More
    KreuLetërsiBibliotekë"Melania", tregim nga Roland Gjoza

    “Melania”, tregim nga Roland Gjoza

    Ishim ndarë thuajse përfundimisht. Ajo kishte qenë mikesha ime e orëve më të bukura. Dhjetë vjet pa u parë. Unë larg në një qytet të perëndimit, ajo në Shqipëri, me një punë të mirë, shumë prona, një burrë të fisëm, me emër. Kishte një djalë dhe një vajzë. Të martuar, me fëmijë.

    Tani më çonte dy mesazhe tronditës në Facebook që më lanë pa gjumë. O Zot, si mund ta ndëshkosh njeriun tënd kaq rëndë. Dhe më erdhi të kujtoj atë shprehjen time, kur binte fjala për femijet: Dua të jenë mirë me shëndet. Kaq. Sa pak, dëgjoja përgjigjen e tjetrit, që s’më tundonte aspak për t’iu shpjeguar njëfarësoj.

    Melania, kështu e quanin mikeshën time, sapo mbërritëm në qytetin e ëmbël lirik me liqen dhe male me dëborë, më kishte pëshpëritur: Të lutem mos më trokit sonte! E quajmë një trill timin, një marrëzi atë që ndodhi, të lutem… Po syri i madh me një grimë lot vezullues që i shkiste papritur në mollëzat mongole, sikur më tundonte me një kumt të fshehtë… Gjithmonë zinte dhomë teke kur ishim bashkë me shërbim dhe unë i trokisja naten: Melani, jam unë… Po dera ishte e hapur dhe unë hyja. Do më marrësh më qafë, pëshpëriste dhe më bënte vend në shtrat, oh, që s’u njohëm kur ishim të rinj, po kaq vonë… Kam dy fëmijë të rritur dhe s’është aspak e hijshme… Më jepej menjëherë dhe dridhej në krahët e mi, krejt e pafuqishme për të më kundërshtuar. Më kafshonte buzët dhe më pëshpëriste: Ti duhet të ishe imi… imi… o, ç’zgjedhje të gabuara që bëjmë dhe tërë jetën luajmë komedi… shpirt, mos më braktis.. Po ti më thua, më harro, ia ktheja unë. Të them ashtu nga frika. Kam shumë frikë. Po të merret vesh, fëmijet, të parët, s’do të ma falnin.

    Bënim dashuri deri në mëngjes dhe ajo ishte e mrekullueshme në shtrat. I dashur, duhet të dalim në mëngjes herët në breg të liqenit të presim peshkatarët e koranit… Në mëngjes, para se të dilnim, ashtu të përqafuar në dritën e mekur të agut, më kafshonte majën e veshit dhe më pëshpëriste: Edhe një herë, para se të dalim… më duket sikur s’do ta bëjmë më kurrë, sikur një rrethanë do të na ndajë përgjithmonë… Dhe të mendosh se unë isha pesëdhjetë e dy dhe ajo dyzet e tetë, të ndezur të dy rrejshëm më tepër prej moshës që po na perëndonte, s’na kishin hije shumë gjëra, po ne bënim sikur s’i vinim re. Shpirt, dalim tani…

    Zbritëm poshtë dhe qëndruam në breg. Larg ne në vijën e fundit të liqenit në atë blu të errët, kundruall malit me dëborë, që shkëlqente me një dritë të marrtë, dukeshin barkat e peshkatarëve të koranit. Frynte akulion, kredharaku lëshonte vaj të thekshëm, llapashitej lopata në ujë, vejevinin tinguj të çuditshëm dhe ajo kthente kokën nga unë dhe më shikonte me një mall të egër… Ah, ti s’di gjë, sikur më thoshte me atë syrin e saj të madh. S’të kam treguar gjë, po…

    Larg dukeshin dy barkat e para që po afroheshin, ajo bëri disa hapa drejt bregut.

