More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBiser Mehmeti: Dhimbje e shndërruar në klithje poetike

    Biser Mehmeti: Dhimbje e shndërruar në klithje poetike

    Bekim Blaku është ndër ata poetë që poezinë e shkruan me një maturi të theksuar, po që është tepër i kujdesshëm në procesin e botimit. Prandaj edhe deri më sot ka arritur të botojë vetëm tri vëllime me poezi, në të cilat patjetër që është shpërfaqur ndjesia e tij e thellë prej poeti të talentuar.

    Një drejtim i duhur si lajtmotiv

    Vëllimi poetik “Qetësi e prishur” i poetit Bekim Blaku, botuar para pak kohësh nga shtëpia prestigjioze kosovare “Buzuku” në Prishtinë, shpërfaq në masë të theksuar ndjesitë e poetit gjatë rrugëtimit të tij jetësor duke u ballafaquar me sfida të ndryshme, sidomos në theks të veçantë gjatë kohës së qëndrimit të tij në dhe të huaj, ku aktualisht edhe jeton. Në një mënyrë apo në një tjetër vargjet e këtij vëllimi janë frymëzim i poetit gjatë qëndrimit të tij të gjatë në mërgim dhe si shumë krijues të tjerë edhe Blaku nuk ka mundur të mos i shpreh në vargje mallëngjimin dhe vajin e tij të brendshme, ndjenja këto të cilat sikur nuk e kanë lënë të qetë gjatë gjithë kohës, duke e ngacmuar gjithnjë nervin e tij krijues.

    Gjatë një leximi të kujdesshëm që i kam bërë këtij vëllimi poetik, një gjë më ka bërë përshtypje: poeti në pjesën më të madhe të poezive shpalos me vargje mjaft të realizuara, me një kujdes dhe ndjesi shpesh emocionale, një pjesë të rëndësishme të autobiografisë së vet, sa të bëhet sikur nuk je duke lexuar autobiografinë e një krijuesi që ka bërë një rrugë mjaft të vështirë gjatë jetës së tij e të cilat i kanë mbetur të skalitura në kujtesën e tij. Prandaj edhe mund të thuhet se ky vëllim është një lloj letërnjoftimi i poetit Bakim Blaku, të cilin dëshiron ta ndajë me lexuesit e tij. Nuk është thënë kot se poezia dëshmon shpirtin e poetit. Sipas kësaj del që poeti është i preokupuar në radhë të parë me jetën e vet, prandaj edhe gjithë ato gjëra që i janë skalitur në një cep të mendjes i shpërfaq përmes vargjeve, duke përjetuar një lloj katarsisi, i cili i duhet poetit. Këtë ai edhe e synon me çdo kusht, ngase nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për të qetësuar shpirtin e trazuar nga krajatat e jetës së përditshme. Këtë ndjesi apo mbase edhe moton e tij jo vetëm krijuese, por edhe jetësore, e shpreh duke përdorur një gjuhë të realizuar metaforike në poezinë me titull “Drejtim i duhur” përmes vargjeve:

    Jam krenar

    Me hapat e mi

    Të vegjël

    Në drejtim të duhur

    (Qetësi e shprishur, f. 90)

    Metafora e qetësisë dhe e shqetësimit

    Mirëpo, çfarë simbolizon titulli i këtij vëllimit poetik “Qetësi e prishur”? Për çfarë qetësie është i shqetësuar poeti Blaku? Natyrisht që flet për një shqetësim që e ka brenda vetes, e cila nuk është shkaktuar nga qetësia, po përkundrazi nga shprishja e qetësisë. Është i njohur fakt se të gjithë njerëzit e kësaj bote e duan qetësinë, madje edhe në jetë orvaten të arrijnë qetësinë relative! Edhe poeti Bekim Blaku e do qetësinë, sidomos atë të shpirtit, sepse është e domosdoshme për një jetë të lumtur. Mirëpo parashtrohet pyetja: a është e mundur që vetë poeti dëshiron ta prishë qetësinë e njëtrajtshme, pasi është duke u ballafaquar një kohë të gjatë me valët e rrëmbyeshme të kësaj “qetësie”, e cila ka filluar të bëhet e padurueshme, mbase edhe e neveritshme! Megjithatë, në vargjet e kësaj poezie të përzgjedhur  për të titulluar vëllimin poetik, preokupimi i tij kryesor është ta ruajë qetësinë e shpirtit me çdo kusht, sepse ajo ka një rëndësi të madhe. Prishja e kësaj qetësie nga faktorë të jashtëm, për çudi, i sjell poetit kënaqësi të madhe.  Në anën tjetër poeti me shpirtin e tij të ndjeshëm, nuk shqetësohet pse i është prishur qetësia, ngase nuk mund të mendojë të jetojë në qetësi për një kohë të gjatë. Sipas poetit Blaku qetësia për një kohë të gjatë është e mundimshme tepër deri në shqetësim, prandaj edhe është i gëzuar që qetësia është prishur, ngase e ka të qartë se një qetësi e gjatë na pret një ditë kur të mbyllemi në qivur. Poeti është i vetëdijshëm se qetësia ka dy anë të kundërta, të cilat shpeshherë duhen përjetuar pa dëshirën tonë si pasojë e rrethanave jetësore, të cilat nuk varen nga mënyra e jetës, po nga rrethana të tjera që jemi të detyruar t’u nënshtrohemi pa dëshirën tonë. Poeti gëzimin e tij e shpreh më së miri përmes vargjeve lakonike, po mjaft domethënëse të kësaj poezie:

    Më mirë qetësi e thyer

    Qoftë në gur a në mur

    Sesa fund e krye

    Qetësi pa fund

    Si ajo e fundit

    Qetësi në qivur

    (Qetësi e prishur, f. 6)

    Klithjet dhe vaji i mërgimtarit

    Edhe poezitë e tjera të këtij vëllimi janë përjetime të autorit gjatë jetës së tij, sidomos pas largimit të tij nga Kosova e sidomos jeta e vështirë në mërgim. Në këtë aspekt dominojnë poezitë për mallin dhe dhimbjen jo vetëm për vendlindjen, por edhe për prindërit e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me Kosovën.

    Është vështirë, në mos edhe e pamundur, të gjesh një krijues serioz që një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar larg atdheut, të mos shpërfaq në poezitë e tij sadopak dhimbjen dhe mallin për atdheut. Edhe Bekim Blaku në këtë vëllim poetik ka shpërfaqur me një gjuhë herë-herë të drejtpërdrejtë, herë-herë të figurshme dhimbjen e pandërprerë, e cila e ka djegur si zjarr brenda vetes. Një pjesë e madhe e këtij vëllimi poetik, “Qetësi e prishur”, është e mbushur me këtë motiv, të cilin autori duket sikur gjatë kohës sa e shkruan e ndien dhimbjen si trazohet brenda vetes. Është një dhimbje që shpesh shndërrohet në klithje ndaj vetvetes, të cilën sikur e akuzon pse nuk gjendet në atdhe, po larg tij. Mirëpo duket sikur poeti qëndron vetëm me trup larg atdheut, sepse atë e ka brenda shpirtit të vet, të cilin nuk mund ta shmangë dot. Poeti nuk ka sesi të mos vajtojë me zemër të plagosur kur kupton gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej dikur Kosova. Prandaj edhe tërheq një parabolë në mënyrë që të shpërfaqë gjendjen e tij shpirtërore në vendin ku është duke jetuar dhe me Kosovën, e cila është “mbërthyer në dimër siberian, kurse në Romë zogjtë cicërojnë” (Qirinj e diell lirie, f. 15). Edhe në poezinë tjetër me një gjuhë metaforike poeti shpreh mallin e tij të pashuar ndaj atdheut. Mjaftojnë të shohim vetëm dy vargjet e para të poezisë Mëngjesi gri:

    Më forcën e shpirtit

    Dua t’i ngreh diga mallit

    Dhimbja e poetit është tepër e madhe, aq e madhe sa ai vajton me zemër të thyer atëherë kur është në pyetje vdekja e një mërgimtari, i cili në një vend të largët ka shkuar për të kërkuar shpëtim nga vdekja, po që është ballafaquar me vdekjen. Mendoj se është një ndër poezitë kur autori Blaku dëshmon talentin e tij krijues. Përmes vargjeve të shkurtra poeti arrin të përmbledh me mjaft sukses gjithë ato përjetimet e tija kur mërgimtari kthehet në urnë i shoqëruar nga i vëllai, kurse amaneti i tij ishte:

    Paqja ime e fundit

    Pranë varrit të nënës

    (Siluetë kujtese e qetësi varri, f. 12)

    Që të bindemi se sa zjarr të fuqishëm poezi ka brenda vetes, kur është në pyetje atdheu i tij (i ynë!), të cilin e ka braktisur për shkak të ngjarjeve tashmë të njohura. Mirëpo, për dallim nga shumë shqiptarë të arratisur nga Kosova, Blaku gjithnjë është kujdesur që përmes vargjeve të zgjedhura të shfaqë atdhedashurinë. Mund të  themi lirisht se poezitë në shpirtin e tij të trazuar nuk ndien vetëm dhimbje e vaj për atdheun, po në anën tjetër ai ndien edhe krenari, sidomos kur e kupton se Kosova nuk është më ajo që ka qenë dikur e okupuar, po tashmë është një Kosovë e lirë dhe e zhvilluar si kurrë më parë. Prandaj edhe këto vargje tregojnë më së miri si shprehet për kohën e tashme, gjatë së cilës shohim se me ndryshimin e Kosovës ka ndryshuar edhe gjendja e tij shpirtërore:

    Tash frymon lirshëm

    I dashur Atdhe

    Kosova ime

    (Të shoh si gjithherë, f. 29)

    Vlera e vëllimit poetik

    Vëllimi poetik “Qetësi e prishur” i Bekim Blakut përmban gjithsej 97 poezi. Derisa shumica e poetëve përmbledhjet e tyre poetike i ndajnë në cikle sipas motive të shfaqura, Blaku nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mendoj se shkaku pse autori nuk e ka ndarë vëllimin e tij poetik në cikle është sepse ka dashur të largohet nga forma tradicionale e të shkruarit të poezive. Në anën tjetër mund të jetë edhe shkaku që poezitë edhe pa i ndarë në cikle mund të ruajnë kontinuitetin sidomos tematik nga njëra poezi në tjetrën. Sa i përket vlerës estetike mund të themi se vëllimi poetik “Qetësi e prishur” dëshmon se autori ka arritur në masë të kënaqshme të na sjellë poezi mjaft të qëndrueshme jo vetëm në aspektin ideor, por edhe estetik. Një çështje që duhet theksuar është se poezitë kryesisht janë të shkruara me vargje të shkurtra, por që arrijnë të përmbushin mjaft mirë idetë e autorit. Një çështje tjetër që do theksuar është se vepra poetike është e shkruar me një gjuhë metaforike të perceptueshme. Në disa poezi poeti idetë e tija i shpreh përmes vargjeve me anë të një gjuhë që në shikim të parë duket e thjeshtë, por që në të vërtetë është e përbërë nga figura të ndryshme estetike ndër të cilat dominon metafora.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË