More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimMA Sai (Bora): Vështrimi dhe kundërvështrimi në romanin “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” të...

    MA Sai (Bora): Vështrimi dhe kundërvështrimi në romanin “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” të shkrimtarit Ylljet Aliçka – një studim mbi identitetin shqiptar

    Abstrakt: Romani i Ylljet Aliçkës Rrëfenjë me ndërkombëtarë nën sfondin e periudhës fillestare të tranzicionit të Shqipërisë, tregon jetën e përditshme  dhe më konkretisht raportet midis punonjësve ndërkombëtarë dhe atyre vendas në një përfaqësi të huaj në Tiranë. Duke përshkruar këndvështrimin e punonjësve të huaj ndaj vendasve, shkrimtari paraqit strukturimin dhe disiplinimin e vështrimit të Tjetrit ndaj Vetes; ndërkohë, nëpërmjet kundërvështrimit të vendasve ndaj punonjësve të huaj, thyhet logjika e strukturimit të identitetit të Vetes me anë të identifikimit të Tjetrit.

    Ngjarja në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë ndodh në Shqipërinë e tranzicionit të viteve të 90-të të shekullit të kaluar, ku një përfaqësi ndërkombëtare, është hapësira kryesore e rrëfimit, dhe karakteret mund të ndahen në dy lloje, vendasit dhe ndërkombëtarët. Në Përfaqësi të gjithë punonjësit ndërkombëtarë, përfshi ambasadorin, vijnë nga Perëndimi i zhvilluar. Vendasi nuk strukturohet në të vetmin imazh krejt të kundërt me ndërkombëtarin, por në disa imazhe, që janë herë kokëulur, të bindur, dhe vazhdimisht dorëzohen dhe ndryshojnë veten për të përmbushur kërkesat e diplomatëve ndërkombëtarë, e herë të tjera janë skeptikë dhe satirikë dhe tregojnë njëfarë ksenofobie të mbështetur nga dinjiteti, krenaria kombëtare dhe nacionalizmi. 

     Po të shqyrtonim strukturën e romanit, mund ta konsideronim përvojën personale të rritjes së Roshit si linjën kryesore, qysh nga fillimi i punës në Përfaqësi e deri te shkarkimi nga puna. Roshi ka jo pak raste për të këqyrur vendasit dhe ndërkombëtarët, Veten dhe Tjetrin, kështu që këndvështrimi i tij përkon pjesërisht me këndvështrimin e narratorit në vetën e tretë. Në bazë të teorisë së Vështrimit, ky artikull analizon vështrimin e diplomatëve të huaj ndaj shqiptarëve, reagimin e shqiptarëve përballë vështrimit, si dhe kundërvështrimin e Roshit.

    I. Vështrimi nga diplomatët e huaj 

    Punonjësit ndërkombëtarë në Rrënfenjë me ndërkombëtarë vijnë nga vende të ndryshme, me jetën dhe përvojën e ndryshme në karrierë, mirëpo ata kanë një pikë të përbashkët: që të gjithë vijnë nga kampi kapitalist para Luftës së Ftohtë dhe “Perëndimi”, në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor. Vendi i punës së diplomatëve ndodhet në Tiranë, dhe ata krijojnë kontakte me gjithfarë vendasish. Gjatë ndërveprimit të vazhdueshëm, formohet marrëdhënia “vështrimi-kundërvështrimi” midis diplomatëve ndërkombëtarë dhe vendasve.

    “Vështrimi” është një koncept i rëndësishëm në teorinë e letërsisë perëndimore, lidhur me shikimin, pushtetin, përfytyrimin, veten dhe tjetrin. Sartri mendon se vështrimi nga tjetri dëshmon se vetvetja fiton vetëdijen e trupit duke iu bërë objekt tjetrit. (Sartri, 1993) Kjo ndërgjegje ekziston vetëm për hir të tjetrit. Vetvetja dhe tjetri mund të veçohen për shkak të vështrimit, tjetri e vështron vetveten, ndërkohë vetvetja e vështron tjetrin. Ndryshe nga Sartri, Foucault-i e trajton vështrimin si simbol të pushtetit, i cili është disiplina dhe rimodelimi i subjektit me diskurs ndaj objektit. Prandaj, sa i përket marrëdhënies midis vështrimit dhe kundërvështrimit, të dyja palët me siguri qëndrojnë në pozicionin që tregon asimetrinë e pushtetit. Në këtë mënyrë, vështrimi shndërrohet në një marrëdhënie konkrete, të prekshme dhe simbolike të pushtetit dhe dhunës së butë. Forca shoqërore e organizuar dhe e sistemuar nga shoqëria është një forcë e padukshme që ekziston kudo. (Urry, 2009)

    Duke iu referuar vështrimit, Lakani propozon teorinë e famshme, teoria e pasqyrës (ose faza e pasqyrës), i cili është term që bazohet në mbikëqyrjen e veprimeve të fëmijëve midis moshës 6 dhe 18 muajsh, kur fëmija e njeh veten në pasqyrë, duke e konsideruar si imazhin e vetvetes. Mirëpo, ky imazh pasqyre nuk është imazhi i vërtetë i “Uni-t / Vetes”, por një “Unë” i krijuar nëpërmjet njohjes për emërtimin e Tjetrit, i cili rrjedhimisht shkakton iluzion dhe tjetërsim. Duke u identifikuar me ndonjë imazh, “Uni” ndryshon në vazhdimësi nën vështrimin e Tjetrit, dhe ka qëllim t’i afrohet atij imazhi. Në këtë qasje, Tjetri e transformon Uni-n.

    Në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë, objekti i vështrimit të diplomatëve janë punonjësit vendas dhe e gjithë shoqëria shqiptare. Shkaku i vështrimit të tillë ka qëllim të diferencojë vendasit me vetveten, duke shfaqur qytetërimin, kulturën dhe privilegjin e diplomatëve ndërkombëtarë. Sapo europianët vënë këmbë në Shqipëri, “ata ndihen shumë më të rëndësishëm aty sesa në atdheun e tyre. Kjo është e shpjegueshme po të pranohet se më parë ata nuk kanë pasur shumë hapësirë ose rast që të shpalosnin aftësitë e tyre në dobi të njerëzimit.” (Aliçka, 2009: 24) Nga këndvështrimi i narratorit, është bash kjo prapësi e Shqipërisë që ua ofron diplomatëve rastin për të realizuar dhe konfirmuar vetëvlerësimin. Ndërkohë, duke u përballuar me popullin vendas, diplomatët mbajnë në mënyrë të vazhdueshme të njëjtin qëndrim për asimilimin e shqiptarëve.

    Një herë, protagonisti i romanit, Roshi, takon rastësisht diplomatin britanik.  Gjatë bisedës mes të dyve, britaniku e pyet Roshin për besimin e tij fetar, duke thënë se shpesh has vështirësi në identifikimin e fesë suaj, domethënë të ju vendasve, pasi kam përshtypjen se, sado që kujtesa juaj fetare është dëmtuar rëndë nga regjimi diktatorial, mbeteni një popull me shpirt dhe zakone orientale. … Pasi, unë, ne, ndërkombëtarët, kemi veçorinë, d.m.th. nuhatjen, që do të thosha se na dallon ndjeshëm nga ju… më falni, pra nga vendasit… ne kemi aftësinë që t’i pikasim shenjat e prapambetjes aty ku syri juaj nuk i vë re, pasi ju jeni ambientuar me të keqen, kuptohet për shkak të prapambetjes nga regjimi diktatorial. …… Më pas, britaniku, me po atë ton të shpenguar, tregoi se ai dhe kolegët e tij, përveç të tjerash, revoltoheshin në këtë vend edhe me bunkerët e shumtë, me rrezikun e tërmeteve, me orientimin e çuditshëm fetar, me mungesën e kujdesit për kafshët, pra gati-gati me gjithçka. (Aliçka, 2009: 41-43)

    Ky qëndrim soditës i “perëndimorit” ndaj “orientalit” shfaqet nëpërmjet vështrimit, i cili demonstron vështrimin orientalist dhe pushtetin e të parit ndaj të fundit. Gjatë kësaj bisede, Roshi nuk arrin të japë shpjegime ose të kundërshtojë, por rri në heshtje si shumica e vendasve, duke u ndodhur në pozitën ku vështrohet dhe gjykohet. 

    II. Vazhdimësia e vështrimit në shoqërinë shqiptare 

    Në veprën Disiplinë dhe ndëshkim, lindja e burgut, Foucault-i mendon se vështrimi që simbolizon pushtet vjen nga “burgu panoptik”, ku i burgosuri ose i vëzhguari është nën mbikëqyrje dhe kontroll absolut. Rrjedhimisht, shfaqet një gjendje e dukshme me vetëdije dhe vazhdimësi tek i vëzhguari, e cila është për të siguruar funksionimin automatik të pushtetit. (Foucault, 1999: 226) Vëzhguesi arrin të disiplinojë dhe kontrollojë të vëzhguarin, ndërkohë ky i fundit bën vetë-mbikëqyrje nga këndvështrimi i brendësuar nga pushteti, dhe priret të kënaqë dhe kujdeset për vështrimin e Tjetrit. Si rezultat, kur i vëzhguari e vështron vetveten nëpërmjet këndvështrimit të Tjetrit, ai vazhdon këtë vështrim të Tjetrit, dhe me siguri është e pashmangshme të mohojë veten, madje të mund të urrejë veten.

    Ndonjëherë, kur punonjësit vendas në Përfaqësi përballen me vështrimin e diplomatëve, disa veprimet e tyre duken anormale, por të arsyeshme në njëfarë mënyre.

    Diplomati spanjoll Pablito përpiqet me të gjitha mënyrat që të pengojë aplikimin e vendasve, duke nxjerrë justifikime të shumëllojshme, dhe më pas u shpërndan projekte vendase kompanive të huaja. Mënyra të tilla kaq të tmerrshme nxisin me pahir respektin e nëpunësve, të cilët kur i paraqesin Pablitos dosjet mbi tryezë, s’u mbetet veçse të nënshtrohen plotësisht dhe të mos humbin tjetër rast pa demonstruar servilizmin e tyre, me shpresën se kjo gjë do ta zbusë paksa qëndrimin e rreptë të spanjollit. (Aliçka, 2009: 54)

    Për pasojë shumica e punonjësve vendas provojnë ta arsyetojnë këtë qëndrim; ata jo vetëm identifikohen me vlerësimin e Tjetrit ndaj vetvetes, por edhe veprojnë të nënshtruar, duke shpresuar që ta kënaqin atë me profil të ulët, me qëllim që të marrin ndonjë përfitim. Në marrëdhëniet midis ndërkombëtarëve që vështrojnë dhe vendasve që vështrohen, me ose pa dashje, vendasit tregojnë më shumë respekt për Pabliton, gjë që nënkupton se ata janë të pavetëdijshëm se ndodhen nën vëzhgimin dhe disiplinimin e Tjetrit. Meqenëse ndërgjegjja subjektive mungon, është e vështirë të thyhet gjendja e tanishme, ose të ndërtohet identiteti objektiv dhe i vërtetë.

    Në Përfaqësi ka një punonjëse vendase që ndryshon zërin e saj për të përballuar punë dhe gjendje të ndryshme. Kur ishte para diplomatëve ndërkombëtarë, nëpunësja vendase flet si një fëmijë njomëzak, i jep zërit nuanca nazike duke i zgjatur pafundësisht zanoret, gjë që ua përkëdhel sedrën diplomatëve në fjalë. Kur takohet me ambasadorin, nëpunësja sforcohet mundimshëm, teksa qesh me pahir, dhe i merret aq shumë fryma nga ngazëllimi,. (Aliçka, 2009: 45-46)

    Ky është përshkrim plot satirë. Të gjitha këto ndryshime të shumëllojshme ndodhin për të forcuar pozicionin e punonjëses në Përfaqësi, për t’i strukturuar vetvetes një imazh perëndimor, për të kënaqur pritjen e ndërkombëtarëve ndaj vendasve, asimilimin e atyre. Nën vëzhgimin e diplomatëve, punonjësja shndërrohet gradualisht në Uni-n e shtrembëruar dhe të tjetërsuar, si dhe trajton identitetin e Tjetrit si identitetin e vet. Për t’u bërë Tjetër, ajo e humb subjektivitetin. Më tepër se kaq: qëndrimi i saj arrogant ndaj bashkatdhetarëve është pikërisht i njëjti qëndrim i punonjësve ndërkombëtarë ndaj të gjithë vendasve, i cili është vazhdimësia e vështrimit të Tjetrit ndaj Uni-t.

    Në rrëfimin e mëparshëm, autori i romanit e shfaq zbulimin e protagonistit rreth vështrimit dhe vazhdimësisë së vështrimit nëpërmjet zërit të Roshit. Duke zbuluar dhe menduar se punonjësja vendase ndryshon zërin me qëllim që të përfitojë dhe të pranojë asimilimin e ndërkombëtarëve si një qasje që t’i kënaqë ata, Roshi nuk mund të quhet një i vëzhguar i thjeshtë, meqenëse ai zbulon etjen dhe vëzhgimin e Tjetrit, brenda të cilit përfshihen aftësia dhe synimi për të riformuar e disiplinuar Uni-n.

    Krahas punonjësve vendas, një tjetër grup vendas përbëhet nga politikanë dhe intelektualë, të cilët janë përgjegjës për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e shtetit dhe të kombit, për të drejtuar në mënyrë të pavarur strukturimin e identitetit kombëtar, por, në fakt, janë të paaftë të mos identifikohen me Tjetrin dhe të luftojnë me njëri-tjetrin.

    Zonja K., për shembull, është diplomate e lartë nga Qendra dhe jep këshilla për progresin e reformës së Shqipërisë. . Me nga një gotë verë të vjetruar në dorë, fare spontalisht, aintelektualët e pavarur i tregojnë zonjës K. për abuzimet ose veset e iks politikani a force politike, e cila përkon rëndom të jetë partia ku nuk ia del të varet intelektuali i pavarur ose familjarët e tij. … si zakonisht, në këtë garë spontane triumfojnë ata opinionbërës që e konsiderojnë veten si intelektualë më të pavarur se të tjerët. (Aliçka, 2009: 124-125)

    Kjo  gjë që shpjegon pse elita shqiptare lufton të luajë rolin e intelektualit të pavarur me mendësi perëndimore. Zonja K. preferon të vëzhgojë një intelektual të pavarur, prandaj intelektuali mund të vëzhgohet dhe të njihet nga Tjetri vetëm pasi i mëparshmi e rivendos veten në pozicion të duhur. Etja e politikanëve vendas për njohjen nga Tjetri i detyron ata të shfaqin maksimalisht veten në mënyrë joreale. Nën vështrimin e të njëjtit Tjetër, politikanët vendas nuk përpiqen t’i thonë “jo” fatit të dominuar, madje ata luftojnë për të fituar sa më shumë vështrim nga Tjetri perëndimor. Kësisoj, ata i japin të drejtën Tjetrit që të transformojë Uni-n dhe të strukturojë identitetin e vet, duke humbur plotësisht mundësinë e njohjes dhe strukturimit të identitetit shqiptar. 

    III. Rritja e personazhit kryesor: nga i vëzhguari në kundërvështrim 

    Foucault-i tregon se strukturimi i shoqërisë disiplinore në panoptizëm kryhet nga Ne, për shkak se ne jemi një pjesë e këtij sistemi. Si pasojë, objekti i vështrimit nuk vendoset krejtësisht nën vështrim, por e pranon dhe identifikohet me rregullat e vështrimit. Vetë vështrimi është një aktivitet pamor, i cili nënkupton që i vëzhguari mund të kundërshtojë vështrimin e Tjetrit nëpërmjet kundërvështrimit, që të dobësojë dhe ndryshojë mbizotërimin e Tjetrit, si dhe të forcojë subjektivitetin e vet. Nën vështrim dhe kundërvështrim mes subjektit dhe objektit të vështrimit, subjekti i vështrimit mund të ketë identitetin më real mbi Uni-n. Me zgjimin e ndërgjegjes subjektive të të vëzhguarit dhe pakënaqësinë e tij ndaj ideologjisë së tashme, marrëdhënia vështrim-kundërvështrim pëson ndryshim fshehurazi. Po të vazhdojë rritja e subjektivitetit të të vëzhguarit, atëherë i vëzhguari do të mund të mbajë qëndrim të ri kundërshtues përballë vështrimit të autoritetit, nëpërmjet të cilit formohet një lloj vështrimi kundërshtues, kundërvështrimi.

    Si protagonist i romanit, Roshi rritet vazhdimisht në procesin e vështrimit.  Me kalimin e kohës, Roshi nis të shohë qartë pamjen e vërtetë të ndërkombëtarëve. Kundërvështrimi i tij thyen gjendjen e kontrollit dhe disiplinën e të vëzhguarit nga vëzhguesi, gjë që frikëson Tjetrin dhe vëzhguesi shënon rritjen e rëndësishme të Roshit. 

    Disa përfundime 

    Lidhur me imazhin e shqiptarit, në një intervistë dhënë Gazetës Mapo, Aliçka u shpreh se “Çdo vend e institucion ndërkombëtar apo popull, kërkon të njihet me fizionominë e një vendi tjetër, rastin tonë Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale e shpirtërore. … Por ka një diferencë madhe se si e shohim ne veten, si na shohin të huajt në përgjithësi dhe si jemi realisht, mospërputhje që shpesh bëhet burim keqkuptimesh e zhgënjimesh. … Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më mirë, as më këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.” (2016)

    Mund të shohim qartë se Aliçka shtron një pyetje të ashpër sa u përket marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Shqipërisë dhe identitetit shqiptar. Vendasit në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë, që nga kopshtari, punonjësja që ndryshon zërin, kryetari i sindikatës, e deri te politikanët, elita, intelektualët, pavarësisht nga shtresa e tyre shoqërore dhe puna që bëjnë, duket se të gjithë janë të mësuar me arrogancën e Perëndimit dhe përligjin vazhdimisht strukturën e pushtetit me një qëndrim të nënshtruar. Kur Roshi del përpara për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkatdhetarëve, pakënaqësia dhe kundërshtimi i tij ndaj të huajve vlerësohet nga vendasit si veprim i papjekur, i pamatur dhe i pasaktë.

    Si pasojë, një tjetër kërkesë shtrohet përpara lexuesve, që në sistemin e diskursit të tanishëm, duke u përballuar me palën e fortë, duhet të mendojnë për qëndrimin dhe mendimin e duhur për strukturimin e identitetit individual dhe kombëtar. 

    Permbledhje nga revista letrare “Haemus”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË