KreuLetërsiBibliotekëNuri Plaku: Pergamenë e shkruar me germa guri (poezi)

Nuri Plaku: Pergamenë e shkruar me germa guri (poezi)

GRUA

Grua…
Lule drite
Çelur
Në zemrën e një burri.

Aroma jote
Frymë guri!


BESIMI YT PREJ DRITE

Përkëdhel trungun e shelgut
Ku mbillnim dikur
Puthjet tona të drojtura
E zgjoj brenda tij
Furtunën e fshehur të zemrës tënde.

Nga degët e blerta
Më bien mbi supe
Cicërima të thara zogjsh.

Befas
Bëhem dimër
E shtegtoj nëpër vite.

Ah!
Sa më ka vrarë
Besimi yt prej drite!


ZËRI ËSHTË LËVIZJA IME

Përqafojë pemën e vendlindjes
E them me zë të lartë
Një lutje për ty.

Zogjtë nëpër degë
Këndojnë këngë parajse.

Dhimbja bëhet flutur
E ikën nëpër qiell
Duke mbajtur në krahë
Lutjen time.

Zëri është
Lëvizja ime.


QARAMIDHE HËNE

Kaloi furtuna e syve të saj
E më bëri rrëmujë bukurije.

Tashmë më duhet të marr udhë të largët
Të gjej një qaramidhe hëne
Të zë pikën e shirave
Që rrjedh brenda meje.

Do shkojë në malet e përrallave
Ku burojnë përrenjë me ujra drite
Atje ku shpirtrat lahen lakuriq
E engjëjt pjekin baltën e mëkatit
Në kamina rrufeje.

Do gjejë një qaramidhe hëne.
Të zë pikën e shirave
Që rrjedh brenda meje.


LULJA E KRIPËS

Këpus një petale
Nga trëndafili i erërave
Që çelet në flokët e mi
E thith aromën e lules së kripës
Rritur brigjeve të detit
Mbi rërën e thatë.

Një dallgë e kaltër ujrash
Më ndjek nëpër natë.


KUJTESA E SHIRAVE

Mbështetem pas dimrit
E përtyp në heshtje
Kujtesën e shirave.

Para syve më dalin
Këpucët e princit të përrallave.
Aq shumë i ëndërroja
Netëve të ftohta të moshës
Por kurrë nuk munda t’i vishja.

Pastaj përralla bëhet çizme e zezë llastiku
Me gojë të hapur
Që vështron nga unë
Gjithë kërcënim
E mbllaçit qetë – qetë
Baltën e marrë
Në mezhda e ugare.

Brenda gojës së saj
Më përshëndet
Fëmijëria ime e ngujuar
Duke mbajtur në duar
Një lepurush dëbore.


HARABELAT E PYLLIT TË FRIKËS

Dikur fati im ishte një bukë e pjekur
Në saçin e hënës.
E shkoqja në pëllëmbën e dorës
Dhe ushqeja me thërrime
Harabelat e pyllit të frikës.

Pastaj dilja, të prisja ty
Ndanë një udhe të panisur
Ndërsa ti vije gjithmonë
Nga një udhëz e pasosur.

Harabelat u shtuan shumë atë vit
Aq sa nuk mjaftonin thërrimet e shkoqura
E ikën, më braktisën, o Zot
U bënë klithmë ere e pluhurosur.

Klithmë ere që bridhte e uritur
Herë në një udhë të panisur
Herë në një udhëz të pasosur.


RRUDHA SHKRETËTIRE

Sa herë na këndonin gjinkallat
Nën sqetull
Ne mbusheshim
Me rrudha shretëtire.

Pastaj endeshim
Udhëve të natës
Të dëgjonim
Muzikën e yjeve.

Ishte koha
Kur mëkatet tona
I fshihnim
Në gjurmët e dallandysheve.


VËLLA ME GURËT

Kur mali rrëzonte gurë
Unë dilja përballë tyre
Të njihja vetveten.

Gurët sokëllinin rrëpirave
Përplaseshin me njeri – tjetrin
E hidhnin mbi mua
Mjegull të dendur tymi.

Pastaj tymi fashitej
E unë shihja veten
Krejt të murrët.

Isha bërë
Vëlla me gurët.


PERGAMENË E SHKRUAR
ME GËRMA GURI

Shkel në zjarre e ujra
As digjem
As mbytem
O Zot
Çështë ky mallkim biblik?

Udha ime
Pergamenë e shkruar me gërma guri
Si një këngë me lavde
Për diellin në perëndim.

Vetëm hirin pres
Të bëhet
Gjykatësi im.


MUZG

Një cifël muzgu
Më ka mbetur në sy
Nga nata e shkuar

Brenda meje
Bëhet plagë
Një lot i harruar.


LULESHQERRA

Një luleshqerrë ka çelur
Në pyllin e djegur
Mbi shkrumb e hira.

E vogël, e brishtë
Aq sa të ndajë
Dritën nga errësira.


TINGULL LIRIE

Një bisk i njomë bari
Shpërthen mbi dhera
Të dëshmojë
Fuqinë e pavdekshme të tokës.

Një tingull lirie
Zhvirgjëron
Gjithë kambanat e botës.


PRITJE

Natë me hënë
Hënë e zezë
Si mallkim…

Unë,
Gur unaze
Në rreth rrotullimin
E qytetit tim.


LUMI I QYTETIT

Është një lum
Që pikon
Aromë ferri
Në sytë e mi.

Është një lot peligorke
Në brigjet e atij lumi
Kthyer në gur të zi.


GJINKALLAT KËNDOJNË
VEREMIN E GUSHTIT

Më merret fryma në këtë qytet
Thith përditë ajër të pistë
Ndotur me mëkat.

Në drurët e parkut
Gjinkallat këndojnë
Veremin e gushtit të thatë.


DHE KASHTA E KUMTRIT BIE ERA GJOL

Sonte në bulevard
Dëgjohet kori i bretkosave.
Yjet nxjerrin nga milli thika të holla drite
I ngulin
Në zemër të këngës.

Gjaku i tingujve
Ngjyros
Ujrat e harlisura të dimrit.

Shtëpitë e përmbytura
Duken
Si varka të ankoruara në mol.

Kashta e Kumtrit
Bie era gjol.


ATA…

U rritën ata…,
Nën hijen e të tjerëve
Duke brohoritur
Udhën e tyre të lehtë.

Por erdhi dita
Kur i vrau
Hija e vet.


LEGJENDA E BRYMËS SË ZEZË

Tri të marta
Hodhën mbi çatitë e shtëpive
Tri herë
Brymë të zezë.

Njerëzit shihnin netëve
Ëndrra vetmie
E ngashërenin në heshtje
Me lotë pikëllimi.

U mblodhën plakat e moçme
Tek guri i mëkateve
U lutën tri herë
Për tri të martat e veshura me brymë.

Tri korba u ngritën nga guri
U bënë kryq
Mbi tre oxhaqe pa tym.


ULLINJTË DHE AEROPLANËT

Ullinjtë duken nëpër fushë
Si batalione ushtarësh
Rreshtuar në paradën shekullore
Të dashurisë për njeriun.

Sipër tyre ven e vijnë avionët e zhurmshëm
Duke përshëndetur
Me fjongot e bardha të tymit.

Pleqtë i vështrojnë me shpresë
Cili do të sjellë vallë
Djemtë e tyre për të vjelë ullinjtë?
Pritja zgjatet e zgjatet nëpër vjeshtë
Derisa vijnë tufat e para të gergujve
Të bëjnë terror mbi kokrrat e pjekura.

Pastaj vjen era e dimrit, pa biletë udhëtimi
Rrëmben pjesën e mbetur nga zogjtë shtegëtarë
E kthen sërisht në tokë
Të bëhet dhe.

Tashmë askush nuk i ndjek avionët me sy
Pleqtë mblidhen galiç pas zjarrit të vatrës
Dhe dëgjojnë të heshtur
Zhurmën e tyre
Si bubullima e Zotit, nëpër re.


PESHA E OXHAKUT

Kur kalonin udhëtarët e netëve të vona
Para portës sonë
Nëna kujtonte babanë
E psherëtinte.

Unë ktheja sytë nga qoshja e mbetur bosh
E mendoja
Për udhën time të gjakut.

Zjarri mekej në vatër
Thëngjijtë e fikur
Më dukeshin zi gërma të zeza alfabeti
Që duhet ti mësoja përmendësh
Të lexoja
Peshën e oxhakut.


HARTA E VENDLINDJES

Sa herë takohem me detin
Ngrihet një dallgë e bardhë e bardhë
E më gdhend në lëkurë
Hartën e vendlindjes sime.

Pastaj më thërrmohet nëpër trup
Në mijera grimca shkume
E bëhet rënkim.

Mbi supet e mi
Përpëlitet
Shpirti i detit
Kthyer në psherëtimë.


SHTEGU IM SEKRET

Më ka lodhur eleganca e milingonave
Kur hyjnë e dalin
Në vrimat e errëta të dheut.

Dua të strukem një çast
Në gushën e një peligorke
Mbushur me zaire këngësh.
Por zoçkat e lumit janë mëritur me mua
Kur trëndafilat e egër të korijes,
Vdiqën në duartë e mia.

Dhe erdhi kjo ditë
Veshur me mërinë e hidhur të zogjve
Të mbështjellë me heshtje,
E me heshtje të vret.

Tashmë rri e vështrojë,
Këtë rrëkezë të zezë milingonash
Që ruan brenda saj
Shtegun tim sekret.


MESHA E GARDALINAVE TË FATIT

Kaloj në udhëzën e kishës
Shtatë gardalina
Këndojnë rreth meje
Këngë sibilash.

Tek porta me kryq
Më ftojnë të kthehem
Të marë një kafshatë
Nga mesha e së dielës.

Kafshatën që ma ruan
Si risk bekimi
Kisha e fshatit.

Para altarit
Urata këndon
Meshë të re
Për gardalinat e fatit.


NË GJOKSIN E ZOGUT
RREH ZEMRA IME

E dëgjoni atë zog që këndon në korije?
Në gjoksin e tij
Rreh zemra ime.

Ma rrëmbeu dikur
Kur ëndërroja të bëhesha pemë.

Tashmë, ajo rreh paralel me zemrën e pyllit
Bashkë me gjethet
Këndon e qan
Sa herë fryn erë
Sa herë ulërijnë furtunat.

Unë e dëgjoj i ngujuar në dritare
Pa guxuar t’i afrohem.
Korija është e rrethuar me tela me gjemba
Dhe njerëz si unë nuk lejohen të kalojnë gardhet.

Madje nuk lejohen as të ëndërrojnë…
Njerëz si unë
Që nuk kanë një pëllëmbë tokë në pronësi
Të mbjellin një fidan druri a nji farë bime.

E dëgjoni atë zog që këndon në korije?
Në gjoksin e tij
Rreh zemra ime.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË