More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një tregim nga inteligjenca artificiale", nga Ylli Pango

    “Një tregim nga inteligjenca artificiale”, nga Ylli Pango

    Një çun i imët i popullit, rastisi të ishte në një klasë me djalin e Të Madhit. Në shkollën më të afërt me Bllokun. Baba i çunit ishte shofer, por shofer i besuar. Shofer i njerit prej shokëve Blloku. Edhe shtëpinë ndonëse jo në bllok, shoferët dhe shërbyesit e shokëve Blloku, i kishin në apartamentet-furrik pranë bllokut.

    Biri i të Madhit e pat afruar çunin e popullit me dashamirësi pranë vetes si shok.

    …”Të rrini me fëmijët e kllasës puntore, me djemt e popudhit”, e pat këshilluar I Madhi të birin…

    …Biri i Njëshit, ndryshe i të Modhit, fliste me një zë lozonjar, paksa femëror…prej çun-goce të përkëdhelur. Të ishte lindur pas viteve 90, do e quanin e do ndjehej krenarisht LGBT. Po asokohe nuk njihej kjo fjalë. Lere pastaj që të ishe i tillë, hyje në burg. Biri i të Madhit, tek ecte, kokën e mbante paksa lehtas, këndshëm, të anuar majtas. Si një gocë që pret ta ngasin, e bën gjasme sikur nuk do ta ngasin. Apo sikur herë pas here do ti dilte dikush përpara ti kërkonte diçka e ky do të niste ti bënte naze…”ta jap, s’ta jap”

    …Biri i shoferit pa e kuptuar as vetë se si, filloi edhe ai, ta mbante,kokën të anuar lehtas majtas. Edhe rrobat mundohej ti mbante më të pastra. Filloi të thoshte shpesh e më shpesh:”Ju lutem…” dhe “posi, posi”…

    …Po ashtu, kish kohë që e mbante kokën anuar majtas edhe biri i ushtarakut të lartë Bido. Edhe ky ishte në të njëjtën klasë me birin e komandantit të Madh dhe me çunin e shoferit. Edhe këtë biri i të madhit e kishte shok. Po aq të ngushtë sa edhe birin e shoferit të bllokut. Edhe me këtë djalë, i Madhi e pat këshilluar të birin të shoqërohej. I pat thënë edhe që ti trajtonte shokët njëlloj. Si birin e shoferit edhe atë të gjeneralit “…Popudhi është i barabartë” i pat thënë. (Më pas kjo thënie pat hyrë në librin e citateve të klasikëve të M-L. ..)

    I Madhi i pat thënë edhe se…

    “Babai i këtij djalit, shoku Bido, ka qenë një shok i mirë e i partishëm i luftës…tash shok me rëndësi në një sektor me rëndësi të ndërtimit të gratacielit socialist…”

    …për një rastësi aspak të çuditshme, ngjashëm me shokë të tjerë revolucionarë…që patën tradhëtuar idealet e luftës e të socializmit… I Madhi ca më vonë, pat dhënë urdhër ti presin kokën edhe shokut besnik Bido …Shoku Bido shkoi në atë botë duke nderuar me grusht portretin e Komandantit e duke ju ngulur këmbë gardianëve se Komandanti vazhdonte ta donte e se në burg e patën futur të tjerë…

    …Kjo është një histori fort e shkurtër e Bllokut e aty rrotull tij, aso kohe…

    …Vite më vonë, kur i Madhi u nis për amëshim e Blloku u bë Rok, rastisi një herë e u bënë bashkë… tashmë burra, këta të tre bijtë ish shokë klase…Ishte një rast imagjinar, organizuar nga Qendra Kombëtare e Historisë, Artit dhe Krimeve të së Shkuarë. Të tre burrat nuk mbetën aspak të habitur. Ishte Koha e re e “Çdo gjë që bën vaki”.

    …I biri i shoferit i puthi dorën djalit të komandantit të Madh dhe ky sakaq i ledhatoi kokën. “ Me se merresh tani xhan” e pyeti me kokën anuar majtas. “Babai ende gjallë është?… Makinën di ta ngasësh? Pse nuk vjen të punosh me mua në biznesin tim”

    Pastaj i dha kokës anash nga ana tjetër. Aty ku priste shoku…

    …djali i shokut Bido, me baba të vrarë e ende kocka/pa/gjetur. Pasi pat pritur me durim rradhën, ai pyeti me respekt:” Po me babën tim ç’pati yt atë që i hoqi kokën? Baba im linte kokën për të. Sa herë më ka qethur kokën tullë kur lija sado pak baseta..në shtëpi dëgjonim vetëm këngë popullore….edhe motra brekët prej fanellate i kishte…”

    “Ashtu ishin ato kohë atëhere” iu përgjigj me dashamirësi e në mënyrë atërore biri i të Madhit. “ “Unë mezi kam shpëtuar për vete. Një herë desh më bënë anëtar partie…e më pas do isha më lart…e pastaj lart e më lart…e së fundmi do isha në burg…sot në kohën e demokracisë hibride…Por shpëtova…Ndërhyri me takt nëna e i tha babait:” Është ende i vogël. Lere të rritet edhe ca…”

    “Ke të drejtë” ra dakord djali i Bidos.” Paske shpëtuar paq”…

    “Po për mua a ke ndonjë vend pune…?”

    “Jo..” i tha biri i Komandantit. “ pér ty nuk kam…plus, dmth minus, që edhe kam dëgjuar se je bërë me partinë borgjeze…gjithsesi do ta them një fjalë të mirë për ty diku lart…është bosh vendi i Komandantit të Shkencave…”

    …Kështu e shkruajti këtë tregim me tema nga e shkuara, Inteligjenti Artificial.

    Një demokrat më tha se ja ka futur kot. “Kokën sot ay djali e mban djathtas..apo sa djathtas-majtas”

    Një socialist tundi kokën dhe tha mendueshëm:”…jo keq…ashtu e mbante kokën ai djali…”

    Edhe historiani Milo Xhufi është duke e analizuar këtë tregim të Inteligjencës Artificiale. Nga pikpamja shkencore. Sidomos atë episodin e vrasjes: “…A ishte vërtet vrasje apo Komandanti e çoi fshehtas shokun Bido në një kamp pushimi dhe aty Bido na u mbyt pa dashur me një halë peshku koran tek rrëkëllente një gotë verë importi…”.

    ( nga cikli:” Tregimet e Bllokut”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË