Një fjalë e urtë ruse thotë se gruaja e parë i jepet burrit nga Zoti, e dyta, nga njerëzit, ndërsa e treta, nga djalli. Por Mihail Afanasieviç Bulgakov me siguri do të kishte kundërshtuar këtë. Elena Shilovskaja, e cila u bë gruaja e tij e tretë, dukej sikur ishte dërguar nga vetë Zoti. Pikërisht ajo u bë prototipi i Margaritës së Bulgakovit në romanin e famshëm; falë saj u ruajt arkivi i paçmuar i shkrimtarit.
Pra, çfarë gruaje ishte ajo? Si u njoh me shkrimtarin? Dhe si e mbajti premtimin më të madh që i dha bashkëshortit në grahmat e fundit.
Përktheu Bujar Hudhri
“Edukatë ruse”
“Kur Elena Sergejevna hynte në sallon, zonjat tronditeshin dhe nxitonin për të shpërqendruar vëmendjen e burrave të tyre”, – këto fjalë të njërit prej të njohurve të Elenës i sjell në shkrimin e saj shkrimtarja Serafima Çebotar.
Gruaja e tretë e Mihail Bulgakovit ishte me të vërtetë një grua e shkëlqyer. Qysh në rini, Elena Nurenberg (ky ishte mbiemri i saj i vajzërisë) konsiderohej si një nga bukuritë e pranuara të Moskës. Inteligjenca, pamja e ndritshme, talentet e shumanshme; të njohurit nuk dyshonin se këtë grua e priste një fat i jashtëzakonshëm.
Babai i vajzës ishte Sergej Njurenberg, një hebre i pagëzuar, i cili për një kohë punoi si mësues, pastaj u mor me gazetari dhe botonte shkrime në gazeta. Nuk përjashtohet që pikërisht prej tij vajza të ketë trashëguar interesin për letërsinë. Atmosfera ruse, në të cilën u rrit Elena, ndikoi si në edukatën e saj, ashtu edhe në pikëpamjet e saj për jetën. Veten gjithmonë e konsideronte si një ruse të lindur.
Një episod interesant ndodhi kur Elena mbushi nëntëmbëdhjetë vjeç. Atëherë, në vitin 1912, te vajza kërkoi dorën togeri Bokshanski. I riu ishte i pashëm dhe i këndshëm në shoqëri, megjithatë Elena filloi ta bindte që të martohej me motrën e saj të madhe, Olgën. Pa dyshim, vajza kishte dhuntinë e bindjes, sepse së shpejti u bë dasma dhe Olga Sergejevna u bë zonjë e martuar.
Siç kujtonte pas shumë vitesh nipi i Elenës, ajo ishte një adhuruese e zjarrtë e teatrit. Në rini, së bashku me motrën, vajza madje u përpoq të punësohej në teatër, por pranuan vetëm Olgën, ndërsa Elena për një kohë kreu detyrën e sekretares tek i ati.

Pavarësisht numrit të madh të adhuruesve dhe pretendentëve për martesë, Elena Sergejevna hyri në martesën e saj të parë vetëm në vitin 1918. I zgjedhuri i saj ishte Jurij Nejolov, djali i një aktori të njohur. Bashkëshorti i Elenës shërbente në Ushtrinë e Kuqe, ku mbante postin e ndihmësit të komandantit të ushtrisë. Bashkimi me Nejolovin doli jetëshkurtër dhe nuk solli lumturi për asnjërin prej bashkëshortëve.
Vendimtare u bë njohja e Nejolovëve me oficerin e Ushtrisë së Kuqe, Jevgenij Shilovski. Bashkëkohësit e përshkruanin atë si një burrë të pashëm, me pamje fisnike dhe me karakter të butë. E magjepsur nga Shilovski, Elena Sergejevna e kuptoi se nuk mund të jetonte më me Nejolovin. Që në vitin 1920 martesa u shpërbë, dhe së shpejti gruaja u martua me Jevgenij Aleksandroviçin.
Duke u bërë bashkëshortja e një komandanti të nderuar të Ushtrisë së Kuqe, Elena dukej se kishte tërhequr një “biletë fatlume”. Në shtëpinë e saj kishte shërbëtorë, dy djemtë e lindur nga kjo martesë kishin një dado gjermane që merrej me edukimin e tyre. Elena Sergejevna mund t’ia lejonte vetes ato gjëra, për të cilat shumë gra në atë kohë vetëm mund të ëndërronin.
Ajo kishte flokë të mrekullueshme, bizhuteri, përdorte parfume franceze dhe mund të shfaqej në shoqëri me veshje nga më të rafinuarat. Si te Margarita e Bulgakovit, ajo i kishte të gjitha, përveç lumturisë.
Në një letër drejtuar motrës së saj, ajo pranonte se shpesh në mbrëmje zhytet në mendime, ndjen një masë forcash e energjie të pashfrytëzuara. Pa parë as kuptim, as ndonjë qëllim, ajo endej e vetmuar nëpër rrugë, duke menduar për jetën e saj dhe pa gjetur përgjigje për pyetjet që e shqetësonin.
Takimi me Bulgakovin
Gruaja sikur ndiente se ishte krijuar për diçka më të madhe sesa thashethemet mondane mes “zonjave të vogla” apo mërzia e vetmisë. Pikërisht atëherë, kur ajo nuk e dinte ç’të bënte dhe nga t’ia mbante më tej në jetë, u shfaq Bulgakovi.
Rreth njohjes së tyre ekzistojnë disa versione. Sipas më të përhapurit, ata u takuan për herë të parë tek të njohurit gjatë festës së Maslenicës. Siç kujtonte Elena Sergejevna, ajo rrinte në tryezë pranë Bulgakovit, dhe papritur iu zgjidhën lidhëset e mëngës.
Ajo i kërkoi fqinjit të saj t’ia lidhte, dhe Mihail Afanasjeviçi më pas shpesh e përmendte këtë episod, duke bërë shaka se Shilovskaja e kishte “lidhur me magji”. Ky takim ia përmbysi gjithë jetën Elena Sergejevnas:
“Ishte një dashuri e shpejtë, jashtëzakonisht e shpejtë, të paktën nga ana ime, dashuri për gjithë jetën”.
Romanca mes tyre nisi vrullshëm dhe madje disi papritur për të dy. Elena Sergejevna dhe Mihail Afanasjeviç kishin familjet e tyre; as ai, as ajo nuk kishin ndërmend të largoheshin nga bashkëshortët.
Por nëse në jetën e Shilovskajës gjithçka shkonte për mbarë, tek Bulgakovi kjo periudhë ishte errësuar nga ndalimet për botimin e dramave të tij. Nuk e botonin, ia refuzonin punën. Ai ishte praktikisht i varfër, dhe lidhja me një zonjë luksoze në rastin e tij dukej si një çmenduri që nuk mund të kishte vazhdim.

Kur zemra është më e fortë se arsyeja
Dy vjet më vonë, për romancën e gruas së tij me shkrimtarin mësoi Jevgenij Shilovski. Pas një bisede serioze me Bulgakovin, ai kërkoi që ky ta linte të qetë Elena Sergejevnan. Së shpejti, në ditarin e Mihail Afanasjeviçit u shfaq një shënim i dhimbshëm:
“Fatkeqësia ndodhi më 25.II.1931”.
Pikërisht atë ditë të kobshme ai dhe Elena i premtuan njëri-tjetrit të mos shiheshin më kurrë. Të dashuruarit u ndanë, të bindur se ky ishte takimi i tyre i fundit.
Shilovskaja përpiqej të mos dilte vetëm nga shtëpia, nuk kërkonte takime me Mihailin, dhe me përulësi luante rolin e zakonshëm të bashkëshortes së dashur dhe të nënës. Me Bulgakovin ajo nuk u pa gati dy vjet, por një takim i papritur në restorantin “Metropol” ndryshoi gjithçka.
Duke marrë me ngut fëmijët dhe duke u larguar në Lebedjan, Elena Sergejevna i shkroi një letër burrit duke i kërkuar divorc. Mihail Afanasjeviçi gjithashtu i dërgoi Shilovskit një mesazh me një thirrje të zjarrtë: “Kaloni pranë lumturisë sonë”.
Këtu duhet t’i japim të drejtë Jevgenij Aleksandroviçit. Ai me të vërtetë nuk iu vu peng ndjenjave të bashkëshortes së tij. Për më tepër, ai u dërgoi prindërve të saj një letër, në të cilën shkruante se për asgjë nuk e fajësonte Elena Sergejevnan, dhe se martesa me të i kishte dhuruar shumë vite të lumtura.
Megjithatë, divorci rezultoi i dhimbshëm për Elenën. Ish-bashkëshortët “ndanë” edhe fëmijët: Jevgenij mbeti me të atin, ndërsa Sergej së bashku me të ëmën u shpërngulën në shtëpinë e Bulgakovit. Në tetor të vitit 1932 Mihail Afanasjeviçi u divorcua nga gruaja e tij e dytë, dhe një muaj më vonë u martua me Shilovskajën.
Shoqja besnike
Jeta e re e Elena Sergejevnas ndryshonte në mënyrë rrënjësore nga ajo e mëparshmja. Tani asaj i duhej të harronte sobolat dhe parfumet e shtrenjta, veshjet luksoze dhe mbrëmjet mondane.
Por vështirë se gjëra të tilla të vogla e shqetësonin gruan. Ajo ishte pranë njeriut që dashuronte, e shndërruar në ndihmësen e tij, muzën e tij, mbështetjen e tij të sigurt. Elena redaktonte dorëshkrimet e Bulgakovit, i shtypte në makinë shkrimi, i jepte këshilla Mihail Afanasjeviçit, komunikonte me botuesit dhe teatrot.
Pas një viti martese, Elena Bulgakova, me këmbënguljen e burrit të saj, filloi të mbante ditar, i cili në të ardhmen u bë një burim me vlerë të paçmuar për biografët.
Kur në vitin 1934 Mihail Afanasjeviçi më në fund mori një apartament, mysafirë të çiftit u bënë personalitete të njohura të artit të kohës. Tek Bulgakovët shpesh vinin Kaçallovi, Ranevskaja, Ahmatova. Në shtëpinë e tyre gjithmonë mbretëronte gëzim, liri dhe ngrohtësi. Nuk ishte e rrallë që mysafirët të shpërndaheshin vetëm në agim.
Vdekja e shkrimtarit
Dashamirës i shakave, Mihail Afanasjeviçi shpesh u thoshte të pranishmëve: “Ju do të jetoni, por unë do të vdes së shpejti”. Por askush nuk i merrte seriozisht këto fjalë, pasi shkrimtari dukej i shëndetshëm dhe plot energji.
Megjithatë, Bulgakovi nuk ishte vetëm letrar, por edhe mjek i mirë. Në vitin 1939 ai u sëmur nga nefroskleroza. Ai e dinte se pas simptomave fillestare do të pasonin humbja e shikimit, e të folurit dhe vdekja e shpejtë. Mjekët thoshin se ai do të jetonte vetëm disa ditë, por Bulgakovi duroi gjashtë muaj. Shuarja e tij ishte e gjatë dhe e mundimshme.
Gjatë gjithë kësaj kohe pranë tij ishte Elena Sergejevna. Pak para vdekjes, pothuajse i privuar nga aftësia për të folur, Mihail Afanasjeviçi nisi t’i tregonte me gjeste gruas së tij, duke i kërkuar të sillte diçka.
Ajo i afroi një gotë ujë, por jo; i vdekuri tregonte drejt dorëshkrimit të Mjeshtrit dhe Margaritës. Duke gjetur me vështirësi forcën për të shqiptuar disa fjalë, Bulgakovi tha: “Që ta dinë…”. Elena Sergejevna iu betua bashkëshortit se veprat e tij patjetër do të botoheshin. Ajo e mbajti fjalën e dhënë.
Ruajtësja e dorëshkrimeve
Nëse gjatë jetës së Bulgakovit gruaja e tij ishte ndihmëse dhe sekretare e shkrimtarit, pas vdekjes së tij Elena u shndërrua në ruajtësen e arkivave të paçmuara të Bulgakovit. Në një nga letrat e saj, drejtuar vëllait, gruaja pranonte:
“Unë bëj gjithçka që është në fuqinë time, në mënyrë që të mos humbasë asnjë rresht i shkruar prej tij, që të mos mbetet i panjohur personaliteti i tij i jashtëzakonshëm… Ky është qëllimi, kuptimi i jetës sime”.
Në vitet e fundit të jetës Elena Bulgakova jetoi në varfëri. Ajo bënte përkthime, zhvillonte bisedime me botuesit dhe jepte gjithë forcat e saj që veprat e Mihail Afanasjeviçit të mos mbeteshin të harruara.
Duke kujtuar jetën e saj të shkurtër bashkëshortore me Bulgakovin (ata jetuan së bashku shtatë vjet), ajo thoshte se në atë kohë nuk kishte grua më të lumtur në gjithë botën. Elena Sergejevna, në kujtim të kësaj dashurie të përjetshme, e pavdekësoi trashëgiminë e Mihail Afanasjeviçit, duke ruajtur dorëshkrimet e tij dhe duke bërë një punë të madhe që ato më në fund të shihnin dritën.
Nipi i Elena Sergejevnas, Sergej Shilovski, kujtonte se ajo kurrë nuk pushoi së besuari në lidhjen e veçantë, madje edhe me Bulgakovin e ndjerë. Ajo “komunikonte” me të çdo mbrëmje, duke i treguar çfarë kishte ndodhur gjatë ditës, për punën dhe mendimet e saj.
Me nismën e vejushës së shkrimtarit, mbi varrin e tij u vendos një golgotë, e cila më parë kishte qëndruar mbi varrin e Gogolit (atë e hoqën për t’i ngritur një monument Nikolaj Vasiljeviçit).
Vetë Elena Sergejevna vdiq në moshën shtatëdhjeteshtatëvjeçare. Ajo u varros pranë burrit të saj, nën të njëjtën golgotë, dhe kjo do të thoshte se i madhërishmi “Mjeshtër” dhe “Margarita” e tij ishin sërish bashkë – tani tashmë në qiell.