Duke parë statujën e Davidit
Ka qenë dëshira ime e kaherëshme, që, në udhëtimin tim të parë në gadishullin e Apeninit, vizitën e parë ta bëja në qytetin e Firencës. Pasi me këtë qytet më lidhnin shumë ëndërra dhe dëshira (dikur të paarritshme), të cilat e kishin zanafillën që kur unë studioja në Liceun Artistik të Tiranës. Në lëndën e historisë së artit ishim njohur me veprat e mjeshtrave të njohur botërorë, veçanërisht me mjeshtërat e mëdhenj të Rilindjes Italiane, si Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Rafaeli, Botiçeli, Donatelo etj., të cilët, me gjenialitetin e tyre, patën bërë epokë, si dhe kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pikturë, skulpturë dhe arkitekturë.
Në dhjetor të vitit 2016 udhëtova për herë të parë në Itali dhe vëndqëndrimi im ishte sigurisht qyteti i Firencës. Gjatë qëndrimit të shkurtër 3-ditor planifikuam disa vizita në qytet. Ditën e parë vizituam qytetin, pallatet monumentale, sheshin “Piazza della Signoria”, Katedralen e famshme Santa Maria del Fiore etj. Vizitën në qytet po e përjetoja me shumë emocion, pasi po kaloja nëpër ato rrugë dhe sheshe ku kishin kaluar (shkelur) mjeshtrit e mëdhenj fiorentinas dhe po shijoja disa nga pallatet madhështore që i kishin projektuar ata.
Ditën e dytë të vizitës ia kushtuam Galerisë së Akademisë. Atje shkuam herët në mëngjes dhe për fatin tonë të mirë, vizitorët e shumtë ende nuk kishin mbërritur dhe kjo na shmangu nga radhët e gjata e të lodhshme. Që në hyrje të galerisë u ndeshëm me një koridor të gjatë, ku ishin vendosur skulpturat e papërfunduara të Mikelanxhelos, të cilat fillimisht ishin planifikuar për varrin e papës Julius II në Romë. Në fund të atij koridori rruga të çonte direkt në skulpturën më të famshme në botë, te “Davidi” i Mikelanxhelos.
Nuk e di se sa gjatë e kam vështruar skulpturën e famshme. Çfare lumturie ishte që të shikoje Davidin! U solla disa herë rrotull saj. U mahnita me bukurinë trupore të Davidit, me përmasat e tij mbinatyrale, prefeksionin e detajeve etj., i cili më emocionoi dhe më mahniti si kurrë ndonjëherë. Vështroja me admirim detajet e portretit: syrin, hundën, buzët, dorën. Në shkollën tonë kishim kopjet e tyre, të cilat, në vitin e parë të Liceut Artistik, i kisha realizuar si etyde në klasën e skulpturës. Qëndroja i mahnitur dhe i shtangur nga ndjesitë, si dikur rreth 50 viteve më parë.
Me këto ndjesi dhe me kujtimet e mia, u largova për një moment nga Davidi për të parë veprat e tjera të galerisë, por sytë dhe vështrimi im nuk shkëputeshin nga statuja e tij. Sa herë largohesha, aq herë i rikthesha Davidit. Ajo skulpturë nudo e bukur po më emociononte pa masë, sa gati po më merrte frymën. As vetë nuk po e kuptoja se ç’po më ndodhte. Trupi m’u mbush me djersë. Më kapi një ngashërim i madh, sa nuk qëndrova dot në këmbë. U ula në një stol aty afër. Ime shoqe dhe djali m’u afruan menjëherë dhe më pyeti e shqetësuar se çfarë më kishte ndodhur. Unë i thashë se as vetë nuk po e kuptoja se çfarë po më ndodhte.

Pasi u qetësova, pas disa minutash e rimora sërish veten dhe ne e vijuam vizitën tonë nëpër sallat e tjera të Akademisë. Dolëm pas disa orësh për të vizituar Kapelën e Mediçëve, e cila ndodhej pranë Akademisë. Edhe aty ndodheshin disa nga skulpturat më të famshme të Mikelanxhelos, i cili kishte zbukuruar me to varret e Mediçëve. Ndonëse nëpërmjet albumeve dhe ilustrimeve të tjera, skulpturat e Mediçëve kishin qenë të njohura prej meje, por, kur i pashë nga afër, ato më dhanë një tjetër ndjesi dhe një tjetër emocion.
Të nesërmen vizituam Galerinë “Uffizi”, që kishte koleksionin më të madh të kryeveprave botërore të mjeshtrave fiorentinë, të cilës i kushtuam një ditë të tërë. Brënda godinës ishte një restorant dhe aty drekuam, për t’iu rikthyer sërish vizitave. Mbetëm të mrekulluar nga gjithçka që pamë, si punët e mjeshtrave fiorentinë, ashtu dhe veprat e mjeshtrave të tjerë italianë (dhe jo vetëm). Edhe këtu gjithçka e përjetova me një emocion të veçantë, por pa m’u përsëritur ajo ndjenja e përshtjellimit emocional, si në Galerinë e Akademisë.
Të nesërmen u larguam nga qyteti i Firencës për në Tiranë.
Pas disa ditësh takova shokun tim Kujtim Dividi, të cilit i tregova për ndjesinë time kur pashë Davidin e Mikelanxhelos. Pasi më dëgjoi, ai më tha se kisha kaluar “Sidromën e Stendalit”. Unë u habita, pasi kurrë nuk kisha dëgjuar për “Sidromën e Stendalit”. U bëra kurioz për të mësuar më shumë për këtë ndjesi dhe u njoha me disa literatura, nga të cilat mora informacion për efektin patologjiko-psikosomatike, të quajtur “Sidroma e Stendalit”. Gjatë një vizite që Stendali kishte bërë në bazilikën “Santa Croce” të Firencës, atë e kapi një krizë e forte emocionale, e cila e detyroi të dilte nga ndërtesa, deri sa të rimerrte veten nga reaksioni marramendës që i shkaktoi ai vënd. Ndjesinë e tij Stendali e shkroi në vitin 1817 në librin “Roma, Napoli dhe Firence”, duke përshkruar me hollësi efektet e kësaj patologjie psikosomatike. Psikiatria italiane Graziella Margherini, studioi më shumë se 100 raste të turistëve, të cilët dilnin nga ambientet e mbyllura me shqetësime të çuditshme dhe kërkonin ndihmë në spitalin fiorentin. Fillimi i shqetësimit çfaqej gjatë vëzhgimit të veprave të artit, të cilat godasin në përgjithësi shikuesit me natyrat të ndjeshme. Në studim ishin mbikqyrur kryesisht subjekte meshkuj, të cilët tregoheshin shumë të interesuar sa i përket aspektit artistik të itinerarit të tyre. Në vitin 1979 ajo e bëri të njohur studimin e saj në librin “Sindroma Stendal. Dobësia e udhëtarit përballë madhështisë së artit”.
Unë kurrë nuk jam ndjerë me turp për ç’ka më ndodhi në Firence. Përkundrazi. Do t’i kisha sugjeruar të gjithë miqtë mi, që janë dashamirës të artit pamor, si dhe të gjithë ish bashkënxënësve që kemi studiuar në Liceun Artistik, që ta vizitojnë qoftë një herë të vetme qytetin e Firencës, këtë tempull të kulturës botërore, i konsideruar si kryeqyteti i artit botëror. Edhe nëse rastësisht ndonjërit i bie që të kaplohet nga “Sindroma e Stendalit”, nuk do t’ia dëmtojë shëndetin, por veçse mirë do t’i bëjë. Unë e kam provuar dhe jam i lumtur për këtë.