Përtej faktit të njohur mbi ndarjen e gjuhës shqipe në dy dialekte (Gegë e Toskë) me kufi lumin Shkumbin, gati si një shënim plotësues, në tekstet e dialektologjisë së gjuhës shqipe bëhet fjalë edhe për të folmet kalimtare, të cilat, sipas dialektologëve, i përkasin një brezi toke në të majtë të lumit Shkumbin (Pse jo edhe në të djathtë?! Shënimi im) dhe ku vihet re përzierja e tipareve kryesore të dy dialekteve të shqipes. Më tej, për të vazhduar detajimin, përcaktohen edhe fshatra e zona të të folmeve kalimtare si: Rrajca, Bërzeshta, Polisi, Kraihna e Vërçës, e Shpatit, e Sulovës, e Dumresë, e Darsisë së Peqinit, Bregdeti i Pashtëm i Kavajës dhe pjesa veriore e Fushës së Lushnjes, të cilat duhet të jenë marrë në konsideratë si vatra të përzierjes së tipareve, pasi nuk ka asnjë arsye tjetër që të përjashtohen fshatra e zona të tjera, që kufizohen me fshatrat dhe zonat e shënuara si bartëse tipike të përzierjes, madje janë vazhdim hapsinor i tyre në përputhje me kahun e lumit Shkumbin.
Në fakt, nuk është vetëm dialektologjia dhe dialektologët që e përcaktojnë lumnin Shkumbin si kufi të ndarjes (dezintegrimit). Përfundime të tilla, shoqëruar me ilustrime hartografike, i gjejmë edhe në studimet etnomuzikologjike shqiptare, sipas të cilave është Shkumbini ai që ndan Shqipërinë në hapësirë isopolofonike, përkatësisht Toskëria dhe hapësirë monodike, përkatësisht Gegëria. Edhe etnografja Andromaqi Gjergji, kur bën fjalë për veshjet e Bërzeshtës, ve në dukje se, përveç kësaj zone ajo (veshja e Bërzeshtës), mbahet edhe në një grup fshatrash në krahun e djathtë të Shkumbinit, pran ë të dy brigjet e tij, prej Bërzeshte e Pishkashi, deri në Librazhd.
Dialektologët, etnomuzikologët, etnografët, me sa duket, janë të interesuar vetëm për dukurinë në vetvete lidhur me fushat përkatëse, duke u përqëndruar kështu në anën përshkrimore të dukurive përkatësisht dialektore, etnomuzikore dhe etnografike, pa qenë të interesuar në mënyrë të qëllimshme për shpjegimin logjik të dukurisë kalimtare si përzierje e elementeve kryesore të gjuhës dhe kulturës në përgjithësi, përkundrejt termit “ndarje” (dezintegrim).
Por, në fakt, në thelb, dezintegrimi si proçes i përftuar nga mungesa e kontakteve, ndalimet, largimet etj, përveçse ndryshimeve që thellohen me intensifikimin dhe zgjatjen në kohë të këtyre faktorëve, kurrsesi nuk mund të nënkuptojë përzierje të tipareve gjuhësorë dhe kulturorë, pasi përzierja vjen prej kontakteve, këmbimeve dhe afrimeve. Në këtë kuptim, përzierja e elementeve kryesorë të dy dialekteve dhe më gjerë, elementeve të kulturës etnike kombëtare përgjatë Luginës së Shkumbinit, siç thonë dialektologët dhe studiuesit e fushave të tjera (etnografia dhe etnomuzikologjia) do të nënkuptonte lëvizje (migrim) të elementeve gjuhësore dhe kulturore në kahun Veri-Lugina e Shkumbinit dhe kahun tjetër, Jug-Lugina e Shkumbinit. Sipas kësaj lëvizjeje simetrike të elementeve gjuhësore dhe kulturore, ku si bosht simetrik kemi parasysh vijën e Shkumbinit, justifikohet brezi kalimtar (jo vetëm në anën e majtë të Shkumbinit), pra përzierja e tipareve dialektore dhe kulturore. Po të jetë kështu, atëhere jemi duke pohuar se: Shkumbini dhe Lugina e tij nuk i ndajnë në pikëpmje gjuhësore (dialektore) dhe kulturore shqiptarët: përkundrazi, i bashkojnë ata.
Është rasti t’i referohem përsëri, si gjetkë në shkrime të tjera, prof, Neritan Cekës në studimin Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme, ku ndër të tjeta ai shkruan: Shkumbini përbën rrugën kryesore natyrore që e përshkon këtë krahinë. Grykat e tij të Quksit janë e vetmja rrugë e përshtatshme për të dalë nga perëndimi drejt zonës bregdetare. Drejtimi tjetër nëpër Bishnicë dhe Holtë, drejt Devollit, është tepër i vështirë për një rrugë tregtare.
Sipas kësaj reference, po të citonim në mënyrë të përshtatshme Ajnshtajnin, do të thoshim: Është tërreni (fusha) që mëson se si të lëvizë njeriun (materien). Dhe në këtë rast lëvizja në kërkim të rrugës kryesore natyrore është nga polet (Jug-Veri/ Gegëri-Toskëri) e hapësirës fizike dhe etnike shqiptare, drejt Shkumbinit dhe Luginës së tij, atje ku gjindja shqiptare afrohej, takohej, përzihej dhe në fund të fundit bashkohej përgjatë udhës së daljes në perëndim.
***
Lëvizjen e tillë si më lart, sot e gjithë ditën e reflekton edhe tradita folklorike e gjallë në Luginën e Shkumbinit. Gegët dhe Toskët në Shqipërinë urbane dhe rurale sigurisht që nuk i përmbahen vijës së Shkumbinit dhe do të ishte e pamundur të hulumtohej historia e lëvizjes së tyrë në gjithë hapësirën shqiptare. Nga ana tjetër, prania e emrave fisnorë Gega dhe Toska/Tosku përgjatë Luginës së Shkumbinit, pikërisht në zona të të folmeve kalimtare merr një rëndësi të veçantë për të argumentuar pohimin tonë se Shkumbini dhe Lugina e tij nuk i ndajnë në pikëpamje gjuhësore dhe kulturore shqiptarët: përkundrazi, i bashkojnë ata.
Duke punuar për një festival lokal të polifonisë dyzërëshe (diafonike) në rrethin e Librazhdit, në Frarë të Hotolishtit (ana e djathtë e Shkumbinit, rrëzë Shebenikut), ende këndohet një këngë e vjetër, vargjet e së cilës janë:
Më rrëmbeu ai gëgë çobani,
Nënë moj më rrëmbeu,
Më rrëmbeu më çoi nga mali.
Më veshi gunën e bardhë;
Ai vish e unë zhvish.
Ia mora ia hodha poshtë
Me ndryshime jothelbësore kjo këngë këndohet përgjatë Luginës së Shkumbinit, anës së djathtë, në fshatrat: Rrajcë, Pishkash, Luqinjë, Skroskë, Kokrevë, Vulçan, Velçan, Hotolisht, e Dragostunjë, ku, sipas perceptimit të një të vjetri, ndahet Mokra me Çermenikën.
Në mungesë të kronikave historike, poezia popullore ka bukur mirë rol kompensues dhe për këtë arsye ajo shërben si pikë referimi për të hedhur dritë mbi proçese të rëndësishme të intëgrimit dhe dezintegrimit gjuhësor dhe kulturor për popuj të ndryshëm dhe në rastin tonë për shqiptarët. Kënga e mësipërme dëshmohet shumë e vjetër, për shkak të tipologjisë së saj si këngë e kohërave të dasmave me rrëmbim, që do të thotë se bëhet fjalë për periudha të hershme, të papërcaktuara kalendarikisht, por të pranuara për periudhën arkaike (Rëmbimi i Helenës së Trojës si dokumenti më i hershëm ballkanik) e deri në kufi të Mesjetës së Hershme.
Kjo këngë e kënduar në variacionet e saj (pa ndryshime thelbësore) përgjatë vijës luginore të Shkumbinit (Rrajcë-Dragostunjë) flet qartësisht për lëvizjen e gjindjes shqiptare nga Veriu drejt Shkumbinit. Këtë e vërteton shenjimi Gegë(gegë çobani) që i bëhet rrëmbyesit nga e rrëmbyera. Shenjimi flet për rrëmbyesin e ndryshëm (nga pikëpamja fisnore dhe etnografike) prej së rrëmbyerës dhe më gjerë, e ndryshëm në pikëpamjet e mësipërme edhe me bashkësinë tjetër ku vjen dhe përzihet përgjatë vijës luginore të Shkumbinit. Kështu fisi Gega në anën e djathtë të lumit Shkumbin (Rrajcë-Dragostunjë) është shumë i hershëm. Ata kanë ardhur nga Veriu, janë përzier me banorët e Luginës, por mbetën të shenjuar si Gegë, pra si të ndryshëm.
Po në anën e majtë të vijës luginore të Shkumbinit çfarë ndodh? A vërtetohet edhe andej, përgjithësisht apo përafërsisht, në mënyrë simetrike, i njëjti kah lëvisjeje; nga Jugu drejt Shkumbinit? Me sa duket edhe andej ka ndodhur simetrikisht e njëjta gjë. Dialektologët Vërçën e Gramshit e veçojnë si një zonë tipike kalimtare. Pikërisht në këtë zonë (në fakt shumë përtej anës së majtë të lumit Shkumbin) haset dendur fisi Toska. Banorët me këtë emër fisnor që jetojnë në Stravaj të Librazhdit, thonë se kanë ardhur aty pikërisht nga Vërça e Gramshit. Fakti që edhe këta janë të shenjuar si Toskë, pra të ndryshëm nga bashkësia vendase në të majtë të Shkumbinit, tregon se ata janë të ardhur aty nga Jugu i Shqipërisë dhe janë përzier e integruar me vendasit. Edhe në këtë rast nuk mungojnë motivet e rrëmbimit të vajzave. Këtë e dëshmon një këngë tjetër e mbledhur në Rrajcë, por e kënduar në variante të ndryshme në shumë fshatra të anës së majtë të Shkumbinit. Edhe pse me mbishtresime të periudhave të mëvonshme historike, kënga dëshmon rrëmbimin si më poshtë:
Ti moj Xhixho, ti moj lule
Selman Toskun çe sëmure
Selman Tosku tha një fjalë
Xhixhon nuk e le pa marrë.
Folja marr në këtë rast, mendojmë se ka idhje nga ana semantike (kuptimore) me atë kohë të largët, kur ajo shenjonte rrëmbimin e gruas (vajzës) dhe jo martesën e saj me të, siç e ka kuptimin sot.
Në këndvështrimin e analizës së mësipërme, nga të dyja këngët folklorike, të kënduara më së shumti përkatësisht majtas dhe djathtas vijës luginore të Shkumbinit, vërtetohet pohimi ynë se Shkumbini dhe Lugina e tij nuk i ndajnë në pikëpamje gjuhësore dhe kulturore shqiptarët: përkundrazi, i bashkojnë ata. Jemi në terrenin e përshtatshëm të Shkumbinit dhe luginës së tij si rrugë e përshtatshme natyrore për dalje drejt perëndimit. Sigurisht që dalje të tilla, doemos të shpeshta, bëheshin jo vetëm për aventura martesore të dasmave me rrëmbim, por edhe për motive të tjera. Ardhësit, në të dyja anët e vijës luginore të shkumbinit, qoftë edhe rrëmbyesit e vajzave, dikur nuk u tërhoqën në thellësitë veriore apo jugore prej nga vinin sipas rastit. Ata ndonse të ndryshëm, si Gegë në anën e djathtë dhe si Toskë në anën e majtë të Luginës, mbetën aty dhe u përzien me vendasite vijës luginore. Se ç’ishin vendasit që në të djathtë dhe në të majtë të Luginës së Shkumbinit i shenjonin ardhësit sipas rastit, në Gegë dge Toskë, kjo do të donte formulimin dhe vërtetimin e një pohimi apo teze tjetër.
***
Lëvizjen e tillë, përzierse, të gjindjes shqiptare, majtas dhe djathtas Luginës së Shkumbinit, e sjell si figurë poetike edhe poeti i ndjerë Koçi Petriti, i cili, me plot arsye, mund të thirret ndër të tjera, edhe poeti i kësaj Lugine.
Kur bënte fjalë për poezinë e tij Balada e urës, ai na thoshte të mos e lexojmë atë thjesht si një baladë dashurie. Sipas tij, ky do të ishte leximi më i përciptë i saj. Poezia në fjalë është shkruar në vitin 1980 dhe ngrihet mbi fabulën e një djali dhe një vajze, matanë e më këtë anë Luginës, bashkimin e të cilëve e pengontë Shkumbini valëshumë. Por drama e tyre nuk ishte thjesht drama e dashurisë së pamundur, për shkak të pengesës natyrore; ajo ishte parasëgjithash një dramë keqkuptimi. Për shkak të pengesës, mesazhet zanore gjuhësore tjetërsoheshin, madje në kuptim të përkundërt si më poshtë:
O të dua-nisej fjala
Jo s’të dua nisej zallit
Vajva thosh : Më piftë vala
Të përpiftë i bëhej djalit.
Zgjidhja e fabulës së kësaj poezie ka në themel sakrificën humane për tejkalimin e sfidave të komunikimit dhe realizimin e tij në emër të dashurisë. Kështu duhet ta lexonim ne, sipas poetit të ndjerë Koçi Petriti, poezinë e tij Balada e urës, prandaj ai na orientonte më shumë tek katrena e fundit e kësaj poezie.
Zgjatën duart vunë gurë,
shtruan dhimbje që nuk thuhen,
gur mbi gur u bëbë urë,
të kalojnë ata që duhen.
Duke e mbyllur, shohim se është momenti për të thënë se me poezinë Balada e urës, ku ai shtjellon poetikisht, sipas mënyrës së tij, idenë e sfidave të komunikimit të gjindjes shqiptare matanë e më këtë anë të Shkumbinit, ka qenë poeti i ndjerë Koçi Petriti ai që ka artikuluar për herë të parë pohimin: Shkumbini dhe Lugina e tij nuk i bashkojnë dhe nuk i ndajnë shqiptarët. Ky është një ndër rastet e shumta se si ai, poeti e rizbulon poetikisht natyrën e bukur të Luginës së Shkumbinit dhe historinë e saj.