Çdo muaj maj, Torino shndërrohet në kryeqytetin italian të librit. Për pesë ditë me radhë, kompleksi gjigant «Lingotto Fiere» mbushet me botues, shkrimtarë, përkthyes, gazetarë, agjentë letrarë dhe qindra mijëra lexues që vijnë nga e gjithë Italia dhe Europa për të marrë pjesë në “Salone Internazionale del Libro di Torino”, panairin më të madh të librit në Itali dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore europiane.
Në korridoret e pafundme të panairit dëgjon gjuhë të ndryshme, sheh radhë të gjata për autografe, studentë që mbajnë çanta plot me libra, botues e agjentë letrarë që negociojnë të drejta botimi dhe lexues që hyjnë në debate mbi letërsinë, politikën, teknologjinë apo kujtesën historike. Torino nuk është thjesht një panair libri. Është një qytet i përkohshëm i ideve.
I themeluar në vitin 1988, Salloni Ndërkombëtar i Librit në Torino ka mbërritur tashmë në edicionin e tij të 38-të, duke u kthyer jo vetëm në një treg të madh botimesh, por në një laborator kulturor europian. Në një kohë kur industria globale e librit po ndryshon me ritme të shpejta dhe leximi po sfidohet nga teknologjitë e reja, Torino vazhdon të mbetet një nga pikat më të rëndësishme të takimit mes letërsisë, mendimit kritik dhe tregut editorial.
Shifrat e panairit janë mbresëlënëse. Çdo vit marrin pjesë rreth 1,000 deri në 1,400 shtëpi botuese dhe ekspozues nga Italia dhe vende të tjera europiane. Këtë vit u regjistruan 1015 hapësira ekspozimi, ndërsa në vite të tjera numri i ekspozuesve ka kaluar 1,200. Rreth 70,000 tituj të rinj prezantohen çdo vit, duke e bërë Torinon vitrinën më të madhe të botimeve të reja italiane.
Panairi organizon afro 2,700 aktivitete brenda pavijoneve të Lingotto-s dhe rreth 800 aktivitete të tjera në qytet përmes programit të famshëm “Salone Off”, që e shtrin festivalin në teatro, biblioteka, universitete, muze dhe hapësira publike të Torinos. Në vitin 2025, panairi regjistroi rreth 231 mijë vizitorë, ndërsa në edicione të tjera janë raportuar deri në 340 mijë vizitorë.
Në Torino nuk flitet vetëm për libra. Programi përfshin debate mbi politikën, gazetarinë, inteligjencën artificiale, kinemanë, serialet televizive, komiksin dhe edukimin. Një hapësirë e rëndësishme i kushtohet fëmijëve dhe shkollave përmes programit “Bookstock”, ndërsa “Rights Centre” është kthyer në një qendër strategjike për shitjen e të drejtave të botimit dhe përkthimit.
Në këto 38 vite, Salloni ka pritur disa nga emrat më të mëdhenj të kulturës botërore: Umberto Eco, Orhan Pamuk, Isabel Allende, Paul Auster, Roberto Saviano, Alessandro Baricco, Zadie Smith, Amitav Ghosh, Georgi Gospodinov etj. Shumë fitues të Çmimit “Nobel” dhe autorë të “Booker Prize” kanë kaluar nëpër Torino, duke e bërë panairin një nga skenat më prestigjioze të letërsisë ndërkombëtare.
Por në këtë hartë të madhe kulturore europiane, edhe prania shqiptare ka nisur të bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Nga Ismail Kadare te brezi i ri: hyrja e letërsisë shqiptare në Itali
Në vitet ’90, pas rënies së komunizmit dhe emigrimit masiv shqiptar drejt Italisë, letërsia shqipe nisi të tërhiqte vëmendjen e botuesve italianë. Porta hyrëse e kësaj letërsie ishte Ismail Kadare, veprat e të cilit u kthyen në referencën kryesore të kulturës shqiptare për lexuesin italian.
Në atë periudhë, pjesëmarrja shqiptare në Torino ishte ende sporadike dhe realizohej kryesisht përmes shtëpive italiane botuese që botonin autorë shqiptarë. Por gjatë viteve 2000 situata nisi të ndryshonte. Botues nga Shqipëria dhe Kosova filluan të merrnin pjesë më rregullisht, ndërsa autorë si: Ornela Vorpsi, Elvira Dones dhe Anilda Ibrahimi u shndërruan në zëra të njohur të letërsisë shqiptare në Itali.
Italia nisi ta lexonte letërsinë shqiptare jo më vetëm si “letërsi emigracioni”, por si pjesë të letërsisë europiane bashkëkohore.
Pas vitit 2010, pjesëmarrja shqiptare u bë më e organizuar institucionalisht. Në panair nisën të përfaqësoheshin rregullisht shtëpi botuese si: Onufri, Toena, Dituria, Dudaj, Pegi, dhe Botimet Koha etj., shpesh në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, institucionet kulturore të Kosovës dhe ambasadat shqiptare në Itali.
Në Torino, Shqipëria dhe Kosova kanë prezantuar përkthime të reja në italisht, autorë bashkëkohorë, libra mbi historinë dhe identitetin shqiptar, poezi, letërsi për fëmijë dhe debate mbi Ballkanin, kujtesën postkomuniste dhe emigracionin.
Italia mbetet sot një nga tregjet më të rëndësishme për përkthimin e letërsisë shqipe. Deri tani janë përkthyer në italisht mbi 280 autorë shqiptarë. Në qendër të kësaj pranie qëndron Ismail Kadare, autori shqiptar më i përkthyer në Itali, pothuajse e gjithë vepra e të cilit është botuar në italisht. Por krahas Kadaresë, një brez i tërë autorësh shqiptarë po krijon gradualisht një profil të ri kulturor në tregun italian. Mes emrave më të njohur janë: Fatos Kongoli, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Elvira Dones, Gazmend Kapllani, Ridvan Dibra, Ylljet Aliçka, Luljeta Lleshanaku, Besnik Mustafaj, Bashkim Shehu, Stefan Çapaliku, Arian Leka, Visar Zhiti, Flutura Açka, Ben Blushi, Ron Kubati, Martin Camaj, Arshi Pipa, Mimoza Ahmeti, Ahmet Premçi etj. Ndërsa nga Kosova kanë tërhequr vëmendje autorë si: Ali Podrimja, Eqrem Basha, Jeton Neziraj, Vehbi Miftari, Adil Olluri etj.
Shumë prej këtyre autorëve janë prezantuar në Torino në diskutime mbi identitetin ballkanik, diktaturën dhe kujtesën historike, emigracionin shqiptar në Itali dhe transformimet sociale të Europës Juglindore.
Shqipëria dhe Italia: një histori afërsie kulturore
Por kjo histori nuk nisi në Torino. Ajo është shumë më e hershme dhe më e thellë.
Për breza të tërë shqiptarësh, Italia nuk ka qenë vetëm vendi përtej Adriatikut; ajo ka qenë një imagjinatë kulturore, një shkollë estetike dhe shpesh një dritare e vetme drejt Europës.
Në Shqipërinë e izoluar të komunizmit, letërsia italiane lexohej pothuajse me ethe. Edhe kur kufijtë ishin të mbyllur, autorët italianë qarkullonin dorë më dorë, në biblioteka, në përkthime të rralla apo në botime të konsumuara nga leximi. Dante, Pirandello, Italo Calvino, Alberto Moravia, Cesare Pavese, Umberto Eco, apo Primo Levi u kthyen në pjesë të formimit intelektual të shumë brezave shqiptarë.
Për shumë shkrimtarë të rinj të viteve ’70, ’80 e ’90, Italia përfaqësonte kulturën europiane më të afërt dhe më të dëshiruar. Për këtë arsye, për një autor shqiptar, të përkthehej dhe të lexohej në italisht ka qenë për dekada një ëndërr e madhe kulturore. Jo thjesht për arsye prestigji, por sepse italishtja konsiderohej një urë hyrëse drejt Europës letrare. Të botoje në Itali nënkuptonte të dilje nga izolimi dhe të hyje në një traditë të madhe kulturore.
Kjo marrëdhënie ka funksionuar gjithmonë në dy drejtime. Nëse sot autorët shqiptarë po përkthehen gjithnjë e më shumë në Itali, po aq e rëndësishme është edhe puna e jashtëzakonshme që është bërë ndër vite në Shqipëri për përkthimin e autorëve italianë në gjuhën shqipe.
Në raftet e librarive shqiptare gjenden rregullisht jo vetëm klasikët italianë, por edhe emrat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore italiane. Elena Ferrante, Alessandro Baricco, Roberto Saviano, Paolo Giordano, Niccolò Ammaniti, Claudio Magris, Susanna Tamaro, Domenico Starnone, Alberto Bevilacqua, Suzanna Tamaro, Dacia Maraini, Oriana Falaci, Carmine Abate, i përkthyer gjerësisht në shqip dhe në shumë gjuhë të tjera të botës e shumë autorë të tjerë janë sjellë në shqip pothuajse paralelisht me botimet e tyre në Itali.
Dhe kjo nuk është vetëm meritë e tregut. Është, mbi të gjitha, meritë e pasionit dhe këmbënguljes së botuesve shqiptarë, të cilët prej më shumë se tri dekadash kanë investuar në përkthimin e letërsisë italiane edhe në kushte të vështira ekonomike. Shpesh, shumë prej këtyre botimeve nuk kanë sjellë fitime financiare. Megjithatë, botuesit shqiptarë kanë vazhduar të përkthejnë dhe të botojnë autorë italianë prej bindjes kulturore se letërsia italiane duhet të jetë pjesë e gjuhës dhe jetës shpirtërore shqiptare.
Në këtë kuptim, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e librit është shumë më tepër sesa një marrëdhënie tregu. Është një histori ndikimi reciprok, admirimi kulturor dhe afërsie shpirtërore.
Dhe pikërisht në korridoret e Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino kjo histori bëhet sot më e dukshme se kurrë. Mes mijëra librave, gjuhëve dhe kulturave të botës, letërsia shqipe po fiton gradualisht hapësirën e saj, jo më si një kuriozitet ballkanik, por si pjesë organike e hartës kulturore europiane.


