Armela Hysit i kam lexuar fillimisht poezinë dhe zbulova një poete ndryshe, me zë të veçantë, që lë gjurmë në krejt hapësirën e letrave shqipe. Me frymë postmoderne, poezi të shtratit psikologjik e filozofik, të ngarkuara emocionalisht, ku ndërthurren vetmia, mungesa, kujtesa, femërorja. Poezi imazhesh të forta e të befta, ku dhimbja dhe ngushëllimi, butësia dhe ashpërsia bashkëjetojnë. Që nuk marrin përsipër të shpjegojnë, lihet vetëm të ndjesh.
U ndala pak tek poezia e saj për të mbritur te proza, romani ‘’Prekje në mjegull’’ që promovojmë sot. Krijuesi s’mund t’i shpëtojë vetes dhe talentit të tij, kështuqë ishte e pritshme për mua që dhe në prozë do hasja Armelën që gjeta në poezi. Dhe vërtetë, romani i parë, duket se ka po atë vazhdimësi fryme perceptimi që ndeshim në poezi. Është si një manifestim a zgjerim natyral i botës së saj poetike drejt prozës. E prirur për nga atmosfera introspektive, emocionale, filozofike e simbolike. Ku mjegulla e hasur në titull, funksionon si metaforë e kujtesës, humbjes dhe kërkimit të vetvetes. Ashtu si edhe në poezi, nuk mungojnë elementet e stilit të saj poetik, gjuha lirike mbështetur më tepër te ndjesia dhe atmosfera, duke operuar kryesisht me ekzistencializmin, nëse do t’i referoheshim një metode letrare, ku kanë spikatur emra të mëdhenj të letërsisë botërore, si Dostojevski, Kamy, Kafka, Sartre, sesa rrëfimit klasik linear.
Siç kuptohet që në faqet e para të këtij libri, ngjarjet i përkasin epidemisë botërore të covid-19, të cilën të gjithë e kemi të freskët në kujtesën tonë. Secili ka përvojën e vetë të përballjes me të, mbresat e kujtimet e veta dhe, si lexues, kur të bie në dorë një tekst me këtë temë, do kërkoje të mësoje ç’të veçantë ka sjellë autori për diçka që të gjithë jemi dëshmitarë. Ekziston kështu rreziku i zhgënjimit, që ushqehet nga pandehma e mosbesimit, në kuptimin, e çdo thotë autorja më tepër për një fenomen mbarë botëror, aq shumë të përfolur e për të cilin dihet pothuajse gjithçka?!.. Megjithatë, kur e mbaron së lexuari ‘’Prekje në mjegull’’, kupton më shumë nga ç’ke kuptuar për epideminë e tmerrshme, mëson më shumë nga ç’ke ditur. Has ndjesi që vërtetë mund t’i kesh përjetuar, por nuk ke mundur t’i vesh deri në fund thelbit domethënës të tyre. Nuk e ke shijuar sa ç’duhet ngarkesën emocionale që përcjellin ngjarjet, faktet, dramat a bëmat në jetën e njerëzve. Dhe kjo, si arritje, është krejtësisht meritë e autores. E cila kam bindjen se që në fillim, akoma pa hedhur në letër fjalinë e parë, ka vendosur a marrë përsipër të sjellë një periudhë që mund të vjetërohet si kohë, por nuk harrohet kurrë si ndjesi. Të kapërcehet si ngjarje, si fakt, veç të jetojë gjatë përshtypja, mbresa e lënë.
Dhe për ta përmbushur këtë angazhim letrar, si çdo shkrimtar zakonisht, është pozicionuar qartë në atë se ‘’çfarë do thotë’’ dhe ‘’si do ta thotë’’. Për dimensionin e parë, i është dashur të ndërmarrë një kuturisje të dyfishtë: të hulumtojë brenda vetes dhe njëkohësisht ta vendos veten në kuadrin e përgjithshëm të ngjarjeve. Duke parë brenda vetes, sjellë mendimet, ndjenjat, dyshimet, brerjet e ndërgjegjes, kujtimet a përplasjet shpirtërore e psikologjike. Pa lënë pas dore edhe dukjen në skenën e madhe, të qenit qelizë e trupit të të gjithë botës. Një zë në korin shurdhues të të gjithë globit. Kam lexuar dhe autorë të tjerë që kanë trajtuar temën e covid-19, por e veçanta e këtij romani është se dilet shumë jashtë guackës individuale të heroit a heroinës kryesore. Gjëma, fatkeqësia e botës është parë apo ka përcaktuar dhe gjëmën e një individi të vetëm.
Nga ana tjetër, ky përkushtim e angazhim, gjithmonë në aspektin e asaj se si do ta thotë, mëshirohet nëpërmjet dy linjave kryesore, që janë lehtësisht të evidentueshme në këtë libër. Nga një anë kemi ecurinë e epidemisë, lindjen, përhapjen, pushtimin e gjithë botës, alarmin, shqetësimin, ankthin, tmerrin, revoltën, solidaritetin, numrin në rritje të të prekurve e viktimave, që funksionon edhe si një shtysë subjekti a nyje kompozicionale; nga ana tjetër është fati i një familjeje emigranti, në vorbullën tragjike të një epidemie të frikshme. Me heroinën kryesore që lëviz fijet e i jep tonin gjithë veprës.
Nëse dëshiron të flasësh për ‘’Prekje në mjegull’’, do të merresh patjetër me heroinën kryesore, si shtylla qendrore dhe pothuajse e vetme e romanit, përderisa dhe rrëfimi është në vetë të parë. Duke mos dashur të rrëfejë ngjarjet, por veç ta grish lexuesin për ta lexuar këtë libër, është interesante të bëjmë një qasje ndaj rrëfimit në vetë të parë, në kuptimin e avantazheve dhe disavantazheve, grackave e rreziqeve që mund të ketë kjo mënyrë interpretimi në letërsi. Kështu, si anë pozitive mund të themi se krijon afërsi emocionale me personazhin, lexuesi hyn drejtëpërdrejtë në mendimet, ndjenjat dhe përjetimet e narratorit, duke e bërë rrëfimin tepër intim. Siguron besueshmëri psikologjike e shton dozën e realizmit, një frymë më subjektive, ndoshta të pa hasur më parë, nëpërmjet përvojës personale, fjalorit lokal, humorit apo tonit emocional. Fiton intensitet e tension të madh, meqë lexuesi di vetëm sa ç’di narratori, kështu që do mbetet i gozhduar pas tij. Misteri dhe reagimi ndaj të papriturave rritet më tepër. Të ofron gjithashtu një ndjesi të fortë autenticiteti, aqsa të të duket se po lexon një ditar, libër me kujtime apo vepër autobiografike. Që gjithsesi e bën rrëfimin edhe më të vërtetë e realist.
Nga ana tjetër nuk janë pak dhe disavantazhet, kufizimet a rreziqet e mundshme të kësaj mënyre rrëfimi. Kështu, mund të përmendim perspektivën e kufizuar, narratori nuk mund të dijë gjithçka, ai njeh vetëm atë që ka dëgjuar, parë ose kuptuar. Duke u vështirësuar të japë larmi personazhesh, fenomenesh a ngjarjesh, historike e shoqërore. Ekziston mundësia e të rënit në monotoni, nëse zëri i narratorit nuk është interesant, tërheqës, i dallueshëm, i gjithë romani mund të bëhet i lodhshëm. Apo gracka e mosbesimit, pasi narratori mund të mashtrojë kur i kupton gabimisht ngjarjet. Autori, në vetë të parë, nuk mund të hyjë lirshëm në botën e personazhit, në mendimet e përjetimet e tij, siç ndodh fjala vjen me vetën e tretë. Ngjarjet paraqiten vetëm nga një këndvështrim, ndaj lexuesit mund t’i jepet një pamje e kufizuar e jo e plotë mbi ngjarje e fenomene të cilave u referohet shkrimtari.
Mes këtyre peripecive krijuese padyshim se është gjendur dhe autorja e këtij libri, veta e parë e rrëfimit e ka grishur më tepër dhe ka qëndruar tek kjo meqë është ndjerë më e sigurtë. Por duke ditur dhe rreziqet që përmendëm më lart, si për t’iu shmangur atyre, sjell një rrëfim në vetë të parë të dyfishtë. Duket sikur ka dy sy që operojnë të pavarur nga njëri-tjetri e njëkohësisht janë pjesë të një kurmi a shpirti të vetëm. Me njërin vështron botën rreth e përtej saj, duke nisur nga më të afërmit në familje, miqtë e më gjerë, gjithë universin e ngecur në kthetrat e epidemisë së tmerrshme; kurse me tjetrin, të drunjtin siç thuhet në libër, bën eksplorimin e ftohtë e të paanshëm brenda vetes. Sigurohet kështu ecuria e njëkohshme e ngjarjeve, bashkë me bëmat që po trondisin botën, shpalosen edhe zhvillimet e brendshme të heroinës kryesore. Jepet raporti me veten, parë në kuadër më të gjerë, pa përjashtuar njerëzit që e rrethojnë, ingranuar në rrjedhat e ndodhive universale, kaluar gjithçka në sitën e dashurisë. Duke e parë këtë si shpëtimtaren e vërtetë të botës dhe të vetes.
Si përfundim mund të themi se Armela Hysi, ashtu si dhe në poezi, ia ka dalë me sukses prozës së gjatë e më të komplikuar, romanit. ‘’Prekje në mjegull’’ është libri i dhimbjes globale, parë nëpërmjet pasqyrës së një individi të vetëm. I dashurisë universale filluar së pari nga vetja. Përmes fatkeqësisë a tragjedisë më të fundit, ndriçohet fytyra e bukur e botës, harruar e nëpërkëmbur jo pak në kohrat moderne. Ngrihet lart fryma kolektive në raport me individualitetin, humanizmi vendoset mbi çnjerëzoren, e mira mbi të keqen, pozitivja mbi negativen, dashuria mbi urrejtjen. Është si një trokitje në kujtesën e botës së sotme, për të mos harruar vlerat më të mira të së kaluarës. Ashtu siç fokusohet edhe mbi individin, duke lënë të kuptohet se kur s’është vonë për tu vetëpërsosur. Për t’u çliruar nga mangësitë a dobësitë e tua dhe sfiduar demonët e të tjerëve. Mëshiruar të gjitha këto, përmes një stili të shkathët e origjinal. E që i ngjan së tepërmi një vërshimi përroi psiqik, intim, filozofik, emocional, shoqëruar vazhdimisht me frymë lirizmi e nerv poetik.


