishi, duke rrudhur një rozetë të madhe, vendosur shumë poshtë në anën e majtë, pothuajse në vesh. Tiparet e Sesilias janë të llojit që është e pamundur të harrohen kurrë.
Një ballë e theksuar, paksa e spikatur kurorëzon fytyrën e saj të përkryer ovale. Ngjyra e fytyrës ka bardhësinë e freskët të satenit, të një gjetheje kamelieje të praruar, fshehur nga rrezet e diellit. Sytë e saj, pothuaj në mënyrë jo të përpjesshme e të mëdhenj, kanë një shprehje të veçantë, sepse bebëzat e tyre jashtëzakonisht të gjera, të zeza e të shkëlqyera, mezi zbulojnë, në cepat e qepallave të saj rrethuar me qerpikë të gjatë, transparencën e kaltër të kokërdhokut të syrit; mjekra e saj është e përcaktuar qartë; hunda e drejtë dhe e hollë mbaron në dy bira të lëvizshme, që zgjerohen me emocionin më të vogël. Goja e saj, e paturpshme dhe dashurore, dukej një vjollcë e ndezur.
Imagjinoni këtë fytyrë pa ngjyrë, me sytë e saj të shndritshëm, krejt të zinj dhe dy buzë të kuqe të lëmuara e të lagështa që shkëlqenin si koral në vesë.
Le të jemi të qartë: kjo grua e gjatë kreole, njëkohësisht e hollë dhe joshëse, energjike dhe e zhdërvjellët si një panterë, ishte mishërimi i një sensualiteti të papërpunuar që ndizet vetëm në zjarret e tropikëve.
Të gjithë kanë dëgjuar për këto gra me ngjyrë, praktikisht vdekjeprurëse për evropianët, këta vampirë magjepsës që, duke i dehur viktimat e tyre me joshje të tmerrshme, u heqin atyre çdo pikë të fundit ari dhe gjaku, duke i lënë me asgjë tjetër veç lotëve të tyre për t’u pirë dhe me zemrën e dhënë për ta shijuar ngadalë.
E tillë ishte Sesilia.
Megjithatë, instinktet e saj të gafrruara, për një kohë të kufizuar nga dashuria e saj e sinqertë, pasi qenë zhvilluar vetëm në Evropë, u zbutën nga qytetërimi dhe ndikimi i klimave veriore, duke ndryshuar dhunën që bartnin dhe duke modifikuar shprehjen e tyre.
Në vend që ta sulmonte dhunshëm prenë e saj e të mendonte, si të ngjashmet e veta, vetëm për të shkatërruar edhe një jetë e pasuri sa më shpejt të qe e mundur, Sesilia, duke i fiksuar shikimin e saj magnetik mbi viktimat, filloi t’i tërhiqte ato pak nga pak në vorbullën e zjarrtë që dukej se buronte prej saj. Pastaj, duke i parë ata që merrnin frymë me vështirësi, të shqetësuar, duke vuajtur mundimet e dëshirës së paplotësuar, ajo kënaqej, me një koketëri të rafinuar e të egër, zgjatnin kësisoj tërbimin e tyre të zjarrtë. Pastaj, duke u kthyer në instinktin e parë, ajo i përpinte ata në përqafimet e saj vrasëse.
Kjo ishte edhe më e tmerrshme.
Tigri i uritur, duke kërcyer e copëtuar prenë e vetë me një ulërimë, frymëzon më pak tmerr sesa gjarpri që e magjeps në heshtje, duke e thithur duar-duar, pastaj e ngërthente me spiralet e tij të pazgjidhshme, duke e shtypur atje deri në fund, duke ndjerë dridhjen e saj nën kafshimet e tij të ngadalta dhe dukej se ushqehej aq shumë me dhimbjen sesa me gjakun e viktimës. Sesilia, siç e kemi thënë, mezi mbërriti në Gjermani, pasi fillimisht ishte joshur nga një burrë fatalisht të shthurur, ishte në gjendje, pa dijeninë e Davidit, i cili e donte atë me aq shumë idhujtari sa edhe verbëri, teksa përdorte dhe ushtronte joshjet e saj të rrezikshme për një farë kohe, por shpejt skandali katastrofik i marrëdhënieve të saj u zbulua. U bënë zbulime të tmerrshme dhe kjo grua u detyrua të dënohej me burgim të përjetshëm.
Shtojuni këtyre precedentëve një mendje të zhdërvjellët, të aftë dhe intuitive; një inteligjencë kaq e mrekullueshme saqë brenda një viti të vetëm ajo kishte folur frëngjisht dhe gjermanisht me lehtësinë më të madhe, ndonjëherë edhe me elokuencë natyrore; imagjinoni, më në fund, një korrupsion të denjë për mbretëreshat oborrtare të Romës së lashtë, një guxim të pakrahasueshëm, instinkte të ligësisë djallëzore dhe…, do të keni një ide mjaft të mirë për shërbëtoren e re të Zhak Ferròsë…, krijesën e vendosur që kishte guxuar të futej në shtrofullën e ujkut.
E megjithatë, një anomali e veçantë! Pasi mësoi nga zoti de Graün rolin provokues dhe PLATONIK që do të luante me noterin dhe qëllimet hakmarrëse që do të çonin joshjet e saj, Sesilia premtoi ta luante rolin me dashuri, ose më saktë me një urrejtje të tmerrshme për Zhak Ferrònë. Ajo ishte indinjuar vërtet nga rrëfimi i dhunës famëkeqe që ai i kishte ushtruar Luizës, një rrëfim që duhej t’i tregohej gruas kreole për ta paralajmëruar kundër përpjekjeve hipokrite të këtij përbindëshi.
Disa fjalë për këtë të fundit janë thelbësore.
Kur madamë Pipelet ia paraqiti Sesilian si një jetime mbi të cilën ajo s’dëshironte të mbante asnjë të drejtë ose mbikëqyrje, noteri u mahnit më pak nga bukuria e gruas kreole sesa u magjeps nga shikimi i saj i papërmbajtshëm, një shikim që, nga takimi i tyre i parë, i ndezi shqisat Zhak Ferròsë dhe ia trazoi mendjen. Sepse, siç e përmendëm, në lidhje me paturpësinë e pamatur të disa prej fjalëve të tij gjatë bisedës me dukeshën dë Lysenaj, ky burrë, zakonisht kaq i qetë, kaq i hollë e dinak, sa harroi llogaritjet e ftohta të fshehjes së tij të thellë, kur demoni i epshit ia turbulloi mendimet.
Për më tepër, ai s’kishte qenë aspak i vetëdijshëm për të mbrojturën e madamë Pipeletit.
Pas takimit të tij me këtë të fundit, zonja Serafinë i kishte folur Zhak Ferròsë, si zëvendëse të Luizës, një vajzë të re që ishte praktikisht e braktisur dhe për të cilën ajo ishte përgjegjëse… Noteri kish pranuar me gatishmëri, duke shpresuar të shfrytëzonte pa u ndëshkuar gjendjen e pasigurt e të izoluar të shërbëtores së tij të re.
Më në fund, larg nga të qenit i predispozuar për mosbesim, Zhak Ferrò gjeti në ngjarjet që po zhvilloheshin arsye të reja për siguri.
Gjithçka po shkonte sipas paramendimit të tij. Vdekja e Zonjës Serafinë e çliroi nga një bashkëpunëtor i rrezikshëm. Pastaj vdekja e Flër-dë-Marisë (të cilën ai besonte se qe e vdekur) e liroi atë nga prova e gjallë e një prej krimeve të tij të para.
Më në fund, falë vdekjes së Shuetës dhe vrasjes së papritur të Konteshës MekGregor (gjendja e së cilës ishte e pashpresë), ai s’kishte më frikë nga këto dy gra, zbulimet dhe ndjekjet e të cilave mund të kishin qenë katastrofë për të… E përsërisim, meqë në mendjen e Zhak Ferròsë s’kishte lindur asnjë ndjenjë mosbesimi për të kundërshtuar përshtypjen e papritur e të papërmbajtshme që kishte ndjerë kur pa Sesilian, ai shfrytëzoi me padurim rastin për të joshur mbesën e supozuar të madamë Pipeletit në shtëpinë e tij të vetmuar. Karakteri, zakonet dhe prejardhja e Zhak Ferròsë ishin të njohura e të vendosura dhe bukuria provokuese e gruas së pranuar kreole, siç jemi përpjekur ta portretizojmë atë, së bashku me disa fakte të tjera që do të paraqesim më poshtë, shpresojmë se do ta bëjë të qartë pasionin e papritur e të pakufizuar të noterit për krijesën joshëse e të rrezikshme.
Dhe pastaj, duhet thënë…, ndërsa ato frymëzojnë vetëm neveri tek burrat e pajisur me ndjenja të qeta e fisnike, me shije delikate e të rafinuara, gratë e llojit të Sesilias ushtrojnë një plotfuqi të papritur dhe magjike mbi burrat me sensualitet brutal si Zhak Ferrò. Në shikim të parë, ata i ndiejnë këto gra, i lakmojnë; madje një fuqi fatale i tërheq drejt tyre dhe po aq shpejt edhe afinitete misterioze, padyshim simpati magnetike, i lidhin në mënyrë të papërmbajtshme në këmbët e idealit të tyre monstruoz; sepse vetëm këto gra mund të qetësojnë zjarret e papastra që ata ndezin.
Një fat i drejtë dhe hakmarrës e solli kështu gruan kreole më afër noterit. Një shlyerje e tmerrshme po fillonte për të. Epshi i egër e kishte shtyrë të kryente akte të urryera, të ndiqte pa pushim një familje të varfër e të ndershme, duke sjellë mjerim, çmenduri dhe vdekje mbi ta… Epshi do të qe ndëshkimi i frikshëm i këtij fajtori të madh.
Sepse do të dukej se, me anë të një drejtësie fatale, pasione të caktuara, të shtrembëruara dhe të çoroditura, mbajnë ndëshkimin brenda tyre… Një dashuri fisnike, edhe kur është e palumtur, mund të gjejë një ngushëllim në ëmbëlsinë e miqësisë, në respektin që një grua e denjë për adhurim jep gjithmonë në mungesë të një ndjenje më të qetë. Nëse ky kompensim s’i qetëson hidhërimet e të dashuruarit të palumtur, nëse dëshpërimi i tij është po aq i pashërueshëm sa dashuria e tij, ai të paktën mund ta rrëfejë dhe pothuaj të krenohet me këtë dashuri të dëshpëruar… Por çfarë kompensimi mund t’u jepet këtyre pasioneve të egra që tërheqja e thjeshtë materiale i ndez deri në pikën e tërbimit?
Dhe le të shtojmë se kjo tërheqje materiale është po aq bindëse për organizmin sa tërheqja morale është për shpirtrat e elitës… Jo, pasionet serioze të zemrës nuk janë të vetmet – të papritura, të verbra, përjashtuese – që, duke përqendruar të gjitha aftësitë te personi i zgjedhur, e bëjnë të pamundur çdo dashuri tjetër dhe përcaktojnë një fat të tërë.
Pasioni fizik mund të arrijë, si në rastin e Zhak Ferròsë, një intensitet të pabesueshëm; atëherë të gjitha fenomenet që, në sferën morale, karakterizojnë dashurinë e papërmbajtshme, unike dhe absolute, riprodhohen në sferën materiale.
Edhe pse Zhak Ferrò s’do të ishte kurrë i lumtur, gruaja kreole kishte qenë e kujdesshme që të mos ia vidhte të gjitha shpresat; por shpresat e paqarta dhe të largëta me të cilat ajo e përkëdhelte, lundronin në mëshirën e kaq shumë tekave, saqë ishin një tjetër torturë për të dhe e shtrëngonin edhe më fort zinxhirin e ndezur që mbante.
Nëse dikush habitet që një burrë me një energji dhe guxim të tillë s’i qe drejtuar tashmë dinakërisë ose dhunës për të kapërcyer rezistencën e llogaritur të Sesilias, kjo ndodh sepse harron se Sesilia s’qe një Luiza e dytë. Për më tepër, një ditë pas paraqitjes së saj te noteri, ajo, siç do ta shohim, kishte luajtur një rol krejt të ndryshëm nga ai me të cilin kish fituar hyrjen në shtëpinë e zotërisë së saj: përndryshe ai s’do të ishte mashtruar nga shërbëtori i tij dy ditë rresht.
Duke mësuar për fatin e Luizës nga Baroni de Graün, e më pas duke ditur se me ç’mjete të neveritshme vajza e Morel artizanit ishte bërë pre e noterit, gruaja kreole, me të hyrë në këtë shtëpi të vetmuar, kish marrë masa të shkëlqyera për të kaluar natën e saj të parë atje në siguri të plotë.
Pikërisht atë mbrëmje, e mbetur vetëm me Zhak Ferrò, i cili, për të mos e frikësuar, bëri sikur mezi e shikonte dhe e urdhëroi menjëherë të shkonte në shtrat, ajo rrëfeu me naivitet se kishte frikë nga hajdutët natën; por se ishte e fortë, e vendosur dhe e gatshme të mbrohej.
– Me çfarë? – pyeti Zhak Ferrò.
– Me këtë…, – u përgjigj gruaja kreole, duke nxjerrë nga palltoja e gjerë prej leshi, me të cilën ishte mbështjellë një stileto e vogël, mprehur me përsosje, pamja e së cilës e bëri noterin të ndalet.
Megjithatë, i bindur se shërbëtorja e tij e re kishte frikë vetëm nga hajdutët, ai e çoi atë në dhomën ku do të flinte (dhoma e mëparshme e Luizës). Pasi shqyrtoi përreth, Sesilia, duke u dridhur dhe me sytë ulur, i tha se, nga e njëjta frikë, do ta kalonte natën në një karrige, sepse s’shihte as bravë as kyç në derë.
Zhak Ferròi, tashmë krejt i magjepsur, por duke mos dashur të bënte kompromis me asgjë, duke i ngjallur dyshime Sesilias, i tha asaj me ashpërsi se ishte budallaqe dhe e çmendur që kishte frikë të tilla, por ai i premtoi se brava do të instalohej të nesërmen.
Gruaja kreole nuk shkoi në shtrat.
Në mëngjes, noteri shkoi në shtëpinë e saj për ta informuar për detyrat e saj. Ai kishte vendosur të mbante një rezervë hipokrite ndaj shërbëtores së tij të re për ditët e para, me qëllim që të ngjallte një ndjenjë të rreme besimi; por, i goditur nga bukuria e saj, e cila dukej edhe më rrezatuese në mes të ditës, dhe i verbuar nga dëshirat që tashmë e kishin rrëmbyer, ai belbëzoi disa komplimente për figurën dhe bukurinë e Sesilias. Me zgjuarsinë e saj të rrallë, ajo kishte gjykuar, që në takimin e saj të parë me noterin, se ai ishte i tëri nën magjinë e saj; me rrëfimin e tij të dashurisë, ajo u ndje e detyruar të hiqte menjëherë drojën e saj të shtirur dhe, siç e kemi thënë, të ndërronte maskën. Gruaja kreole kështu papritmas mori një pamje të pacipë.
Zhak Ferrò, duke u mahnitur përsëri nga bukuria e tipareve të saj dhe figura magjepsëse e shërbëtores së tij të re, i tha Sesilias me vendosmëri: – Më shiko drejt në fytyrë.
– Edhe pse veshur si fshatare alzasiane, a dukem si shërbëtore?
– Çfarë do të thuash? – thirri Zhak Ferròi.
– Shikoje këtë dorë… A është mësuar me punë të rëndë? – Dhe ajo tregoi një dorë të bardhë simpatike, me gishta të hollë e delikatë, thonj rozë të lëmuar si zonjë, por kurora pak kafe e së cilës zbulonte gjak të përzier.
– Po kjo këmbë, a është këmbë shërbëtori?
Dhe ajo paraqiti një këmbë të vogël e të këndshme, veshur me këpucë kokete, që noteri ende s’e kish vënë re dhe të cilën ai vetëm sa i hoqi sytë për ta parë Sesilian me habi.
– I thashë emtës sime, Pipeletës, se çfarë më përshtatej. Ajo s’e di jetën time të kaluar, mund të ketë besuar se unë isha katandisur në një gjendje të tillë…, nga vdekja e prindërve të mi dhe më ka marrë për shërbëtor; por ti, shpresoj, je shumë i zgjuar për të ndarë gabimin e saj, i dashur zotëri?
– Dhe kush je ti atëherë? – thirri Zhak Ferrò, gjithnjë e më i habitur nga kjo gjuhë.
– Ky është sekreti im… Për arsye që i di vetëm unë, më është dashur të largohem nga Gjermania e veshur si fshatare; doja të qëndroja e fshehur në Paris për një kohë, sa më fshehurazi të ishte e mundur. Emta ime, duke supozuar se isha e varfër, më sugjeroi të vija të jetoja me ty, më tregoi për jetën e vetmuar që bën në mënyrë të pashmangshme në shtëpinë tënde dhe më paralajmëroi se s’do të largohesha kurrë… Unë pranova shpejt. Pa e kuptuar, emta ime po përmbushte dëshirën time më të thellë. Kush mund të më kërkonte dhe të më gjente këtu?
– Po fshihesh!… Dhe çfarë ke bërë që të detyrohesh të fshihesh?
– Mëkate të ëmbla, ndoshta… por ky është ende sekreti im.
– Dhe cilat janë qëllimet e tua, zonjushë?
– Njësoj, si gjithmonë. – Pa komplimentet e tua domethënëse për gjatësinë dhe bukurinë time, mund të mos e kisha bërë këtë rrëfim… të cilin mendjemprehtësia jote do ta kishte nxitur herët a vonë, gjithsesi… Më dëgjo me kujdes, zotëria im i dashur: Kam pranuar përkohësisht kushtin, ose më saktë rolin, të një shërbëtori: rrethanat më detyrojnë… Do të kem guximin ta përmbush këtë rol deri në fund… Do të vuaj gjithçka, pasojat… Do t’ju shërbej me zell dhe respekt, për të mbajtur pozicionin tim… domethënë, një tërheqje të sigurt dhe të pazbuluar. Por me shenjën më të vogël të trimërisë, me lirinë më të vogël që merrni me mua, do t’ju lë, jo nga prirja… Asgjë tek unë, besoj, s’ka erë prirjeje…
Dhe ajo nguli një vështrim të ngarkuar me elektricitet sensual, thellë në shpirtin e noterit, i cili u drodh.
– Jo, s’kam prirje, – u përgjigj ajo me një buzëqeshje provokuese, që zbuloi dhëmbët verbues. – Falë Zotit! Kur dashuria më kafshon, Bakejtë janë shenjtorë në krahasim me mua. Por të jemi të drejtë. Do të pranoni që shërbëtori juaj i padenjë mund të dëshirojë vetëm të kryejë me ndershmëri detyrat e tij. Tani e dini sekretin tim, ose të paktën një pjesë të tij. A do të dëshironit, rastësisht, të silleshit si një zotëri? A më gjeni shumë të bukur për t’ju shërbyer? A dëshironi të ndryshoni role, të bëheni skllavi im? Shumë mirë! Sinqerisht, do ta preferoja këtë… Por vetëm me kusht që të mos largohem kurrë që këtej dhe që të më trajtoni me kujdesin më të madh atëror, gjë që s’do t’ju pengojë të më thoni se më gjeni simpatike: ky do të jetë shpërblimi për përkushtimin dhe të fshehtën tuaj…
– I vetmi? I vetmi? – belbëzoi Zhak Ferrò.
– E vetmja… përveç nëse vetmia dhe djalli më çmendin…, gjë që është e pamundur, sepse do të më bësh shoqëri dhe, në cilësinë tënde si njeri i shenjtë, do ta ngjallësh demonin.
– Eja tani, vendos, asnjë qëndrim i përzier…, ose do të të shërbej ty ose ti do të më shërbesh mua; përndryshe do të largohem nga shtëpia jote… dhe i lutem tezes sime të më gjejë një vend tjetër… E gjithë kjo duhet të të duket e çuditshme: ashtu qoftë; por nëse më merr për aventuriere… pa mjete jetese, gabohesh… Që emta ime të ishte bashkëpunëtorja ime e pavetëdijshme, e lashë të besonte se isha aq e varfër sa të mos kisha mjaftueshëm për të blerë rroba të tjera përveç këtyre… Megjithatë, siç mund ta shohësh, kam një çantë mjaft të mbushur; nga kjo anë, ar… nga ana tjetër, diamante – (dhe Sesilia i tregoi noterit një çantë të gjatë mëndafshi të kuqe të mbushur me ar dhe përmes së cilës mund të shiheshin edhe disa gurë të çmuar që shkëlqenin); Fatkeqësisht, as paratë e botës nuk do të më jepnin një strehë aq të sigurt sa shtëpia juaj, kaq e izoluar nga vetë izolimi në të cilin jetoni… Pra, pranoni një nga ofertat e mia; do të më bëni një nder. E shihni, pothuajse po e vë veten në mëshirën tuaj; sepse të thuash «Po fshihem, – është si të thuash, – Po më kërkojnë… – Por jam i sigurt se nuk do të më tradhtonit, edhe nëse do të dinit si të më tradhtonit… Ky besim romantik, ky ndryshim i papritur i karakterit, ia tronditi mendjen Zhak Ferròsë. Kush ishte kjo grua? Pse po fshihej? A e kishte sjellë vetëm rastësia në shtëpinë e tij? Nëse, përkundrazi, ajo kishte ardhur për një qëllim të fshehtë, cili ishte ai qëllim? Midis të gjitha hipotezave që kjo aventurë e çuditshme ngriti në mendjen e noterit, motivi i vërtetë për praninë e gruas kreole në shtëpinë e tij i shpëtoi. Ai nuk kishte, ose më saktë besonte se kishte, armiq të tjerë përveç viktimave të epshit dhe lakmisë së tij; megjithatë, të gjithë ishin në një gjendje kaq të vështirë dhe të dëshpëruar sa ai nuk mund të dyshonte se po i ngrinin një kurth, duke përdorur Sesilian si karrem… Dhe përveç kësaj, cili do të ishte qëllimi i ngritjes së një kurthi të tillë?
Jo, transformimi i papritur i Sesilias frymëzoi vetëm një frikë te Zhak Ferrò: ai mendoi se nëse kjo grua s’po thoshte të vërtetën, ajo mund të ishte një aventuriere që, duke besuar se ai ishte i pasur, po hynte në shtëpinë e tij për ta mashtruar, për ta shfrytëzuar dhe ndoshta edhe për t’u martuar me të.
Por, megjithëse lakmia e tij u tërhoqën nga kjo ide, ai e kuptoi me një dridhje se këto dyshime, këto reflektime, ishin shumë vonë… sepse me një fjalë të vetme, ai mund ta shuante mosbesimin e tij duke e larguar këtë grua nga shtëpia e tij. Ai nuk e tha atë fjalë… Edhe këto mendime mezi arritën ta shkëputnin për disa çaste nga ekstaza e zjarrtë në të cilën e zhyti pamja e kësaj gruaje të bukur, kjo bukuri sensuale që ftilloi kaq shumë ndikim mbi të… Përveç kësaj, që nga dita e kaluar ai ishte ndjerë i dominuar, i magjepsur.
Ai tashmë e donte në mënyrën e tij, dhe me tërbim…
Tashmë ideja për ta parë këtë krijesë joshëse të largohej nga shtëpia e tij i dukej e papranueshme; madje, duke ndjerë shpërthime xhelozie të egër nga mendimi se Sesilia mund t’u jepte të tjerëve thesaret e kënaqësisë që ajo gjithmonë mund t’ia mohonte, ai gjeti një ngushëllim të errët duke i thënë vetes:
– Për sa kohë që ajo mbahet robëreshë në shtëpinë time… askush nuk do ta zotërojë atë. – Guximi i të folurit të kësaj gruaje, zjarri në sytë e saj, liria provokuese e sjelljes së saj zbuluan mjaft qartë se ajo nuk ishte, siç pretendonte, një puritane. Kjo bindje, e cila i dha noterit shpresa të paqarta, siguroi më tej pushtetin e Sesilias.
Shkurt, epshi i Zhak Ferrò, duke mbytur zërin e arsyes së ftohtë, e çoi atë të dorëzohej verbërisht ndaj përroit të dëshirave të shfrenuara që e rrëmbyen.
U ra dakord që Sesilia do të ishte shërbëtorja e tij vetëm në pamje; kjo do të shmangte çdo skandal. Për më tepër, për të siguruar më tej sigurinë e zonjës së tij, ai nuk do të punësonte asnjë shërbëtor tjetër, duke u dorëzuar për t’i shërbyer asaj dhe vetes. Një fqinj që ofronte ushqim do t’ia sillte atë, ai do t’u paguante në dorë drekat e nëpunësve të tij dhe portieri do të kujdesej për mirëmbajtjen e zyrës. Më në fund, noteri menjëherë organizoi që një dhomë në katin e parë të mobilohej sipas dëshirës së Sesilias. Ajo donte ta paguante, por ai refuzoi dhe shpenzoi dy mijë franga. Kjo bujari ishte e jashtëzakonshme dhe vërtetoi intensitetin e jashtëzakonshëm të pasionit të tij.
Pastaj filloi një jetë e tmerrshme për këtë të mjerë. I kufizuar në vetminë e padepërtueshme të shtëpisë së tij, e paarritshme për të gjithë, gjithnjë e më shumë nën zgjedhën e dashurisë së tij të pakufizuar, duke hequr dorë nga çdo përpjekje për të depërtuar në sekretet e kësaj gruaje të çuditshme, ai kaloi nga zotëri në skllav; ai ishte shërbëtori i Sesilias, duke i shërbyer asaj në të gjitha vaktet dhe duke u kujdesur për apartamentin e saj.
E paralajmëruar nga baroni De Graün se Luiza ishte kapur nën ndikimin e tij narkotik, gruaja kreole pinte vetëm ujë kristalor dhe hante vetëm ushqim të pamundur për t’u falsifikuar; ajo kishte zgjedhur dhomën e saj dhe ishte siguruar që muret të mos maskonin dyer të fshehta.
Për më tepër, Zhak Ferrò e kuptoi shpejt se Sesilia nuk ishte një grua që ai mund ta habiste ose përdhunonte pa u ndëshkuar. Ajo ishte energjike, e shkathët dhe e armatosur në mënyrë të rrezikshme; vetëm një delir i tërbuar mund ta kishte shtyrë atë në përpjekje të dëshpëruara dhe ajo e kishte mbrojtur veten në mënyrë të përkryer nga ky rrezik…
Megjithatë, për të mos e lodhur ose dekurajuar pasionin e noterit, gruaja kreole nganjëherë dukej e prekur nga vëmendjet e tij dhe e lajkatuar nga pushteti i tmerrshëm që ajo mbante mbi të. Pra, duke supozuar se përmes akteve të përsëritura të përkushtimit dhe vetëmohimit ai mund ta bënte atë të harronte shëmtinë dhe moshën e tij, ajo kënaqej duke i përshkruar atij, me anë të një guximi të zjarrtë, kënaqësinë e pashprehshme me të cilën ajo mund ta dehte, nëse kjo mrekulli dashurie do të ndodhte ndonjëherë.
Me këto fjalë nga një grua kaq e re dhe e bukur, Zhak Ferrò nganjëherë ndjeu se arsyeja e tij po i dobësohej… Imazhe përvëluese e ndiqnin kudo; simboli i lashtë i tunikës së Nessus po bëhej realitet për të…
Mes këtyre mundimeve të paemërta, ai humbi shëndetin, oreksin, gjumin.
Ndonjëherë, natën, pavarësisht të ftohtit dhe shiut, ai zbriste në kopshtin e tij dhe kërkonte, me një shëtitje të ngutur, të qetësohej, të thyente pasionet e tij.
Në raste të tjera, për orë të tëra, ai e zhyste shikimin e tij të djegur në dhomën e gjumit të gruas kreole të fjetur. Sepse ajo kishte pasur kënaqësinë djallëzore për të lejuar që një kapak të shpohej në derën e saj, të cilën e hapte shpesh…, se Sesilia kishte vetëm një qëllim: të ndizte pa pushim pasionin e këtij burri pa e kënaqur kurrë, ta acaronte atë pothuaj deri në pikën e çmendurisë, në mënyrë që ajo të mund të zbatonte urdhrat që kishte marrë… Ai çast dukej se po afrohej.
Dënimi i Zhak Ferrò po bëhej gjithnjë e më i përshtatshëm për krimet e tij… Ai po vuante mundimet e ferrit. Herë pas here i zhytur, i shqetësuar, jashtë vetes, indiferent ndaj interesave të tij më serioze, ndaj ruajtjes së reputacionit të tij si një njeri i rreptë, serioz dhe i devotshëm – një reputacion i uzurpuar, por i fituar përmes viteve të tëra mashtrimi dhe dinakërisë – ai i habiti nëpunësit e tij me devijimin e mendjes së tij, i zhgënjente klientët e tij duke refuzuar t’i pranonte ata dhe i largoi brutalisht priftërinjtë të cilët, të mashtruar nga hipokrizia e tij, deri atëherë kishin qenë mbështetësit e tij më të zjarrtë. Pafuqia e tij shkatërruese, e cila i sillte lot në sy, pasohej nga shpërthime të tërbuara; kur tërbimi i tij arrinte kulmin, ai ulërinte në vetmi dhe në hije si një bishë e egër. Edhe nëse shpërthimet e tij të zemërimit përfundonin në një lloj shkatërrimi të dhimbshëm të të gjithë qenies së tij, ai as nuk e shijonte atë qetësi vdekjeprurëse që shpesh shkaktohej nga zhdukja e mendimit: gjaku përvëlues i këtij burri, në fuqinë e plotë të rinisë së tij, nuk i linte as pushim e as veprim… Një trazirë e thellë dhe e nxehtë ia thakmonte vazhdimisht mendjen.
Siç e kemi thënë, Sesilia po i rregullonte flokët natën para pasqyrës së saj.
Me një zhurmë të lehtë që vinte nga korridori, ajo ktheu kokën nga dera…


