More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMikel Gojani: Një klithmë artistike për realitetin shqiptar

    Mikel Gojani: Një klithmë artistike për realitetin shqiptar

    Disa aspekte rreth romanit Kishim një ëndërr (2016) të shkrimtarit Nasi Lera, botimet Living

    Një botë letrare e pasur dhe shumështresore

    Nasi Lera është një nga shkrimtarët e spikatur shqiptarë, krijimtaria e të cilit dallohet për humanizmin, për lartësimin e ndjenjave më të rëndësishme, brenda të cilave transmetohet një atdhedashuri prekëse. Nasi Lera nuk bërtet, ai përshkruan dhe komunikon në mënyrën më njerëzore të mundshme. Në letërsinë shqipe Nasi Lera bën pjesë në mesin e shkrimtarëve më të afirmuar, me vlera të mirëfillta poetike. Vëllimet e para me tregime i botoi në vitet në vitet ’70, ndërsa romanet  gjatë ’80 e ’90. Nasi Lera është prozator i mirëfilltë, pa bujë e reklamë në letërsinë tonë. po qetë, ngadalë, sigurt. në letërsinë shqipe.

    I lindur në Korçë më 22 shtator 1944, aty kreu shkollën fillore. Pastaj do të shkojë në Tiranë për t’i kryer studimet e larta në Fakultetin histori – filologjisë[1], studime, të cilat i përfundoi në vitin 1968.

    Pas kryerjes së studimeve, kthehet në vendlindje për të punuar si mësues në rrethin e Korçës, kurse më vonë prapakthehet në Tiranë dhe punon si redaktor në Radiotelevizionin shqiptar. Për shumë vite ka qenë sekretar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.

    Veprimtarinë letrare e ka nisur në vitin 1968, në prag të përfundimit të studimeve. Talenti i tij u dëshmua  në fushën e prozës. Botoi   vëllimet me tregime “Bora e fundit” (1972), “Era e pishave” (1976), “Nisemi djema” (1977), “Ditë nga ky shekull” (1979. Më 1980 Redaksia e botimeve “Rilindja”[2] botoi një përmbledhje të zgjedhur të tregimeve të tij “Dita e tretë”.

    Gjatë viteve ’80 do të botohen edhe tre libra të tjerë me tregime që mbajnë titujt: “Sytë e dashurisë” (1981), “Duaje emrin tënd” (1983) dhe “Treni ecte drejt dëborës” (1986). Kurse, më 1996 botoi vëllimin me tregime e novela “Ulërimë e heshtur”.

    Ndërkaq, gjatë viteve ’80 e ’90, Nasi Lera prozën e tij e pasuroi edhe me zhanrin e romanit. Botoi këto romane: “Gjaku i prillit” (1981),”Të jetosh kohën” (1984), “Orët e qytetit të vogël” 1986, “Balada e vetvetes (1990), “Nata e premierës” (1990), “Ngjallja e diktatorit (1992), “Ana Zh. (1995),”Sytë e Sofisë” (2011), “Njeri pa stinë” (2011), “Të gjallë dhe të vdekur” (2014), që është edhe romani i tij i dhjetë.

    Poetika e Lerës është mjaft joshëse

    Për prozën e Nasi Lerës është folur dhe shkruara mjaft. Arsyet janë të shumta, sepse poetika e prozës së tij është shumë joshëse, prandaj vazhdon të zgjojë interesime për studime të mëtejme.  Nga çfarëdo këndi dhe nga çfarëdo konceptesh teorike letrare që i është qasur, kritika ka hasur aty në një art të madh.

    Pra,  te kjo prozë kanë hetuar sendërtimin e plotë e konkret të idealit të lartë të artit letrar: t’i shërbejë me përkushtim dhe besnikëri bukurisë artistike e nëpërmjet këtyre edhe bukurisë së jetës.

    Romani “Kishim një ëndërr[3]“ i Nasi Lerës, botuar më 2016, dëshmoi mirëfilli vlerën cilësore të krijimtarisë letrare në prozën e këtij shkrimtari, gjithashtu njëherësh të prozës romaneske shqiptare në përgjithësi.

    Vështruar në këtë kontekst, ky roman arrin majat e vlerave dhe e bëjnë të dallohet nga proza e deritanishme e N. Lerës, por edhe nga ajo shqiptare në përgjithësi.

     E para lidhet me shumësinë e shtresëzimeve të ndërliqshme tekstore të romanit, dhe, e dyta, me shtjellime tekstore poetike që rrezatojnë një shumësi domethëniesh, të botës së individit në veçanti e të shoqërisë shqiptare në përthithësi. Këtu kemi të bëjmë dhe me trajtimin shumëplanësh të fatit e të botës shpirtërore e psikologjike të personazheve kryesore, Astit dhe Lora Rebinit. Ata përjetojnë dhe kalojnë nëpër situata të ethshme e dramatike. 

    Nga teatri i absurdit te absurdi i jetës

    Në roman rrëfehet për Astin, regjisori që nuk mundi të vinte në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin, përkatësisht tragjikomedinë çehoviane-beketiane, të vënë në skenë në realitetin e përditshëm nga politikanët dhe politika shqiptare. Femra është viktima e parë e realitetit të tillë. Skenat e veprës gërshetojnë tragjizmin, neverinë realiste, grotesken, komiken dhe dhimbjen e një realiteti që përjetohet çdo ditë.

    Romani fillon me hapjen e dyqanit të arkivoleve të Tim Funeralit, i cili lokalin e tij e kishte furnizuar me arkivole dhe kurora lulesh prej letre. Pas një kohe lokalin e mbyll. Në derë ishte vënë lajmërimin bashkë me numrin celular, me qëllim të shitjes së lokalit, mirëpo pothuaj askush nuk kthente shikimin në drejtim të atij lokali pasi që ishte në një pjesë jo të dukshme dhe kishte një ndërtesë të lartë pranë. I zoti i lokalit e  humb shpresën që mund ta shiste apo ta jepte me qira. Dikur xhamat e atij lokali i mbuloi pluhuri dhe dikush vizatoi mbi to organin mashkullor dhe dikush tjetër e shkroi parullën: “Rroftë Shën Valentini!” Njerëzve më tepër iu binte në sy dhe i tërhiqnin vizatimi i organit dhe thirrja për Shën Valentinin se sa lajmërimi, “Shitet apo jepet me qira”. Pas një kohe ky dyqan u shndërrua në floktore. Hapja e dyqanit më së shumti e gëzoi Gjon Garipin, i cili zuri miqësi me vajzën e bukur dhe ishte në gjendje t’i përcillte edhe gjitha vajzat tjera që vinin për t’u rregulluar. Mirëpo,  kaloi shumë kohë, vajza mbylli dyqanin dhe iku për në jug-perëndim. Për një kohë lokalin e mbuloi një heshtje e hirtë dimërore, duke e hapur pas një kohe një burrë hijerëndë, zyrë avokature, i cili pjesën më të madhe e kalonte pranë televizorit, pasi që nuk kishte punë. Kjo zyrë, pas pak kohësh, u mbyll, duke u rihapur prapë më tepër që s’pritej, në agjenci funerali. Njerëzit, të cilët e njihnin legjendën e dyqanit, ishin të bindur se lokali nuk do t’i shpëtojë mallkimit mbi të, ashtu siç nuk i kishte shpëtuar tekniku i frigoriferit, parukerja nga jugperëndimi i vendit, avokati etj.

    Asti është një nga protagonistët që mban barrën më të madhe të prozës. Ai kishte krijuar marrëdhënie me Fredin, mirëpo ajo pas një kohe nuk i përgjigjet thirrjes së tij;  kishte ndarë mendjen të heshtte, edhe Asti ishte i vetëdijshëm që nuk do të ishte në gjendje t’ia sigurojë një jetë çfarë do t’i pëlqente asaj, sepse ishte një regjisor i dështuar. Projektet, të cilat i paraqiste për realizim, i dështonin një pas një. Momente interesante në jetën e tij paraqet takimi me Ledi B. si dhe rrugëtimi i tij me makinën e saj të një tipi bashkëkohor dhe i po atij viti të prodhimit. Bukuria e Ledi B., e josh Astin.

    Asti kishte synim të vejë në skenë Çehovin dhe Beketin; kishte besim se një ditë do të sjellë diçka të re.

    Nuk Shihja ku po shkoja. Atë mëngjes, nuk mendova për teatrin, nuk mendova as për Çehovin dhe as për Beketin, sepse gjithmonë mendoja për të dy: vija në skenë Çehovin dhe më dukej sikur vija Beketin ose vija në skenë Beketin dhe më dukej sikur e vija Çehovin. I shkëpusja nga koha e tyre, i sillja në kohën time dhe më dukej se të dy i flisnin asaj njëlloj, sikur asgjë nuk kishte ndodhur në shekullin që më ndante nga Çehovi dhe në gjysmëshekullin që më ndante nga Beketi. Kur mendoja për ta, mendoja se i ndërronin me dëshirë vendet me njëri-tjetrin. Beketin e luaja në dekorin e Çehovit dhe Çehovin në atë të Beketit e të dy në dekorin e dhimbshëm të vendit tim. Harrohesha, sikur të ndodhesha në një sallë e të shihja të luhej në një skenë të madhe: në njërën anë gjysmë Çehovi dhe në gjysmën tjetër Beketi, por në gjysmën e Çehovit, luhej Beketi dhe në gjysmën e Beketit, luhej Çehovi. I besoja marrëzisë sime skenike dhe isha i bindur se një ditë do të sillja diçka të re… (f. 28).

    Asti, siç shprehet edhe regjisori  vetë, po të mos e kishte këtë besim nuk do të studionte regjisurën. Kur ta kuptonte se nuk do të ishte i aftë të thoshte diçka të re, do të largohej nga teatri, gjë që edhe ndodhi. Dhe ndërsa  po ecte, jo drejt një teatri, gjë që edhe ndodh.  drejt një institucioni financiar; nuk po ecte si regjisor, por si një personazh i dalë nga një dramë e panjohur, autor i së cilës ishte koha ku ai jetonte.

    Autori rrëfen edhe udhëtimin e Astit për në qytezën R. me mikrobusin e vjetër, bashkë me udhëtarët e përditshëm. Zbritja e tij në qytezën tepër të varfër dhe më tepër ia  humb shpresat që do të nxjerrë ndonjë kredi. Shpalosen ngjarje e situata të tjera: takimi në bilardo me të çmendurin, i cili aty kishte humbur kredinë dhe kërkonte nga ky që t’i besojë, kthimi me plot dëshpërim dhe dyshimi për të hequr dorë nga kjo punë; takimi me femrën  e pamartuar, e cila kishte marrë kredinë për vëllanë dhe djalin e tij dhe mendonte ta shiste shtëpinë dhe të ikën azil. Kredia ishte aq e lartë sa që nuk dinte nëse do t’ia paguanin paratë e shtëpisë. Ikte nga ajo shtëpi, në të cilën kishte dëshiruar të vdesë. Vëllai nuk i kishte prekur kurrë ndonjëherë punë me dorë. Aty do të ndeshim edhe shumë çaste të tjera tepër interesante që për shkak të rëndimit të jetës, njerëzit janë detyruar t’i marrin kreditë. Asti kishte përshtypjen se po jetonte në një kohë më të ashpër se sa në kohën e Çehovit, në kohën e Beketit dhe se ajo që po përjetonte ishte një hakmarrje ndaj vetvetes.

    Në roman transponohen një varg dukurish dhe preokupimesh dhe preokupimesh qenësore të njeriut tonë dhe të botës së tij. Kjo shumësi problemesh shprehet nëpërmjet një strukture tekstore të ngjeshur, ku shkrimtari ka lënë vetëm tekstin pa të cilin nuk do të kuptoheshin, të nxiteshin dhe të zhvilloheshin lidhjet e ballafaqimit të dukurive e problemeve, të shqiptohej dhe të krijohej konteksti poetik, që e dallon veprën letrare artistike prej çdo vepre tjetër joletrare dhe joartistike.

    Shkrimtari Nasi Lera ka bërë objekt të trajtimi artistik  vetëm ato aspekte, dukuri dhe ide që shprehin esenca, që kur ndërlidhen dhe gërshetohen ndërmjet vete brenda strukturës së tillë, shndërrohen në një tërësi komplekse shprehëse e kuptimore, në të vërtetë krijojnë atë sistem kuptimesh nxit dhe krijon në vetëdijen e lexuesit një sistem të ri, të hapur dhe të pambaruar domethëniesh,  i cili do të zhvillohet dhe do të pasurohet varësisht nga mundësia krijuese dhe riprodhuese e marrësit që vë komunikim artistik me të.

    Në romanin “Kishim një ëndërr” objekt trajtimi bëhet e keqja, e keqja që njeriu i shkakton njeriut. Kjo gjë është konkretizuar e shprehur sidomos nëpërmjet dukurisë së realitetit të rëndë që ka pllakosur shoqërinë shqiptare, dhe ky realitet i rëndë, me zhvillimet e tij deri në tragjizëm, përvetësohet nga forca të caktuara, nuk janë pjellë vetëm e kohës përkatëse, por rrjedhojë e natyrshme e së kaluarës, përtëritje e së keqes në një çast dhe në një vend konkret ekzistimi.

    “Romani është një klithmë artistike për realitetin shqiptar. Si një simbolikë e paqëllimtë, duket sikur autori na thotë se i gjithë vendi është një agjenci varrimesh, jo vetëm për njerëzit, por mbi të gjitha, një agjenci ku varrosen Shpresat, Ëndrrat, Dashuria, Mirësia. Asti, regjisori që nuk mundi të vinte në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin, në të vërtetë përjeton tragjikomedinë çehoviane-beketiane të vënë në skenë në realitetin e përditshëm nga politikanët dhe politika shqiptare. Femra është viktimë e parë e realitetit të romanit të Nasi Lerës, siç është edhe e realitetit shqiptar, por pa vënë në grackën e shabllonit joshës të idealizmit dhe viktimizimit të saj. Skena e varrimit në fund të romanit është edhe skena më e fuqishme, sepse gërsheton tragjizmin, neverinë realiste, groteskun, komiken, dhembjen se ajo që lexon, është një realitet që përjetohet çdo ditë nga lexuesi”, shprehet shkrimtari dhe kritiku i shquar, Rudolf Marku.

    Në roman vështrohen tema nga më nduarduartat, përmes të cilave autori përçon mesazhe tepër interesante.

    Po shpalos  disa nga ngjarjet që lënë vulën e vet të shtjellimit. Pjesëmarrja e Lora Rebit në pritjen e organizuar të Ambasadorëve, e cila përfaqësonte baknën BesAlb, dhe e cila ishte shkuar në vend të bashkëshortes së drejtorit të bankës. Me këtë rast Lora Rebi ndjehej tepër keq për formën e shkuarjes së saj si zëvendësuese e bashkëshortes së drejtorit të bankës, gjegjësisht pjesëmarrjes së saj pa ftesë në këtë organizim. Në këtë rast kureshtje zgjon edhe ndërtimi i lidhjeve deri nga ato më intime të Astit me Lora Rebin, po ashtu edhe ndarja e tyre. Ndarjes së tyre i paraprinte Balada e Shopenit, dhe sa herë që ata bashkë dëgjonin këtë Baladë, Asti i përkujtonte Lora Rebit, kjo muzikë është një shenjë letrare-gjuhësore e paralajmërimit të ndarjes së tyre. Më pastaj, ankthi i Lora Rebit, ndërsa qëndronte si sekretare e drejtorit të bankës, te drejtori vjen një vajzë e re dhe simpatike. Qëndrimi i gjatë i vajzës simpatike te drejtori, shkaktoi nervozizëm dhe ankth te sekretarja, sepse ajo vonesë e bënte të dyshonte. Më tepër e rrënonte shpirtin e saj të trazuar, ishte qëndrimi i drejtorit, i cili këtë nuk e priste me buzëqeshje, por me shumë indiferentizëm.

    Kapitull mjaft interesant dhe që shpërfaq shumëçka që vë në pah të vërtetën, është  mbajtja peng e qenies njerëzore nga ana e atij realiteti të egër, që shpie deri në zhbërjen e substancës së dinjitetit njerëzor. Vjen një ngjarje tjetër, kur gjatë kohës së natës, drejtori i bankës BesAlb bën një udhëtim intrigues me sekretaren, e cila nuk kishte njohur qëllimin e shkuarjes dhe kufirin e atij vendi ku do ta shpinte eprori i saj. Udhëtimi zgjat deri në orët e vona të asaj nate që i zë në Strugë dhe vendosja e tyre në një hotel. Po ashtu, edhe varrimi me muzikën e Enio Morikones, të Z. A., të cilin e kishin vrarë brenda makinës, duke e hedhur në erë me tritol, paraqet një shembull autentik të tragjizmit që sjell realiteti përkatës i kohës.

    Në roman frekuentojnë shumë protagonistë, si Asti, Lora Rebi, Tim Funerali, Helga, Drejtori, Z.A. Vejusha e bukur, Skënder S. Këto personazhe kanë në vete një shumësi kuptimore. Në këtë mënyrë personazhet shprehin raportet shoqërore, përkatësisht mungesën e individualitetit të tyre, zhgënjimin, poshtërimin, shpirtvogëlsinë etj. Secili prej tyre kanë në vete një përmasë të tragjikes së kohës dhe të marrëdhënieve në të cilat jetojnë. Sidomos personazhet si Asti, Lora Rebi, drejtori i bankës BesAlb, ngërthejnë një botë komplekse.

    Mbi bazën e perceptimit të këtillë të çështjeve dhe të dukurive të ndryshme, nga qenësia e përvojës së realitetit ekzistues, Lera krijon një realitet artistik të papërsëritshëm.


    [1]  Shënimet biografike i mora nga leksikonet letrare e tekstet e tjera. Shih Literaturën.

    [2]  Nasi Lera, Dita e tretë. Tregime, “Rilindja” , Prishtinë, 1980.

    [3]  Nasi Lera, Kishim një ëndërr. Roman, Botimet LIVING, Tiranë 2016.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË