More
    KreuLetërsiBibliotekëMarash Mirashi: Hija ime e verdhë (poezi)

    Marash Mirashi: Hija ime e verdhë (poezi)

    SHTRATI I VERDHË I LULEDIELLIT

    Një natë tek shkoja honeve të vetmisë
    pashë gravurën e hënës
    dhe e vara në qafë si medalion.
    Ndieva muzgun e artë të peshqve
    në lumin që i binte përmes kujtesës
    dhe këndova një këngë të vjetër romësh-
    një këngë më çadra, fate
    dhe rrugëtime më trok gurësh
    si hingëllima.

    I pikëlluar për fatin tim
    fjeta në shtratin e një luledielli.

    Kur u zgjova
    pashë hijen time të verdhë
    tek shkonte të lahej në lumë.


    VALSI I DELFINËVE

    Kur ika
    lashë e gjurmët e mia mbi rërë.
    Në kthim, pashë valën
    tek ndiqte
    një tufë peshqish
    në formë shputash.

    Ti ke ikur
    e tash je vetëm një vizë e lakuar
    në kufirim mes qiellit e detit
    ku varka ime
    këndon një këngë të trishtë detarësh.

    Unë ec mbi rërë
    ndjekur nga tufa e shputave të mia
    në formë peshqish.

    Dy delfinë
    kërcejnë valsin e kuq të perëndimit.


    RIGA SHIU TË KUQ

    Fytyra jote pikturuar me riga shiu
    një krifë hingëllimash të lagura
    të kuajve ngarkuar me re
    që shkojnë drejt perëndimit
    me trok të kuq.

    Fytyra jote bie përmbys,
    rigat e shiut bëhen prapë re,
    hingëllimat dhe troku i kuajve,
    pikturojnë një luledielli
    që zgjatet për të parë
    riga shiu të kuq.


    ANTANTE 4

    Gjithë çfarë ka mbetur
    nga perandoria ime
    është një fije bari që zgjatet mbi avlli
    duke numëruar dimrat
    që shkojnë rrugës.

    Shiu që bie ngadalë
    është një absurd bubullimash
    që oshëtijnë mureve të rrënuara
    në odën ku lëngojnë
    disa vetëtima të zbehta.

    Kam jetuar dikur një ëndërr
    të madhe, si katedrale
    në kubenë e të cilës, aleluja
    dëgjohej si një psherëtmë
    me erë dylli.


    REKUIEM

    Jam gjethja e brishtë
    poshtë një currili
    që ti e derdh
    mbi dimrin tim.

    E kam ditur se fati
    ka qenë një qeramikë
    me një muzikë si rekuiem
    në duar gruaje.

    Një mjegull e bardhë,
    e vetmja urë që rri në këmbë
    hapësirës së pafund.

    Koha ka ikur duke lënë vija
    në fytyrë, në tokë e në qiell.

    U vërshëllej stinëve
    por asnjë dele nuk blegërin
    si prill.


    ADAGIO 12

    Kur u gjenda mes reve
    kujtova se isha vetëtima
    që po shkruante fatin tim prej shiu
    dhe qava pafund si një mullagë
    në ballkonin, ku lulet
    u lypin ujë kalimtarëve.


    FATI IM PREJ GËLQEREJE

    Kur u zgjova
    pashë vullkanin tim të imagjinatës
    ende të pashuar
    dhe llavën që binte mbi supet e zhveshura
    të një mali
    që dikur ka qenë statuja jote
    dhe qava pafund
    fatin tim prej gëlqereje.

    Tash kam ikur larg
    jam një perëndim dielli i mbetur pezull
    sa kohë që ende s’ka një det
    ku pulëbardhat vijnë e më mësojnë
    sekretin e vjetër të mbytjes.

    Këtu dita është e gjatë e përvëluese
    dhe unë s’ mund të perëndoj
    sa kohë që ende
    nuk kam lindur.

