More
    KreuForumi mbi përkthiminAlbana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

    Albana Nexhipi Lekaj: Përkthimi, përpjekje për t’u bërë njësh me autorin

    Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim?

    Vetë dilema që shtrohet, dëshmon se kemi ende shumë paqartësi mbi një prej proceseve më të vjetra të komunikimit njerëzor, atë të komunikuarit një mesazh nga njëra gjuhë në tjetrën, përmes fjalës së shkruar. Do  përpiqem të sjell shkurtimisht kuptimet e të katërta fjalëve, për të parë së bashku se, cila mund të jetë përgjigjja. E nisim me përkthimin. Përkthimi, referuar Fjalorit Shqip (1984) dhe jo vetëm, shpjegohet si kthim i fjalëve të një gjuhe në një gjuhë tjetër, duke ruajtur si kuptimin në rrafshin denotativ, ashtu dhe në atë konotativ, e duke respektuar fushat kuptimore përkatëse. Ndërkaq, po sipas fjalorëve, interpretimi është, në kuptimin e parë të shpjegosh diçka (send a fenomen) dhe në të dytin, të luash një pjesë artistike, qoftë ajo muzikore apo teatrale. Referuar po Fjalorit, në shpjegimin që i bëhet fjalës përshtatje, shohim se njëra prej fushave kuptimore të saj, lidhet me përkthimin. Kështu, kuptimi i dytë, na vjen si “përkthej lirisht një vepër letrare, duke i zhvendosur ngjarjet dhe personazhet në një mjedis dhe në një kohë tjetër.” Siç edhe lexohet prej citimit, në këtë shpjegim kemi disa togfjalësha dhe fjalë që nxisin dyshimet për një përkthim jo dhe aq cilësor, siç janë “përkthej lirisht (pse ka dhe “përkthej shtrënguar”?!)… “duke i zhvendosur ngjarjet dhe personazhet në një mjedis dhe një kohë tjetër” (???). Se si mund të ndodh kjo e të jetë po e njëjta vepër, vetëm ata që kanë bërë shpjegimin e kësaj fjale mund të na i sqarojnë, por  sinqerisht, unë besoj se po të zhvendosësh ngjarjet dhe personazhet nga njëri vend në tjetrin, i ke thënë lamtumirë origjinalit me kohë e vakt. Ndërkohë, fjalorët italianë dhe anglezë janë më të saktë në këtë pikë. Ata sqarojnë se përshtatja është “variant i ndryshuar i një vepre letrare ose muzikore, për ta bërë atë më të pajtueshme/kuptueshme, me një tjetër mjet shprehjeje ose grupi social”. 

    Gjithsesi, duhet thënë që përkthime pa përshtatje nuk ka, dhe kjo jo për hir të tekave të përkthyesit “që përpiqet ta thotë më mirë (?!)”, por për hir të nevojave që kërkon teksti, për të mbërritur siç duhet në gjuhën pritëse. Përshtatjet duhet të jenë sporadike dhe, padiskutim,  jo sipas kuptimit 2 që pamë më sipër. Shprehjet frazeologjike janë për shembull një prej rasteve kur nevojitet përshtatja. Sado të përpiqesh t’i përkthesh siç i ka shkruajtur autori, rrezikon prapë t’ua humbasësh kuptimin, ngase mendësitë dhe simbolikat ndryshojnë nga kultura në kulturë, dhe në këto raste shpesh duhet të sakrifikosh fjalën, për të shpëtuar mesazhin.

    Dhe këtu të sqarojmë një herë e mirë edhe diçka gjë tjetër: kemi përshtatje të fjalës, jo të mesazhit, i cili,  në përkthim, duhet të vijë i plotë, siç e ka thënë autori, dhe në koherencë me krejt narracionin. Pra, mund të flasim për elementë të përshtatur, për ndonjë fjalë që s’rri mirë as duke gërrmuar krejt arsenalin e sinonimeve, por kurresesi nuk duhet ta ngatërrojmë një vepër të përshtatur me një vepër të përkthyer, se ndryshojnë në 90% të vetën nga njëra tjetra. 

    Kurse shqipërimi dhe përkthimi janë sinonime. Nënkuptojnë në rastin tonë të njëjtën gjë. Sipas Fjalorit, shqipërim do të thotë “përkthim në shqip i një vepre letrare” dhe unë them se duhet të fillojmë ta ligjërojmë formën “ky libër është shqipëruar prej  X-it” apo “shqipëroi”. Kjo jo vetëm do t’i jepte Çezarit atë që i takon, por do shërbente edhe për të na i ngulitur një herë e mirë në mendje, se shqipja që lexohet në atë tekst e ka  një vulë, atë të përkthyesit, i cili është përgjegjës për atë variant shqip të veprës. Vetëvetiu mandej, duke njohur shqipen e përkthyesëve të ndryshëm, duke ua vënë në peshore krahasuar me origjinalin, mund edhe të krijojmë një krye-listë se kujt mund “t’i zëmë besë”. Italiani thotë “Traduttore-tradittore” dhe kjo nuk duhet harruar për shumë arsye.

    Në përvojën time, të përkthesh/shqipërosh do të thotë të përpiqesh të bësh tërë kohën atë që thotë Umberto Eco në librin e tij “Të thuash thuajse të njëjtën gjë”, ku shpjegon gjerë e gjatë se ç’është të përkthesh e se ç’duhet të bëjë një përkthyes. Pra të përkthesh është të luftosh deri në gërmën e fundit “të thuash thuajse të njëjtën gjë si autori”, dhe ajo thuajse është një betejë e pambarimtë për t’u bërë njësh me autorin, si në leksikun e përdorur, si në fushat kuptimore të fjalëve, si në  gjatësinë e fjalëve të  përzgjedhura, si në numrin e fjalëve brenda një fjalive, si në koherencën e tekstit, si në imazhin që vjen prej veprës, si në ritmin e narracionit e në shumë e shumë gjëra. Por të bëhesh njësh ama, dhe kurrë më i mirë se autori. Se nëse e kapërcen atë, tregon egoizëm të tejskajshëm dhe një mosprofesionalizëm në lëmin e përkthimit. Përkthyesi duhet të karakterizohet nga përulësia ndaj autorit, dhe e mira është që të “dallohet” sa më pak në tekst. Pra të duket sikur atë libër e ka shkruar i njëjti autor, por në tjetër gjuhë.

    Dilema se ç’është përkthimi në fakt, interpretim, përshtatje apo shqipërim, është kthyer zëre në  gangrenë për  përkthimin shqip sot. Ajo që duhet të përpiqemi të ngulisim në mendje, nuk është qasja  që bëhet rëndom ndaj një teksti të përkthyer “si e themi ne në shqip dhe hajt ta përshtasim, se lexuesi nuk e kupton pastaj”, se e thëna jonë shqip varet nga një sërë faktorësh kulturorë dhe emocionalë, por “si ta themi sa më saktë në shqip, këtë që ka thënë autori, pa  i lënë jashtë sikur nuancën më të vogël kuptimore”. As autori e as lexuesi nuk janë budallenj që presin t’i sqarojnë përkthyesit dhe redaktorët, por secili ka formimin e vet kulturor, formime që mezi presin të pikëtakohen për t’u njohur dhe mësuar nga njëri-tjetri. Ndodh shpesh që, në përpjekje për ta thënë “si e themi ne në shqip”, tekstet e përkthyera bëhen shto ujë e shto miell. Dhe që t’ju sjell një shembull. Teksti italian qe: “E tu adesso mi chiami?.” Përkthimi: “Dhe ti tani më telefonon?” Pretendimi: shqip ne i themi “Dhe ti tani e gjete të më telefonosh?”.  Përfundimin nxirreni vetë, por në gjykimin tim ky shtim fjalësh pa qenë  nevoja, edhe në raste kaq të thjeshta, është tejet i gabuar dhe ua bën gropën origjinalëve. Duhet të përpiqemi të qasemi sa më pranë origjinalit, të mos fusim më shumë fjalë se ç’ka thënë autori,   as arkaizma, as neologjizma, as fjalë që bartin ngjyresa kohore/ideologjike etj., nëse ai nuk i ka përdorur. Të mos harrojmë që ai është i zoti i tekstit, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, dhe ne të tjerët (përkthyes e redaktorë) jemi thjesht “përcjellës”.  Dhe kjo është beteja. Kush fiton, mbetet!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË