More
    KreuArte pamoreVisar Zhiti: Portreti i Kadaresë. Dhuratë e Maestro Kodrës

    Visar Zhiti: Portreti i Kadaresë. Dhuratë e Maestro Kodrës

    Ta kujtosh përmes artit, është kujtesa më e bukur…

    Ka gjeste mes njerëzve të njohur që bëhen fare zakonshëm, aspak për dukje, por mbeten dhe ndoshta këtë kanë dashur, por mbi të gjitha të tregojnë marrëdhënien e mirë mes atyre që bëjnë art.

    Ja, një vizatim që ka kaluar nga një dorë në tjetrën, që sigurisht mban brenda vetes kohë dhe dëshmon, gati flet….

    Është një skicë e Maestro Ibrahim Kodrës, portreti i shkrimtarit tonë Ismail Kadare, jo se ai i pozoi, – më ka treguar vetë Kodra.- s’ishin bashkë kur hodhi vijat e skicës mbi letër. Por e punoi me ngazëllim dhe vetëm me kujtesë. Kodra rikrijoi një çast, që e deshi, një vështrim nga shkrimtari. E çmonte atë pranì. Imazhi kaloi nga zemra në mendje e pastaj në letër për të mbetur figurë emocionale. Vijat janë të pakta, të sigurta, pa zbukurime. Në to shfaqet një Kadare i përqendruar, i heshtur, me qetësinë e atij që e di fjalën si ai tjetri vizën.

    Po ku ishin takuar dy K-të?

    Në Paris, në qytetin e ikjes së Kadaresë dhe të lirisë?

    Në Milanon e Maestro Kodres, mes ekspozitash dhe bisedash për artin?

    Në ndonjë përurim libri të ri të Kadaresë?

    Apo në ndonjërën nga shtëpitë e tyre, si dy shqiptarë të njohur në Evropë e në botë, që ndanin jo vetëm famën, por edhe barrën e përfaqësimit?

     Nuk pyeta dhe nuk më thanë gjë…

    Ndoshta takimi i tyre më i vërtetë ka ndodhur përtej vendeve, në hapësirën e përbashkët të krijimit, aty ku arti dhe letërsia njohin njëri-tjetrin pa pasur nevojë për shpjegime e adresë. As konflikt…

    Skicën ma dhuroi mua Kodra atëhere, kur isha pranë tij në Milano, nga që e pa që unë e doja Kadarenë ashtu si dhe atë. Skica udhëton me mua në Tiranë. Dhe një ditë në takimet në lokalin “Juvenilja” me Kadarenë dhe botuesin e tij besnik, Bujar Hudhri, tregova për portretin, madje Kodra më kishte dhënë dhe negativin e tij në alumin. Kadaré heshti si zakonisht, kur i pëlqente diçka apo e bënte të mendohej. Bujari u interesua per më tej duke e imagjinuar vlerën e më vonëshme. Dhe do ua dhuroja atyre skicën dhe copëzën e aluminit. Me Bujarin do kishte më rëndësi, e ndjeja. Një çast i thjeshtë, pa ceremoni. Kadareja besoj e pa jo vetëm si një portret të tij, por dhe si një shenjë miqësie dhe adhurimi. Atij i duheshin miqësitë, takimet, bisedat e qeta, njerëzit me të cilët fjala ndahej.

    Tani kur Ismail Kadareja do të ishte 90 vjeç e bashkë me Kodrën janë në Qiell, kjo historizë merr një vlerë tjetër, sa njerëzore, edhe artistike. Jo si artefakt përvjetori, por si çast nderimi i një jete që i dha gjuhës shqipe me romanet e tij një përmasë botërore. Skica e Kodrës, e kaluar nga një mik te tjetri tani duket si në një rreth të mbyllur me qetësi: arti në  burimit e veta.

    Por flet kujtesa e gjallë kulturore, edhe përmes asaj që duket heshtje. Një fletë letre, një makinë shkrimi dhe jeta… Vepra dhe pavdekësia.

    – Ç’të kujton kjo? – më pyeti Bujari nga larg, por që I ndjehej emri i tij, bujaria. Dhe s’kish si të mos i shkruaja. E rëndësishme është të dimë të kujtojmë përmes artit. Dhe dashurisë. Se jo çdo kujtesë është ashtu, sidomos ato nga urrejtja dhe ca më keq, kujtesa ideologjike. Jo të tjerat. Kujtesa e artit mbetet më e bukura….

    Lisbonë, 23 Janar 2026

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË