ujt teposhtë, djali përpjetë
ujt teposhtë, djali përpjetë
ujt teposhtë, djali përpjetë
gjyshe,
a e din çka janë liqenet lumore?
*
në dërrasë vizaton nji lum që përkulet
ai thotë: nji liqen lumor është nji liqen
në formë të grepit
që krijohet kur kthesat e mëdha të lumenjve
ndahen nga shtrati kryesor
SI FORMOHEN LIQENET LUMORE?
kur lumi rrjedhë nga bjeshkët në nji fushë
ku toka është prej baltës së butë
lumi formon kthesa të mëdha të quajtuna GJARPËRIME
kjo për shkak të fenomenit të EROZIONIT
ku rrjedha e lumit
pra uji në lëvizje
gërryen tokën e butë
*
lumi duket
si nji gjarpër
që lëvizë andej këndej
por nëse rrjedha
gërryen një kthesë tepër të lakuar
lumi krijon një udhë të re
të drejtë
nji liqen lumor është nji lum që nuk lëvizë
nji lum i braktisun
zorra qorre e lumit, e hequr
*
ai thotë: gjyshe
nji koleg në oslo
më ka treguar për nji tjetër lum
përmes projekteve të infrastrukturës
dhe proceseve të modernizimit
është ndryshu shtrati i lumit
lumi është çu në vende
ku nuk ka rrjedhë më herët
nevojitet vetëm nji përmbytje
dhe lumi vërshon shtëpitë
gjen shtratin e vet të vjetër
nevojitet vetëm nji përmbytje
dhe lumi kthehet në shtëpi
gjyshja nuk thotë asgjë
Shkëputur nga ‘Libri i Gjyshes’