Duke rilexuar në këtë kohë poezinë “I vonuari” të Rudolf Markut, shkruar në një kohë tjetër, krejt të ndryshme nga koha që jetojmë (1971), më ngjan se ia kam dalë të deshifroj “kodin” e fshehtë të kumtit të poetit, i cili më shumë se sa veten dhe lexuesin, synon dikë tjetër.
Ai edhe pse nuk përmendet askund me emër në poezi (e pamundur për kohën), është aty; është “i vonuari”, është “ti duhej të vije më parë”, “tani e kotë për ty britma”, “mbyte dhembjen pa mëshirë”, është te “të jesh i vonuar dhe i mirë”.
Në poezinë “I vonuari” poeti ka zgjedhur të mos ndjekë heronjtë, krejt në kundërshti me çfarë ishte jo vetëm orientimi, por edhe fryma e përmbajtja e letërsisë në atë kohë të realizmit socialist. Qoftë edhe vetëm me këtë poezi, poeti në fakt na dëshmon një të vërtetë përgjithësisht të pranishme në veprën e vet të njëzet viteve të para të krijimtarisë; ai ia ka pasur me të hedhur, ia ka pasur me hile sistemit, ideologjisë.
“Ai erdhi shumë vonë.
Të gjithë kishin ikur.
Përreth s’kish mbetur asgjë”.
Kjo është dritarja që Rudolf Marku hap mbi heshtjen e individit. Në poezinë e tij, çdo varg ngjall një ritëm të brendshëm, një reflektim mbi kohën që ikën, mbi boshllëkun që lë historia dhe mbi mirësinë që ruhet në heshtje.
Poezia po nuk pati të fshehtë, nuk është poezi. Poezia duhet të të mundojë që ta kuptosh.
Rudolf Marku nuk iu nënshtrua dogmës së kohës. Ai nuk e bëri vargun instrument ideologjie, por e ruajti poezinë si hapësirë të lirë për ndjenjën, reflektimin dhe përvojën njerëzore. Ky shpëtim i heshtur estetik e bën poezinë e tij të qëndrueshme dhe të mbijetueshme, një dritë që shtrihet përtej viteve ’70.
“I vonuar. I vonuar.”
Fjala përsëritet si një rrahje zemre e heshtur. Nuk ka medalje, nuk ka triumf të jashtëm. Ka vetëm individin që përballet me boshllëkun dhe humbjet. Antiheroi në këtë rast është zgjedhje e qëllimtë; për poetin, poezia lind nga përvoja dhe reflektimi i brendshëm, jo nga triumfi kolektiv.
“Të jesh i vonuar dhe i mirë.”
Një frazë e thjeshtë që hap një botë. Moderniteti i Rudolf Markut qëndron këtu: ai e përshkruan njeriun me integritetin, me mirësinë që ruan brenda. Ky përqendrim mbi përvojën individuale, mbi reflektimin moral, është nyja lidhëse me poezinë moderne evropiane, ku çdo hap i heshtur ka rëndësi dhe çdo vonesë është e mbushur me kuptim.
Vargjet e shkurtra, përsëritja dhe heshtja ndërmjet fjalëve krijojnë një ritëm meditativ. Minimalizmi nuk është mungesë, por hapësirë për ndjenjën. Lexuesi ndjen boshllëkun, vonesën, dhe njëkohësisht ndien një forcë të brendshme që ruhet.
E gjithë poezia ndërtohet rreth një aksi të vetëm semantik: vonesa. Çdo varg, çdo imazh, çdo përsëritje i shërben këtij koncepti.
“Ata kishin marrë çdo gjë dhe kishin ikur.”
“Ty të morën çdo gjë”
“Dhe të lanë të vetmuar.”
Përsëritja e strukturave sintaksore dhe e fjalëve kyçe (“çdo gjë”, “i vonuar”) krijon një kohezion të brendshëm solid. Poezia është e përmbajtur, e zhveshur nga figura të tepërta, por e ngjeshur me kuptim. Minimalizmi stilistik shndërrohet në forcë shprehëse.
Moderniteti i kësaj poezie qëndron në ekonominë e fjalës, strukturën e fragmentuar, tonin e ftohtë, pothuaj narrativ. Nuk ka patetizëm. Nuk ka zbukurime romantike. Dhembja shprehet me një gjuhë të drejtpërdrejtë:
“Mbyte dhembjen pa mëshirë,”
Ky varg është brutal në sinqeritetin e tij. Poeti nuk ofron ngushëllim; ai ofron vetëdije. Në fund, zgjidhja nuk është kthimi i asaj që u humb, por pranimi:
“Megjithatë shoqëroje veten me hapat e tua.”
Antiheroi mbetet vetëm me vetveten, me ndërgjegjen dhe hapat e tij. Vetmia nuk dramatizohet; ajo pranohet si kusht ekzistence.
E shkruar në vitin 1971, në një kohë ideologjikisht të ngarkuar, poezia mund të lexohet edhe si alegori.
“Ata” që “morën çdo gjë” përfaqësojnë sistemin, një kohë, një rrethanë kolektive që zhvesh individin dhe e privon nga mundësitë e tij.
Rudolf Marku nuk e thotë drejtpërdrejt. Mesazhi fshihet brenda një situate ekzistenciale. Poezia mund të lexohet si personale, filozofike apo shoqërore, dhe pikërisht kjo shumëkuptimësi e bën universale.
Një nga vargjet më domethënëse është:
“Të jesh i vonuar dhe i mirë”.
Këtu qëndron një paradoks i hidhur; mirësia nuk e shpëton njeriun nga humbja. Madje, ndoshta e bën më të pambrojtur. Në këtë pikë, poezia fiton një dimension etik. A është bota e ndërtuar për ata që vijnë të parët, apo për ata që janë të mirë?
Poeti nuk jep përgjigje.
Ai vetëm e shtron dilemën.
Figura e “të vonuarit” është figura e njeriut në çdo kohë.
“I Vonuari” dëshmon se poeti i vërtetë nuk ka nevojë për një vëllim të tërë me poezi për të treguar madhështinë e tij. Mjaftojnë disa vargje për të ndërtuar një botë. Dhe në këtë poezi Rudolf Marku shfaqet i plotë; i thellë, i përmbajtur, modern dhe i heshtur në revoltën e tij.
Në thelb, poezia ndërton një filozofi të kohës. “Vonesa” nuk është thjesht një rrethanë kronologjike; ajo është kategori ontologjike.
Të jesh i vonuar do të thotë të jesh jashtë rendit dominues, jashtë ritmit kolektiv, jashtë shpërndarjes së përfitimeve. Në një kuptim më të qartë do të thotë të jesh Ai tjetri, jo Ne, të jesh i treguari me gisht.
Kjo e afron poezinë me një mendim ekzistencial; individi përballet me faktin se bota nuk e pret. Ai vjen dhe gjen boshësinë. Çdo gjë është marrë.
Në këtë kuptim, Rudolf Marku artikulon filozofinë e humbjes si përvojë themelore njerëzore, filozofinë e vetmisë si gjendje e pashmangshme, filozofinë e dinjitetit përballë padrejtësisë.
Figura e “të vonuarit” mund të lexohet si metaforë e individit në një sistem që nuk i përket, apo e poetit në një kohë që nuk e pranon. Por mbi të gjitha është figura e njeriut që mbetet vetëm me vetveten.
Estetikisht, kjo poezi dëshmon një modernitet të qartë.
Ekonomia e fjalës; (teksti është i zhveshur nga metaforat e ngarkuara dhe nga ornamentet retorike), përsëritja strukturore; (“I vonuar. I vonuar”, funksionon si ritëm mendimi, jo si zbukurim), gjuha e thjeshtë; (por e ngarkuar me nëntekst, nuk ka figuracion të dukshëm, por ka tension të brendshëm).
Minimalizmi këtu nuk është varfëri shprehjeje; është zgjedhje estetike. Poeti heq gjithçka që është e tepërt për të lënë vetëm thelbin. Kjo e bën tekstin të hapur, të interpretuar në shumë nivele.
Estetika e Rudolf Markut është estetika e heshtjes domethënëse. Ai nuk dramatizon. Nuk kërkon efekt të menjëhershëm emocional. Përkundrazi, ai krijon një boshllëk ku lexuesi futet vetë.
Ky është tipar i poezisë moderne, teksti nuk mbyllet në një kuptim të vetëm, por prodhon kuptime.
Nga pikëpamja artistike, “I Vonuari” është shembull i artit të kamuflimit.
Nëse sjellim në vëmendje kohën kur është shkruar, poezia nuk mund të ishte e drejtpërdrejtë në kundërshtim. Prandaj poeti përdor figurën alegorike. “Ata” që morën çdo gjë nuk emërtohen. As sistemi, as ideologjia, as ndonjë figurë konkrete.
Kjo zgjedhje ka disa funksione; mbron poetin, zgjeron kuptimin e poezisë, e bën tekstin të qëndrueshëm përtej kohës historike.
Në këtë pikë, arti i Rudolf Markut është art i sugjerimit. Ai krijon një figurë të përgjithshme – “i vonuari” – që mund të lexohet si individ ekzistencial, si poet i përjashtuar, si figurë e traditës së ndaluar, apo si vetë intelektuali në një sistem represiv.
Kjo shumëkuptimësi është shenjë e një arti të pjekur. Poezia nuk është deklaratë; është strukturë e hapur.
Nëse nisemi nga parimi se poezia që nuk ka të fshehtë nuk është poezi, atëherë “I Vonuari” duhet parë jo si tekst që shpjegohet, por si tekst që reziston ndaj shpjegimit. Vlera e tij nuk qëndron në atë që thotë, por në atë që nuk e thotë.
“I Vonuari” është një poezi e thjeshtë në dukje. Fjalët janë të zakonshme, sintaksa e pastër, figura minimale. Por pikërisht kjo thjeshtësi është maskë.
Po të ishte vetëm histori e një njeriu që erdhi me vonesë, poezia do të ishte e pavlerë. Ajo bëhet poezi sepse hap një boshllëk ku lexuesi detyrohet të kërkojë.
Këtu qëndron filozofia poetike e Rudolf Markut. Kuptimi nuk jepet; fitohet. Poezia nuk informon; provokon. Ajo nuk shpjegon; nënkupton.
“I vonuari” është figurë e hapur. Ai mund të jetë individi ekzistencial, intelektuali i përjashtuar, tradita e ndaluar, poeti jashtë kohe. Teksti nuk zgjedh për ne. Na lë në ankthin e interpretimit. Ky ankth është pjesë e përvojës estetike.
Arti i Rudolf Markut në këtë poezi nuk qëndron te metaforat e bujshme, por te tensioni i padukshëm.
Përsëritja “I vonuar. I vonuar.” nuk është theksim sentimental; është krijim ritmi obsesiv. Ajo e detyron lexuesin të ndalet. Të pyesë: pse kaq insistim?
Edhe vargu “Unë vetë e di ç’do të thotë, të jesh i vonuar dhe i mirë”, hap një thellësi të papritur. Çfarë është kjo dije? Pse “i mirë”? Çfarë lidhjeje ka mirësia me vonesën?
Poeti nuk jep përgjigje. Ai krijon çarje kuptimore.
E, pikërisht në këtë çarje unë gjej tek “i vonuari” “të vonuarin e madh”, “të vonuarin e romantizmit tradicional” “romantikun e fundmë”, etj.
Kështu, poezia fiton një dimension të dyfishtë: ajo flet për individin në plan universal, por njëkohësisht mund të lexohet si një kod i heshtur solidariteti me traditën e ndaluar, me figurën e At Gjergj Fishtës, që në kohën kur është shkruar poezia, mbetej ende “i vonuari” i madh i kulturës shqiptare.
Nëse historia zyrtare e realizmit socialist ndërtohej mbi një teleologji marksiste (ku e kaluara duhej të çonte domosdoshmërisht drejt një rendi të ri ideologjik), atëherë figura e Fishtës përfaqësonte një ndërprerje të kësaj vije lineare. Si autor i epikës kombëtare dhe i një vizioni të lidhur me traditën katolike dhe identitetin para-komunist, ai nuk mund të integrohej në narrativën e re të epokës heroike. Për këtë arsye ai nuk u kritikua thjesht estetikisht; ai u përjashtua ontologjikisht nga rrjedha e kohës zyrtare.
Në këtë kuptim, Fishta u bë “antihero pas vdekjes”. Jo sepse vepra e tij humbi forcën, por sepse sistemi e shpalli të tejkaluar, të papajtueshëm me kohën. Ai u vendos jashtë marshimit kolektiv, jashtë “kohës së duhur”. Kjo e bën paralelizmin me “të vonuarin” domethënës: si figura e poezisë, edhe Fishta është ai që vjen nga një epokë tjetër dhe që gjen një botë ku “të gjithë kishin ikur”, një botë që nuk e pret, që nuk e pranon.
Vargu “Ty të morën çdo gjë” në këtë perspektivë mund të lexohet si metaforë e zhveshjes simbolike: heqja nga kanoni, ndalimi i botimit, mungesa në tekstet shkollore, heshtje e detyruar institucionale. Të “marrësh çdo gjë” nuk është vetëm akt material; është fshirje nga kujtesa kolektive. Dhe pikërisht kjo fshirje e bën figurën e “të vonuarit” më shumë se ekzistenciale: ajo bëhet figurë e kulturës së përjashtuar.
Kështuqë, poeti – dishepull në këtë rast – mund të ndjehet i lehtësuar e të thotë:
“- Unë e bëra timen At Gjergj!”
Në një kohë kur fjala e drejtpërdrejtë ishte e rrezikshme, poezia bëhet kod. Por edhe jashtë rrethanës historike, kodi është kusht estetik. Në fund mbetet vetëm figura që shoqëron veten “me hapat e tua”. Kjo nuk është zgjidhje narrative; është figurë simbolike. Është një imazh që vazhdon të punojë brenda lexuesit.
Vitet 1960-1970 ishin një kohë kur njeriu ideal përfytyrohej si pjesë e pararojës historike, si subjekt kolektiv që rendte drejt revolucionit dhe përparimit. Historia shihej si një vijë e drejtë, me kah të përcaktuar, me heroizëm të institucionalizuar.
Në këtë kontekst, “i vonuari” është figura e përmbysur. Ai nuk është në pararojë. Ai nuk është në marshim. Ai nuk është në kohën e duhur sipas doktrinës.
Parë dhe analizuar në planin filozofik, kjo figurë përfaqëson njeriun jashtë teleologjisë zyrtare të historisë, individin që nuk identifikohet me mitin e progresit kolektiv, subjektin që mbetet vetëm përballë boshësisë.
“I vonuari” është antiheroi i një epoke heroike. Ai është antimaratonomaku, jo sepse nuk mund të rendë, por sepse nuk merr pjesë në garën e imponuar.
Këtu fillon filozofia alternative e Rudolf Markut; historia nuk është vetëm ajo që vrapon; është edhe ajo që mbetet. Prandaj poezia artikulon një filozofi të vetmisë si fat i individit që nuk përzihet me turmën.
Dhe përfundimi “Shoqëroje veten me hapat e tua,” nuk është zgjidhje narrative.
Është figurë simbolike e pavarësisë. Një pohim i heshtur i lirisë individuale në një botë kolektive.