    Dy peshkatarë të përgjumur, shpërfillës, me sy të buhavitur, me mjekër e mustaqe të mëdha, ndaluan te këmbët e saj. Në sheshin e barkës dergjeshin nja dymbëdhjetë korane mbi njëkilësh, ndonjëri përpëlitej ende me gojën e hapur, në hjekë.

    Melania ishte grua e bukur, me spikamë të vijave sensuale, që të ndillnin. Njëri nga peshkatarët e vuri re, ia kaloi shikimin e përgjumur nga gjoksi i bujshëm te kofshët e kërcyera përplot epsh ngashnjyes.

    Mirëmëngjesi, tha ajo, kam dy ditë që ju pres… ju lutem, më ndihmoni, më duhen nja katër kile koran… Ata nuk ia varën, nxorën barkën në kum dhe i peshuan guzhinierëve të hoteleve dhe restoranteve, që erdhën menjëherë me një frymë: koran, belushk, lekl me një çmim të kripur. S’kishte më peshk në shesh, vetëm peshorja ende luhatej nën erën që u bë si e tërbuar. Ah, që s’kam fat!, tha Melania. Po sot më duhen patjeter nja katër kile koran. Jam gati ta blej sa të më kërkoni pa bërë fare pazar. Zonjë, i tha ai që i kishte hedhur atë shikimin prej burri sevdalli, kemi dhe për ty… koranin që gatuajmë për vete… Kemi një javë atje, zonjë, për këtë peshk të bekuar… po ia vlen.. I mbështolli me gazetë pesë a gjashtë koranë të mëdhenj dhe ia zgjati pa ia peshuar. Sa kushton?, pyeti Melania. Jepni sa të doni, zonjë, edhe po s’patët, s’ka gjë, se s’humbasim ndonjë gjë të madhe… Ju jeni mjeke e dëgjuar, keni ardhur për difteritin… a e dini se në spitalin ku shërbyet kaq ditë ishte shtruar dhe vajza ime? Ajo s’ju heq nga goja… Po sikur të mos më japësh asgjë? E lëmë kështu? Nuk dua para, e ç’do të më bëjnë mua ato? I prish menjëherë, shkoj e pi… Shko zonjë e i hëngsh gëzuar me një verë të mirë buti! Dhe i ktheu kurrizin. Pastaj iku, pa e pritur tjetrin. Kishte një javë në liqen dhe po kthehej pa një kacidhe dhe pa një koran në shtëpi. Melania bëri hapa ta ndiqte, po peshkatari tjetër e ndaloi: Mos, zonjë, se ai nuk kthen mendje… Atë kohë ra zilja e celularit të saj dhe Melania futi menjëherë dorën në xhep, e nxori atë me të shpejtë dhe e vuri menjëherë në vesh. Alo, shpirt i mamit, Valbona, ku je, nga po më merr… Kaq dëgjova, u struka nën strehën e një kioske dhe e prita. Fytyra iu gjallërua, qeshte, fshinte lotët me një mekje që i shkonte, trishtohej e pikëllohej fare befasishëm aq sa të dhimbsej vërtet, lutej e përgjërohej e më në fund e mbylli celularin me një mbresë kënaqësie të ngrirë. Diçka nuk shkonte, ose ashtu më dukej mua.. Më bëri shenjë që ta ndiqja dhe nxitoi hapat. Kishte një xhaketinë me vata që ia tregonte shpatullat të gjera, e cila i rrinte puthitur pas gjoksit, shpinës petv dhe belit, këllqet dhe kofshët e saj të shkatërronin, pantallonat xhins, tejet të ngushta, ia nxirrnin me spikame format e tyre tunduese, le të kisha bërë seks me të tërë natën dhe në mëngjes herët, ai ndezullim i beftë i epshit që të kaplonte vrullshëm dhe ajo trullosje lektisëse, e fortë, dëshira e shthurur për të bërë dashuri, më bënin sërish rob të saj. Ashtu kishte filluar, atje te pavijoni i kardiologjisë kur kishte sjellë Bebin, të shoqin, një burrë simpatik që duhej t’i nënshtrohej një operacioni. Ishte një fërkim që ndodhi rastësisht, po që na bëri të rinjiheshim. Ishim parë nëpër spital, po nuk kishim patur rast të njiheshim. Ishte një fërkim brutal, siç ndodh rëndom, kur pengohesh në një vend të ngushtë dhe ajo më nguli ato sytë e mëdhenj me një egërsim të pavetëdijshëm, po nuk u tërhoq, ashtu mbeti, gati e shembur në krahët e mi, u zbut menjëherë, qeshi zëshëm me një sensualitet çmendës dhe më pëshpëriti: Më jepni fjalën, doktor se operacioni do të dalë me sukses? 99 për qind, i thashë. Kush është ai 1 përqindëshi që s’ju bindet? me pyeti. Ju!, iu përgjigja dhe isha gati ta rrëmbeja në krahë, aq shumë dalldisa pas bukurisë së saj. Ajo shtangu nga përgjigjja ime, nuk e priste që unë t’ia thoja kaq hapur. E bëra vetë operacionin dhe fytyra e saj, ajo aromë e gruas që është e veçantë te secila, depërtonte dhe aty në atë batërdi gjaku, mishrash të hapur, barnash, frymësh, djerse, më kapnin herë-herë drithma, një rrëqethje fund e majë si ethe më shkaktonte një ndjesi venitjeje, humbjeje, shpërndarjeje nëpër eter, gati po rraskapitesha nga një mendim i ngulët, i çuditshëm, doja ta shtija në dorë, ta bëja me atë femër. Kjo m’u kthye në fiksion. E njëjta gjë kishte ndodhur dhe me të, këtë e kuptova kur e ftova të bënim beshkë një shërbim jashtë dhe ajo nuk kundërshtoi. Atje, në një qytet nordik, me mengjese me mjegull dhe lule, m’u dha menjëherë që natën e parë dhe gjithmonë ishte e gatshme kur i shqiptoja ndonjë dëshirë, për të bërë atë që doja unë, edhe për të pirë, edhe për të vallëzuar, edhe për të bredhur natën. Ishte një dashuri e çmendur. Kishim gjetur njëri-tjetrin, siç thonë. Nuk u ndamë më. Po ama të dy ishim të martuar dhe me fëmijë. Asnjëherë nuk bëmë biseda të rënda, kurrë nuk e përmendëm ndarjen, ikjen diku, fillimin e një jete të re, sepse ajo i donte shumë fëmijët, marrëzisht, nuk mund të ndahej nga Bebi, që i bënte gjithë ato punë dhe ia kishte lehtësuar barrën e jetës, që e linte të lirë, e dukej i kënaqur që i mjaftonte aq sa i mbetej. Po fëmijët ishin obsesioni i saj: një dhimbje e vërtetë, i donte me vuajtje, me çikërrima që ia zinin frymën. Valbona ra menjëherë në dashuri me Fordin në Amerikë dhe as i shkon mendja të ketë një dashnor. Volpi, djali, është i tmerrshëm, i pangopur me femra. Po nuk ia kam frikën. Ka një grua shumë të bukur, apo jo, Ardi, Belindën me nam. Po Valbonën e mora më qafë, kështu më është mbushur mendja, e çova në Amerikë kur s’i kishte mbushur të katërmbëdhjetat, pastaj vazhdoi në Prinston për shkencat, master, PHD, gjeti një vend pune me 200 mijë dollarë në vit, takoi Fordin dhe ra në dashuri me të, ai bënte ç’i thoshte ajo, po unë e doja vajzën këtu, ia mbusha mendjen dhe ajo erdhi, zuri një punë me 10 mijë në vit, një apartament pa drita, pa ujë, me vjehërr e vjehrre nëpër këmbë, me shumë privacione banale, aq sa u mërzit dhe më thoshte shpesh: Mami, dua të kthehem, s’e përballoj dot këtë jetë…

    Këto m’i përsëriste shpesh. Pastaj më fliste për të vegjlit, të cilëve u kushtohej me një përkujdesje të sëmurë. Megjithë këto halle, ajo kishte mbetur krejt femër, pa një cen, një seks tronditës me një bukuri të pjekur, pa freskinë e moshës, po me fshehtësinë e përvojave të rrezikshme, që më shumë të ngashnjejnë. E mbante veten, kishte shije të hollë për veshjet, bënte kujdes me ushqimin për të ruajtur linjat seksapile. Sa herë rrinim bashkë, ajo bëhej menjëherë gruaja e qejfit, sikur s’kishte lidhje të tjera, përveç lidhjes me mua. Gjithmonë më thoshte shpirt, s’ma përmendte emrin, veç rrallë, kur kishte për të më rrëfyer diçka për problemet e saj familjare.

    Ja, tani bridhte nëpër hotel për të gjetur akull. Kush mund t’i kundërshtonte asaj, kush mund të guxonte t’i thoshte ndonjë fjalë të pahijshme, si mund t’i rezistojë asaj fytyre të bukur që ta ngecte fjalën në grykë, atij kurmi të plotë, të hijshëm, që të dukej sikur ta jepte me dackë fytyrës prej epshndjelljes? Erdhi vetë pronari, një ish futbollist i njohur dhe u mor me paketimin e koranit siç dinë ta bëjnë këtë punë sojlinjtë e vjetër të gotës.

    Do të nisemi menjëherë, më tha ashtu nxitimthi, ata do të vijnë nesër për drekë!

    Kishte një Lamborgini të re, që ia kishte dhuruar Bebi për ditëlindje, për të cilën vdiste. Zura vend në ndenjëse dhe u nisëm pa ngrënë mëngjes.

    Shpirt, ata do të vinë. Tani është halli që të më vijnë me gjithë fëmijët… Ja, bëri punë korani. Është vërtet peshk i rrallë, i thashë, ndodhet vetëm në Ohër dhe Kaspik. Dikur, në kohët e arta, ky peshk ishte dhuratë mbretërore. Ashtu?.. Jam shumë e lumtur, s’jemi mbledhur bashkë që prej vitit të kaluar. O Zot, sa i dua!

    Dhe qau. Melania ishte gruaja më e bukur në botë kur qante dhe unë e lija të derdhte lot dhe e puthja. Ajo qante shpesh se nuk e duronte vuajtjen. Ishte si të gjitha gratë, e palumtur, siç janë të gjithë meshkujt, të palumtur, por që hiqen të lumtur.

    Si ikëm këshu papritur, i thashë. Kthehemi pasnesër që në mëngjes. Po nuk e dëgjove ti, Ardi, nuk e dëgjove, shpirt, më mori Valbona, më pyeti për peshkun dhe unë i thashë se e gjeta dhe ajo më tha se do të vijnë nesër për drekë. E kupton ti, apo s’e kupton. Drekën e nesërme e ndërroj vetëm me vdekjen time, aq vlerë ka. Do të më vijnë. Po sikur t’u dalë ndonjë punë, se të vetmit janë… Jo, o Zot, po Volpi i mamit s’ma kthen fjalën, i bëra be për koken time… Të dish, Ardi, po s’më erdhën, jo, jo, ç’them kështu? Jam më e lumtura në botë!

    Më la dhe iku. E gjithë kjo se si m’u duk. Pothuaj nuk e kuptova Melaninë. Pastaj erdhi ai rasti kur m’u bë oferta nga një spital privat në Bavari dhe vendosa të shkoj. E kisha të vështirë të ndahesha me Melaninë, po punët kishin kohë që s’po më ecnin. Kisha mbetur një kirurg varfanjak. Nuk merrja para, ja kjo ishte çështja. Sa herë më takonte të bëja operacione, kolegët e kishin të qartë që s’do të merrnin asnjë kacidhe nga pacienti, prej shkakut tim. Po mafia është dhe aty ku zemra nxirret nga kraharori për të prerë venën e bllokuar, ajo di të gjejë rruget që ajo zemër e dashurisë të ketë dhe një xhep për para, se ndryshe, mund të ndodhë hataja.

    Nuk mund të largohesha pa u takuar me Melaninë. Ishte një natë me shi. Shurukama e tubave të ujit, brerimi nëpër dritat e fenerëve, që merrte ngjyra blu dhe vjollcë, sikur binin dhe lule, përplaseshin në dritaren e madhe të klubit ku po e prisja. Ajo erdhi, e lagur qullë, me një çadër të vogël, që s’e kishte mbrojtur dot. U ul përballë meje duke shkundur flokët e mëdhenj që i rrezëllinin në dritë prej piklave të shiut si mijëra gjilpëra që dukej se po i endnin një aureolë, aq e bukur dukej. E dija që po e humbja. Po dhe dashuritë, sado të mëdha të jenë, vjen një kohe dhe lodhen, rraskapiten prej përsëritjes. Ndoshta ishte fundi ynë. Edhe për një shkak, se Melania tani ishte bërë me një spital privat, kishte dy vila, njërin në Jalë dhe tjetrin në gjirin e Lalëzit. Së fundi, Bebi kishte blerë dhe një jaht. Ata udhëtonin me shoqërinë nëpër Mesdhe. Takimet tona ishin bërë më të rralla.

    O, shpirt, po shkon të bëhesh i famshëm? Edhe ti po më lë, ti, i fundit…

    Nuk ia vura veshin fjalëve të saj. Ia shpjegova njëfarësoj shkaqet që më shtynin të largohesha.

    Unë e shkreta kujtoja se e kisha një ishull të harruar në jetën time. Sa herë të paraqitej nevoja të shkoja në atë ishull. Një ishull në oqeanin e vetmisë.

    Ç’flet! i thashë, paske filluar të lexosh romane sentimentale…

    Jo, s’lexoj dot, s’kam kohë… Po sikur të mos shkosh?

    E pse të mos shkoj?

    Sepse të dua këtu. Kam nevojë për ty.

    Edhe unë kam nevojë për veten time, i thashë.

    Harroje.

    Nuk mundem.

    Të mbaj unë.

    Dua të punoj, Melani. Të bëj atë punë që di. Ta nxjerr paranë qartësisht prej një pune që ka arsyen e shëndoshë që të paguhet.

    Të njoh. Siç njoh fëmijët e mi. Ah, ajo drekë me koran.

    Pse ma përmend?

    Që prej asaj kohe nuk jemi mbledhur më. Tani po më ikën dhe ti. Po sikur të vij herë pas here atje dhe të bëjmë dashuri?

    Kur të duash, i thashë, edhe unë do ta ndjej shumë mun-gesën tënde.

    Do të vij patjetër, shpirt.

    Më zgjati një pako me dollarë. Ishin mbështjellë keq dhe dukeshin.

    Në fillim do ta kesh të vështirë. Të lutem, s’gjeta një mënyrë tjeter për të më kujtuar njëfarë kohe. Mos m’i kthe. E di që s’pranon. Mirë, e lëmë të m’i japësh kur të kesh.

    Ia mora. Nuk mund të grindesha me të. Fundja, do t’ia ktheja një ditë. Ajo nuk erdhi. Kaluan vite. Dhe mesazhet në Facebook u rralluan së tepërmi. I ka punët mirë, mendoja me një fije melankolie dhe me një dëshirë përvëluese për ta pasur si dikur, tani ajo është një borgjeze vanitoze, mendoja dhe qeshja, se e dija që s’thoja plotësisht të vërtetën.

    Ja, tani këto dy mesazhe. I pari:

    Shpirt, po të shqetësoj, po s’kam njeri tjetër, kaq të afërt, që t’i hapem: Volpi u nda me gruan. Ajo fitoi me gjyq fëmijët, pra, ata pothuajse s’i kam më. Volpi ka ndryshuar, nuk është më ai i asaj drekës me koran, që iu përmbajt premtimit dhe erdhi. Ah, si e kemi kaluar! U bëmë si budallenj, unë dhe Bebi, këpusnim gafa të forta dhe ata sikur u zhgënjyen prej nesh. E kishim nga dashuria e madhe. Po e kishim dhe prej vuajtjes që midis nesh ishte hapur një hendek i madh. Volpi, ai zuzar i paskrupullt, ka ndarë një grua me tre fëmijë nga burri dhe ka vënë kurorë me të… ku, do të thuash ti, në Los Anxheles. Dhe atje janë akoma. I ka bërë naftën punës. E mbaj unë me para. E vetmja gjë që më lidh drejtpërdrejt me të është se ia dëgjoj zërin e dashur në celular dhe më mbysin ngashërimet. Po ama, ia dëgjoj zërin. Ma ka bërë plagë zemrën ai djalë. E kishte yll gruan e parë, Belindën, ra ne dashuri si i çmendur pas saj, e gjeja kaq herë të ulur në gjunjë para saj, aq shumë e donte. Po paskish qenë Don Zhuan. Më fal, shpirt, që të mërzis me këto hallet e mia…

    Të uroj suksese, kam marrë vesh se je bërë kirurg primar dhe të duan. I lutem Zotit për ty!

    Të puth Melania.

    Mesazhi i dytë:

    …Më është neveritur jeta, prej fatkeqësive që më kanë rënë në kokë. Valbona, bija ime e mirëz, që unë mizorja e solla nga Amerika në Shqipëri prej egoizmit tim, se doja ta kisha çupën te derë e shtëpisë dhe ta shikoja përditë, sapo ka bërë ndërhyrjen e dytë në Nju-Jork. Kancer në gji, të avancuar. Ç’i thua kësaj, a ka ndonjë nënë tjetër që të ndëshkohet kaq rëndë? Tani i ka mbetur Zotit të bëje diçka për të. Prandaj s’kam ardhur të takoj. Ç’të vij, hallet më kanë plakur. S’jam më ajo e para. Jam tretur, kockë e lëkurë jam bërë prej çupës. Ai, i shoqi, është ca shpërfillës, kështu më duket, kushedi mendon për tjetrën… fëmijët e gjorë… të vegjlit… sa pa fat! Shoh Valbonën si humbet në peshë, si i bien flokët, i fiket zëri, humbet ekuilibrin, ka dhembje që s’i bëjne derman ilaçet… jam një dëshmitare e fëmijës që po vdes! Dhe s’bëj dot asgjë. Ja, ç’jam! Mëshiromë, o Zot, bëje mrekullinë! Kjo më ka mbetur e fundit: lutja! Lutu dhe ti, shpirt, për mua, ti, i vetmi që kam dashuruar në këtë jetë! Jam shumë e mërzitur. Nuk dita të bëj familje. Jo, nuk dhashë shumë dashuri, ndonëse kujtoja se jepja. Nuk dhashë shumë kohë për ta. Isha egoiste. Ndoshta fëmijët na vranë, ndoshta i vramë ne fëmijët. Familjet pa dashuri më mirë të zhduken! Të kujtosh për tërë jetën, si gjënë më të bukur, atë drekë me koran… Kjo është shumë e hidhur, kaq deziluzionuese…

    Melania vdiq në duart e mia. Erdhi më në fund tek unë, pas vdekjes së Valbonës dhe arratisë së Volpit, e sëmurë nga zemra, e shtrova menjëherë në salle dhe më mbeti në duar. Kisha vrarë dashurinë time, të vetmen dashuri. Vetëm me të s’kisha qenë i zoti. Vetëm me të. Sepse ajo mund të shpëtonte. Dhe ne të dy mund të kishim kaluar disa net bavareze në alpe ku unë shkoja shpesh për ski dhe në shtëpinë prej druri që kërciste të kishim bërë dashuri pranë zjarrit të ushqyer me dru në oxhakun prej tulle të kuqe, ndonëse e dija që s’do ta kishte magjinë e asaj kohe të largët, të drekës me koran. I kishim patur dhe i kishim humbur gjërat më të bukura, ndoshta prej fajit tonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË