KreuOpinionMimoza Hasani Pllana: Flasim shqip në Mandricë

Mimoza Hasani Pllana: Flasim shqip në Mandricë

Vijon nga: E diela e heshtur në Kishën e Shën Dhimitrit në Mandricë

Nëse nishesh për në Mandricë me idenë romantike se atje jeton një komunitet që flet shqip dhe gjuhën e ka ruajtur për më shumë se katër shekuj, që kur emigruan nga rrethi i Korçës, pritshmëritë bien poshtë që në fjalitë e para të kontaktit me banorët. Shprehja “Flasim shqip në Mandricë” sigurisht që qëndron, meqë është e vërtetë se komunikojmë shqip, por izolimi prej më shumë se tre shekujsh nga trungu amë, mungesa e shkollimit në gjuhën shqipe dhe bashkëjetesa e përditshme me rrethin bullgar, pak grek dhe turk, kanë bërë që kjo e folme të transformohet shumë. Megjithatë, është mbresëlënëse që me gjithë këto transformime të thella strukturore e leksikore në të folurën e përditshme, këngët e vjetra shqipe në Mandricë këndohen ende sot e kësaj dite pothuajse njësoj siç i këndojmë ne në trojet tona amë. Ky dallim i madh e bën të dukshëm transformimin që ka ndodhur, ndaj edhe brezi i ri, i lindur në fshat, por i shkolluar në gjimnaze dhe universitete të nivelit të lartë e ka vënë re se në fshat është krijuar një dialekt unik ballkanik që kërkon një fjalor për t’u kuptuar sot. Në këtë mënyrë, Marija Hristova Georgieva (e lindur në Mandricë) e këshilluar nga Ludmil Stankov, në vitin 2015 hartoi Fjalorin bisedimor bullgarisht-shqip (përfshirë të folmen e Mandricës), duke dokumentuar vlerat e veçanta të këtij dialekti.

Në kuadër të këtij botimi është përfshirë fjalori bisedimor i të folmes së Mandricës me sqarime në gjuhën standarde shqipe dhe bullgare, një gramatikë e shkurtër dhe alfabeti shqip. Sot, në vitin 2026, mund të thuhet se ky libër po shërben si një testament i shkruar i një të folmeje që rrezikon të shuhet, duke qenë se fshati Mandricë ka vite që po përballet me plakjen e popullsisë dhe largimin e të rinjve. Kështu, autorja Hristova Georgieva, përveçse ka lehtësuar komunikimin, e ka jetësuar në një libër trashëgiminë gjuhësore, kultuore e shpirtërore të të parëve të saj, duke u dhënë studiuesve shqiptarë dhe ballkanologëve një material të veçantë të gjuhës shqipe.

I frymëzuar nga ky fjalor dhe nga krenaria e banorëve të Mandricës për mënyrën se si e kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare për shekuj me radhë, e vendosa edhe titullin e këtij shkrimi: “Flasim shqip në Mandricë”

Disa shembuj nga fjalori bisedimor

Në kapitullin e fjalorit bisedimor ka fjalë që banorët e Mandricës i përdorin çdo ditë për të biseduar, për të treguar motin, ditët e javës, për lutje, falënderime, përshëndetje, festa, si dhe shprehje që përdoren gjatë vizitave familjare etj. Këta shembuj tregojnë qartë se si ata kanë ruajtur fjalë shumë të vjetra shqipe, por edhe si i kanë përshtatur me jetën e tyre në fshat dhe rrethanat në të cilat u gjendën.

Gruvë – Grua

Bur – Burrë

Tate – Baba

Mëmë – Nënë

Bilë – Bijë

Çupkë – Çupë

Nuse – Nuse

Zëndër – Dhëndërr

Këzanë – Fëmijë

Hini – Hyni

Rini –Uluni

Kush jeni – Si jeni

Shumë mirë – Shumë mirë

Mirë saballle – Mirëmëngjesi

Mirë ditë – Mirëdita

Mirë mbrëmë – Mirëmbrëma

Da – Po

Mirë- Mirë

Ashtu më duket – Ashtu më duket

Nuku – Jo

Nuk mund – Nuk mund

Të lutem – Të lutem

Faleminderit – Faleminderit

Mire uzë – Udha e mbarë

Gissej mire – Gjithë të mirat

Gëzohem ke vi shoh – Gëyohem tp ju shoh

Ç`ot pini – Ç`farë do të pini

Mirë mbrëmë – Mirëmbrëma

Mirë natë – Natën e mirë

Mbrohu – Ke kujdes

Mbahu – Ndal

Mbjulltor – Mbyllur

Hirë – Hyrje

Dillë – Dalje

Njohni li –  A kuptoni

Nuk njoh -Nuk kuptoj

Çe satë – Çfarë thatë

Soe ze ni her – Thuaje edhe një here

Zallahitni me usulçe – Flisni ngadalë

Sa vjeç jeni – Sa vjeç jeni

Jam trizjet vjeç – Jam tridhjetë vjeç

Shko jesh pjellë – Kur je lindur

Pjellë jam dë… – Jam lindur më…

Bukor – I/e bukur

Çi keni për ngrënë? → Çfarë keni për të ngrënë

Shtrënt – E shtrenjtë

Përcjell – Përcjell

Ot Përcjell – Do të përcjell

Këndon – Lexon

Dvolla – Dola

Ot dva – Do të dua

Ot dal – Do të dal

Ot fli – Do të fli

Gigem – Dëgjoj

Ot gigem – Do të dëgjoj

Shrikëshlle – Frikacak

Keshor – Qesharak

Fjalë dhe shprehje që përdoren për biseda rreth motit:

Shi – shi

Sborë – Borë

Ngrika – Ngrinë

Vtohet – Ftohet

Mëllëgë – Mjegull

Jerë – Erë

Hënezë – Hënë

Re – Re

Sor ishtë groftë – Sot është ngrohtë

Djegor – I nxehtë

Frun jerë – Frynë erë

Jera u mbat – Era pushoi 

Fjalë dhe shprehje që përdoren në shtëpi dhe familje:

Kripë – Kripë

Ujë – Ujë

Sheker – Sheqer

Fasulle – Fasule

Miell – Miell

Gjalpë – Gjalpë

Diasë – Djathë

Usollë – Uthull

Kokove – vezç

Hurë – Furrë

Bukë – Bukë

Mijalltë – Mjaltë

Kepë – Qepë

Hudrë – Hudhër

Mollë – Mollë

Lopës mish – Mish lope

Pulës mish –  Mish pule

Zog – Zog

Patkë – Patë

Lepur – Lepur

Llesh – Flokë

Shkrihem – Krihem

Lahem – Lahem

Zëmbor – Dhimbje

Kollë – Kollë

Shumë më ishtë lligë – Jam shumë keq

Me mire jam – Jam më mire

G`jak – Gjak

Sbori g`jak –Humbi gjak

Uzë – Udhë

Ditët e javës:

Hëna – E hënë

Mara – E martë

Murkur – E mërkurë

Tënte – E enjëte

Prëmte – E premte

Shtunë – E shtunë

Djellë – E diele

Tënten mbrëmë – Të enjten në mbrëmje

Ke vjen shtunë – Të shtunën vjen

Pas nesrë – Pasnesër

Pas dy javë – Pas dy javësh

Stinët e vitit:

Mars – Pranvrë

Verës kohë – Verë

Shilmitri – Vjeshtë

Dimërë – Dimër

Numrat bazë (0-10):

Nulla – zero

Ni – Një

Dju – Dy

Tri – Tre

Katrë – Katër

Pesë – Pesë

Gjashtë – Gjashtë

Shtatë – Shtatë

Tetë – Tetë

Nëntë –Nëntë

Zjetë – Dhjetë

Numrat nga 11-20:

Nimbëzjet – Njëmbëdhjetë

Djumbëzjet – Dymbëdhjetë

Trimbëzjet – Trembëdhjetë

Katrëmet – Katërmbëdhjetë

Pesëmet – Pesëmbëdhjetë

Gjashtëmet – Gjashtëmbëdhjetë

Shtatëmet – Shtatëmbëdhjetë

Tetëmet – Tetëmbëdhjetë

Nëntëmet – Nëntëmbëdhjetë

Nizetë – Njëzetë

Në fjalorin e Mandricës mbiemrat dalin pa nyjat e përparme:

Kriptor – I kripur

Tëmlë – I ëmbël

Satë – I thatë

Hortë – I fortë

Ngushtë –  I ngushtë

Rëndojtor – I rëndë

Ngroftë – I ngrohtë

Në të folmen e Mandricës është interesante se si ndërtohen foljet në kohëm e ardhme. Në vend të pjesëzës “do të”, në Mandricë përdoret pjesëza “ot” e cila pasohet nga folja e zgjedhuar:

Unë ot jam – Unë do të jem

Tinë ot jesh- Ti do të jesh

Aju ot ishtë – Ai/Ajo do të jetë

Neve ot jemi – Ne do të jemi

Ive ot jani – Ju do të jeni

Ata ot janë – Ata do të jenë

Unë ot kam – Unë do të kem

Tinë ot kesh – Ti do të kesh

Aju ot kaj – Ai/Ajo do të ketë

Neve ot kemi – Ne do të kemi

Ive ot keni – Ju do të keni

Ata ot kanë – Ata do të kenë

Disa shprehje të mirësjelljes në bisedat e përditshme:

Të lutem – Të lutem

Mund li të më ndihni – Mund të më ndihmoni

Mund li të hap dritaren – Mund ta hap dritaren

Mund li të pi duhan -Mund të pi duhan

Lutem Ju për… – Ju lutem për…

Faliminderit – Faleminderit

Lutem (nuk ka për përçe) –  Ju lutem (s’ka përse)

Besimin ortodoks banorët e Mandricës e ruajtën përgjatë gjithë këtyre shekujve, ndaj edhe në fjalor janë pasqyruar emërtimet e festave krishtere ortodokse:

Kolledo – Krishtlindjet

Pashkë – Pashkët

Petrovi – Dita e Shën Pjetrit

Shin Vashili – Shën Vasili

Shillmitri – Dita e Shën Dimitrit

Autorja e fjalorit Marija Hristova Georgieva

Këtë dokument kaq të rëndësishëm të gjuhës shqipe e kemi falë punës dhe përkushtimit të autores, Marija Hristova Georgieva (Peeva) dhe këshilltarit për gjuhën shqipe, Ludmill Stankov. Autorja ka lindur më 22 nëntor 1945 në fshatin Mandricë. Pasi përfundoi gjimnazin dhe studimet universitare në Plovdiv, ajo ia kushtoi jetën profesionale mësimdhënies dhe menaxhimit arsimor në Bullgari. Ndërkaq, trashëgimisë shqiptare i dhuroi këtë vepër të rrallë, Fjalorin bisedimor Bullgarisht – Shqip me fjalorth, ku përfshihet e folmja dialektore e Mandricës. 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË