I
Më 3 maj 1882, nga Havri u nis drejt deteve të Kinës anija me tri direkë «Zoja e Erërave». Ajo shkarkoi ngarkesën e vet në Kinë, mori atje një ngarkesë të re, e çoi në Buenos-Ajres dhe prej andej transportoi mallra në Brazil.
Kalimet nga njëri vend në tjetrin, dëmtimet, riparimet, bunacat që zgjatnin me muaj të tërë, erërat që e nxirrnin anijen shumë larg kursit, aventurat dhe fatkeqësitë detare e vonuan aq shumë, saqë ajo lundroi katër vjet nëpër dete të huaja dhe vetëm më 8 maj 1886 u ankorua në Marsejë, me një ngarkesë kutish prej teneqeje me konserva amerikane.
Kur anija u nis nga Havri, në bord ndodheshin kapiteni, ndihmësi i tij dhe katërmbëdhjetë marinarë. Gjatë udhëtimit njëri prej marinarëve vdiq, katër u zhdukën nëpër peripeci të ndryshme dhe vetëm nëntë u kthyen në Francë. Në vend të marinarëve të humbur, në anije u morën në punë dy amerikanë, një zezak dhe një suedez, të cilin e gjetën në një mejhane në Singapor.
Në anije mblodhën velat dhe i lidhën litarët kryq në direk. U afrua një rimorkiator me avull dhe, duke gulçuar, e tërhoqi drejt vargut të anijeve. Deti ishte i qetë; pranë bregut mezi përplasej një valëzim i fundit. Anija hyri në rreshtin ku, përgjatë kalatës, qëndronin krah për krah anije nga të gjitha vendet e botës, të mëdha e të vogla, të çdo madhësie, forme dhe pajimi. «Zoja e Erërave» zuri vend ndërmjet një brigu italian dhe një shkune angleze, të cilat u ngjeshën pak për t’i bërë vend shoqes së re.
Sapo kapiteni mbaroi punë me doganierët dhe nëpunësit e portit, e lejoi gjysmën e marinarëve të dilnin në tokë për tërë natën.
Ishte një natë e ngrohtë vere. E gjithë Marseja ishte e ndriçuar; nëpër rrugë përhapej era e gjellëve nga kuzhinat dhe, nga të gjitha anët, dëgjoheshin gumëzhima e bisedave, rropama e rrotave dhe thirrje gazmore.
Marinarët e «Zojës së Erërave» kishin rreth katër muaj pa shkelur në tokë dhe tani, pasi zbritën në breg, ecnin të druajtur nëpër qytet, dy e nga dy, si të huaj, si njerëz të çmësuar nga jeta e qyteteve. Vështronin rreth e rrotull, duke nuhatur rrugët pranë skelës, sikur të kërkonin diçka. Prej katër muajsh nuk kishin parë gra dhe epshi i mundonte.
Në krye të tyre ecte Selesten Dykloja, një djalosh i bëshëm dhe i shkathët. Ai u printe gjithmonë të tjerëve kur dilnin në tokë. Dinte t’i gjente vendet e mira, dinte edhe të dilte nga situata kur duhej dhe nuk përzihej në zënka, siç u ndodh shpesh marinarëve kur zbresin në breg; por, po të plaste sherri, nuk mbetej pas shokëve dhe dinte ta mbronte veten.
Për një kohë të gjatë marinarët u endën duke u shtyrë nëpër rrugët e errëta, të cilat, si kanale kullimi, zbrisnin të gjitha drejt detit dhe prej të cilave vinte era e rëndë e bodrumeve dhe e qilarëve. Më në fund, Selesteni zgjodhi një rrugicë të ngushtë, ku mbi dyer digjeshin fenerë të fryrë, dhe hyri në të. Marinarët, duke zgërdhirë e duke kënduar nën zë, e ndoqën pas. Në xhamat e mjegullt e të ngjyrosur të fenerëve ishin shkruar shifra të stërmëdha. Nën qemerët e ulët të dyerve rrinin ulur në karrige kashte gra me përparëse; sapo shihnin marinarët, brofnin në këmbë dhe, duke dalë në mes të rrugës, ua zinin udhën e secila përpiqej t’i joshte drejt strofkës së vet.
Herë pas here, në fund të ndonjë hyrjeje, hapej befas një derë. Prej andej shfaqej një vajzë gjysmë e zhveshur, me pantallona të ngushta prej pëlhure të trashë pambuku, me një fund të shkurtër dhe me një jelek të zi kadifeje, të zbukuruar me shirita të praruar.
– Hej, bukurosha, hyni! – i thërriste që larg dhe nganjëherë dilte vetë me vrap, i varej ndonjërit prej marinarëve dhe e tërhiqte me të gjitha forcat drejt derës. Ngulej pas tij si merimanga kur tërheq një mizë më të fuqishme se vetja. Djali, i squllur nga epshi, kundërshtonte dobët, ndërsa të tjerët ndalonin dhe prisnin të shihnin se ç’do të ndodhte; por Selesten Dykloja bërtiste:
– Jo këtu, mos hyr; më tej!
Djali ia dëgjonte zërin dhe shkëputej me forcë nga vajza. Pastaj marinarët vazhdonin rrugën, të përcjellë nga sharjet e saj të tërbuara. Nga zhurma, përgjatë gjithë rrugicës dilnin me vrap edhe të tjera, u hidheshin përpara dhe, me zëra të ngjirur, u lëvdonin mallin e vet.
Kështu ata shkonin gjithnjë e më tej. Rrallëherë u dilnin përballë herë ushtarë që trokisnin me mamuzet e çizmeve, herë ndonjë qytetar ose shitës dyqani, që, fillikat, përvidhej drejt një vendi të njohur. Edhe në rrugicat e tjera ndriçonin po ata fenerë, por marinarët vazhdonin gjithnjë përpara, duke shkelur përmes llucës së qelbur që rridhte nga poshtë shtëpive të mbushura me trupa grash.
Më në fund, Dykloja ndaloi pranë një shtëpie disi më të mirë se të tjerat dhe i futi aty shokët e vet.
II
Marinarët rrinin ulur në sallën e madhe të mejhanes. Secili kishte zgjedhur nga një shoqëruese dhe nuk ndahej më prej saj gjatë gjithë mbrëmjes: kështu e donte zakoni i vendit. Tri tryeza ishin bashkuar me njëra-tjetrën dhe marinarët, para së gjithash, pinë bashkë me vajzat; pastaj u ngritën dhe u ngjitën me to lart. Për një kohë të gjatë, këpucët e rënda të njëzet këmbëve trokëllinë fort mbi shkallët e drunjta, derisa të gjithë u dyndën përmes dyerve të ngushta dhe u shpërndanë nëpër dhomat e gjumit. Nga dhomat zbritnin përsëri poshtë për të pirë dhe pastaj ngjiteshin sërish lart.
Ahengu kishte marrë dhenë. Paga e gjashtë muajve u tret brenda katër orësh shfrenimi. Aty nga ora njëmbëdhjetë, të gjithë ishin dehur dhe, me sytë të skuqur nga gjaku, bërtisnin pa lidhje, pa e ditur as vetë se çfarë thoshin. Secili mbante nga një vajzë në prehër. Njëri këndonte, tjetri bërtiste, një tjetër godiste tryezën me grusht, ndërsa një tjetër derdhte verë drejt e në grykë.
Selesten Dykloja rrinte mes shokëve. Mbi njërin gju i ishte ulur kaluar një vajzë e bëshme, e shëndoshë dhe faqekuqe. Ai kishte pirë jo më pak se të tjerët, por ende nuk ishte dehur krejt; në kokë i silleshin ca mendime. Ishte bërë i përzemërt dhe kërkonte një temë bisede me shoqëruesen e tij. Por mendimet i vinin dhe i iknin menjëherë, dhe ai nuk arrinte dot t’i kapte, t’i kujtonte e t’i shprehte.
Qeshte dhe thoshte:
– Pra, kështu… kështu… Po ti, ke kohë këtu?
– Gjashtë muaj, – u përgjigj vajza.
Ai tundi kokën, sikur ta miratonte për këtë.
– Epo, mirë je këtu?
Ajo u mendua paksa.
– Jam mësuar, – tha ajo. – Duhet ta shtyjë njeriu disi. Prapëseprapë, më mirë kështu sesa të shërbesh nëpër shtëpi ose të lash rrobat e të tjerëve.
Ai tundi kokën në shenjë miratimi, sikur ta miratonte edhe për këtë.
– Dhe ti nuk je nga këtej?
Ajo tundi kokën për të treguar se nuk ishte vendëse.
– Nga larg?
Ajo pohoi me kokë.
– Po nga je?
Ajo u mendua, sikur po përpiqej ta kujtonte.
-Nga Perpinjani jam, – tha.
– Ashtu, ashtu, – murmuriti ai dhe heshti.
– Po ti, çfarë je, marinar? – e pyeti tani ajo.
– Po, marinarë jemi.
– Keni qenë larg?
– Jo edhe aq afër. Kemi parë gjithfarë gjërash.
– Me siguri, i keni rënë edhe rreth e qark botës?
– Jo vetëm një herë; thuajse dy herë i kemi rënë përqark.
Ajo dukej sikur po mendohej, duke u përpjekur të kujtonte diçka.
– Besoj, se keni hasur shumë anije, apo jo? – tha.
– E si jo.
– Mos ju ka rënë të ndeshni «Zojën e Erërave»? Është një anije me këtë emër.
Ai u habit që ajo kishte përmendur anijen e tij dhe i shkoi mendja të bënte shaka.
– Si jo, e ndeshëm javën e kaluar.
– Vërtet, ç’thua? – pyeti ajo dhe u zbeh.
– Vërtet.
– Nuk po gënjen?
– Për Zotin, – u betua ai.
– Po Selesten Dyklonë, mos e pe atje? – pyeti ajo.
– Selesten Dyklonë? – përsëriti ai dhe jo vetëm u habit, por edhe u tremb. Nga mund t’ia dinte ajo emrin?
– Po ti e njeh? – e pyeti. Dukej se edhe ajo ishte trembur nga diçka.
– Jo unë, por është një grua këtu që e njeh.
– Çfarë gruaje? Nga kjo shtëpi?
– Jo, këtu afër.
– Ku këtu afër?
– Epo, jo larg.
– Po kush është ajo?
– Thjesht një grua, si unë.
– Po ç’e do ajo?
– Nga ta di unë. Ndoshta është nga i njëjti vend me të.
Ata vështruan njëri-tjetrin drejt në sy, sikur kërkonin të zbulonin diçka.
– Do të doja ta takoja atë grua, – tha ai.
– Përse? Çfarë do t’i thuash?
– T’i them…
– Çfarë t’i thuash?
– T’i them se e kam parë Selesten Dyklonë.
– Ti e ke parë Selesten Dyklonë? Është gjallë, është mirë?
– Është mirë. Po përse?
Ajo heshti, duke u përpjekur sërish të mblidhte mendimet, dhe pastaj tha me zë të ulët:
– Po «Zoja e Erërave» ku po shkon?
– Ku? Në Marsejë.
– Vërtet?! – klithi ajo.
– Vërtet.
– Dhe ti e njeh Dyklonë?
– Të thashë që e njoh.
Ajo u mendua.
– Ah, kështu pra… Mirë atëherë, – tha ajo me zë të ulët.
– Po ç’e do ti atë?
– Po ta shohësh, thuaji… Jo, s’ka pse.
– Çfarë?
– Jo, asgjë.
Ai e vështronte dhe shqetësohej gjithnjë e më shumë.
– Po ti vetë e njeh? – e pyeti.
– Jo, nuk e njoh.
– Atëherë, ç’e do?
Ajo, pa iu përgjigjur, brofi befas dhe vrapoi drejt banakut të vogël, pas të cilit rrinte pronarja. Mori një limon, e preu, shtrydhi lëngun në një gotë, pastaj i hodhi ujë dhe ia zgjati Selestenit.
– Na, pije, – tha dhe u ul përsëri në prehrin e tij, si më parë.
– Për çfarë është kjo? – pyeti ai, duke ia marrë gotën.
– Që të dalë pija. Pastaj do ta tregoj. Pije.
Ai e piu dhe fshiu buzët me mëngë.
– Epo, fol, po të dëgjoj.
– Po ti nuk do t’i thuash se më ke parë, apo jo? As nuk do t’i thuash se nga kush e ke dëgjuar atë që do të tregoj?
– Mirë, nuk do t’i them.
– Betohu për Zotin!
Ai u betua.
– Për Zotin?
– Për Zotin.
– Atëherë thuaji se i ati i ka vdekur, edhe e ëma i ka vdekur, edhe i vëllai ka vdekur. Nga ethet. Brenda një muaji vdiqën të tre.
Dykloja ndjeu sikur i gjithë gjaku iu mblodh në zemër. Qëndroi disa minuta në heshtje, pa ditur çfarë të thoshte, pastaj mezi shqiptoi:
– Dhe ti e di me siguri?
– Me siguri.
– Po kush ta ka thënë?
Ajo i vuri duart mbi supe dhe e vështroi drejt në sy.
– Betohu se nuk do ta përhapësh.
– Epo, u betova. Për Zotin.
– Unë jam motra e tij.
– Fransuaza! – klithi ai.
Ajo e vështroi ngultas dhe lëvizi buzët fare ngadalë, pothuajse pa nxjerrë zë:
– Pra, qenke ti, Selesten!
Ata nuk lëvizën. Mbetën të ngrirë ashtu siç ishin, duke vështruar njëri-tjetrin në sy.
Ndërkohë, përreth tyre, të tjerët ulërinin me zëra të dehurish. Tingëllima e gotave, përplasja e shuplakave dhe e takave, si edhe klithmat therëse të grave, përziheshin me poteren e këngëve.
– Po si ndodhi kështu? – tha zëulët, aq ulët, sa edhe ajo mezi ia dalloi fjalët.
Sytë iu mbushën befas me lot.
– Ja, kështu, vdiqën. Të tre, brenda një muaji, – vazhdoi ajo. – Ç’mund të bëja? Mbeta vetëm. Për barnat, për mjekun, për varrimin e të treve… shita çfarë kishim, shlyeva borxhet dhe mbeta vetëm me rrobat e trupit. Hyra shërbëtore te zotëria Kasho… të kujtohet, ai çalamani? Sapo i kisha mbushur pesëmbëdhjetë vjeç; kur ike ti, nuk i kisha mbushur ende as katërmbëdhjetë. Me të rashë në mëkat… Ne gratë, të marra jemi. Pastaj hyra dado te noteri; edhe ai po ashtu. Në fillim më mbajti me shpenzimet e veta dhe jetoja në një banesë. Por jo për shumë kohë. Më braktisi; qëndrova tri ditë pa ngrënë, askush nuk më merrte në punë, dhe kështu përfundova këtu, si gjithë të tjerat.
Ajo fliste dhe lotët i rridhnin çurg nga sytë e nga hunda, i lagnin faqet dhe i hynin në gojë.
– Ç’kemi bërë kështu! – tha ai.
– Mendoja se edhe ti kishe vdekur, – tha ajo mes lotësh. – A thua se e kisha unë në dorë? – pëshpëriti.
– Po si nuk më njohe? – tha edhe ai me pëshpërimë.
– Nuk e di, nuk kam faj, – vazhdoi ajo dhe shpërtheu në vaj edhe më fort.
– Po unë si mund të të njihja? A ishe kështu kur u largova? Po ti, si nuk më njohe?
Ajo bëri një lëvizje dëshpërimi me dorë.
– Ah! Shoh aq shumë burra, sa për mua të gjithë kanë të njëjtën fytyrë.
Zemra po i shtrëngohej me aq dhembje dhe aq fort, sa donte të bërtiste e të ulërinte si një djalë i vogël kur e rrahin.
U ngrit, e largoi nga vetja dhe, duke ia kapur kokën me duart e tij të mëdha prej marinari, nisi ta vështronte ngultas në fytyrë.
Dalëngadalë, më në fund, njohu tek ajo vogëlushen e imët, të hollë e gazmore, të cilën e kishte lënë në shtëpi me ata të cilëve ajo ua kishte mbyllur sytë.
– Po, ti je Fransuaza! Motra ime! – tha ai.
Dhe befas në grykë iu mblodhën dënesa, dënesa të rënda burri, të ngjashme me lemzën e një të dehuri. Ai ia lëshoi kokën, i ra tryezës aq fort, sa gotat u përmbysën dhe u bënë copë e thërrime, pastaj lëshoi një britmë të egër.
Shokët kthyen kokën nga ai dhe mbetën duke e vështruar.
– Shiko sa tapë është bërë, – tha njëri.
– Boll ulërite! – tha një tjetër.
– Hej, Dyklo! Ç’ulërin? Hajde të ngjitemi përsëri lart, – tha i treti, duke e tërhequr Selestenin nga mënga me njërën dorë, ndërsa me tjetrën mbante përqafuar shoqëruesen e vet, që qeshte me të madhe, fytyrëskuqur e me sytë e zinj që i shkëlqenin, veshur me një korse të dekolte prej mëndafshi rozë.
Dykloja heshti befas dhe, duke mbajtur frymën, u nguli sytë shokëve. Pastaj, me atë shprehje të çuditshme dhe të vendosur që merrte zakonisht kur hynte në sherr, duke u lëkundur iu afrua marinarit që mbante vajzën në krahë dhe futi dorën mes tyre, duke i ndarë.
– Largohu! Nuk e sheh se ajo është motra jote? Të gjitha janë motrat e dikujt. Ja, edhe kjo është motra ime, Fransuaza. Ha-ha-ha-ha!…
Dhe shpërtheu në dënesa që ngjanin me të qeshura. U lëkund, ngriti duart dhe u shemb me fytyrë përdhe. Pastaj nisi të rrokullisej në dysheme, duke e goditur me duar e me këmbë dhe duke gulçuar si një njeri në grahmat e fundit.
– Duhet ta vëmë të flejë, – tha njëri prej shokëve, – se mos e rrasin brenda po doli kështu në rrugë.
Ata e ngritën Selestenin, e tërhoqën lart, në dhomën e Fransuazës, dhe e shtrinë në shtratin e saj.