    Jam pezull, në një kurth të kuq
    që besohet të jetë një perëndim i rremë
    sa kohë që pulëbardhat
    e njohin mirë blunë
    që në gjuhën e tyre quhet det.

    Jam pezull
    askund s’ ka ujë
    të shuaj fatin tim prej gëlqereje.


    AVE MARIA

    Shiu bie paprerë tej dritares time
    një shi i shtruar
    me vetëtima që pikturojnë mbi perde
    tulipanin e vetmisë.

    Një meshë shiu
    në katedralen e harrimit
    mes flakës së zbehtë të ikonave
    që këndojnë “Ave Maria”.

    Një shi, pambarimisht i butë
    me retë që luajnë në qiell
    lojën e kuqrremtë
    të diellit.


    SOLO PËR FLAUT

    Unë jam një pelikan
    mbi kallamishten prej ëndrrash.
    Fluturoj me dhimbjen e vetmisë
    në sqep mbaj hënën,
    peshkun e fundit të natës
    dhe një copë mjegull.

    Një ditë e humba rrugën e kthimit.
    Tash ndiej në qiell
    suitën orkestrale të kallamishtave
    në një fishkëllimë të ëmbël
    si flaut.

    Unë jam shpirti i drithshëm
    i kallamishtës
    si ëndërr e bardhë pelikani.


    FIJA E HOLLË E DRITËS

    Një ditë, kur të bëhem qiparis
    ti ke me qenë era
    si arsyeja e përkuljes
    për me pa dritën
    përtej dritares, ku perdja
    luan valsin e fatit tim
    prej gardaline.

    Një ditë, kur të bëhem gardalinë
    ti ke me kenë qiparisi dhe era
    që vizaton një ketër
    përtej dritares, ku fati
    tjerr fijen e hollë të dritës
    dhe e bën perde.


    NOKTURN 14

    Tufa e manaferrave cicërin
    me zë të ëmbël.
    Një plep i shurdhuar
    kujton se qeni i vjetër i fëmijërisë
    po i leh hënës
    që ka zbritur dhe pi ujë
    në liqen.


    HERBARIUM

    Në herbarin e dhimbjes
    mes fletëve të bardha
    ruaj diellin e palosur
    mbërthyer me një gjilpërë
    me të cilën nëna ime
    qëndiste flutura.

    E pata zënë dikur Diellin
    në një rrjetë poshtë pemëve.

    Ti do të vish një ditë
    Në herbarin e vjetër
    për të shpjeguar ngjyrën e verdhë
    dhe formën e rrafshët të kujtesës
    për gjërat që nuk kanë ndodhur kurrë.


    PERLA

    Kur kam qenë një herë
    nën lëkurën tënde
    pata ndier ledhatimin e ujit
    tek rrëshqiste mbi luspa
    e thashë se jam një peshk i mbijetuar
    nga një rrjetë e qëndisur si fustan.

    Në fundin e detit
    një guaskë mban mbyllur perlën,
    shkëputur nga qafa jote
    kur ti ishe ende një pulëbardhë.


    MPIKSJA

    S’e kam harruar kurrë
    fijen guximtare të barit mbi shinë,
    në stacionin e harruar
    ku udhëtarët e vetëm që presin
    janë dy qiparisa të heshtur
    që dremitin në këmbë si kuaj.

    Treni i fundit ka ikur
    ngarkuar me hingëllima
    që shkonin drejt viseve me re
    me diellin që pikturonte
    nje hark si ylber.

    Kam qenë dikur një fije hollake
    mbi shinë…

    Trenat shkuan
    e tash, jam veç një njollë e mpiksur
    e gjakut të gjelbër të barit.


    DERA PREJ AJRI

    Askush s’troket, askush s’përgjigjet
    veç fishkëllimës së erës
    në orkestralen e dhimbjes,
    ku një oboe, qan fatin e trishtë
    të gishtërinjve.


    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË