More
    KreuLetërsiBibliotekëAnton Papleka: Në lojën e jetës (poezi)

    Anton Papleka: Në lojën e jetës (poezi)

    Në 80-vjetorin e lindjes së autorit

    POETIKË

    Mëdyshem a duhet ta mallkoj fatin tim
    Për tallanditë që më ka sjellë
    Apo duhet ta falënderoj atë
    Duke u bashkuar me opinionin
    E poetit të verbuar Jorge Luis Borges-i
    I cili i referohet Homerit që ka thënë
    Se perënditë u sjellin njerëzve fatkeqësira
    Me qëllim që poetëve
    Të mos u mungojnë subjekte për poemat e tyre

    Në çastin që përsiat për këtë gjë
    Më vijnë në mendje disa midhje
    Që sekretojnë nga trupi i vet sedef
    Për ta mbështjellë me këtë lëndë
    Kokrrizën e rërës që depërton në to
    Dhe i plagos indet e buta
    Të këtyre krijesave detare
    Të cilat nuk e nxjerrin dot nga vetja

    Vetëkuptohet se midhjet perlakrijuese
    Nuk kanë dëshiruar aspak
    Të plagosen nga ndonjë kokrrizë rëre
    Që u ka depërtuar në trup
    Por krijimi i perlave të sedefta
    Ka qenë e vetmja rrugëdalje
    Për të shpëtuar nga dhimbjet
    Pa hamendësuar se perlat e tyre
    Njerëzit do t’i përdornin si stolira…


    KUR TË VDES

    Kur të vdes
    Mbi varrin tim do të rritet një pishë
    Me kokën në qiell

    Qëllojeni trungun e saj
    Me një sëpatë të rëndë

    Mblidheni rrëshirën që do të rrjedhë
    Nga plaga e thellë

    Me atë rrëshirë pishe
    Bëni peshkve

    Ndizeni flakë atë peshkve
    Dhe hidheni mbi kokën e armikut
    Që keni brenda vetes…


    KANATI QË PËRPLASET NGA ERA

    Jam kanati i dritares
    Së një shtëpie të braktisur
    Që përplaset nga era

    Ai pandeh se në përplasjet e tij
    Rrojnë ende
    Zërat e njerëzve që e mbushnin dikur
    Shtëpinë e braktisur

    Ai pret më kot
    Që një kokë të rrituri apo fëmije
    Të shfaqet në atë dritare

    Ai pret më kot
    Që dikush ta mbërthejë
    Ose që era të mos e shtyjë më

    Era do ta përplasë
    Derisa ta shkulë nga vendi
    Dhe ta rroposë përtokë
    Ku do ta shkelin pa mëshirë
    Thundrat e panumërta të shirave

    Kanati që përplaset nga era
    E mbush shtëpinë e braktisur
    Me një kuje vajtojcash të vdekura…


    NË LOJËN E JETËS

    Në lojën e jetës
    I humba të gjitha ëndrrat

    I hipotekova vitet
    Dhe ditët e mbetura

    I hipotekova dëshirat
    Energjitë e fundit

    I hipotekova rrahjet e mekura të zemrës
    Hapat e mi të ngadalësuar

    Përsëri e humba lojën
    Përballë kundërshtarit tim hilacak
    Që luante me mua
    Me letra që i kishte mbushur me shenja

    Atëherë e ftova një pemë
    Të rrëzuar nga furtuna
    Të ulej në vendin tim
    Dhe të vazhdonte lojën
    Që nuk e kisha fituar dot…


    SHTËPIA E HESHTUR

    Ajo shtëpi është e heshtur
    Si një banesë ku dikush ka vdekur

    Aty ka vdekur dashuria
    Ka vdekur gëzimi
    Ka vdekur jeta

    Nëpër korridoret e dhomat e saj
    Enden fantazmat e njerëzve
    Që dikur jetuan në të

    Mbi mobilie bie
    Një pluhur i hirtë
    Si pushi i fluturave të vdekura

    Në xhamat e dritareve
    Nata ngjit me pështymë si pullë poste
    Errësirën e saj

    Era troket në dyer
    Me gishtat e saj të thyer
    Por as dyer as dritare nuk hapen

    Shtëpia e heshtur
    Zhytet thellë e më thellë në torfën e zezë
    Të vdekjes së saj

    As vajtojca në oborr
    As ferra të grumbulluara te pragu
    As korb as qyqe mbi kulm

    Në çatinë e saj
    Qëndron shandani i hënës
    Ku një copë qiriu derdh lot të verdhë…


    ANTIKËNGË

    Do të doja ta therja në fyt
    Zërin tim
    Siç thernin një kafshë për ta flijuar

    Ta shihja gjakun e tij
    Të rridhte gulfa-gulfa
    Nga gurmazi i prerë

    Atë ditë që nxora nga goja
    Fjalën e parë
    Nuk e dija se ç’lak
    Po i lidhja vetes në grykë

    Një lak që më shtrëngon
    Më keq sesa një gjarpër Laokooni
    Më keq sesa litari
    I të varurit në trekëmbësh:
    Laku i dëshirës për të kënduar
    Dhe laku i pamundësisë për ta bërë këtë gjë

    Laku i kotësisë së çdo kënge
    Që përfudon në antikëngë…


    PUSI I HESHTJES

    Tashti më ka mbetur vetëm heshtja
    Me të cilën mund të loz
    Si me një kukull të vjetër

    Një kukull që nuk e di ç’ka qenë
    Ç’ngjyrë ka pasur
    Dhe kujt i ka përkitur

    Edhe kur dua ta hedh
    Ajo më ngjitet pas gishtave
    Lëndë vishtullake e pashqitshme

    Ç’të bëj me këtë heshtje ?
    Ku ta shpie ?
    Në ç’gropë ta varros ?

    Do të doja të kisha
    Një çekan të rëndë sa një mal
    Për ta thyer këtë heshtje

    Ajo më thotë se është heshtja ime
    Por unë nuk e dua
    Shurdhërinë e saj

    Ndiej sesi humbas
    Në pusin e saj të pafund
    Si në një humnerë makthi

    Një pus ku nuk ekziston
    As fjala shpresë
    As fjala shpëtim

    Një pus nga i cili ngjiten
    Vetëm ca flluska të zeza
    Si pika retiçence…


    MA KANË VJEDHUR TË QESHURËN

    Ma kanë vjedhur të qeshurën
    E cila vezullonte
    Si diamantet e stolive
    Të grabitura në Luvër
    Në sy të mijëra njerëzve
    Dhe të kamerave vëzhguese

    Ma kanë vjedhur të qeshurën
    Banditë po aq të specializuar
    Sa grabitësit e stolive të Luvrit
    Dhe kanë ikur ku sytë këmbët
    Pa lënë asnjë shenjë
    Asnjë gjurmë ADN-je

    Askush nuk është vënë
    Në kërkim të grabitësve
    Të të qeshurës sime të vjedhur
    Për t’ia kthyer të zotit të saj
    I cili e ka shpirtin
    Si xhami i thyer i një vitrine

    Një xham i katandisur
    Në një vrimë të rrumbullakët
    Në një sy pa bebëz
    Përmes të cilit mund të shohësh
    Vetëm diamantin e zi të errësirës
    Ku sos çdo dritë…


    I NGJASHËM ME NJË MBRET

    Ka vite që mendoj
    Se fati im i ngjan
    Fatit të një mbreti të jashtëzakonshëm
    Që ka pasur një emër
    Ose një nofkë të jashtëzakonshme :
    Jean sans Terre: Zhani pa Tokë

    Si ky mbret që ka rrojtur para disa shekujsh
    Edhe unë nuk zotëroj asnjë pëllëmbë tokë
    Në planetin e tretë të sistemit tonë diellor

    Dikush më ka lënë pa tokë
    Dikush ma ka rrëmbyer
    Këmishën shpirtërore prej dheu e gurësh
    Të quajtur atdhe
    Një këmishë të cilën e kisha veshur
    Pasi kisha ardhur në jetë

    Nuk e di përse më kanë dënuar
    Të kem një fat të ngjashëm
    Me mbretin e çtrashëguar Zhani pa Tokë
    Mua që as në ëndërr nuk jam përpjekur
    Ta rrëmbeja Izabelën e Angulemës

    Tashti unë nuk mund të them se fati im
    I ngjan fatit të një zogu shtegtar
    I cili e ka diku çerdhen e tij
    Ku mund të kthehet për t’u prehur
    Ose për të bërë aty gjumin e fundit

    Në vend që të kem fatin e një zogu të tillë
    Unë i ngjaj vetëm një mbreti të moçëm
    Me nofkën Zhani pa Tokë…


    NJERKËDHEU

    Disa herë i kam hasur fjalët e famshme
    Që J. F. K. ka thënë një ditë:
    „Mos mendoni për atë që atdheu ka bërë për ju
    Po për atë që keni bërë ju për atdheun“

    Duke lexuar këto fjalë
    Kam menduar se J. F. K. e ka pasur të lehtë
    Ta bënte një deklaratë të tillë:
    Atdheu i tij e kishte bërë milioner
    Atdheu i tij e kishte zgjedhur president të SHBA-së
    Të shtetit më të fuqishëm të planetit
    Ç’mund të bënte tjetër atdheu për të?

    Unë e ndiej se e kam të pamundur
    Ta pranoj me gjithë zemër deklaratën e J. F. K.
    Duke menduar se mëmëdheu im
    Më ka dhënë një pension prej dyqind eurosh
    Pas një pune gjysmëshekullore
    Dhe i vetmi titull honorifik që më ka akorduar
    Për karrierën time të gjatë
    Është titulli i mërgimtarit

    Jam i bindur se atë që ndiej unë
    Për deklaratën e famshme të J. F. K.
    E ndiejnë miliona banorë të kësaj bote
    Për të cilët vendi ku kanë lindur
    Është një njerkëdhé…


    STATUJAT E ISHULLIT
    TË RAPA-NUIT-SË

    Dijetarët që kishin mbërritur në ishullin e Rapa-Nuit-së
    I njohur edhe me emrin Ishulli i Pashkëve
    Ishin përpjekur të kuptonin misterin
    E statujave të tij vigane
    Të gdhendura në shkëmb vullkanik
    Të vendosura në bregdet me kurriz nga oqeani

    Duke i lidhur këto statuja
    Me kultin e Vdekjes dhe me metafizikën
    Disa dijetarë i kishin konsideruar viganët e gurtë
    Figura të stërgjyshërve të banorëve të këtij ishulli
    Të adhuruara si hyjni

    Sipas dijetarëve të tjerë
    Mbartja e statujave që nga gurorja
    Dhe vendosja e tyre në bregdet
    Kishte qenë shkak i zhdukjes
    Së pyjeve të qëmotshme të ishullit
    Të katandisur në një kokë të rruar murgu
    Shkak i katastrofës së parë ekologjike të botës

    Pasi i rrëzuan hipotezat e pararendësve të tyre
    Dijetarët e shekullit XXI
    Argumentuan se statujat e Rapa-Nuit-së
    Të vendosura në bregdet me kurriz nga oqeani
    Dhe me fytyrë nga brendësia e ishullit
    Tregonin ku ndodheshin burimet e ujit të ëmbël
    Në atë vend të rrethuar
    Nga oqeani i pamatë me ujë të kripur

    Statujat vigane të Rapa-Nuit-së
    Ishin simbol i funksionit universal të Artit
    I gdhendur në shkëmb vullkanik…


    TËHUAJTJE

    Këtu
    Mua më duket vetja si një udhëtar
    I braktisur nga një disk fluturues
    Që është ulur në një shesh
    Për shkak të ndonjë avarie
    Pastaj është larguar pa më lajmëruar
    Me ndonjë rënie sirene
    Apo me ndonjë sinjal me drita

    Kudo që shkoj
    Më duket sikur jam i rrethuar
    Nga një turmë shurdhmemecësh
    Sikur edhe unë vetë jam një shurdhmemec
    I pazoti të dëgjoj apo të nxjerr nga goja
    Një fjalë të vetme

    Mua më duket sikur fjala “këtu”
    Nuk ekziston më
    Ka humbur
    Ka rënë në një vrimë të zezë
    Nga ku nuk mund të nxjerrë
    Asnjë qenie tokësore apo qiellore

    Një zë që nuk e di se kujt i takon
    Më thotë se fjala „këtu“
    Nuk ka ekzistuar kurrë
    Ajo ka qenë thjesht një trillim i trurit tim
    Me të cilin kam dashur t’i bëja ballë
    Një mungese të padurueshme

    Ashtu si një shurdhmemec
    Unë zë të shkruaj në çdo syprinë të lëmuar
    Fjalën që më bëhet nakël :
    « Këtu »
    Por me t’i ravijëzuar shkronjat e saj
    Ato ndizen flakë
    Shndërrohen në tym e në hi
    Të cilët i merr me vete era
    Dhe i shpërndan në të katër anët

    Atëherë unë resht së ëndërruari
    Për ta vënë këmbën te toponimi “këtu”
    Heq dorë nga të shkruarit e tij
    Nga të besuarit se ai ka ekzistuar ndonjëherë
    I bindur se gjatë gjithë jetë sime
    Unë kam qenë banor
    Vetëm i toponimit „gjetiu“…


    TA THYESH SI NJË QELQ

    Ta thyesh si një qelq
    Kufirin që ndan jetën nga vdekja
    Dhe bashkë me të
    Të thyesh pyetjet e qëmotshme
    Të cilat nuk vjetrohen kurrë:
    Përse kam lindur?
    Përse kam rrojtur?
    Deri kur do të zgjatë
    Kjo endje në fund të një humnere
    Që quhet jetë?

    Tiktaket e sahatit
    Zhurmat që vijnë nga larg
    Duken si gurë
    Që shkoqen e rrokullisen
    Nga faqet e shkëmbinjve të humnerës
    Të cilën nuk e kapërcen dot
    As shikimi yt
    As imagjinata jote

    Ti e ndien se këta gurë
    Që do të të mbulojnë së shpejti
    Do të jenë qefini yt
    Ose batanija jote
    Nën të cilën do të bësh
    Gjumin e vërtetë
    Ku nuk do të të shqetësojnë më
    As ëndrra të bukura as makthe

    Një gjumë më të thellë e më të gjatë
    Se sa fjetja e të përgjumurve të Efezit
    Një gjumë nga i cili të ka shkëputur
    Pa të pyetur ty
    Loja e pakuptimtë e materies
    Një lojë që në mungesë të ndonjë fjale tjetër
    E kanë quajtur : Jetë…


    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË