Koha e lexuesit
Në një tekst letrar, koha e rrëfyer dhe koha e rrëfimit krijon një dualitet për hir të të cilit mund të trazohet, qoftë edhe fare pak, raporti solid mes shenjës dhe të shenjuarit. Prandaj, koha merr një rëndësi të veçantë si procedim teknik pasi edhe falë saj, arrihet tejçimi i synimit estetik që autori ka. Novela “Në kohën e të marrëve”, sikurse sugjeron titulli paraprak i saj “Ditët e sotme të vëzhguara pas tri dekadash” botuar në fillimin e tranzicionit, e vendos narratorin në një të ardhme të supozuar prej ku rrëfen të tashmen. Kjo kohë letrare e narratorit, e krijuar nga autori rastis të përkojë me kohën reale të jetuar nga lexuesi, në këtë rast nga unë. Kështu, pika letrare e vështrimit e ofruar në vepër njësohet me pikën time reale të vështrimit për ngjarjet e asaj kohe të pajetuar prej meje. Pra, koha ime e përnjëmendtë është e njëjtë me atë kohë të trilluar ose e thënë ndryshe, koha ime reale është koha artistike e Sinanit. Ky fakt më shtyu ta lexoja librin, bashkë me kureshtjen e pashmangshme se si një akademik, studiues i letërsisë, këtu e tridhjetë vjet më parë, ka krijuar vetë letërsi.
Për brezin tim, atë që në anglisht quhet Gen Z, periudha e kalimit nga njëri sistem në tjetrin ka ardhur bashkë me togfjalëshin tranzicion i tejzgjatur, duke na lënë të kuptojmë se jemi akoma në atë fazë kapërcyelli, mbetur në majë çka do të thotë në rrezik për të rënë sërish në anën e gabuar. Ka shumë arsye pse ka ndodhur kjo, por besoj se kryesorja është mungesa kolektive e aftësisë për të krijuar një ftohje të domosdoshme me ato vite që të mund t’u qasemi mandej me skrupulozitetin e nevojshëm historik. Kjo ka bërë që për ne, e vetmja mundësi njohjeje me to të mbetet memuaristika dhe letërsia. Trillimi në memuaristikë është pabesi e ligë, ndërsa memuaristika në trillim është befasi e mirëpritur. Koha e të marrëve në veprën e përmendur është një e tashme që vështrohet si kujtim dhe trajtohet si memuaristikë. Kjo e bën tekstin “një mjet” më të këndshëm për ta kuptuar më mirë atë të djeshme, të jetuar si e sotshme prej autorit dhe të treguar objektivisht prej narratorit nga pikëpamja letrare e një të nesërmeje. Në këtë të nesërme, parashikohet mungesa e një interesi të jashtëzakonshëm për çështjen e trajtuar, prandaj mungojnë detaje të tepërta e të panevojshme dhe marrëdhënia e kohës së rrëfimit dhe kohës së rrëfyer është e përshpejtuar[1]. Këtu fillon edhe proftezimi i shkrimtarit për të ardhmen, temë që do të trajtojmë në vijim.
Krejt ndryshe nga proza e deriatëhershme, boshti kryesor i novelës së botuar pjesë – pjesë në periodikë të ndryshëm, fillimisht Hosteni e mandej Albanopol, nuk zhvillohet përreth një personazhi të caktuar. Vendin ia kanë zënë dy përbërës të tjerë të strukturës së një vepre letrare, koha dhe hapësira; mbi to naltohen themelet e ngrehinës së tekstit. Brenda saj, autori krijon një kapsulë kohe ku marrëzia pret e paprekur lexuesin – vizitor të ardhshëm.
Ky shkrim mund të shihet edhe si një reportazh i qendrimit tim në brendinë e kësaj kapsule.
Novelë humoristike?
Pasi lexova në parathënie se ky libër ishte vlerësuar me çmimin e dytë si novelë humoristike, prisja që të gjeja humorin në konceptin letrar të termit[2]. Teksa e kërkoja, vura re se vendin ia zinte një “distancimin pa emocion” nga ana e shkrimtarit, një ftohtësi në shprehje në një kohë kur emocionet e shkrimtarit duket se janë vërtetë të ndezura[3]. Fakti që në këtë shpjegim të dhënë për zërin ironi gjeta të përshkruar një tipar të rëndësishëm të librit, më bëri të kuptoj se në fakt, kemi të bëjmë me më shumë sesa thjesht humor. Autori kap thelbin e absurdit të shoqërisë shqiptare të asaj kohe dhe duke mbajtur parasysh thënien e Adornos se arti është “esenca dhe imazhi” i realitetit më shumë se sa riprodhimi i tij[4], pa harruar atë çfarë thonë Warren dhe Wallek se letërsia “pasqyron” jetën, kurse “jeta”, në kuptimin e gjerë të fjalës, është realiteti shoqëror[5], ai, autori pra, tregon se e ka zotësinë për ta kapur ironinë duke kaluar kështu një prej testeve më të besueshme të inteligjencës dhe të sofistikimit[6] çka sjell për rrjedhojë një tekst dinamik që patjetër, ta nxit buzëqeshjen, por pa rënë në grackën e të qenurit parodi.
Është serioze çdo gjë që është gjithpërfshirëse, ajo çka inskenon një numër të madh të dhënash dhe vlerash hierarkike në një kuadër përgjithësisht të njohur [dhe] është ironike, në të kundërt, gjithçka që është e izoluar, fragmentare dhe që është e pozicionuar në një prespektive të pazakontë.[7] Në kontekstin kur u shkrua vepra, absurdi ishte gjithpërfshirës etj., pra serioz. Por pavarësisht kësaj, prej absurdit buron e kundërta në vepër, ironia e cila, në teksturën e saj ka edhe komiken. Kjo vjen ngase autori e ka kuptuar, sikurse sqaron vetë në parathënie, se në fund të fundit, kur të jemi të kthjellët, do të qeshim gjithësesi[8]. Ai është i vetëdijshëm se po jetojmë realitet paralel të përkohshëm[9], pra komik. Prandaj situata nxitëse për debate të gjata në gazetat e kohës apo beteja të ashpra e të papërfunduara, në fund të fundit janë krejt të parëndësishme për fatin e kombit. Kjo vetëdije e një grupi të vogël sjell këtë vepër dhe kjo vepër formëson këtë vetëdije te një grup më e i madh.
Herë pas here ndodh që autorët frymëzohen nga subjekte veprash të mëdha dhe i rikrijojnë në kontekste krejt të reja, fjala bie Murakami me “1q84” apo Coetze me “Foe”. “Në kohën e të marrëve” ndërkohë nuk është një rimarrje tematike sikundër zakonisht ndodh, por ashtu si thotë autori vetë, vepra u nis […] si një variacion stilistikor i “Viti i mbrapshtë” të Kadaresë. Është një kaos i përgjithshëm që, me thuajse njëshekull ndërmjet, rijetohet. Struktura narrative për rrëfimin e të parit është e njëjtë me vetë kaosin[10], ndërsa në të dytin merr formën e qetë të dhënë nga një vështrues i cili falë njohjes së të parit, ka sigurinë e përkohshmërisë së të dytit.
Narratori si vëzhgues
Kur tranzicioni shqiptar ishte akoma një dëshirë dhe realizimi i tij nuk kishte filluar, demokracia ofrohej si një situatë e gjerë ku zinin vend të gjitha ideologjitë, pikëpamjet dhe mendimet. Pa qenë tamam i vetëdijshëm, populli priste të bëhej pjesë e asaj shoqërie perëndimore të fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI [që] karakterizohet me bashkëjetesën pak a shumë paqësore e ideologjive të ndryshme dhe gjithashtu pra e pikëvështrimeve konkurrente të artit.[11] Kjo do të sillte indiferentizmin e masës e për rrjedhojë, turmat do ta ruanin qetësinë, të painteresuara për ndonjë shkak pse duhet të krijonin zënka. Kjo jo vetëm nuk ndodh, por si çdo gjë tjetër, ndarjen historike që tani shpresonte kushdo të sheshohej, shqiptarët e çojnë në esktremitete. Kthjelltësia për ta kuptuar situatën është tipari më në mungesë, kurse gjaknxehtësia për t’u bërë pjesë e saj është karakteristika më dominuese. Aftësia për të fituar njëfarë largësie të shëndetshme prej ku vështron gjithë rrëmujën dhe dëgjon gjithë zhurmnajën bën të mundur ta kuptosh tërë ndodhinë. Pikërisht në këtë “katedër” rri narratori në “Në kohën e të marrëve”, andaj vepra letrare kap horizonte krejt të paarritshme për kohën, çka për t’u bërë të besueshme, duhen treguar vetëm nga një distancë prej tridhjetë vjetësh.
Rrëmuja e një kohe të marrë nuk të lejon ta kuptosh marrinë; si fugë, ajo të përfshin dhe gjithçka përreth teje, sado e panatyrshme të jetë, duket krejt normale. Prandaj, për t’i veçuar gjërat, autori detyrohet të krijojë një kohë të re, të ardhme e të qetë jashtë atij absurdi, pikërisht për ta kuptuar atë.
Prej aty, ai e vështron i qetë andaj e rrëfen pa emocion besimin e popullit se mjaft të arrinte buzë ujit në portin e Durrësit dhe vaporrët do t’i prisnin për t’i marrë me vete drejt tokës së premtuar; se partitë me karakter fetar shpresonin në njohje prej kryeqendrave religjoze; se si mashtroheshin njerëzit fare kollaj nga iluzione shpresash të pamundshme (dhe të imagjinosh, atëherë akoma nuk kishin lulëzuar Piramidat); se si lexohej kanuni së prapthi; se si rilindën këngët e harruara të gurbetit e sa e sa të tjera.
Nëpërmjet zgjedhjes për ta formësuar veprën si variacion stilistik të “Vitit të mbrapshtë”, autori tregon se historia a një element i saj, në rastin tonë mbrapshtia, po nuk qemë të kujdesshëm, e përsërit vetveten. Narratori kështu, pa dashje, i vendosur në një të ardhme, sa herë flet në kohën e tashme mban të veshur rrobën e një profetit që sigurisht nuk pranohet në vendin e vet për një dhe vetëm një arsye: njerëzit kanë frikë se ai ka të drejtë dhe profecitë do t’i realizohen.
Më në fund, një lexim i tekstit
E kam shumë përzemër pasi e çmoj si tejet të drejtë dhe jo vetëm franceze “ankesën” e Todorovit për sistemin arsimor francez kur thotë se çështjet që nxënësit duhet të trajtojnë në provime, si gjatë vitit, ashtu edhe në maturë, janë, në shumicën e rasteve, të një tipi. Ato kanë të bëjnë me funksionin e një elementi të librit në raport me strukturën e tij të tërësishme, e jo mbi kuptimin e këtij elementi e as të librit në raport me kohën e tij ose tonën.[12] Parashtrimi i mëspiërm teorik synon të qartësojë këtë të dytën, lidhjen mes veprës dhe kohës, jo si raport vetëm brenda letërsisë por si domosdoshmëri që të kuptohet brenda vetë shoqërisë.
Tani, meqë ky shkrim nuk ka kurrëfarë pretendimi për të qenë shkencor, kjo pjesë e mbrame e tij mund të ketë edhe titullin Disa përsiatje nga një lexues i Gen Z mbi tekstin e novelës “Në kohën e të marrëve”.
*
Në faqet e para të novelës, parulla e fillimit të ’90-ës E duam Shqipërinë në Europë nga sot, tre dekada më pas, vështrohet si arkaike. Por ja që edhe tash së voni, në protesta e tubime, kjo thirrje del nga turma, çan ajrin, dëgjohet ngado dhe kthehet sërish në turmë, deri sa të vijë tubimi i radhës për t’u përsëritur e gjitha sërish. Në këtë rikthim qesharak të një kohe të marrësh që autori asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht gjendet një çelës leximi i novelës, çelësi nëpërmjet të cilit unë e kam lexuar atë.
Besimi i verbër në gjëra të pamundshme për të qenë ashtu sikurse thuhet është një karakteristikë po ashtu e përhershme, me formë të ndryshuar për hir të dinamikave shoqërore. Për shembull, rasti i përshkruar te novela: Befasisht i shfaqën në qarkullim një mori letrash me përmbajtje misterioze: Puth një njeri, rishkruaje këtë letër në njëzet kopje dhe shpërndaje në miqtë e tu, që të kesh fat. Mos harro ta bësh këtë, sepse përndryshe fati do të të ndëshkojë. Kosta grekut, që harroi ta shpërndante letrën dhe këputi zinxhirin, pas katër ditësh i vdiq gruaja, ofrohet prap, tani nëpërmjet internetit ku rëndomë gjen shkrime të tilla që po të mos i ndash me kaq apo aq nejrëz, do të kesh një fat të mbrapshtë për shtatë vjet.
Emrat, motivet dhe programet e partive e mandej shoqatave janë ngjyrat më të sakta për ta pikturuar kasoin e përgjithshëm kur absurdja merret seriozisht dhe kushdo mendon se jo vetëm mund të kontribuojë për përmirësimin e situatës, por se ai vetë, personalisht, ka përgjegjësinë e ndryshimit të të gjithë sistemit.
Askush nuk është dakord me askënd. Nëse arrihet një farë besimi në më shumë se dy persona për një çëshjte, është e pamundur t’i bësh bashkë sërish ata të dy për çfarëdolloj gjëje të lidhur me atë çështje.
Pranvera (e lirisë) vendoset përballë një shtrëngate të fortë dimërore të shkatërrimit të përgjithshëm. Dyqane, fabrika e objekte të tjera shtetëore në dobi të popullit hidhen poshtë si të mos kishin asnjë vlerë, pa kuptuar se në fakt, janë aty për t’u shërbyer shkatërruesve. Mes tyre edhe biblioteka ku djegia e veprave të diktatorit kthehet në një manifest nazist me zjarre bubulake plot libra, titullin dhe përmbajtjen e të cilëve nuk e di askush. Virtyti dhe vesi njësohen, pa u kuptuar qartë kush zë vendin e kujt dhe as cili prej tyre nderohet e vlerësohet më tepër. Idhujtaria që ka sjellë kultin e individit nuk rrëzohet, por zëvendësohet me një të ngjashme me të, veçse individi mbi piedestal ndryshon herë pas here. Idhujtaria e re, shkruan atuori, ishte kret e denjë për të zëvendësuar atë që u shemb.[13]
Zhbërja e përgjithshme si të mos kishte ekzistuar ndonjëherë e dyzetepesë viteve kthehet në qëllim të verbër, çka nxit dëshira të fantaksura, si për shembull strehimin në një tjetër kohë. Kjo më kujtoi motivin bazë të Kohëstrehim shkruar nga George Gospodinoc, fitues i Booker Prize për vitin 2023. Te libri i Sinanit, e tashmja rrënohet për të krijuar një strehë më të qendrueshme në të shkuarën, çfarë është aq e pamundur, kështu dalim sërish te fjalitë e para se një iniciativë e tillë mund të përcillet vetëm me të qeshur.
Siç duket, po aq sa vullneti i njerëzve për t’u marrë me të kaluarën vepronte edhe instikti i mbijetesës historike. Veçse pak kush e kuptoi se më së shumti historia përsëritet në trajtë komike[14]. Ky është, për mendimin tim, thelbi i këtij teksti. Autori përmend çaste historike që i sheh si profetike, të vazhdueshme në një cikël të pambarimtë, për të parën herë tragjik a realist së paku e mandej, përherë e më qesharakë. Momenti, në një vëzhgim nga e ardhmja, letrarizohet e në të njëjtën kohë, ruan gjithë karakterin e tij për të qenë pjesë e përshkrimit antropologjik të përballjes së një kombi me një situatë krejt të pazakontë, paçka se asgjë e re nuk ndodh më nën këtë diell.
Çështje për të cilat askush nuk e vret mendjen ndonjëherë, si për shembull arsyeja pse u themelua një Ministri Drejtësie për herë të parë aty në vitet ’90 apo rilidhja e fillit të shkëputur për thuajse pesë dekada të këngëve për gurbetlitë marrin përgjigje dhe nxisin pyetjet të tjera, mbi tematika të marra përgjithësisht si të njohura, të mirëqena, por që në të vërtetë nuk janë të tilla dhe njerëzve u mungon vetëdija për ta kuptuar këtë.
Të dalë nga një sistem ateist, i pari dhe i vetmi në llojin e tij, diskutimet e personazheve mbi besimin tregojnë mosnjohjen as në sipërfaqe të kësaj përmase shpirtërore e në të njëjtën kohë, nuk shmangin një tipar tjetër: mospranimin e paditurisë.
Fillimi dhe fundi i kronikës, sikundër narratori e quan tekstin e tij në mbyllje të librit, aq sa duken të fiksuara, aq janë krejt të mjegullta. Ngase më së shumti historia përsëritet në trajtë komike, fillimi mund të jetë kudo, kurse fundi, askund.
[1] Për marrëdhëniet mes kohës së rrëfimit dhe kohës së rrëfyer, shih. M. Bal, “Narratology-Indroduction to the theory of narrative”, Univeristy of Toronto Press, Toronto 1977.
[2] Në Leka, F., “Fjalor i termave të letërsisë”, “Infobotues”, Tiranë 2013, fq. 176-177: Humor-i. Një nga format e komikes që pasqyron anët qesharake të sendeve, të dukurive, të njerëzve ose të një shoqërie. Ndryshe nga satira, me anën e së cilës autori sulmon dukuritë negative në jetën e individit dhe të shoqërisë, në veprat humoristike përqeshen disa nga të metat e veçanta të një njeriu ose të një shoqërie, por pa shprehur mllef a zemërim. Ndonjëherë autori vë në tallje pa të keq edhe ndonjë veçori të karakterit të njerëzve, por toni i humorit në këtë rast është i lehtë.
[3] Thrall, W. F. & Hibbard, A., “Handbook to Literature”, “Bobbs-Merrill Educational Publishing”, Indianapolis 1980, fq. 236
[4] Citim i marrë nga Jeferson, A., & Robery, D., “Teoria letrare moderne”, përkth. Dado, F., “Albas”, Tiranë 2016, fq. 271.
[5] Wellek, R., & Warren, A., “Teoria e letërsisë”, përkth. Myftiu, A., “Onufri”, Tiranë 2015, fq.94
[6] Thrall, W. F. & Hibbard, vep. cit., fq. 236
[7] Schoentjes, P., “Poetika e ironisë”, përkth. Fasho, V., “2 lindje, 2 perëndim”, Elbasan, 2017, fq. 190.
[8] Në Sinani Sh., vep. cit., fq. 6-7: Në thelb, synimi ishte të qeshim tani, pa pritur të kalojë gjithë kjo kohë, sepse në fund të fundit, kur të jemi më të kthjellët, do të qeshim doemos,
[9] Krh. Attardo, S., “The Linguistics of Humor”, “Oxford Linguistics”, Oxford 2020, fq. 316.
[10] Shih. Qose, B., “Heterogjeniteti i rrëfimit dhe interpretimet e romanit ‘Viti i mbrapshtë’”, ExLibris nr. 269, fq. 4-6.
[11] Todorov, T., “Letërsia në rrezik”, përkth. Halimi, M., “Buzuku”, Prishtinë 2007, fq. 60.
[12] Po aty, fq. 21
[13] Po aty, fq. 130.
[14] Sinani, Sh., vep. cit., fq. 122.