More
    KreuIn memoriamBallsor Hoxha: Ishte Kadare, dhe në këtë, ishim edhe ne

    Ballsor Hoxha: Ishte Kadare, dhe në këtë, ishim edhe ne

    Shkruaj për Kadarenë post mortum (megjithëse me shumë vonesë, shih përmbylljen e esesë për këtë!) dhe shoh se software i drejtshkrimit të gjuhës shqipe nuk e njeh emrin e tij – Ismail – nuk e ka regjistruar në emrat e gjuhës shqipe (megjithëse e njeh mbiemrin e tij Kadare). Ndërsa, gjuha e tij, Kadaresë, gjuha e veprës së tij na ndërtoi një udhë dhe udhërrëfim me disa shprehje përmes të cilave ne sot – arrijmë – jo vetëm të kuptojmë por edhe të shprehim kaosin që na ka marrë, mu sikur fiset shqiptare në romanin “Ura me tri harqe” dhe po na bartë në thellësitë e tij.

    Kush nuk thotë sot lidhje e palidhje, më është ‘shpërfaqur’, kam ‘shpërfaqur’ etj; kush nuk e thotë sot se jemi të ‘krisur’, është i ‘krisur’, dhe aq më shumë në stil Kadarean ‘jam i krisur’; apo kush nuk e ka në gjuhën e përditshme sot shprehjen Kadareane ‘ndërmjetësi’. Këto shprehje dhe shumë, panumër shumë të tjera, jo që janë shpikur nga Kadare, por aq më shumë kanë marrë dhe kanë formuar një skelet ndërtimi të qenies shqiptare, para dhe pas tiranisë së komunizmit. Kanë mundësuar një ballafaqim të individit tonë, megjithëse jo të shoqërisë sonë, me këtë kaos që po rrëmben çdo përpjekje tonën.

    1. “shpërfaqja” (Eng.: revelation, resurrection, remergence, etj)

    Nëse i lexojmë me kujdes ‘shpërfaqjet’ në veprën e Kadaresë, prej romanit “Dasma” (roman që ironikisht ai kurrë nuk e deshi, por që BBC e inskenoi si dramë), e tutje në Kronikë në gur, në Ura me tri harqe, etj, etj, saktë këtu gjejmë zanafillën e Kadaresë si shkrimtar, si një Shakespeare i ri i ‘krisur’ që niset për të gjetur konstruktet skeletore të qeniesimit tonë, në ‘ndërmjetësitë’ e kalimit dhe të fshirjes së të tashmeve njëra mbi tjetrën, që u bënë totalitare dhe të pandryshueshme, të padyshueshme dhe të patjetërsueshme. Janë ajo ‘ndërmjetësia’ e të vërtetave që gjallojnë si avuj të një kënete të të vërtetave të mbetura, të ngecura në pamundësinë tonë, njerëzore e kolektive.

    Në novelën “Muri i madh kinez” rojës së “ndërgjegjshëm” të murit që e ndanë Kinën nga barbarët, vazhdimisht i shpërfaqet kujtimi i një ndodhie të një vajze të cilës i ishte rritur dora, tuli e mishi nën “bylyzyk” aq shumë sa që nuk mund t’ia hiqnin nga aty, dhe në tërë ‘shpërfaqjen Kadareane’ po e njëjta krisë tërë Kinën në një trup të nxënë, pre e vetë bylyzykut të saj, e rritur aq shumë, Kina, sa që muri i saj është bylyzyku i saj që e prenë trupin e vetë saj. Kadare, arrin që tërë përmasën e një bote ta ‘shpërfaqë’ në një bylyzyk të një vajze kujtim i rojës së murit të madh kinez.

    Në një novelë tjetër të Kadaresë, nisemi nga një kafe e Shkodrës natën vonë, për të arritur në tërë kompleksin e traditës dhe ‘ligjës’ së Veriut të Shqipërisë, për të dalë tutje në shpërfaqjen e kompleksit të Narcisit, lindjes së narcisit, dhe të ‘shpërfaqjes’ së narcisit tutje në kohën relativisht moderne të njerëzimit, mu sikur që kishte ndodhur treguar nga miti, mu sikur që do të ketë ndodhur. E shohim duke ndodhur një nga komplekset më të mëdha dhe më të rrezikshme të njërit, në histori e në psiken tonë. Një narrativ i cili niset nga një natë krejtësisht e zakonshme, me një ritual krejtësisht të ‘krisur’ dhe që përfundon i pastër, i kthjellët në ‘shpërfaqjen e zanafillës së njeriut përballë tjetrit’.

    Në një tregim të Kadaresë, ndër më minimalistët, ulur një çift, një burrë shqiptarë dhe një grua, në periferi të Moskës vëzhgojnë fluturimet  e aeroplanëve, natën, është nata e fundit e tyre para ndarjes, dhe në këtë uturima e avionëve është uturima e ‘krisjes’ së botës, apo thënë më mirë e botëve, derisa njeriu i pandihmë shikon, në tërë atë që i ka mbetur, dhe pathënshëm vuan këtë shumëfishim të botëve, të zhvleftësimit të botës ku këta dy janë takuar. Njeriu i harruar vëzhgon ‘shpërfaqjen’ e totalitarizmave, të ngërthimit të tërë këtyre botëve në një “Full Metal Jacket”; ‘shpërfaqjen’ paralajmëruese të pakthyeshmërisë së kësaj ‘krisje’ të botës në panumër botë totalitare.

    2. Kadare – Bjeshkë e nemun?

    Duke pas zgjedhur këto tri momente, nga vepra krejtësisht të harruara të Kadaresë, këto minimalizma (në raport me ‘shpërfaqjet’ që ai kapë dhe gjen në ndërmjetësinë e të vërtetave) përmes ‘ndërmjetësisë’, ‘krisjes’, dhe ‘shpërfaqjes’ që Kadare bën në këto, gjejmë një obsesion prej autori, prej shkrimtari për të hequr kufomat e vdekura të të vërtetave të këtyre botëve, rënë mbi njëra tjetrën në pirg eshtrash të të vërtetës, dhe hapë atë “avullin” e rezonimit të ndërmjetësisë/ve të qeniesimit njerëzor.

    Stili i tij, Kadaresë, që në masë të madhe ishte unik, por që e bënte peng i mënyrës leximit global, si trend; dhe aq më shumë ndarja perpetuale (e përpjekur) ndërmjet shkrimtarit dhe tiranisë, së botëve që ishin shumëfishuar, e lexuan stilin e tij sipas trendëve, e kuptuan atë në trendet e po kësaj ndarje perpetuale, të cilës ai edhe iu dha shumë herë, por, kjo hapë edhe pyetjen e një gjëje krejtësisht unike: cilat do të ishin temat, cilat do të ishin personazhet, dhe cilat do të ishin intrigat në veprat e Kadaresë? Jo që Kadare kishte ndonjë shkarje, apo edhe devijim, apo edhe nënshtrim, “ai shkroi një letërsi normale në një vend jo normal” siç tha shumë herë, por pikërisht sepse universaliteti i veprës së tij do të ishte më i popullarizuar, më pak i rrezikshëm, më pak i cenuar dhe i izoluar pikërisht në të vërtetat e  njerëzimit përmes një vendi “zotit prapa shpine” e që nuk ishte në trendin e leximeve masive globale.

    Gjithnjë në leximin dhe mahnitjen me veprën e tij, Kadare vazhdon të akumulojë tirani prej autori. Tirani, nga pamundësia e arritjes së ‘krisjes’ së tij, së paku në kohën dhe jetët e gjeneratës sonë. Jo ironikisht, e quaj Bjeshkë e nemun, me seriozitetin më të madh, qoftë si shpërfaqje e tërë asaj që Kadare rrëmihu, apo thënë më saktë ‘krisi’ në varganët e kufomave të të vërtetave, një individ, një Ismail Kadare, si Bjeshkë e nemun, antropologjikisht e historikisht, që duke qenë se sot filozofia (të menduarit) është vetë trualli i njeriut, bjeshka që ngritë, në filozofinë e tij Kadare mbeti si një bjeshkë, si bjeshka më e madhe shqiptare, me fatkeqësinë e të qenit e vetme, e pazotërueshme dhe e paarritshme,  e nemun në arritjen e saj dhe në përhershmërinë e saj, dhe në vetminë e saj.

    Tirania e Kadaresë, nuk është një dhunë, domosdo edhepse kjo është e natyrshme në këso përmasash, apo nuk është një totalitarizëm i dhunshëm, përkundrazi, ai u fotografua me gjysmën e Shqiptarëve për hir të tyre në restorantin ku rrinte, morri pjesë në çdo ngjarje, në televizione e shoqërime e tubime të tyre, e të cilat i ironizonte, por vepra e tij ngjanë si një lundër, që vinte tërë këtë jetë të tij, por edhe jetës sonë, vinte gjithherë duke u zmadhuar në limanin ku ishte nisur, në limanin e vetëm të tij, të Shqipërisë. E shihej e vogël dhe e manipulueshme, dhe e injorueshme, e ‘servisuar’ qoftë edhe, sepse askush nuk mund të imagjinonte prej ku ishte nisur, për ku, dhe nga shkonte. E dimë të gjithë tani, prej ku, dhe nga shkoi, dhe ku edhe u ndalë. Si një lundër me një Uliks.

    3. Ismaili dhe shpirtngushtësia e një realeje tonë 

    Ismail Kadare jetoi në afërsinë tonë, në të tashmen tonë dhe në praninë tonë, si individë e si shoqëri. Kjo fjali ngjanë krejtësisht e zakonshme, e harrueshme apo edhe e injorueshme, por mund ta themi edhe në një mënyrë tjetër, ne, gjenerata jonë jetuam ndan një historie të dhunës, përmbytur tanimë në kaosin e tranzicionit global a shqiptarë, gjenerata jonë jetoi ndan një individi që i doli ballë kësaj historie dhe po ashtu e ‘shpërfaqi’ këtë histori në përmasa globale. Si atë të Shqipërisë si atë kosovare, e po ashtu edhe në tërësi atë shqiptare. Do të na duhet një kohë ta shohim sa të vetëm kemi mbetur pa pararojën tonë, sa i vetëm ishte vetë Ismail Kdare si pararojë e ferrit dhe gjëllimit të të vërtetave të sajuara, e pastaj edhe ta pranojmë se jetuam një histori që nuk përsëritet, por në krahun e një Uliksi.

    (Personale: Kam takuar disa herë Ismail Kadarenë, por në takime të profesionit, dhe kushedi çfarë ‘krisje’ sarkastike kamë lënë në përjetimin e tij, sigurisht me ankthin tim të takimit të një Uliksi të gjallë e real. Kam edhe të botuar një studim për disa nga veprat e Kadaresë, dhe shumë shkrime për veprën e tij.

    Sidoqoftë, në jetë, pas shumë rrokullimave, gjithnjë, si në ritual, jam ngritur duke e rilexuar veprën e tij. Aq shumë, sa që qe një kohë të gjatë, i strehuar nën rreshtat e tij, këshillohem me te, debatoj e pyetem, por po më merr kohë derisa ai të kthehet, si Prometeu, i zgjidhur më në fund, prej shpirtngushtësisë së reales ku jetoi).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË